3. Ali Imran · Ajeti 172 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:164–3:172
Zoti i favorizoi besimtarët ngase nga vetë mesi i tyre u dërgoi pejgamber, të cilit ia njihnin virtytet i e larta të moralit që i posedonte, i cili u fliste me gjuhën e tyre, i cili u shërbente si shembull praktik në të gjitha poret e jetës së tyre, andaj lypsej bindur atij, duhej respektuar urdhërin e tij.
Myslimanët nuk korrigjuan gabimin e vet në luftën e Uhudit, kur nga radhët e tyre ranë shtatëdhjetë dëshmorë, por u habitën e thanë: si u bë që të kemi humbje kaq të madhe" Zoti u tha se faji është, juaji, sepse nuk respektuat porosinë e Pejgamberit, e në anën tjetër, nuk duhet të habiteni, pse në luftën e Bedrit ju i mbytet shtatëdhjetë idhujtarë dhe shtatëdhjetë të tjerë i zutë robër, pra dëmi i tyre ishte i dyfishtë. Pastaj, rrjedhimi i luftës në Uhud ishte i paraparë prej Zotit për të dalë në shesh tradhëtia e hipokritëve, të cilët thonin se nuk e dinin që do të bëhet luftë se edhe ne do të dilnim e do të luftonim, e në anën tjetër tinëzisht i përqeshnin myslimanët pse shkuan të luftojnë dhe pse humbën aq shumë njerëz.
Dëshmorët e rënë në rrugën e Allahut nuk përjetojnë periudhën e jetës në varreza - Berzah, ata menjëherë ia fillojnë jetës së njëmendët tek Allahu, i përjetojnë dhe i shfrytëzojnë të mirat që u dhurohen, janë të gëzuar pse ranë dëshmorë dhe edhe besimtarëve të tjerë u dëshirojnë një asi fati. Këtu duhet kuptuar se fjala është për një jetë tek Allahu, e cila nuk është siç mendon dikush prej nesh lidhur me trupin e tyre se nuk prishet etj. Pra, ajo gjallëri e kënaqësi e tyre është te Allahu, jo siç e njohim ne në jetën tonë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:169–3:175
- Kurrë mos thoni për ata që bien dëshmorë në rrugën e Allahut: “Janë të vdekur”! Jo. Ata janë të gjallë te Zoti i tyre, duke u kënaqur. - Allahu i Lartësuar flet në këtë ajet rreth dëshmorëve që vriten në rrugën e Tij dhe na tregon se, edhe pse ata (trupat e tyre) vriten dhe vdesin në jetën e kësaj dynjaje, shpirtrat e tyre janë të gjallë dhe furnizohen e kënaqen në vendin e përjetësisë dhe prehjes së përhershme, pra, në Xhenet. Muhamed Ibn Xheriri përcjell hadithin nga Is’hak Ibn Ebu Talha, që tregon se: 599 . Enes Ibn Maliku u ka treguar rreth shokëve të Profetit të Allahut, të cilët ai i dërgoi tek populli i Oazit të Maunes. Ai rrëfen: “Nuk e di, a ishin 40 apo 70 burra. Në krye të këtij fisi, që jetonte pranë atij oazi, ishte Amër Ibn Tufejl el Xhaferi. Ky grup sahabësh u nisën në një mision daveti, për t’i ftuar ata në rrugën e Allahut dhe në Islam. Ata vazhduan udhëtimin, derisa mbërritën në një shpellë, e cila shikonte drejt Oazit të Maunes, dhe vendosën të qëndronin pak në të. Pastaj u këshilluan me njëri tjetrin dhe thanë: “Kush do të shkojë me mesazhin e Profetit tek banorët e këtij vendi?” Më duket se ai tha që ishte Ebu Milhan el Ensari, i cili foli: “Do ta çoj unë mesazhin e Profetit atje!” Dhe kështu, ai u nis, derisa mbërriti përballë shtëpive të tyre. Ai u ul në gjunjë përballë shtëpive dhe tha: “O banorë të Oazit të
Maunes! Unë jam i dërguari i Profetit të Allahut tek ju! Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Besoni në Allahun dhe në Profetin e Tij!” Atëherë, një burrë prej tyre doli te pragu i shtëpisë së vet dhe, me një shtizë, e qëlloi sahabin nga anash, aq sa shtiza i doli nga ana tjetër e trupit. Në këtë moment, sahabi tha: “Allahu Ekber! Allahu është më i madhi! Fitova, pasha Zotin e Qabes!” Më pas, banorët e atij vendi ndoqën gjurmët e sahabit, derisa shkuan pranë shpellës ku ndodheshin pjesa tjetër e shokëve të Profetit, dhe atje i vranë që të gjithë. Kështu i vrau të gjithë Amër Ibn Tufejli.” Ibn Is’haku rrëfen: “Më ka treguar Enes Ibn Maliku, se: 600 . Allahu i Lartësuar zbriti për ta një ajet Kur'ani, në të cilin dëshmohet se ata thanë: “Tregojini popullit tonë se ne e takuam Zotin tonë dhe Ai u kënaq prej nesh dhe ne jemi të kënaqur prej Tij!” Por më pas, ky ajet u abrogua dhe u hoq, pasi ne e kënduam atë (si ajet Kur 'ani) për njëfarë kohe. Më vonë, Allahu i Lartësuar zbriti: “Kurrë mos thoni për ata që bien dëshmorë në rrugën e Allahut: “Janë të vdekur”! Jo. Ata janë të gjallë te Zoti i tyre, duke u kënaqur.” Imam Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin nga Mesruku, i cili ka thënë: 601. “Ne e pyetëm Abdullahin rreth këtij ajeti dhe tha: “Edhe ne e kemi pyetur Profetin rreth këtij ajeti, dhe ai tha: “Shpirtrat e tyre janë në brendësi të disa zogjve jeshilë, të cilët qëndrojnë në disa kandilë, që janë varur poshtë Arshit. Ata zogj (dhe shpirtrat e tyre) shëtisin dhe kënaqen në Xhenet ku të dëshirojnë, dhe pastaj qëndrojnë në kandilë. Allahu i Madhëruar, për një moment, i vështron ata dhe u thotë: “A dëshironi gjë?” Ata thonë: “E çfarë të dëshirojmë më shumë, kur ne shëtisim në Xhenet ku të dëshirojmë?!” Ai e bën këtë pyetje tri herë dhe, kur ata e shohin se do të vazhdojnë të pyeten derisa të japin përgjigje, thonë: “O Zoti ynë, ne dëshirojmë të na e kthesh sërish shpirtin në trupin tonë, që të vritemi në rrugën Tënde edhe një herë tjetër!” Atëherë, kur Zoti sheh që ata nuk dëshirojnë gjë tjetër, i lë.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enesi, se Profeti i Allahut ka thënë: 602. “Nuk ka njeri që vdes dhe ka bërë vepra të mira që e presin tek Allahu i Lartësuar, që dëshiron të kthehet në dynja, përveç dëshmorit. Me të vërtetë, ai dëshiron dhe gëzohet që të kthehet edhe një herë në këtë jetë, dhe të vritet edhe një herë tjetër, për shkak të mirësisë dhe nderimit të madh që i bëhet dëshmorit në rrugën e Zotit.” Një hadith tjetër në dy Sahih-ët dhe në libra të tjerë, thuhet se: 603. “Ebu Xhabiri, pra, Abdullah Ibn Amër Ibn Haram el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ra dëshmor në luftën e Uhudit.” Në një hadith tjetër, Ahmedi sjell hadithin nga Xhabiri, që tregon se Profeti ﷺ i ka thënë atij: 604. “A e di që Allahu e ngjalli babanë tënd dhe i tha atij: “Kërko çfarë të duash!” Dhe ai i tha: “Dua të kthehem në dynja, që të luftoj dhe të jap jetën për Ty edhe një herë tjetër!” Allahu tha: “Unë e kam vendosur se ata që vdesin e largohen nga dynjaja, nuk do të kthehen më në të!” Buhariu sjell hadithin nga Ibn Munkediri, i cili thotë: “E kam dëgjuar Xhabirin të tregonte: 605 . “Kur u vra im atë, unë fillova të qaja dhe desha t’i largoja rrobën për t’i zbuluar fytyrën. Shokët e Profetit më ndaluan njëherë, por Profeti nuk më pengoi nga ky veprim. Profeti i Allahut më tha: “Mos qaj për të, sepse melekët akoma po vazhdojnë t’i bëjnë hije me flatrat e tyre, derisa të ngrihet lart në qiell.” Këtë hadith e ka sjell ë Muslimi me senedin e tij. Atë e ka sjellë edhe Nesaiu përmes rrugësh të shumta. Imam Ahmedi shënon se Ibn Abasi ka përcjellë që Profeti i Allahut ka thënë: 606 . “Kur u vranë vëllezërit tuaj në luftën e Uhudit, Allahu i Madhëruar i vendosi shpirtrat e tyre në brendinë e disa zogjve jeshilë, për të fluturuar dhe për t'u kënaqur në lumenjtë e Xhenetit. Ata hanë prej frutave të Xhenetit dhe pastaj qëndrojnë në disa kandilë prej floriri, nën hijen e Arshit. Kur ata gjetën kënaqësinë dhe mirësinë e ushqimeve dhe pijeve të tyre, si dhe bukurinë e vendprehjes
së tyre, thanë: “Ah, sikur vëllezërit tanë ta dinin se çfarë bëri Zoti me ne, që të mos heqin dorë kurrë nga xhihadi (lufta në rrugë të Allahut) dhe kurrë të mos i kthejnë shpinën luftës!” Atëherë, Allahu i Madhëruar tha: “Do t’ua jap Unë atyre këtë mesazh për ju.” Dhe Alla hu i Lartësuar zbriti ajetin: “Kurrë mos thoni për ata që bien dëshmorë në rrugën e Allahut: “Janë të vdekur”! Jo! Ata janë të gjallë te Zoti i tyre, duke u kënaqur. Ata janë të gëzuar me atë që u ka dhënë Allahu nga mirësia e Tij. Ata gëzohen edhe për ata që kanë lënë pas dhe që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre (si dëshmorë), se për ta nuk do të ketë as frikë dhe as nuk kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me mirësitë dhe begatitë e Allahut. S’ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” Imam Ahmedi sjell një hadith tjetër nga Muhamed Idris Eshafi j, ky nga Malik Ibn Enes el Azbahi, ky nga Zuhri, ky nga Abdurrahman Ibn Keab Ibn Malik, dhe ky nga i ati (r.a), i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 607. “Shpirti i besimtarit është si një zog që varet dhe qëndron në pemët e Xhenetit, derisa ta kthejë Allahu në trupin e tij (në varr), ditën kur do të bëhet ringjallja.” Në këtë hadith ka përgëzim për çdo besimtar se shpirti i tij do të jetë i lirë dhe do të shëtisë në Xhenet, do të hajë prej frutave të tij, do të shohë bukuritë e tij dhe do të kënaqet. Ai do të shohë dhe dëshmojë gjithçka që Allahu i Lartësuar ka përgatitur si nderim dhe shpërblim për besimtarët. Në fakt, ky është një hadith madhështor dhe i mrekullueshëm, i sjellë prej tre imamëve të mëdhenj, nga katër medhhebet kryesore. Për sa i përket shpirtrave të dëshmorëve, ata janë si yjet në qiell, në krahasim me shpirtrat e besimtarëve të tjerë. E lusim Allahun Bujar e Dhurues të çdo mirësie, që të na begatojë dhe të na japë nga mirësia e Tij, të na e mbushë zemrën me iman të sinqertë dhe të na e marrë shpirtin me këtë iman! - Ata janë të gëzuar me atë që u ka dhënë Allahu nga mirësia e Tij. - Allahu do t’i lumturojë me mirësitë dhe kënaqësitë e pashembullta, që do t'u tregojë atje. - Ata gëzohen edhe për ata që kanë lënë pas dhe që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre (si dëshmorë), se për ta nuk do të ketë as frikë dhe as nuk kanë pse të brengosen.” - Ata gëzohen me vëllezërit e tyre, që janë në të njëjtën rrugë, për t'iu bashkëngjitur atyre, duke marrë shpërblimin për luftën dhe përpjekjen që kanë bërë për hir të Allahut. Gëzohen që edhe ata do të jenë pjesëmarrës, së bashku me ta, në shpërblimin e madh dhe mirësitë e shumta që Allahu u ka përgatitur. Seid Ibn Xhubejri shpjegon: “Pasi ata hynë në Xhenet dhe panë mirësitë e mëdha dhe privilegjet e shumta që u bëheshin shehidëve, thanë: “Ah, sikur vëllezërit tanë ta dinin se çfarë privilegjesh po shohim tani, ashtu siç na kishte treguar Profeti ﷺ dhe Zoti ynë! Ah, sikur ta dinin këtë mirësi të madhe që na ka bërë Allahu!” Atëherë, Zoti i njoftoi ata: “Unë i kam shpallur Profetit tuaj, duke e njoftuar atë për çështjen tuaj dhe për mirësitë që ju po gëzoni. Prandaj,
gëzohuni me këtë lajm që ua përcolla vëllezërve tuaj!” Për këtë bën fjalë pikërisht fjala e Allahut të Lartësuar: “Ata gëzohen edhe për ata që kanë lënë pas dhe që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre (si dëshmorë)...”. Pak më sipër u përmend hadithi që është sjellë në dy Sahih-ët, për të vrarët në Oazin e Maunes. Allahu i Lartësuar thotë: “...për ta nuk do të ketë as frikë dhe as nuk kanë pse të brengosen.” Pra, ata nuk do të frikësohen për atë që i pret para në ahiret dhe nuk do të dëshpërohen për atë që kanë lënë pas në jetën e dynjasë. - Ata janë të gëzuar me mirësitë dhe begatitë e Allahut. S’ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” - Muhamed Ibn Is’haku shpjegon: “Ata lumturohen kur shohin me sytë e tyre shpërblimin e madh të premtuar.” - Për ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit, edhe pasi u plagosën dhe për ata që bëjnë mirë dhe ruhen nga e keqja, është përgatitur një shpërblim i madh. - Këtu bëhet fjalë për atë që ndodhi në Hamrâul Esed. Kështu, idhujtarët, pasi bënë atë që bënë dhe dëmtuan sa dëmtuan muslimanët (në Uhud), u tërhoqën, për t’u kthyer në vendin e tyre. Për një moment u menduan, e pasi bën njëfarë rruge thanë: “Përse të mos i japim fund njëherë e mirë banorëve të Medinës, duke përfunduar atë që nisëm?” Kur lajmi i shkoi Profetit ﷺ ,ai i nxiti muslimanët që të ktheheshin përsëri në Uhud, përveç Xhabir Ibn Abdilahut (Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të dyve!), që i tha të qëndronte me 7 motrat e tij, të cilat nuk kishin asnjë burrë për t’u kujdesur. Atëherë, muslimanët, me gjithë plagët e marra dhe gjendjen e tyre të rëndë, iu bindën urdhrit të Allahut dhe Profetit të Tij.” Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ikrime, i cili rrëfen: “Kur idhujtarët u kthyen nga Uhudi, njerëzit e tyre iu thanë: “As Muhamedin nuk e vratë dhe as nuk bëtë ndonjë gjë që të lërë gjurmë pas jush! Sa keq që keni vepruar! Kthehuni, atëherë, dhe jepini fund asaj që nisët!” Profeti i Allahut e mori vesh këtë lajm dhe i nxiti muslimanët të përgatiteshin sërish për t’u ndeshur me idhujtarët. Ata u përgjigjën ftesës së tij derisa mbërritën në vendin e quajtur Hamrâul Esed . Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Për ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit, edhe pasi u plagosën dhe për ata që bëjnë mirë dhe ruhen nga e keqja, është përgatitur një shpërblim i madh.” Ebu Sufjani, i cili ishte në krye të idhujtarëve, dëgjoi se Profeti ﷺ ishte nisur në kërkim të tij. Allahu i Madhëruar futi frikë dhe tmerr në zemrën e Ebu Sufjanit. Gjatë rrugës, ai takoi një karvan tregtarësh dhe u tha atyre: “Bëjeni Muhamedin të kthehet mbrapsht dhe të mos vazhdojë të na ndjekë, dhe unë do t’ju jap kaq shpërblim! Gjithashtu, thuajuni atyre (për t’i trembur) se Ebu Sufjani ka mbledhur ushtri të madhe dhe do kthehet sërish për luftë.” Kështu, këta tregtarë i përcollën këto fjalë Profetit ﷺ , i cili tha: “Hasbi Allahu ue ni'mel uekil!” (Na mjafton Allahu! Sa mbështetës dhe mbrojtës i mirë është Ai!). Ibn Hishami tregon se Ebi Ubejde ka thënë: “Kur mori vesh lajmin e kthimit të idhujtarëve, Profeti i Allahut tha: 608. “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Për ta janë përcaktuar disa gurë (nga Allahu). Nëse agon dita dhe ata janë atje ( në sheshbetejë), gurët do të bien (rrebesh) mbi ta dhe ata do të zhduken si e djeshmja, që shkoi.” - Edhe për ata të cilët, kur njerëzit u thanë “Shumë njerëz janë mbledhur që t’ju sulmojnë, prandaj kini frikë!”, kjo vetëm sa ua shtoi edhe më shumë besimin, prandaj thanë: “Neve na mjafton Allahu dhe Ai është (ndihmëtari dhe) Mbrojtësi më i mirë.” - Domethënë, ata të cilët njerëzit i kërcënuan me ushtri, për t’iu futur frikën dhe për t’i kthyer nga rruga e tyre. Por ata nuk u frikësuan aspak nga ky lajm, sepse iu mbështetën Allahut, i kërkuan ndihmë Atij dhe thanë: “Na mjafton Allahu, se Ai është ndihmë tari dhe mbrojtësi më i mirë!” Buhariu sjell thënien nga Ibn Abasi, se shprehjen: “Na mjafton Allahu, se Ai është ndihmëtari dhe
mbrojtësi më i mirë!” e ka thënë Ibrahimi ﷺ kur u hodh në zjarr. E ka thënë edhe Muhamedi ﷺ ,kur njerëzit i thanë atij: “Janë mbledhur shumë njerëz, që t’ju sulmojnë, prandaj kini frikë!” Por kjo fjalë ua shtoi edhe më shumë besimin muslimanëve, prandaj thanë: “Neve na mjafton Allahu, që është (ndihmëtari dhe) Mbrojtësi më i mirë!” Prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë më pas: - Ata, pa i gjetur asnjë e keqe, fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu dhe arritën kënaqësinë e Tij. Allahu është Dhurues i madh. - Domethënë, kur ata iu mbështetën Allahut të Lartësuar, Ai u mjaftoi dhe largoi prej tyre çdo brengë dhe frikë. Kështu, ata u kthyen në vendin e tyre me mirësi të shumta nga Allahu dhe me kënaqësinë e Allahut, pa i prekur asgjë nga ato të këqija me të cilat i kërcënoi armiku. Duke shpjeguar fjalën e Allahut: “...kur njerëzit u thanë “Shumë njerëz janë mbledhur që t’ju sulmojnë, prandaj kini frikë!”, Muxhahidi ka thënë: “Bëhet fjalë për mesazhin që Ebu Sufjani i dërgoi Muhamedit. Ai i tha: “Takimi le të jetë në Bedër, aty ku ju i vratë fisnikët tanë.” Atëherë, Muhamedi ﷺ tha: “Ndoshta”. Kështu, Profeti u nis drejt vendit të takimit, derisa mbërriti në Bedër. Atje qëlloi që të ishte dita e pazarit dhe muslimanët bënë edhe tregti në të. Pikërisht për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar: “Ata, pa i gjetur asnjë e keqe, fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu.” Kjo, - thotë Muxhahidi - quhet “beteja e vogël e Bedrit” . Shpjegimin e ka përcjellë Ibn Xheriri. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - Ishte Shejtani që deshte t’ju frikësonte me miqtë e vet. - Shejtani i mallkuar ju frikëson përmes miqve dhe aleatëve të tij dhe ju bën që të mendoni se ata janë të fortë, të ashpër dhe të pamposhtur. Por Allahu i Lartësuar thotë: - Por ju mos u frikësoni prej tyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë! - Unë kam për t’ju mjaftuar juve dhe kam për t'ju dhuruar fitoren. Po kështu thuhet në një ajet tjetër: “A nuk i mjafton Allahu (si Mbrojtës) robit të vet? Dhe ata të frikësojnë ty me zotat e tjerë (që i adhurojnë) veç Tij. Atë që e ka humbur Allahu askush nuk mund ta udhëzojë. Dhe atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta humbë. A nuk është Allahu Ngadhënjimtari që ndëshkon me drejtësi? Nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt dhe tokën, ata me siguri do të thonë: “Allahu.” Thuaju atyre: “Më tregoni për ata që ju i adhuroni veç Allahut! Nëse Allahu më sprovon me ndonjë të keqe, a mund ta largojnë ata atë të keqe? Po nëse Allahu dëshiron të më dhurojë (ndonjë të mirë) nga mëshira e Tij, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Vetëm Atij i mbështeten ata që dinë të kërkojnë mbështetje.”.” [Zumer 36 - 38].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:172–3:175
- “Për ata që iu përgjigjën Allahut dhe të Dërguarit, edhe pasi u plagosën dhe për ata që bëjnë mirë dhe ruhen nga e keqja, është përgatitur një shpërblim i madh. ” - Pasi u kthye nga Uhudi në Medinë, Profeti (a.s.) dëgjoi se Ebu Sufjani së bashku me idhujtarët që e shoqëronin po bënin plan të shkonin deri në Medinë. Atëherë, ai u bëri thirrje shokëve të tij që të ktheheshin sërish në luftë. Ata, edhe pse të dërrmuar nga plagët, iu përgjigjën thirrjes dhe urdhrit të Allahut dhe të Profetit të Tij. E kështu marshuan përpara, derisa mbërritën te vendi i quajtur Hamraul Esued. Atje shkuan disa korrierë, të cilët u thoshin: - “Edhe për ata të cilët, kur njerëzit u thanë “Shumë njerëz janë mbledhur që t’ju sulmojnë, prandaj kini frikë! ” – Pra, ata sillnin informacione frikësuese, të tilla si: Armiku është përgatitur që t'ju zhdukë të gjithëve, prandaj ikni e shpëtoni kokën tuaj! Megjithatë, të gjitha këto kërcënime nuk bënë gjë tjetër, por veçse ua shtuan edhe më shumë besimin muslimanëve: - “...kjo vetëm sa ua shtoi edhe më shumë besimin, prandaj thanë: “Neve na mjafton Allahu dhe Ai është Mbrojtësi më i mirë. ”” - Mbështetja tek Allahu u bë më e fortë. Ata thanë: “Na mjafton Allahu, Sundimtari dhe Mbrojtësi ynë! Allahun kemi lënë të kujdeset për gjithçka që na shqetëson, dhe sa Kujdestar i mirë është Ai! Ai përkujdeset për rregullimin e çështjeve të adhuruesve të Tij. Ai bën të mundur që të zbresin mirësitë dhe të largohen fatkeqësitë. Askush nuk mund ta pengojë përkujdesjen dhe mëshirën e Tij. Dhe, ja përfundimi: - “Ata, pa i gjetur asnjë e keqe, fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu... ” - Kur idhujtarët mësuan se Profeti (a.s.) dhe ushtria e tij – madje edhe ata që nuk morën pjesë fillimisht në betejë – kishin dalë në kërkim të tyre, në zemrat e tyre hyri tmerri. Allahu i Lartësuar futi frikë në zemrat e tyre, prandaj ata u larguan për në Mekë. Kështu, besimtarët u kthyen me fitore, me mirësinë dhe gradën e lartë te Zoti i tyre. Vërtet, përgjigjja e tyre ndaj thirrjes së Allahut dhe Profetit të Tij edhe në atë gjendje, si edhe mbështetja e tyre e plotë tek i Gjithëfuqishmi ishte një sukses i dhuruar prej Tij. - dhe për ata që bëjnë mirë dhe ruhen nga e keqja, është përgatitur një shpërblim i madh. – Pra, me veprat e tyre të mira, duke iu përgjigjur urdhrit të Allahut dhe Profetit (a.s.), dhe me ruajtjen nga të këqijat, duke mos thyer asnjë urdhër, ata merituan shpërblimin e Allahut të Lartësuar. Me plotësimin e devotshmërisë, çdokush mund të arrijë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. - “...dhe arritën kënaqësinë e Tij. Allahu është Dhurues i madh. ” – Pra, duke qenë se ata u përpoqën për kënaqësinë e Tij, Allahu i Lartësuar ua shtoi shpërblimin e luftës edhe më shumë. Dhe, sigurisht, shpërblimi i Allahut është i shumë madh. - “Ishte Shejtani që deshte t’ju frikësonte me miqtë e vet.” - Ata të cilët ju frikësonin dhe ju kërcënonin me idhujtarët ishin veçse zëdhënës të Shejtanit, që do t’ju frikësojë me ushtritë e tij. - “Por ju mos u frikësoni prej tyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!” - Mos kini frikë idhujtarët dhe ushtrinë e Shejtanit, por frikësojuni Allahut, sepse gjithçka është në dorën e Tij. Ata nuk mund të arrijnë asgjë pa lejen e të Plotfuqishmit. Vetëm Allahut frikësojuni, i
Cili përkujdeset për të zgjedhurit dhe të dashurit e Tij. Ai është pranë atyre që i frikësohen dhe i përgjigjen urdhrave të Tij. Ky ajet tregon se frika vetëm ndaj Allahut të Lartësuar është detyrë. Madje, kjo konsiderohet si domosdoshmëri e besimit të drejtë. Në varësi të imanit është edhe frika ndaj Allahut. Frikë e dobishme dhe e shpërblyeshme është ajo që e ndalon robin nga shkelja e kufijve të Allahut.