3. Ali Imran · Ajeti 148 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:137–3:148

Kur'ani i cili është sqarues i së vërtetës për të gjithë njerëzit, është këshillues e përkujtues për besimtarët, e parashtron goditjen që e pësuan besimtarët në Uhud si ngjarje të zakonshme në ligjet e Zotit, pse edhe armiku i tyre një vit më parë, pësoi një aso goditje.

Derisa grupi që ishte në roje, nuk ju përmbajt mësimeve dhe porosive të Pejgamberit, u manifestua drejtësia e ligjeve të Zotit, të cilat mbretërojnë ndër njerëz, andaj edhe thuhet se situata kalon prej një dore në dorën tjetër, kuptohet sipas përgatitjes dhe fuqisë.

Ndihma e Zotit nuk u manifestua, sepse ngjarja zhvillohoj ndërmjet dy grupeve të njerëzve, e jo ndërmjet besimtarëve dhe idhujtarve, sepse ata që e thyen urdhërin e Pejgamberit, nuk numëroheshin si besimtarë të kulluar. Megjithatë Kur'ani i këshillon besimtarët të jenë krenarë, sepse një goditje të tillë, e edhe më të rëndë e përjetoi edhe armiku në Bedr. Urtësia e Zotit ishte I që në atë luftë të sprovohen e të dihen besimtarët e sinqert, të shpërblehen disa me gradën dëshmor (shehid) dhe t'u shërbejë besimtarëve si përvojë në të ardhmen.

Në vlimin e luftës plagosët pak edhe vetë Pejgamberi, e armiku shfrytëzon rastin dhe hap propagandën se u vra Muhammedi, ashtu që disa besimtarë u hutuan. Zoti i porosit besimtarët, se, edhe nëse mbytet e vdes Pejgamberi, ata duhet ta vazhdojnë luftën në rrugën e Tij. Ashtu bënë besimtarët e mëparshëm me pejgamberët e tyre në raste të tilla, sepse vdekja është e caktuar në afatin e vet, ajo nuk vjen as më parë, as më vonë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:144–3:148

Në Betëjën e Uhudit shumë nga muslimanët u dëshpëruan, sepse u mundën dhe disa prej tyre u vranë. Thuhet se

shejtani i mallkuar thirri dhe përhapi lajmin se Muhamedi ishte vrarë në betejë. Kjo fjalë ndikoi thellë në zemrat e shumë besimtarëve, derisa e besuan si të vërtetë. Aq më tepër që ata e dinin se kjo ishte diçka e mundur, pasi Allahu i Lartësuar tregon se edhe në të shkuarën janë vrarë shumë profetë (Paqja e Zotit qoftë me ta!). Për të gjitha këto arsye, muslimanët i pushtoi një dëshpërim e plogështi, aq sa disa u larguan nga fushëbeteja. Pikërisht për këtë ngjarje dhe gjendje zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: - Muhamedi është vetëm se një i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar. E nëse ai vdes ose vritet, a do të ktheheshit ju prapa (në mosbesim) ? - Ashtu si Muhamedi ﷺ , edhe më herët, kanë ardhur profetë, të cilëve Zoti u zbriste Shpallje, madje disa prej tyre edhe janë vrarë. Ibn Ebu Nexhih përcjell nga i ati, se një muhaxhir kaloi pranë një ensari, i cili po jepte shpirt, i lyer i gjithi në gjakun e tij, dhe i tha: “O filan, a e more vesh që Muhamedi është vrarë?” Atëherë, ensari i tha: “Nëse Muhamedi është vrarë, ai e kreu misionin e vet dhe e kumtoi Shpalljen e Zotit të tij. Vazhdoni, pra, dhe luftoni për të mbrojtur fenë tuaj!” Ngjarjen e sjell Bejhakiu në librin e tij: “Argumentet e profetësisë”. Pastaj Allahu i Lartësuar, duke qortuar ata të cilët u dobësuan dhe i lëshuan armët, thotë: - “Kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën aspak dëm Allahut. Allahu, do t’i shpërblejë mirënjohësit. - Mirënjohës janë ata të cilët dhanë dhe shpenzuan gjithçka që zotëronin, në shenjë bindjeje ndaj Allahut të Lartësuar. Ata luftuan dhe u përpoqën për të mbrojtur fenë e tij. Ata pasuan Muhamedin, Profetin e Allahut, kur ai ishte gjallë dhe pasi vdiq. Buhariu sjell hadithin nga Ibn Shihabi, i cili thotë: “Më ka treguar Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) i ka treguar që (kur Profeti ndërroi jetë), Ebu Bekri (r.a) u nis nga banesa e tij në Senh, hipur mbi një kalë. Ai zbriti, hyri në xhami dhe eci në heshtje, derisa hyri në dhomën e Aishes. Pastaj u drejtua tek Profeti ﷺ ,i cili ishte i mbuluar me një rrobë të ngjyrosur, ia zbuloi fytyrën, e puthi atë dhe qau. Pastaj tha: “U flijofshin nëna dhe babai im! Vallahi, nuk ka për të dhënë Zoti dy vdekje! Vdekjen që ishte shkruar për ty, tashmë ti e kalove!” Zuhri thotë se Ebu Seleme tregon nga Ibn Abasi se, kur Ebu Bekri doli jashtë, Umeri ishte duke u folur njerëzve (se Muhamedi nuk ka vdekur). Ebu Bekri i tha: “Ulu, o Umer!” Pastaj, Ebu Bekri filloi t'u fliste njerëzve, ku ndër të tjera, tha: “Ai që adhuronte Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi vdiq! Ndërsa ai që adhuronte Allahun, le ta dijë se Allahu është i gjallë dhe nuk vdes! Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi është thjesht një i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar. E nëse ai vdes ose vritet, a do të ktheheni, vallë, prapa (në mosbesim)? Kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën aspak dëm Allahut. Allahu, do t’i shpërblejë mirënjohësit.” Vallahi, - rrëfen Ibn Abasi - u duk sikur njerëzit nuk e kishin ditur kurrë që Allahu e kishte zbritur këtë ajet, derisa ua lexoi në atë moment Ebu Bekri. Të gjithë njerëzit filluan ta këndonin atë. Këdo që shihja, e shihja të këdonte atë ajet. Ndërsa Seid Ibn Musejidi më ka treguar se Umeri ka thënë: “Uallahi! Që në momentin kur dëgjova Ebu Bekrin të lexonte atë ajet, e ndieva se nuk po më mbanin të dyja këmbët dhe rashë në tokë. Në vijim, Allahu i Lartësuar tha: - Askush nuk vdes pa vullnetin dhe pa lejen e Allahut. Ai e ka shkruar afatin e caktuar. - Gjithësecili vdes atëherë kur e ka përcaktuar Allahu dhe vetëm pasi të ketë përmbushur afatin e vendosur për të. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai e ka shkruar afatin e caktuar.” Kjo i ngjan ajetit: “Askujt nuk i jepet të jetojë gjatë ose t'i shkurtohet jeta, pa qenë kjo e shënuar në Libër ( Leuhi Mahfudh). Dhe kjo është e lehtë për Allahun.” [Fatir 11]. Ky ajet është nxitje për të gjithë ata që nuk kanë guxim që t’i hyjnë luftës, sepse edhe angazhimi në luftë as nuk

e shkurton dhe as nuk zgjat aspak jetën që ka përcaktuar Zoti për ty. - Kush e dëshiron shpërblimin në këtë botë, Ne do t’ia japim. E kush e dëshiron shpërblimin në botën tjetër, edhe atij do t’ia japim. - Ai që punon veçse për këtë jetë, ai ka për të marrë prej saj veçse aq sa Allahu ka përcaktuar për të, por në ahiret atij nuk i takon pjesë. Ndërsa ai që punon për ahiretin, Allahu i Lartësuar ka për t’i dhënë prej kësaj jete atë që është përcaktuar për të, ndërsa në ahiret do t’i japë shpërblimin e përjetshëm e të pamatë. Allahu i Madhëruar thotë: “Atij që dëshiron të fitojë botën tjetër, Ne do t’ia shtojmë shpërblimet (e punëve të tij) , ndërsa atij që dëshiron vetëm këtë botë, Ne kemi për t'i dhënë (diçka) prej saj, por në botën tjetër ai nuk ka pjesë (në shpërblimin e Zotit) .” [Shura 20]. Allahu i Lartësuar thotë: - Ne do t’i shpërblejmë mirënjohësit.” - Ne kemi për t’u dhënë prej mirësive dhe prej mëshirës Sonë, si në këtë jetë, edhe në ahiret. Shpërblimi i tyre do të jetë në varësi të mirënjohjes që ata kanë treguar dhe të veprave të mira që kanë bërë në emër të kësaj mirënjohjeje, sipas fesë dhe porosive të Allahut. Në vijim, duke ngushëlluar besimtarët në lidhje me atë që u ndodhi në luftën e Uhudit, Allahu i Lartësuar qetëson shpirtrat e tyre, duke u thënë: - Sa e sa profetë ka pasur, së bashku me të cilët kanë luftuar ushtri të mëdha besimtarësh, të cilët edhe pse janë sprovuar në rrugën e Allahut, as nuk janë dobësuar dhe as nuk janë përulur. Allahu i do durimtarët. - Është thënë që kuptimi i këtij ajeti është: “Sa e sa profetë janë vrarë, dhe bashkë me ta, edhe shumë pasues dhe shokë të tyre. " Ky kuptim mbështet mendimin e atyre që e lexojnë këtë ajet në variatin: “ Kutile meahû ribbijûne kethirun - së bashku me të cilët janë vrarë ushtri të mëdha besimtarësh.” Sipas këtij kuptimi, Allahu i Lartësuar i qortoi rëndë të gjithë ata që u shkurajuan dhe u tërhoqën nga lufta, pasi dëgjuan lajmin (e rremë) se Muhamedi u vra. Ai u tha: “E nëse ai vdes ose vritet, a do të ktheheshit ju prapa (në mosbesim) ?” Pra, nëse Muhamedi ﷺ vritet ose vdes, a do të ktheheni, vallë, o ju besimtarë, në të shkuarën e errët të mosbesimit?! Në lidhje me këtë ajet janë dhënë interpretime të ndryshme, por shpjegimi i Ibn Ishakut në Sira, - dhe Allahu është më i ditur - është më pranueshmi dhe më i drejti. Duke shpjeguar ajetin, ai ka thënë: “Sa e sa profetë kanë luftuar e janë vrarë, kur kishin shumë shoqërues dhe mbështetës! Por edhe pas vrasjes së profetit të tyre, ata burra nuk dobësoheshin dhe nuk nënshtroheshin përpara armikut! Ata nuk trembeshin dhe nuk hutoheshin nga pasojat e luftës në emër të Allahut dhe në emër të fesë së tyre.” Ky është tregues i durimit të tyre të madh, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i do durimtarët.” Nëse bën analizën gjuhësore të ajetit, do të kuptosh se në të bëhet fjalë jo vetëm për vrasjen e mundimin e profetëve, por edhe të shoqëruesve të tyre në ato luftëra. Këtë mendim e ka mbështetur Suhejli, që flet gjerë e gjatë në mbështetje të kësaj qasjeje. Ne fakt, ky është qëndrim mjaft logjik, sepse Allahu i Lartësuar përmend edhe qëndresën e atyre burrave, duke thënë: “...të cilët, edhe pse janë sprovuar në rrugën e Allahut, as nuk janë dobësuar dhe as nuk janë përulur.” Këtë e shkruan Emeviu në librin e tij Megazi, të shkëputur nga libri i Muhamed Ibn Ibrahimit. Allahu i Lartësuar thotë: “...të cilët edhe pse janë sprovuar në rrugën e Allahut, as nuk janë dobësuar dhe as nuk janë përulur.” Në lidhje me këtë pjesë, Katade dhe El-Rabi kanë thënë: “Ata nuk u dobësuan pas vrasjes së profetit të tyre dhe nuk dezertuan nga rruga e Allahut. Ata nuk hoqën dorë nga mbështetja dhe ndihma e kësaj rruge dhe as nuk e tradhtuan fenë e tyre. Përkundrazi, ata luftuan me përkushtim e durim në rrugën e profetit të tyre, derisa takuan Allahun e Madhëruar. - Ata nuk kishin fjalë tjetër për të thënë, veç: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe lëshimet në veprat tona! Na forco

këmbët tona (në luftë) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” - Për këta të zgjedhur e të dalluar, Allahu i Lartësuar jep të mira në dynja dhe në ahiret: - Allahu u dha atyre shpërblim në këtë botë dhe shpërblimin më të mirë në botën tjetër. Allahu i do punëmirët. - Shpërblimi në këtë jetë është pasuria, të mirat materiale dhe përfundimi i mirë. Megjithatë, atyre u është premtuar se shpërblimi më i mirë do t'u jepet në ahiret. Kështu, Allahu i Lartësuar e Bujar ua jep të dyja shpërblimet, në të dyja jetët. Allahu i do ata që janë bamirës dhe ky është shpërblimi që u premton atyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:146–3:148

Këto ajete janë ngushëllim për besimtarët, sidomos për ata që marrin si shembull brezat më të hershëm të besimtarëve, për të vepruar ashtu sikurse ata. Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve se të tilla ngjarje kanë ndodhur vazhdimisht, domethënë që të tilla sprova i kanë kaluar besimtarët e të gjitha kohërave. Ky është një ligj i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: - “Sa e sa profetë ka pasur, së bashku me të cilët kanë luftuar ushtri të mëdha besimtarësh,...” - Sa e sa profetë, gjatë gjithë kohërave, janë ndihmuar nga grupe të mëdha besimtarësh, nga ata besimtarë, të cilët u edukuan nga profetët e tyre për besim të sinqertë dhe për vepra të mira. Ata duruan shumë plagë dhe dhimbje në emër të besimit. Megjithatë, Allahu thotë: “...të cilët edhe pse janë sprovuar në rrugën e Allahut, as nuk janë dobësuar dhe as nuk janë përulur. ” – Pra, zemrat dhe trupat e tyre nuk u dobësuan kurrë. Ato nuk u poshtëruan asnjëherë para armikut të tyre. Përkundrazi, ata bënë durim, qëndruan me trimëri dhe i jepnin zemër e mbështetnin njëri-tjetrin. Më tej, i Madhëruari thotë: - “Allahu i do durimtarët.” Pastaj Allahu i Lartësuar përmend se si ata i kërkonin me përgjërim Zotit të tyre ndihmën dhe fitoren në luftën e tyre. Thotë i Lartësuar: - “Ata nuk kishin fjalë tjetër për të thënë, veç: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe lëshimet në veprat tona! Na forco këmbët tona (në luftë) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” ” - Shihni me kujdes edukatën e tyre në mënyrën se si i luten dhe i kërkojnë Zotit të tyre. Fillimisht, ata i kërkojnë falje për gabimet dhe për gjynahet e tyre. Ata ishin aq të ditur, sa e kuptuan dhe ishin shumë të sigurt se gabimet dhe gjynahet janë nga shkaqet më të mëdha të dështimit dhe dëshpërimit. Ato janë nga shkaqet më të mëdha që njeriu të meritojë braktisjen dhe ndërprerjen e ndihmës nga Allahu i Urtë dhe i Ditur. Ata e kuptuan se, nëse ruhen nga cilësitë cënuese të devotshmërisë, ky do të ishte një shkak shumë i madh për zbritjen e fitores, ndihmës dhe suksesit. Për këtë arsye, fillimisht, ata i kërkuan Allahut të Lartësuar që t'ua falte ato gabime dhe t'ua mbulonte me mëshirën e Tij. Ata i kërkuan Allahut që ata të mos bëheshin shkak për humbje dhe dështim. Pastaj, ata nuk u mbështetën thjesht në durimin, forcën, përgatitjen dhe

mundin e tyre për të arritur fitoren kundër armikut, por i kërkuan me përgjërim Allahut të Lartësuar që Ai t'u jepte mbështetje dhe fuqi në momentet e takimit të tyre me armikun jobesimtar. Ata e lutën, gjithashtu, Allahun që t'u falte fitoren. Këto kanë qenë armët e besimtarëve të çdo epoke. Ata kanë ditur të gërshejtojnë durimin dhe qëndrueshmërinë, pendimin e sinqertë dhe kërkimin e faljes, kërkimin e ndihmës dhe lutjen ndaj Allahut për fitoren. Të paktën, ata e kanë ditur që duhet t’i sjellin këto vepra në formën më të bukur, të dashur për Allahun e Lartësuar. Pa dyshim, të tillëve Allahu i Lartësuar u ka rezervuar fitore, ndihmë dhe sukses në të dy jetët. Përfundimi i mirë ka qenë gjithmonë për ta, prandaj thotë i Lartësuari: - “Allahu u dha atyre shpërblim në këtë botë dhe shpërblimin më të mirë në Botën Tjetër.” - Në dynja, Ai u ka dhuruar atyre fitoren, ndihmën dhe pasuri të shumta në luftë e jashtë saj. Ndërsa në ahiret, ata do të fitojnë, duke arritur kënaqësinë e Zotit ndaj tyre. Ata do të jenë mes mirësish, që kurrë nuk do të kërkojnë lodhje e mund për t'u arritur. Të gjitha këto ndodhin sepse ata dinë t'i rregullojnë veprat që do t’i paraqiten Allahut të Lartësuar. Veprat e tyre janë të mira, dhe po kështu është shpërblimi për ta. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: - “Allahu i do punëmirët.” - Allahu i Lartësuar i do ata që janë të pajisur me bamirësi (ihsân) dhe të cilët i kanë të dyja llojet e ihsânit. Një nga veprat më të mëdha të ihsânit është lufta kundër armiqve të fesë.

← Ali Imran 3:148