3. Ali Imran · Ajeti 103 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:98–3:103
Në këto disa ajete Kur'ani u drejtohet ithtarëve të librit duke u dhënë të kuptojnë se përpjekjet e tyre për të shkaktuar dyshim në të vërtetat e fesë së shpallur prej Zotit, janë të kota dhe se devijimet që përpiqen t'i bëjnë në librat e shenjta, nuk mund t'i shmangen dijes së Zotit., U drejtohet edhe besimtarëve myslimanë ngase në Medinën e atëhershme fiset më të mëdha dhe më të njohura ishin Evs dhe Hazrexh. Para se e kishin pranuar fenë islame, gjithnjë kishin qenë të gjakësuar ndërmjet vete. Me pranimin e fesë islame, Pejgamberi arriti t'i bashkojë dhe t'i vëllazërojë ndërmjet vete. Mirëpo, derisa këta thuajse bënin fuqinë kryesore të bashkësisë islame në Medine, jehuditë i mundoi bashkimi i tyre, andaj u përpoqën t'i përçajnë dhe në një rast luhatën marrëdhëniet ndërmjet tyre, por Pejgamberi me të shpejtë arriti t'i mënjanojë intrigat e jehudive dhe të vendosë unitetin në mesin e tyre. Kur'ani u tërhoq vërejtjen myslimanëve që të jenë të vetdijshëm për rrezikun që mund t'ua sjellin armiqtë, nëse u vënë veshin e bindjes intrigave të tyre.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:102–3:103
- O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet të kihet frikë Ai, dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë! - Ibn Ebu Hatimi sjell komentin nga Abdullah Ibn Mesudi për fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet të kihet frikë Ai...”. Ai shpjegon: “Kjo do të thotë që t’i bindesh dhe mos ia thyesh urdhrat Allahut, ta përmendësh vazhdimisht, në çdo gjendje dhe kohë dhe të mos e harrosh, të jesh mirënjohës ndaj Tij dhe të mos e mohosh (për mirësitë e Tij.)” Ky është një isnâd sahih, por është meukuf, pra, vargu shkon deri tek Ibn Mesudi, jo deri tek Profeti. Prej tij përcillet edhe një hadith merfu’, që shkon deri tek Profeti ﷺ , por versioni i sjellë me sened meukuf është më i saktë. Në lidhje me këtë, përcillet se Enesi ka thënë: “Robi nuk ka për t’iu frikësuar Allahut dhe nuk ka për të patur një devotshmëri dhe frikë të vërtetë, derisa të jetë i përmbajtur dhe i kujdesshëm në fjalët që thotë.” Seid Ibn Xhubejri dhe të tjerë janë të mendimit se ky ajet është i abroguar me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Bëhuni të devotshëm ndaj Allahut sa të mundeni...” [Tegabun 16]. Ndërsa Ibn Abasi ka qenë i mendimit se ky ajet nuk është i shfuqizuar, por fjala e Allahut “Kijeni frikë Allahun, ashtu siç duhet të kihet frikë Ai...”, do të thotë: të përpiqesh dhe të luftosh në rrugën e Allahut me sinqeritet dhe me përkushtimin që i shkon madhështisë së Allahut të Madhëruar. Do të thotë të mos i druhesh askujt për të përhapur të vërtetën, për të thënë të drejtën dhe për të qenë mbështetës i rrugës së Allahut. Do të thotë, gjithashtu, ta zbatosh drejtësinë dhe ta vendosësh atë në vendin që i takon, edhe sikur të jetë kundër prindërve apo fëmijëve të tu.” Allahu i Lartësuar thotë më pas:
“...dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!” Pra, ruajeni Islamin tuaj në çdo gjendje e kohë, në mënyrë që t'ju bëhet e mundur që, edhe kur të vdisni, të vdisni në Islam! Është rregull i vendosur nga Zoti i Madhëruar se, çdokush që jeton, ka për të vdekur po në atë gjendje që ka jetuar, dhe ai që vdes në një gjendje të caktuar, ashtu do të ringjallet Ditën e Gjykimit. E lusim Allahun të na ruajë dhe të na shpëtojë nga çdo devijim dhe largim nga Islami! Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Abasi se Profeti i Allahut ka thënë: 533. “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet të kihet frikë Ai, dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!” Sikur një pikë nga zekumi i Xhehenemit të pikonte në këtë botë, do t’ua shkatërronte jetën banorëve të kësaj bote. Atëherë, si mendoni se do të jetë gjendja e atij, ushqimi i vetëm i të cilit është zekumi?!” Tirmidhiu, që e ka sjellë këtë hadith, ka thënë se është hadith hasen sahih. Ky hadith vjen edhe nga Nesaiu, Ibn Maxheh, Ibn Hibani në Sahih-un e tij, si edhe nga Hakimi në Mustredak, i cili ka thënë se është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, edhe pse ata nuk e kanë sjellë këtë hadith në Sahih-ët e tyre. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Umeri, se Profeti i Allahut ka thënë: 534. “Ai që dëshiron të shpëtojë nga zjarri dhe të futet në Xhenet, le të kujdeset që vdekja dhe Dita e Gjykimit ta gjejnë si besimtar i Allahut dhe le të sillet me njerëzit ashtu siç dëshiron që ata të sillen me të.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani!...” - Për sa i përket shprehjes “litari i Allahut” ( bi ĥablil-lâh), kanë thënë se ajo ka kuptimin: “premtimet dhe besa që i keni dhënë Allahut” (bi ahdil-lâh). Kështu, kuptimi i ajetit është: Mbahuni fort pas fjalës që i keni dhënë Allahut dhe kujdesuni për të përmbushur premtimet e dhëna Atij. Edhe në ajetin që vjen më pas, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Ata do të jenë të poshtëruar kudo që të gjenden, veç nëse kapen pas “litarit” të Allahut” ose nëse hyjnë në besën e njerëzve.” [Al Imran 112], kuptimi është: “veç nëse përmbushin premtimet dhe besën e dhënë Allahut ose nëse nëse hyjnë në besën e njerëzve e kanë marrëveshje me ta. Të tjerë janë të mendimit se ‘ bi ĥablil -lâh’ është Kur 'ani, siç thuhet në një hadith merfu', në përshkrimin e Kur 'anit, të cilin e sjell Harithe el Ea'ueri nga Aliu, ku Profeti thotë: 535. “Ai (Kur 'ani) është litari i fortë i Allahut dhe rruga e Tij e drejtë.” Gjithashtu, është përcjellë edhe një hadith specifik, që ka ardhur pikërisht për shpjegimin e kësaj fraze. Hafidh Et -Taberiu sjell hadithin me senedin e tij nga Ebu Seidi, se Profeti i Allahut ka thënë: 536. “Libri i Allahut është “litari i Allahut” i shtrirë nga qielli në Tokë.”. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “...mos u përçani!” Pra, mos u përçani dhe mos u kundërshtoni në çështjet tuaja! Mos e përçani bashkësinë tuaj! Kanë ardhur shumë hadithe rreth kësaj çështjeje, siç është hadithi i saktë tek Muslimi, që vjen nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 537. “Allahu i Madhëruar kënaqet me tri gjëra për ju dhe zemërohet e nuk i dëshiron tri gjëra të tjera për ju. Ai kënaqet me ju që, (së pari) ta adhuroni Atë si një të vetëm dhe të mos i bëni shok; (së dyti) të kapeni fort pas litarit të Allahut së bashku dhe të mos përçaheni; dhe (së treti) ta këshilloni dhe të dëshironi të mirën dhe përmirësimin e atyre që Allahu i ka vendosur në krye si udhëheqësit tuaj. Nga ana tjetër, Ai i urren për ju tri gjëra: thashethemet, pyetjet e shumta dhe shpërdorimin e pasurisë.” Kështu, nëse bashkësia e muslimanëve bashkohet rreth të vërtetës, atyre u sigurohet paprekshmëria, ruajtja, siguria dhe paqja. Nga ana tjetër, nëse ata përçahen, largohen nga e vërteta dhe kundërshtohen, duke e refuzuar të vërtetën dhe të drejtën, atëherë ata nuk do të jenë të sigurt e nuk do të jenë në paqe, por do të jenë të pasigurt, në luftë dhe në përçarje të vazhdueshme. Kështu ndodhi me popujt e shkuar dhe kështu
ndodh edhe me këtë umet. Ata janë përçarë në më shumë se 73 grupe, por vetëm një grup është për në Xhenet dhe është i ruajtur nga ndëshkimi i zjarrit. Këta janë ata të cilët pasojnë rigorozisht, me sinqeritet dhe përkushtim, traditën dhe rrugën e Profetit ﷺ dhe të sahabëve të tij. 155 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri -tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër. - Ky ajet iu referohet fiseve Eus dhe Hazrexh, mes të cilëve kishte patur një konflikt të gjatë në kohën e injorancës paraislamike. Por kur ata hynë në Islam, u bënë vëllezër të dashur mes njëri tjetrit, për hir të madhështisë së Allahut. Ata u bënë njerëz modestë e të përulur dhe u treguan të gatshëm që të bashkëpunonin me njëri tjetrin për vepra të mira dhe devotshmëri ndaj Allahut. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai të ka fuqizuar ty me ndihmën e Tij dhe me besimtarët. Ai i ka bashkuar zemrat e tyre. Edhe sikur të shpenzoje gjithçka që është në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre; por ishte Allahu Ai që e bëri atë bashkim (e vllazërim) . Ai është Ngadhënjimtar e i Urtë.” [Enfal 62, 63]. - Ju ishit buzë greminës së Zjarrit, por Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu jua sqaron Allahu argumentet e Veta, që ju të gjeni udhëzimin e sigurt. - Në fakt, të dyja këto fise, në kohën e injorancës paraislamike, ishin buzë greminës së zjarrit të Xhehenemit, por Allahu i Lartësuar i shpëtoi prej tij dhe i udhëzoi në Islam, për të jetuar sipas tij. Kështu, ata u bënë vëllezër të mirë, që punonin të gjithë së bashku për të mirën e bashkësisë islame. Muhamed Ibn Is’haku dhe të tjerë kanë thënë se 538. ky ajet ka zbritur dhe folur për dy fiset e Medinës, Eus dhe Hazrexh. Një ditë, një jehud kaloi afër një grupi burrash prej fisit Eus dhe Hazrexh. Atij nuk i pëlqeu bashkimi mes këtyre dy fiseve në Islam. Kështu, ai dërgoi një burrë që e shoqëronte dhe e mësoi që të ulej mes tyre dhe t'u kujtonte luftrat, humbjet dhe vrasjet që kishin ndodhur në të shkuarën mes fiseve. Kështu, ai shkoi dhe u foli, duke nxitur zemërimin mes dy fiseve, aq sa në zemrat e tyre u ringjall tribalizmi dhe urrejtja. Kështu, ata filluan të shfaqnin zemërim kundër njëri tjetrit, ngritën zërat, derisa po thërrisnin njëri-tjetrin për luftë, duke nxjerrë lloj-lloj sloganesh. Ata arritën deri atje, sa nxorën armët dhe e lanë që të ndesheshin në El Harra. Kur i shkoi lajmi Profetit ﷺ , ai vajti menjëherë të qetësonte gjakrat dhe u tha: “Ju hidhni slogane të injorancës, kur unë jam ende mes jush?!” Pastaj, u lexoi atyre këtë ajet dhe ata u penduan për atë që ndodhi mes tyre. Kështu, i hodhën armët, vendosën paqe mes njëri -tjetrit dhe u përqafuan si vëllezër. Allahu qoftë i kënaqur me ta!156
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:102–3:103
- “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu siç duhet të kihet frikë Ai, dhe mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë! ” - Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar drejtuar besimtarëve, që ata t’i frikësohen dhe ta respektojnë Atë me një devotshmëri ( taķuâ) të vërtetë. Ai i këshillon ata që të jenë të vazhdueshëm në këtë rrugë dhe të jenë të përqendruar në ruajtjen e kufijve të Tij deri në vdekje, sepse çdokush që jeton në një gjendje të caktuar, do të vdesë po në atë gjendje. Për shembull, një njeri që në kohën e rinisë, fuqisë dhe shëndetit të plotë tregon devotshmëri të vazhdueshme ndaj Zotit të tij, duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke u kthyer gjithmonë tek Ai për gjithçka e në çdo gjendje, pa dyshim që Allahu i Lartësuar ka për ta forcuar atë në momentin e vdekjes dhe ka për t’ia mundësuar atij një mbyllje të mirë. Por çfarë do të thotë që t’i frikësohesh Zotit me një devotshmëri të vërtetë?! Ibn Mesudi shpjegon: “Kjo do të thotë që t’i bindesh Allahut dhe të mos e kundërshtosh Atë, ta përkujtosh dhe të mos e harrosh Atë, ta falënderosh e të mos e mohosh Atë.”Ky ajet flet për devotshmërinë, që Allahu i Lartësuar e meriton t’ia përkushtosh. Ndërsa për sa i përket masës së devotshmërisë që adhuruesi e ka të detyrueshme ta ketë, atë e sqaron ajeti tjetër kur’ânor, që thotë: “Kini taķuâ ndaj Allahut aq sa të mundeni!” Për taķuâ-n ka shumë shpjegime, që janë të lidhura me veprat e zemrës dhe të gjymtyrëve, por më bukur i përmbledh përkufizimi se: “ Taķuâ është kryerja e urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij.” Pastaj Allahu i Lartësuar urdhëron besimtarët për diçka, që është një ndihmë e domosdoshme për të ruajtur devotshmërinë. Kështu, devotshmëria e tyre do të jetë gjithmonë e paluhatshme nëse ata i përmbahen kësaj këshille të Zotit të tyre: - “Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani!” – Pra, i Lartësuari na urdhëron që të mblidhemi të gjithë rreth fesë së Tij, duke zbatuar porositë dhe udhëzimet e Tij. Ne duhet të njësojmë radhët tona, duke u bashkuar dhe duke iu larguar përçarjes mes nesh. Nëse ndjekim udhëzimet dhe fenë e Zotit të gjithësisë dhe nëse ndihmojmë e mbështesim njëri -tjetrin, sigurisht që do të rregullohen çështjet e dynjasë dhe të fesë tonë. Suksesi i shumë çështjeve është i lidhur ngushtë me bashkimin e zemrave të këtij umeti. Për t’i qëndruar sfidave të kësaj bote, është e domosdoshme që ne të bashkëpunojnë me njëri -tjetrin për të kryer vepra të mira dhe për devotshmëri ndaj Zotit. Vetëm duke mbështetur dhe mbajtur njëri-tjetrin mund të ecim të sigurt dhe të bëjmë hapa të mëdha në rrugën e Zotit. Por nëse përçahemi dhe braktisim njëri -tjetrin, duke shfaqur armiqësi dhe urrejtje, atëherë çdokush do të punojë sipas qejfit dhe, sigurisht, sistemi ynë do të shkatërrohet. Kështu do të jemi të pafuqishëm në përballjen me armiqtë tanë, që janë aq të shumtë dhe të pamëshirshëm. Pastaj Allahu
i Lartësuar u përkujton besimtarëve mirësinë e Tij ndaj tyre dhe i urdhëron ata që gjithmonë ta përmendin dhe ta çmojnë këtë mirësi të mrekullueshme që u ka dhurar: - “Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri -tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, ...” - Kuptimi: Dikur, ju vrisnit dhe plaçkisnit njëri -tjetrin. Brenda fiseve, qyteteve e fshatrave tuaja kishte luftëra të ashpra e të përhershme. Vërtet, ju ishit në një gjendje tepër të rëndë para shfaqjes së Profetit të mëshirës. Pasi Allahu i Lartësuar e dërgoi Profetin tek ju, Ai ju dha sukses që ta besoni dhe të bashkoheni të gjithë rreth Islamit, rreth fesë së paqes. Kështu, ju u bëtë si një trup i vetëm, që e doni dhe e ndihmoni njëri - tjetrin. Më pas, thotë i Lartësuari: - “...dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër.” - Mirësia e Tij është besimi. Pra, me mirësinë e Zotit tuaj, ju u bëtë vëllezër për hir të Tij dhe të bashkuar, sikur të kishit një zemër të vetme. - “Ju ishit buzë Gropës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj. ” - Me gjendjen tuaj para besimit, ju ishit gati për të rënë në zjarrin e Xhehenemit. Asgjë nuk qëndronte mes jush dhe Xhehenemit, veçse vdekja. Pra, nëse do të vdisnit në atë gjendje, pa besim dhe me armiqësi me njëri -tjetrin, ju do të hynit pashmangshmërisht në Zjarr. Porse Allahu i Lartësuar ju shpëtoi prej Zjarrit, duke ju dhënë sukses që të besoni dhe të pasoni udhëzimin e qartë dhe të sigurt, të sjellë nëpërmjet Muhamedit (s.a.u.s.). - “Kështu jua sqaron Allahu Argumentet e Veta, që ju ta gjeni udhëzimin e sigurt.” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua sqaron juve të vërtetën nga e gabuara, udhëzimin e drejtë nga rruga e shtrembër, me argumente të kuptueshme, që ju të gjeni rrugën dhe ta shihni qartë atë. Allahu i Lartësuar na i qartëson të vërtetën, që ne ta njohim atë, të krijojmë siguri të plotë rreth saj dhe të punojmë me sinqeritet për ta kënaqur Atë, Zotin tonë, sipas ligjeve të Tij. Ky ajet tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që adhuruesit e Tij të kujtojnë dhe t’i përmendin me zemër dhe me fjalë mirësitë që Ai u ka dhuruar. Duke i kujtuar ato vazhdimisht, besimtarët do ta shtojnë mirënjohjen dhe dashurinë për Allahun. Pastaj, duke qenë mirënjohës ndaj Tij dhe duke e dashur Atë, atëherë, sikurse ka premtuar vetë Allahu, Ai do t’ua shtojë edhe më shumë mirësitë atyre. Pa dyshim që nga mirësitë më të mëdha që duhen kujtuar është mirësia e udhëzimit në rrugën e drejtë, në fenë Islame, është ndjekja e udhëzimeve të sakta e të qarta të Profetit (s.a.u.s.), është bashkimi i zemrave dhe i radhëve tona dhe mospërçarja midis nesh.