29. Ankebut · Ajeti 13 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 29:1–29:13

Eshtë ligj i Zotit xh. sh. që njerëzit të sprovohen, pse përndryshe nuk do të dihej i sinqerti prej atij që nuk është i sinqertë. Kjo lloj sprove është në të mirë të njerëzve, sepse ata do t'i kuptojnë miqtë dhe armiqtë. Allahut nuk i nevojitet një sprovë e tillë. Ai i di të gjitha të fshehtat, i di qëndrimet dhe qëllimet e njerëzve dhe pa i sprovuar ata fare. Besimtarët duhet t'i njohin ligjet e Zotit dhe të jenë të qëndrueshëm, të fortë në çdo rast sprovimi, pse ata e besojnë shpërblimin që i pret tek Allahu dhe e dinë se çdo përpjekje e tyre është në të mirë të tyre dhe mundi i tyre do të shpërblehet shumëfish. Urdhëri i Zotit për sjellje të mirë ndaj prindërve buron nga arsyeja se fëmijët nuk janë aq të prirur për respekt ndaj tyre, e Allahu i obligoi me atë që është kundër natyrës së tyre, ashtu që ai veprim të çmohet ibadet. Prindërit nuk duhet respektuar, nëse tentojnë të largojnë prej rrugës së drejtë. Ky ajet shpallet rreth Sad ibni ebi Vekas. Ai thotë: Isha respektues i denjë ndaj nënës, e kur pranova fenë islame më tha: ose lerë atë fe ose do të bëjë grevë urie deri sa të vdesë, e ti do të turpërohesh. Unë i thashë: Mos oj nënë, se unë nuk largohem kurrë prej asaj feje. Ajo filloi grevën, qëndroi një ditë e një natë, e luta ta ndërprejë grevën, por ajo vazhdoi edhe një ditë e një natë tjetër, kur pashë ashtu i thashë: Oj nënë, ta dijsh se edhe t'i kishe njëqind shpirtra e të dalin njëri pas tjetrit, unë kurr nuk do të largohem prej kësaj feje, në daç ha në daç mos ha! Kur e pa qëndrimin tim, filloi të hajë.

Sprovimet prej njerëzve sado që të jenë të rënda, ato nuk kanë peshën e dënimit të Zotit, andaj i ato nuk guxojnë të largojnë prej fesë, siç duhet larguar prej besimit të kotë nga droja e dënimit nga Allahu. i Kufarët u thonin besimtarëve, ejani në fenë tonë. Nëse me këtë beni mëkat, ne do ta bartim mëkatin tuaj për këtë, ata ishin gënjeshtarë. Por në ditën e kijametit ata vërtet do të bartin mëkatet e veta, ngase mashtruan njerëz dhe i futën në rrugë të gabuar, do të bartin edhe mëkate të tjera.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 29:12–29:13

- “Ata që nuk besojnë u thonë atyre që besojnë: “Ejani në rrugën (në fenë) tonë, se gjynahet tuaja do t’i bartim ne! ” - Allahu i Madhëruar na tregon për mohuesit e besimit të vërtetë nga mesi i kurejshëve, të cilët u thanë atyre që besuan Muhamedin, Profetin e Zotit, dhe ndoqën udhëzimin e tij: “Ejani në rrugën tonë! Braktiseni Islamin dhe kthehuni në besimin tonë. Nëse e bëni këtë, ju premtojmë se gjynahet tuaja do t’i

bartim ne! Pra, nëse mendoni se merrni gjynahe me pasimin e rrugës tonë, atëherë do t’i mbajmë ne ato gjynahe në shpinën tonë.” Por duke treguar se kjo është një gënjeshtër e shëmtuar që del nga gojët e tyre, Allahu i Madhëruar thotë: - “Në fakt, ata nuk do të bartin asnjë mëkat të tyre, asnjëherë! Në të vërtetë, ata janë gënjeshtarë. ” - Ata nuk do të mund të lehtësojnë asnjë grimë prej gjynaheve të të tjerëve. Askush nuk mund të mbajë barrën e tjetrit, siç thotë i Lartësuari: “Askush nuk do të ngarkohet me barrën (gjynahet) e tjetrit. Edhe nëse i rënduari me gjynahe thërret ndonjë për t’ia bartur ato, askush nuk do të mund t'ia bartë ato, edhe nëse është nga të afërmit e tij. ...” [Fatir 18]. Ose: “Ditën, kur qielli të bëhet si plumb i shkrirë, e malet të bëhen si lesh i shprishur, dhe asnjë mik të mos pyesë për mikun. Atë ditë, ata (njerëzia) do të shihen ndërmjet tyre. Krimineli do të dëshironte ta shpa - guante dënimin e asaj dite me bijtë e vet, me gruan dhe me vëllain e vet, me të afërmit e vet, tek të cilët mbështetej, madje, me gjithë ç’ka në tokë, vetëm për të shpëtuar.” [Mearixh 10, 11]. Allahu i Madhëruar na tregon se çfarë do të ndodhë realisht me këta mashtrues, të cilët ftojnë për në rrugët e humbjes dhe të shkatërrimit: - “Ata do të bartin veç barrën e vet, e bashkë me të vetën, edhe barrë të tjera ...” - Ata do ta bartin të gjithë peshën e gjynaheve të veta, por do të bartin edhe peshën e gjynaheve të atyre të cilët i devijuan dhe u bënë shkak për humbjen e tyre, pa ua lehtësuar aspak peshën e gjynaheve të atyre që i pasojnë, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër|: “Ata kanë për t’i bartur të plota gjynahet e veta në Ditën e Gjykimit e do të bartin edhe një pjesë të gjynaheve të atyre që i devijuan (nga e Vërteta) pa kurrfarë diturie. Sa e keqe është ajo që do të bartin!” [Nahl 25]. Gjithashtu, në një hadith të saktë thuhet: 2047. “Ai që fton në një udhëzim të mirë, ai do të marrë njëlloj si shpërblimi i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa pakësuar kjo prej shpërblimeve të tyre aspak. Ai që fton në humbje, ai do të marrë njëlloj si gjynahu i atyre që e pasojnë, deri në Ditën e Gjykimit, pa pakësuar kjo prej gjynaheve të tyre aspak.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 2048. “Nuk ndodh që dikush të vritet padrejtësisht në këtë botë e që një pjesë e këtij gjynahu të mos rëndojë mbi birin e parë të Ademit . Ai ishte i pari që bëri vrasje në këtë botë.” - “... ndërsa Ditën e Kijametit do të japin llogari për atë që kanë trilluar. ” - Do të japin llogari për mashtrimet e tyre në dynja. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Muadh Ibn Xhebeli, se i Dërguari i Zotit ka thënë: 2049. “O Muadh! Njeriu do të pyetet Ditën e Kijametit për të gjitha veprimet e tij, madje edhe për kuhl-in e përdorur për sytë, edhe për thërrmimin që i ka bërë një plisi dheu me gishta. Nuk dua të shoh që, në Ditën e Kijametit, dikush tjetër të jetë më i lumtur me atë që i ka dhënë Zoti, sesa ti.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 29:12–29:13

Allahu i Madhëruar na tregon për trillimet dhe intrigat që jobesimtarët përdornin për t’i kthyer besimtarët nga feja dhe i këshillon besimtarët që të mos mashtrohen dhe të bien pre e intrigave të tyre. Ai thotë: - Ata që nuk besojnë u thonë atyre që besojnë: “Ejani në rrugën (në fenë) tonë, se gjynahet tuaja do t’i bartim ne! - Braktiseni fenë tuaj ose një pjesë të saj dhe na pasoni në fenë tonë, sepse ne ju sigurojmë se: "...gjynahet tuaja do t’i bartim ne!" Por kjo çështje nuk ishte në dorën e tyre, prandaj i Lartësuari tha: - Por ata kurrë nuk do të bartin gjë nga mëkatet e tyre. - Kjo lloj marrëveshje, edhe nëse bien dakord palët në këtë dynja, nuk ka për t’u sjellë ndonjë përfitim. E gjithë çështja është në dorën e Allahut dhe robi nuk mund të veprojë e administrojë

asgjë pa lejen dhe vullnetin e Allahut. Rregulli dhe ligji i Zotit thotë: “Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit dhe njeriu meriton vetëm atë që ka bërë vetë. " [Nexhm 38]. Allahu i Lartësuar thotë: - Ata janë gënjeshtarë. - Nga kjo fjalë dikush mund të kuptojë gabimisht se mohuesit që ftojnë njerëzit në kufër nuk do të merren në përgjegjësi për këtë vepër dhe për faktin se ata bëhen shkak për gjynahe e poshtërsi. Por Allahu i Lartësuar na e bën të qartë se çdokush që bëhet shkak në devijimin e njerëzve dhe për punë të këqija do të ngarkohet edhe me gjynahet e atyre që devijon, pa iu pakësuar asgjë nga përgjegjësia e vet. Ai thotë: - Ata do të bartin veç barrën e vet... - Ata do të mbartin në shpinë peshën e gjynaheve të tyre, por do të mbartin edhe: - ...e bashkë me të vetën, edhe barrë të tjera... - Domethënë, edhe gjynahet e të tjerëve, për të cilët ata janë bërë shkak që të shkojnë në humbje. Si udhëheqësit, ashtu edhe pasuesit, kanë për të marrë secili peshën e gjynaheve që kanë bërë. Pasuesi e merr sepse ka bërë ligësi dhe ka ndjekur humbjen, ndërsa udhëheqësi do të marrë të njëjtën peshë me pasuesin, sepse e ka udhëzuar në ligësi dhe është bërë shkak për devijimin e tij. Po kështu është edhe për rastin e bamirësive. Ai që vepron një punë të mirë merr sevapin për këtë. Po kështu edhe ai që ia mësoi këtij dhe u bë shkak që ai të bëjë vepra të mira, ka për të marrë njëlloj shpërblim si i pari, pa iu pakësuar të parit asgjë nga sevapet e tij. - ndërsa Ditën e Kijametit do të japin llogari për ato që kanë trilluar. - Ata do japin llogari për këto shpifje dhe për devijimin e njerëzve.

← Ankebut 29:13