3. Ali Imran · Ajeti 189 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:181–3:189
Kur qe shpallur ajeti i Kur'anit:... kush i huazon Allahut një hua të mirë..., njëfarë prijësi fetar i jehudive, Fenhas Azuaru i paska thënë Ebu Bekrit: Zoti qenka i varfër pasi po kërkon hua. Ebu Bekri i mëshon grusht në fytyrë dhe i thotë: sikur të mos ishte në fuqi marrëveshja për paqë ndërmjet nesh e jush, kisha për ta dredhur qafën. Jehudiu shkoi te Pejgamberi dhe u ankua kundër Ebu Bekrit. Pejgamberi e pyeti Ebu Bekrin për sjelljen, e tij. Ebu Bekri i tregoi se çka tha ai, por jehudiu e mohoi thënien, atëherë u shpall ky ajet: Allahu dëgjoi thëniet... dhe u vërtetua drejtësia e Ebu Bekrit.
Jehuditë bënë shpifje edhe ndaj Zotit, duke thënë se Ai u ka thënë: të mos besojnë pejgamber tjetër pas Musait, as Isanë, as Muhammedin dhe ashtu të vërtetën që e kishin në Tevrat e fshehën, madje edhe mburreshin për atë sukses të tradhëtisë që e bënë ndaj librit të tyre.
Myslimanët porositen të jenë të qëndrueshëm, të matur me rastin e sprovimit me çështje të ndryshme të kësaj jete, sepse maturia dhe durimi në zgjedhjen e çështjeve është kulmi i karakterit njerëzor.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:187–3:189
- (Kujto) Kur Allahu mori zotimin nga ata të cilëve u ishte dhënë Libri se do t’ua sqaronin atë njerëzve dhe nuk do ta fshihnin. Por ata e lanë pas dore atë amanet për një çmim të ulët të kësaj jete. Sa e keqe është ajo që blenë! - Allahu i Madhëruar i qorton dhe kërcënon ashpër ithtarët e Librit. Ai u kishte marrë besën dhe premtimin e përmendur përmes fjalëve të profetëve të hershëm, se do ta besonin Muhamedin ﷺ dhe përhapnin këtë profeci ndër njerëz, që ata të ishin gati për pranimin e çështjes së tij dhe në pritje të ardhjes së tij. Ai u mori besën, gjithashtu, që, kur Allahu ta dërgonte atë ndër njerëz, ata ta ndiqnin, ta mbështesnin dhe t'i bëheshin krahë. Por ata e fshehën këtë çështje dhe e shpërfillën atë premtim të mrekullueshëm që Allahu i Lartësuar u dha, nëse ata do t’i përmbaheshin fjalës së dhënë. Ai u premtoi mirësi të shumta në dynja dhe në ahiret, nëse do ta pasonin këtë Profet. Ata të mjerë preferuan të merrnin atë që është shumë e përçmuar dhe e pavlerë: pozitën në këtë botë të shkurtër. Sa e shëmtuar ështe ajo që ata blenë dhe tregtia që ata bënë! Ky ajet është një këshillë shumë e vyer për dijetarët, që të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndjekin rrugën e atyre ithtarëve të Librit, që e fshehën të vërtetën edhe pas besës që u ishte marrë përmes profetëve të tyre, për besnikëri ndaj Profetit të fundit, Muhamedit ﷺ . Dijetarët nuk duhet të ndjekin rrugën e tyre, që të goditen më pas me një dënim si ai i ithtarëve të Librit, që e fshehën të vërtetën. Dijetarët e kanë detyrë që ta japin atë dituri të dobishme që zotërojnë, dituri e
cila i udhëzon njerëzit drejt punëve të mira, dhe të mos fshehin asgjë prej saj. Në një hadith që vjen përmes shumë rrugësh transmetimi nga Profeti ﷺ thuhet: 613. “Ai që pyetet rreth një diturie dhe e fsheh atë, do të mbështillet dhe shtrëngohet në Ditën e Kijametit me litarë prej zjarri.” Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë (fshehjen e së vërtetës) dhe që dëshirojnë të lëvdohen për atë që nuk e kanë bërë (sqarimin e së vërtetës)! - Flitet për ata njerëz që shtiren sikur kanë dituri të madhe, por që në fakt nuk dinë asgjë. Në dy Sahih-ët gjendet hadithi nga Profeti ﷺ ,që ka thënë: 614. “Ai që sjell pretendime të gënjeshtërta për të treguar se ka shumë, Allahu ka për t’i shtuar atij veçse pakësimin.” Përsëri në dy Sahihët vjen hadithi: 615 . “Ai i cili tregon dhe lëvdohet me atë që nuk e ka, është si ai që vesh rrobën e mashtrimit.” Gjithashtu, Buhariu sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu, se: 616 . “Disa munafikë, në kohën kur Profeti i Allahut dilte në luftë dhe ata nuk shkonin me të, gëzoheshin që qëndronin pas dhe nuk shkonin me Profetin. Por, kur Profeti i Allahut kthehej nga lufta, i justifikoheshin atij dhe bënin lloj -lloj betimesh, duke dashur që edhe ata të lëvdoheshin si trima, për diçka që nuk e kishin bërë. Atëherë, zbriti ajeti: “Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë dhe që dëshirojnë të lëvdohen për atë që nuk e kanë bërë!” Kështu e ka sjellë këtë rrëfim Muslimi. Ndërsa Ibn Merdeuejhi përcjell rrëfimin nga Thabit Ibn Kajsi el Ensariu, i cili iu drejtua Profetit ﷺ : 617. “O i Dërguari i Allahut! Kam frikë se mos jam nga të shkaterruarit!” Profeti i Allahut i tha: “E pse mendon kështu?” Ai tha: “Allahu i Lartësuar e ka ndaluar njeriun që të lëvdohet për diçka që ai nuk e ka vepruar e nuk e ka bërë. Dhe në fakt unë e gjej veten time që më pëlqen që të më lëvdojnë. Gjithashtu, Allahu e ka ndaluar mendjemadhësinë, ndërkohë që mua më pëlqen e bukura. Allahu e ka ndaluar që të ngrejmë zërin tonë mbi zërin tënd, dhe unë jam njeri që kam zë shumë të lartë...” Atëherë, Profeti ﷺ tha: “A nuk je i kënaqur që të jetosh i lëvduar dhe i nderuar, të vdesësh si shehid dhe të hysh në Xhenet?” Ai tha: “Po, o i Dërguari i Allahut, e dëshiroj diçka të tillë .” Dhe, vërtet, ai jetoi i lëvduar e i nderuar dhe ra dëshmor në luftën kundër Muselejme Sharlatanit. - Kursesi mos mendo se ata do t'i shpëtojnë ndëshkimit! - Mos mendo se ata do të shpëtojnë nga ndëshkimi i Allahut, pasi ata do të përballen patjetër me të dhe do ta përjetojnë atë: - Ata do të kenë një dënim të dhembshëm. - Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe Allahu është i Fuqishëm për gjithçka. - Allahu është Sunduesi, Pronari, Mbretëruesi i gjithçkaje. Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka. Për Të, asgjë nuk është e pamundur. Prandaj, kijeni frikë Atë dhe mos e kundërshtoni urdhrin e Tij. Jini të kujdesshëm dhe të ruajtur nga ndëshkimi dhe zemërimi i Tij. Ai është i Madhërishmi, dhe nuk ka më të madh se Ai; Ai është i Plotpushtetshmi dhe i Plotfuqishmi, dhe nuk ka më të pushtetshëm dhe fuqishëm se Ai!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:189
Allahu është Pronari dhe Sunduesi i qiejve, i tokës dhe i gjithçkaje mes tyre. Ai vepron, rregullon dhe administron çështjet e krijesave me pushtetin e Tij të plotë e absolut mbi gjithçka në këtë ekzistencë. Veprat dhe përcaktimet e Tij janë të mrekullueshme. Askush nuk mund t'i fshihet shikimit, dëgjimit, dijes dhe pushtetitit të Tij. Askush nuk mund t'i shpëtojë gjykimit të Sunduesit.