28. Kasas · Ajeti 88 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 28:71–28:88
Rregullimi i natës për të pushuar e ditës për të punuar, është mirësi nga i madhi Zot, sepse edhe nëse mund të pushohet në ndonjë rast ditën, kurse të punohet natë, ato janë raste të rralla dhe nuk mund të jenë aq të përshtatshme. Për këtë të mirë duhet falënderuar vetëm Allahun.
Karuni ishte nga të afërmit e Musait, si duket ishte nga ata të shtatëdhjetit që shkuan me Musain në Tur, ishte një ndër më të aftit në leximin e Tevratit, por e tradhtoi besimin e drejtë, ia kishte zili Musait si pejgamber, e edhe Harunit si i parë, prandaj nuk falënderoi Zotin për atë pasuri aq të madhe që ia dhuroi, por iu rrit mendja dhe i përbuzi të gjitha ato të mira. Atë dhe pasurinë e tij e lëshoi toka, ajo ishte masë ndëshkimore kundër mendjemadhësisë së tij. Besimtarët e sinqertë i patën thënë: Përpiqu e fitoje xhennetin me këto të mira, bën mirë siç bëri Zoti ndaj teje, e ani, gëzoi edhe të mirat e kësaj jete që janë të lejuara, por ai, përkundër këshillave, edhe mëtej ishte arrogant. Ata që i patën lakmi atij, u dëshpruan kur panë shkatërrimin e e tij dhe u bindën se vetëm Zoti është Ai, i cili sipas urtësisë së vet, të cilën askush nuk mund ta kuptojë, i jep pasuri kujt të dojë dhe nuk i jep kujt të dojë, vetëm Ai e di pse. Ndodh që i jep, por jo për ta nderuar, ndodh që nuk i jep, por jo për ta nënçmuar, ajo është dëshirë dhe urtësi e Tij.
Vepër e mirë, e bukur është ajo që, kur e sheh i zoti në ditën e kijametit, i hijeshohet fytyra prej gëzimit, andaj edhe quhet e bukur. Ajo është vepër që njeriu e bën vetë ose dikush tjetër për te, f.v. sadaka për babë, nënë etj. Vepër e mirë është edhe nese nuk realizohet, gëllimi, orvatja për të, edhe nëse nuk realizohet, por kjo shpërblehet një për një, e jo shumëfish si ajo që kryhet. Në ajetin 85 mendohet se Muhammedit i është premtuar qysh heret se do të rikthehet prej Medinës në Meke, Pejgamberi porositet të mos lëshojë pe në asnjë rregull të mësimeve Kur'anore, të mos bëjë kurrfarë kompromisi me jobesimtarë, i e kjo vlen edhe për besimtarët, sepse e gjithë fuqia, madhëria i takon vetëm Allahut që çdo send zhduket e Ai jo; Ai gjykon, I tek Ai është fati i lumtur. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Kasas". Falënderimi i takon vetëm Allahut!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 28:85–28:88
Allahu i Lartësuar i drejtohet me këtë urdhër Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ , që ai të përkushtohet në kumtimin e Shpalljes dhe në leximin e Kuranit ndër njerëz, duke e njoftuar atë se, Ditën e Kijametit, Ai patjetër do ta mbajë premtimin që i ka dhënë atij: - “S’ka dyshim se Ai që ta urdhëroi Kuranin ty, Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar.” - Allahu i Lartësuar e bëri detyrë mbi ty kumtimin e kësaj të vërtete dhe të Kuranit ndër njerëz. Ai që ta ngarkoi këtë detyrë, Ai do të të kthejë në Vendin e Premtuar, pra, do të kthejë ty në Ditën e Kijametit dhe ka për të të pyetur në lidhje me këtë detyrë. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Ne patjetër që do t’i marrim në pyetje ata tek të cilët u dërguan profetët, e patjetër që do t’i marrim në pyetje edhe profetët.” [Earaf 6]. Ose: “Një ditë, Allahu do t’i mbledhë profetët dhe do t’i pyesë: “Cila qe përgjigja që morët (nga njerëzit)?” Ata do të thonë: “Ne nuk kemi dijeni; vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.”” [Maide 109]. Ose: “... dhe do të sillen për të dëshmuar profetët e dëshmitarët.” [Zumer 69]. Në kapitullin e Tefsirit, në Sahih-un e tij, Buhari sjell nga Ibn Abasi shpjegimin e fjalës së Allahut, që thotë: “Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar”, pra, ka për të të kthyer ty sërish në Mekë.” Kështu e ka sjellë edhe Nesaiu në kapitullin e Tefsirit të Sunen-it të tij, e po kështu edhe Ibn Xheriri. Gjithshtu, Aufiu përcjell nga Ibn Abasi se ajeti: “Ai do të të kthejë ty në Vendin e
Premtuar”, ka kuptimin se: “do të kthejë ty në Mekë, ashtu sikurse të nxori prej saj”. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi përcjell se Naim el Kariu se, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar”, ka thënë: “Pra, do të kthejë tek Bejtul Makdes, në Palestinë.” Ky shpjegim, - dhe Allahu e di më mirë - u afrohet atyre që thonë se këtu bëhet fjalë për Ditën e Kijametit, sepse Bejtul Makdes, pra, Toka e Shamit, njihet edhe si vendi i tubimit të krijesave, afër Ditës së Kijametit. Allahu është Ai që jep sukses për gjithçka! Ky lloj harmonizimi mes fjalëve dhe mendimeve të sjella për këtë ajet është ndikuar nga fakti se Ibn Abasi njëherë e shpjegoi këtë ajet duke thënë se bën fjalë për kthimin në Mekë, pra, për ditën e çlirimit të Mekës. Por, sipas Ibn Abasit, çlirimi i Mekës tregonte, gjithashtu, se tashmë ishte afruar edhe koha e largimit të Profetit nga kjo dynja dhe e kthimit të tij tek Zoti. Po kështu, Ibn Abasi ka nxjerrë një mesazh të ngjashëm edhe nga surja Inshirah, ku i Lartësuari thotë: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirë - plotit! Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës), dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe -grupe, atëherë, madhëroje me lavde Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai! Ai është Pranues i madh i pendimit.” [Nasr]. Pra, kur të shohësh që Zoti do të të sjellë fitoren e madhe dhe çlirimin (e Mekës) dhe kur të shohësh njerëzit që të hyjnë në fenë e Zotit, atëherë dije se është afruar koha e largimit tënd nga kjo dynja, prandaj lavdëroje me tesbih Zotin tënd dhe kërkoji falje Atij. Nga Ibn Abasi ka ardhur edhe mendimi se ky ajet flet për Ditën e Kijametit ose Xhenetin. Të gjitha këto janë shpjegime të përafërta, sepse edhe Dita e Kijametit është dita e premtuar, dita e takimit me Zotin. - “Thuaj: “Zoti im e di më së miri kush është ai që sjell udhëzimin e vërtetë dhe kush është në humbje të sigurt”. - Allahu, Zoti im, është i gjithëditur për ata që janë të udhëzuarit. Ai e di mirë se cili është i udhëzuari, unë apo ju, o popull mohues. Ju keni për ta mësuar mirë se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë. Më pas, duke i kujtuar Profetit mirësinë e madhe që i dhuroi atij dhe adhuruesve të sinqertë, tek të cilët ai e dërgoi atë, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ti nuk ke shpresuar ndonjëherë se do të të shpallej Libri ...” - Përpara se të zbriste Shpallja, ti as nuk e mendoje atë. - “... por kjo është mëshirë e Zotit tënd. ” - Zbritja e Shpalljes ishte mëshirë e dhuruar nga Allahu për ty dhe për adhuruesit e sinqertë. Kështu, duke qenë se Allahu të dhuroi një mirësi kaq madhështore: - “... mos u bëj kurrë ndihmësi i jobe - simtarëve.” - Kurrë mos u bëj përkrahës i mohuesve, por ndahu dhe largoju prej tyre, kundërshtoje rrugën e tyre. - “Kurrë mos të të shmangin ata nga ajetet e Allahut, pasi ato të janë shpallur!” - Mos u ndiko nga fakti që ata i pengojnë njerëzit nga rruga jote; as mos u shqetëso fare për këtë! Mos u shqetëso aspak për luftën e madhe që ata zhvillojnë kundër të vërtetës, që t’i solle. Allahu ka për ta lartësuar fjalën tënde, ka për ta ndihmuar dhe do të bëjë që feja jote të triumfojë dhe të jetë e epërme mbi të gjitha fetë dhe besimet në Tokë. - “Fto për te Zoti yt dhe kurrë mos ndiq dëshirat e idhujtarëve! ” - Fto në adhuri - min e Zotit si një të vetëm dhe pa ortak. - “Dhe, veç Allahut, mos adhuro asnjë zot tjetër! Nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar), veç Tij. ” - Adhurimi si një i vetëm dhe pa ortak i takon vetëm Allahut. Dashurinë, madhërimin dhe nënshtrimin e plotë me bindje e meriton veçse Ai dhe askush tjetër. - “Çdo gjë, përveç Atij, do të zhduket. ” - Allahu i Lartësuar është i Përhershëm, i Përjetshëm. Ai është i Përjetshmi ( El Kajjum), Ai i Cili mban rregull dhe kujdeset për gjithçka, i Cili kurrë nuk vdes. Allahu i Lartësuar përmend fytyrën, duke nënku - ptuar Qenien e Tij. Pra, çdo gjë do të shka - tërrohet, përveç Allahut të Lartësuar. Të gjitha qeniet janë të destinuara të zhduken, përveç Qenies së Allahut të Lartësuar, që
është i pastër, i dëlirë nga çdo e metë dhe mangësi. Ai është i Pari dhe i Fundit, i pari para gjithçkaje dhe i fundit pas gjithçkaje. - “Vetëm Atij i takon i gjithë Gjykimi. ” - Allahut i takon pushteti, sundimi, pronësia, mbretërimi. Atij i takon që të veprojë në krijimin e Tij si të dëshirojë dhe askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë gjykimin e tij. - “...dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!” - Ditën e Premtuar, Ai ka për t’ju shpërblyer sipas punëve tuaja: nëse keni bërë mirë, do të merrni shpërblime të mira dhe nëse keni bërë keq, e keqja do t’ju presë. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Kasas. Vetëm Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet dhe mirënjohja për çdo mirësi që na ka dhuruar. Përfundoi në datën 15.04. 1390 hixhri ose 19.06. 1970.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 28:85–28:88
- S’ka dyshim se Ai që ta urdhëroi Kur'anin ty, Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar. - Është Allahu i Lartësuar Ai që ta shpalli këtë Kur'an dhe ligjëroi në të dispozitat dhe ligjet e jetës dhe adhurimeve. Ai sqaroi hallallin dhe haramin dhe të urdhëroi që ta përcjellësh e përhapësh këtë të vërtetë ndër njerëz. Ai të urdhëroi t’i ftosh ata që të nënshtrohen për të jetuar sipas ligjeve e sistemit që Ai ka vendosur për të përgjegjshmit ligjërisht (njerëz e xhindë). Allahu është i Urtë dhe i Gjithëditur dhe urtësia e Tij nuk mund të lejonte që njerëzit të jetonin vetëm jetën e kësaj dynjaje dhe pastaj të vdisnin, dhe kështu të përfundonte çështja e tyre. Ai kurrë nuk do të lejonte që njerëzit të mbeteshin pa u shpërblyer ose dënuar për veprat e tyre dhe mënyrës si jetojnë në këtë botë. Ai vendosi me urtësinë e Tij që të jetë një ditë e premtuar, kur njerëzit e xhindët do të ringjallen e tubohen për t’u marrë në llogari për jetën këtu. Atë ditë bamirësit do të shpërblehen me mirësitë e Tij të pafundme dhe punëkëqijtë do të ndëshkohen me drejtësinë e Tij të plotë. Atyrë u është qartësuar udha e drejtë, ligjet dhe shpalljet nga Zoti i gjithësisë. Nëse ata e pasojnë këtë, kjo është vetë lumturia e tyre. Por nëse zgjedhin të mos binden, të mohojnë të vërtetën dhe të trillojnë gënjeshtra për Shpalljen e Zotit, atëherë nuk ka vend më për polemikë. Nëse ata i japin përparësi kotësive dhe kënaqësive e tyre në këtë dynja, kundrejt të vërtetës dhe përjetësisë në ahiret, atëherë mbetet veçse që të presim shpagimin për punët e tyre nga Ai që është i Gjithëdituri për të fshehtën dhe të dukshmen, për të vërtetën dhe të kotën: - Thuaj: “Zoti im e di më së miri kush është ai që sjell udhëzimin e vërtetë dhe kush është në humbje të sigurt”. - Dihet mirë se Profeti i Tij ishte i udhëzuari që orientonte në udhën e drejtë, ndërsa kundërshtarët dhe armiqtë e tij ishin të humburit dhe devijuesit e njerëzve nga rruga e drejtë. - Ti nuk ke shpresuar (ndonjëherë) se do të të shpallej Libri (Kurani)... - Ti as që prisje të të jepej kjo Shpallje dhe as po përgatiteshe për diçka të tillë. - ...por kjo është mëshirë e Zotit tënd. - Kjo ishte si mëshirë e Zotit për ty dhe për gjithë njerëzimin, prandaj Ai të dërgoi me këtë libër. Ai mëshiroi botën me këtë libër dhe u mësoi atyre atë që nuk e dinin. Ai do që t’i pastrojë ata. Allahu u mësoi Librin dhe Urtësinë, dhe pse më parë ata ishin në humbje të qartë dhe të thellë. Nëse e mëson dhe bindesh se Shpallja ishte mëshirë për ty dhe për të gjithë njerëzit, atëherë të jesh i bindur se çdo urdhëresë e ndalesë e ligjëruar në të është mëshirë e mirësi shumë e madhe e dhuruar nga Allahu. Në zemrën tënde nuk duhet të ketë asnjë lloj ngushtie nga urdhëresat dhe ndalesat e sjella në të. Kurrë nuk duhet të mendosh se diçka tjetër mund të jetë më e mirë, më e përshtatshme dhe më e dobishme për njerëzimin, sesa kjo Shpallje, prandaj: - Prandaj ti mos u bëj kurrë ndihmëtar i jobesimtarëve! - Kurrë mos i ndihmo ata në kufrin e tyre! Kurrë mos u bëj pjesë e
tyre! Kështu, është gabim shumë i rëndë që dikush të thotë për ndonjë nga ligjet e Zotit se është në kundërshtim me urtësinë, dobinë dhe mirësinë, sepse ky është mendim i mohuesve të Zotit dhe të shpalljeve të Tij. - Kurrë mos të të shmangin ata (mohuesit) nga ajetet e Allahut, pasi ato të janë shpallur ty! - Profeti ﷺ i përcolli plotësisht dhe qartësisht ajetet. Gjithashtu, ai i zbatoi rigorozisht dhe me besnikëri ato. Allahu i Madhëruar i tha: “Mos u shqetëso për kurthet dhe intrigat e mohuesve! Kujdes dhe mos lejo të të mashtrojnë dhe të të tërheqin që të ndjekësh dëshirat e shfrenuara të tyre!” - Fto (njerëzit) për te Zoti yt... - Le të jetë qëllimi yt final ftesa e njerëzve në fenë dhe ligjin e Zotit! Çdo gjë që bie ndesh me këtë, refuzoje! Kujdes nga shtirja, syfaqësia ose miratimi i pasuesve të së kotës, sepse ata të çojnë në shkrirjen me ata, duke u bërë urë e ndihmë për qëllimet e tyre. - ...dhe kurrë mos ndiq dëshirat e idhujtarëve! - Mos u bëj si ata, as në idhujtari dhe as në pjesët e saj, pra, në çdo lloj poshtërsie e gjynahu, por përkushtohu në adhurimet e sinqerta vetëm për Allahun! - Veç Allahut mos adhuro asnjë zot tjetër! Nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar) veç Tij. - Askush përveç Allahut nuk meriton që ta adhurosh, ta duash me gjithë shpirt dhe ta madhërosh e t’i nënshtrohesh! Allahu është i plotë e absolut në emrat e cilësitë e Tij. Ai është i Përjetshmi, për të Cilin të gjithë kanë
nevojë. Ndërsa çdo gjë tjetër do të zhduket dhe ka një fund në këtë dynja: - Çdo gjë, përveç Atij do të zhduket. - Duke qenë se çdo gjë veç Tij është e kotë dhe e ka një fund, edhe adhurimi i asaj që do të zhduket e përfundojë është i kotë dhe i gabuar. Allahu është i Vetmi e i Përjetshmi. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Atij i takon gjykimi e vendosja e ligjit në dynja dhe në ahiret. - Vetëm Atij i takon i gjithë Gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë! - Duke qenë se Allahu është i Vetmi i Përjetshëm, Ai në dorë të të cilit është ligji i dynjasë dhe ahiretit, dhe meqenëse tek Ai do të kthehen të gjithë për t’u shpërblyer, atëherë çdokush që ka sado pak logjikë e kupton dhe nënshtrohet që të adhurojë veçse Allahun si një dhe të pashoq. Ai përkushtohet që të bëjë çdo punë që e afron pranë Tij dhe kujdeset shumë që të mos bëjë ato gjëra që zemërojnë Allahun dhe sjellin ndëshkimin e Tij. Ai përpiqet që, kur të kthehet tek Allahu, të jetë i penduar dhe i vendosur për të lënë gjynahet e gabimet e tij. Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Kasas. Allahut i takojnë lavdërimet dhe madhërimi përgjithmonë.