3. Ali Imran · Ajeti 200 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:190–3:200

Në fillim të kësaj kaptine u sollën argumente që dokumentojnë për njësinë e Zotit, për pozitën e rëndësishme të pejgamberit, e edhe në fund të saj sillen fakte për Zotin një, për fuqinë e Tij në krijimin e çdo qenieje a sendi, ashtu që përmes këtyre fakteve, njeriu mund të fitojë bindje të plotë se Ai ka fuqi të ringjallë, t'i tubojë të gjithë para Vete, t'i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të mira dhe t'i ndëshkojë kokëfortit dhe zullumqarët.

Qëllimi i Kur'anit si në kaptinat tjera, ashtu edhe në këtë, është: që tërheqjen e zemrave dhe të shpirtërave ta sjellë në njohjen e Krijuesit përmes vështrimit të krijaturës në përgjithësi, prandaj këto ajete të fundit të kësaj sureje, erdhën të atillë që orientojnë vështrimin e njeriut kah gjithësia në mënyrë që atij t'ia forcojnë edhe më shumë bindjen për fuqinë e pakufishme të Krijuesit.

Kur'ani u thotë njerëzve lexoni librin e shkruar, të rreshtuar të Allahut (Kur'anin), e pastaj lexoni dhe vështroni librin praktik të Allahut, gjithësinë, ekzistencën, sepse në rreshtat e Kur'anit gjeni plot shprehje që u thërrasin t'i futni në shërbimin e vet shqisat dhe ta angazhoni e ta thelloni mendjen në të menduar deri sa ta gjeni dhe ta njihni të vërtetën.

Allahu na mëson se si duhet lutur Atij, por kur e jep përgjigjen nuk thotë se i pranoi të gjitha ato, por thotë se mundin e askujt nuk ia humb pa dallim gjinie. Me këtë na bën të kuptojmë se nevojitet përpjekja së bashku me lutje, e jo vetëm boshe. Përjetimet e kësaj bote janë krejt pak gjësend në krahasim me ato të botës tjetër, të cilat janë të përjetshme, të amshueshme dhe shumë më të mira, prandaj nuk duhet mashtruar pas kënaqësive të kësaj bote, e lënë rrugën e Zotit. Ata, të cilët e kanë veten në dorë, do të gëzojnë pritje madhështore tek Allahu mëshirues, e të mashtruarit, duke e lënë pas dore porosinë e Allahut, pas kënaqësive të kësaj bote, do të përjetojnë mjerim të madh.

Në fund besimtarët porositen: të jenë të durueshëm në çështjet e veta personale, të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm në çështjet që kanë të bëjnë me rrethin, botën e jashtme, të jenë gjithnjë të përgatitur kundër armikut fizikisht e edhe shpirtërisht dhe të jenë respektues të urdhërave të Allahut, nëse duan të korrin sukses në të dy jetërat. Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i shkurtër i kaptinës Ali Imran: falënderoj Allahun e Madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:199–3:200

- Ka nga ithtarët e Librit të tillë që me të vërtetë besojnë në Allahun. Ata besojnë në atë që ju është shpallur juve dhe në atë që u është shpallur atyre dhe i frikësohen me përulësi Allahut. Ata nuk i shesin argumentet e Allahut për hir të ndonjë çmimi të paktë. - Ajeti flet rreth një grupi prej ithtarëve të Librit, duke thënë se ata besojnë Allahun e Madhëruar me një besim të vërtetë dhe të saktë. Kështu, ata e besojnë Shpalljen që iu zbrit Muhamedit ﷺ , së bashku me besimin e tyre të plotë në librat e shkuar. Allahu i Madhëruar na tregon se ata janë të mbushur me frikë - respekt dhe përunjësi ndaj Atij. Kjo bën që ata të jenë të bindur ndaj urdhëresave dhe të nënshtruar me përunjësi para ligjit të Tij. Ata nuk i shesin ajetet e shpalljet e Zotit me një çmim të vogël të kësaj bote. Kështu, ata nuk i fshehin mesazhet e Zotit në shkrimet që i kanë në duart e tyre, shkrime në të cilat përmendet lajmi i mirë për ardhjen e Muhamedit ﷺ . Në ato shkrime përmendet, gjithashtu, përshkrimi i Muhamedit ﷺ me cilësitë e tij dhe të bashkësisë që do ta besojë atë. Këta njerëz janë më të mirët nga mesi i ithtarëve të Librit. Këta janë më të zgjedhurit dhe më të kulluarit e tyre, jehudë apo krishterë qofshin ata. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilëve ua dhamë Librin e lexojnë (dhe e ndjekin) atë (Kur'anin), ashtu si duhet. Pikërisht ata e besojnë me të vërtetë atë (Kur'anin). Ndërsa ata që e mohojnë atë (Kur'anin), pikërisht ata janë të humburit.” [Bekare 121]. Gjithashtu: “ Ata të cilëve Ne u dhamë Librin përpara këtij, besojnë edhe në këtë (Kur'an). Kur atyre u këndohet ai (Kur'ani) ata thonë: “Ne besojmë në të, sepse ai është e vërteta prej Zotit tonë. Ne vërtet, edhe para tij kemi qenë muslimanë (të dorëzuar një Zoti të vetëm).” Atyre do t'u jepet shpërblim i dyfishtë sepse kanë qenë durimtarë. Ata e largojnë të keqen me të mirë dhe japin nga ajo që Ne u kemi dhënë. Kur dëgjojnë ndonjë bisedë të kotë, i kthejnë shpinën dhe thonë: “Ne kemi veprat tona e ju, tuajat. Paqe keni prej nesh. Ne nuk e duam paditurinë (e kotësinë). ” [Kasas 52 - 55]. Këto cilësi gjenden edhe tek jehudët, por janë të pakët. I tillë ishte Abdullah Ibn Selami dhe të ngjashmit me të nga mesi i dijetarëve të jehudëve, të cilët besuan. Në fakt, të tillët nuk e kaluan numrin 10. Ndërsa ndër të krishterët ka më shumë nga ata që e përqafojnë udhëzimin e vërtetë të Zotit dhe i nënshtrohen të vërtetës dhe të jetuarit sipas saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Ti do të vëresh se njerëzit me armiqësinë më të fortë kundër besimtarëve janë judejtë dhe idhujtarët. Ndërsa më të butët me besimtarët janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”, sepse prej tyre ka të ditur dhe adhurues asketë, të cilët nuk tregohen kryeneçë. Kur e dëgjojnë atë që i është shpallur të Dërguarit, do të shohësh që prej syve të tyre rrjedhin lot, nga e vërteta që kanë kuptuar. Ata thonë: “Zoti ynë, ne kemi besuar, pra, na regjistro ndër ata që do të dëshmojnë! Përse të mos besojmë në Allahun dhe në të Vërtetën që na ka ardhur, kur ne duam që Zoti ynë të na bashkojë me njerëzit e mirë?” Për këtë thënie, Allahu i ka shpërblyer me kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Ky është shpërblimi për vepërmirët.” [Maide 82]. - Ata do ta marrin (të plotë) shpërblimin nga Zoti i tyre. Allahu është i shpejtë në llogarinë Tij. - Është transmetuar saktë, se: 624. “Kur Xhafer Ibn Ebu Talibi lexoi suren Merjem në prani të Nexhashiut, mbretit të Abisinisë, pranë tij ishin një grup patriarkësh dhe priftërinjsh të mëdhenj. Ai qau dhe së bashku me të qanë edhe ata që ishin rreth tij, derisa u lagën mjekrat e tyre.” Gjithashtu, në Sahih-ët e Buhariut dhe Muslimit është hadithi se: 625 . “Kur vdiq Nexhashiu, Profeti ua dha lajmin e vdekjes

shokëve të tij dhe tha: “Një vëllai i juaji vdiq sot në Abisini, prandaj faljani xhenazen!” Ai doli në shkretëtirë, i vendosi në rreshta ata dhe fali namazin e xhenazes për të.” Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku, i cili ka thënë: 626 . “Kur vdiq Nexhashiu, Profeti i Allahut: “Kërkoni falje për vëllanë tuaj!” Disa njerëz thanë: “Na urdhëron që ne të kërkojmë falje për një mbret (jobesimtar), që vdiq në tokën e Abisinisë?!” Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet: “Ka nga ithtarët e Librit të tillë që, me të vërtetë besojnë në Allahun. Ata besojnë në atë që ju është shpallur juve dhe në atë që u është shpallur atyre dhe i frikësohen me përulësi Allahut...”. Ibn Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) përcjell hadithin nga Xhabiri, i cili ka thënë: 627 . “Kur vdiq Nexhashiu, Profeti ﷺ na tha: “Vëllai juaj As’hametu sapo ndërroi jetë!” Pastaj ai doli dhe u fal për të, ashtu siç falet xhenazja, duke dhënë katër tekbire. Por munafikët thanë: “Po i fal namazin një mbreti (jobesimtar), i cili vdiq në tokën e Abisinisë!” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti: “Ka nga ithtarët e Librit të tillë që, me të vërtetë besojnë Allahun. Ata besojnë në atë që ju është shpallur juve dhe në atë që u është shpallur atyre dhe i frikësohen me përulësi Allahut.”...” Ibn Ebu Nexhihu përcjell nga Muxhahidi që, duke folur për fjalën e Allahut: “Ka nga ithtarët e Librit të tillë, që me të vërtetë besojnë në Allahun....”, ka thënë: “Është fjala për ata ithtarë të Librit të cilët e kanë pranuar Islamin.” Ndërsa Hasan el Basriu ka thënë: “Këta janë ithtarët e Librit të cilët ishin përpara ardhjes së Profetit dhe që, më pas, kur erdhi Muhamedi ﷺ , ata e pasuan atë. Këta njerëz e njohën Islamin dhe e pranuan atë, prandaj Allahu u dha dy shpërblime: për besimin që kishin përpara ardhjes së Muhamedit dhe për besimin e Muahmedit, pas ardhjes së tij.” Në dy Sahih-ët është hadithi nga Ebu Musa, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 628 . “Janë tri kategori njerëzish, të cilëve u jepet shpërblimi dy herë...” Dhe mes tyre përmendi: “...një nga ithtarët e Librit, i cili beson profetin e tij dhe mua.” Duke shtjelluar cilësitë e tyre, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata nuk i shesin argumentet e Allahut për hir të ndonjë çmimi të paktë.” Pra, ata nuk e fshehin të vërtetën që ndodhet në shkrimet që ndodhen në duart e tyre. Ata nuk e fshehin diturinë që ndodhet në ato shkrime, ashtu sikundër vepruan jobesimtarët dhe mashtruesit mes popullit të tyre. Madje, ata e japin këtë dituri falas dhe e shpërndajnë atë me besnikëri e korrektësi ndër njerëz. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë më pas: “Ata do ta marrin (të plotë) shpërblimin nga Zoti i tyre. Allahu është i shpejtë në llogarinë Tij.” Pra, Ai është një llogaritës i shpejtë i të gjitha veprave të njerëzve. Ibn Ebu Hatimi e përcjell këtë mendim nga Muxhahidi. - O ju që keni besuar! Bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini vigjilentë dhe ruajuni dënimit të Allahut, që të shpëtoni! - Hasen el Basriu shpjegon: Ata u urdhëruan që të jenë të durueshëm në zbatimin e fesë së tyre, fe më të cilën Allahu u kënaq dhe e zgjodhi për ta. Ky është një urdhër për besimtarët që të mos e lënë kurrë këtë fe, as në kohë mirësie dhe as në kohë vështirësie, as në kohë fatkeqësish e sprovash e as në kohë begatie, por të jenë të palëkundur në këtë fe, e kështu të vazhdojnë derisa të vdesin si muslimanë. Gjithashtu, Ai i urdhëroi që të jenë të qëndrueshëm, këmbëngulës dhe të pamposhtur përballë armiqve, të cilët e fshehin të vërtetën e kësaj feje madhështore. Janë të shumtë ata dijetarë të selefëve që kanë dhënë një shpjegim të tillë, si ai i mësipërm. Ndërsa për sa i përket shprehjes “el mur âbeta” (rrini vigjilentë), që është përmendur në ajet, ajo është një urdhër për të qenë i vazhdueshëm, sistematik dhe i pandërprerë, në adhurimet që i përkushton Allahut dhe në rrugën e drejtë të tij. Është thënë, gjithashtu, se kuptimi i saj është: “pritja e namazit vijues, pasi ke kryer një namaz të caktuar”. Muslimi dhe Nesaiu sjellin hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti

ka thënë: 629 . “A t’ju njoftoj për diçka me të cilën Allahu i Madhëruar i fshin gabimet dhe gjynahet dhe i lartëson gradat për atë që i vepron? Ajo është marrja e një abdesi të plotë e korrekt edhe në kohë vështirësie, hapat e shumtë për të shkuar drejt xhamive, dhe pritja e namazit pas namazit. Ky është ribat! Ky është ribat!” Ibn Merdevejhi përcjell nga Ebu Seleme Ibn Abdirrahmani, i cili ka thënë: “Një ditë Ebu Hurejra m’u drejtua dhe më tha: “A e di, o biri i vëllait tim, se për çfarë u zbrit ajeti: “O ju që keni besuar! Bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini vigjilentë dhe ruajuni dënimit të Allahut, që të shpëtoni!”?” Unë i thashë: “Jo, nuk e di!” Atëherë ai tha: “Në kohën e Profetit ﷺ nuk kishte ndonjë vend, ndonjë luftë apo front, ku ata të vrojtonin dhe të bënin ‘ ribat’. Ky ajet është zbritur për ata njerëz që gjallërojnë dhe i mbushin xhamitë e Allahut, i falin namazet në kohën e vet, dhe pastaj e përmendin shumë Allahun në to. Ja, për këta njerëz u zbrit ky ajet.” Allahu i Madhëruar thotë: “Bëni durim!” Pra, bëni durim për faljen në kohë të pesë namazeve! Pastaj thotë: “Bëhuni të qëndrueshëm!” Pra, ushtrojeni e kaliteni veten e shpirtin tuaj, nënshtrojini prirjet dhe dëshirat tuaja, për të zbatuar këtë fe dhe për jetuar sipas saj! Pastaj thotë: - “Rrini vigjilentë!” - Pra, jini vigjilentë dhe kujdesuni për xhamitë tuaja, që t’i gjallëroni me faljen e namazit në to, si dhe me adhurimet dhe përmendjen e Zotit. - “Ruajuni dënimit të Allahut!” - Frikësojuni Allahut dhe të jeni të devotshëm në lidhje me atë që ju ka urdhëruar dhe ligjet me të cilat ju ka ngarkuar për t’i përmbushur. Kryejini të gjitha këto porosi, “që të shpëtoni”. Pra, që ju të dilni fitimtarë, të fitoni çdo të mirë dhe të ruheni e shpëtoni nga çdo e keqe. Për fjalën “ murâbeta” është thënë edhe se kuptimi i saj është vigjilenca në llogore kundër armikut, në ruajtje të Islamit dhe muslimanëve. Të ruash që armiqtë të mos hyjnë në vendet e muslimanëve dhe t’i dëmtojnë ata. Janë përcjellë hadithe të shumta, të cilat nxisin për një vepër të tillë. Në këto hadithe është përmendur se kjo vepër ka një shpërblim shumë të madh. 161 Kështu, Buhariu sjell në Sahih-un e tij hadithin nga Sehl Ibn Saad es Saidi se Profeti ﷺ ka thënë: 630. “Qëndrimi vigjilent në rrugën e Allahut është më i mirë se gjithë dynjaja dhe çka në të.” Muslimi sjell hadithin nga Selman el Farisiu, se Profeti i Allahut ka thënë: 631 . “Të qëndruarit roje dhe vigjilent për një ditë dhe një natë, është më e mirë se të agjërosh një muaj dhe të falesh gjatë gjithë kohës në këtë muaj. Nëse njeriu vdes gjatë këtij qëndrimi roje, atëherë atij për çdo ditë që kalon (nga vdekja deri në Ditën e Kijametit) do t’i shkruhet e njëjta punë që kryente kur ishte gjallë. Atij do t’i jepet rrizku i tij dhe do të jetë i sigurt nga sprova.” Mendo pak në fjalën e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Ruajuni dënimit të Allahut!” Pra, frikësojuni Allahut dhe jini të devotshëm ndaj Tij në të gjitha çështjet dhe në të gjitha gjendjet tuaja! Kjo është e njëjta porosi që Profeti i Allahut i dha Muadhit kur e dërgoi atë në Jemen: 632. “Kije frikë Allahun kudo që të jesh! Nëse bën një të keqe, pasoje me një punë të mirë, e cila e fshin atë! Sillu me njerëzit me moralin më të mirë!” Pastaj i Madhëruari jep këtë premtim të mrekullueshëm: “...që të shpëtoni.” Pra, përmbushini këto porosi, që ju të fitoni çdo të mirë dhe të shpëtoni nga çdo ndëshkim dhe e keqe, në dynja dhe ahiret! Ibn Xheriri përcjell nga Muhamed Ibn Keab Kuradi, se, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “...dhe ruajuni dënimit të Allahut që të shpëtoni!”, thoshte që kuptimi është: “M’u frikësoni Mua në lidhje me ato detyrime që janë mes Meje dhe jush, që të fitoni çdo të mirë dhe të shpëtoni nga çdo e keqe nesër, kur të më takoni Mua!” Këtu përfundon edhe shkurtimi dhe përmbledhja e tefsirit të sures Al Imran. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirësia! E lusim Atë që të vdesim duke pasuar Librin dhe Sunetin e Profetit të Tij! Amin!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:199–3:200

- “Ka nga ithtarët e Librit të tillë që me të vërtetë besojnë në Allahun. Ata besojnë në atë që ju është shpallur juve dhe në atë që u është shpallur atyre ” - Nga ithtarët e Librit ka edhe prej atyre që Allahu i Lartësuar u ka dhënë sukses për të pranuar udhëzimin e vërtetë. Ata kanë disa cilësi: ata besojnë Allahun e Lartësuar, ata besojnë Kur’ânin dhe Sunetin, ata besojnë edhe Shpalljen që u është dhënë atyre. I tillë është besimi i drejtë, ndryshe nga ata të cilët disa shpallje hyjnore i besojnë dhe disa i mohojnë. Duke qenë se besimi i tyre është i drejtë dhe i plotë, në zemrat e tyre lind droja ndaj Allahut të Lartësuar. - “dhe i frikësohen me përulësi Allahut....” - Ky besim i sinqertë bëri që ata të nënshtrohen të bindur para madhështisë së Allahut të Lartësuar dhe të jenë të kujdesshëm në zbatimin e çdo urdhri dhe largimin nga çdo ndalesë që sqarohet në Librin e Allahut dhe nga Profeti i Tij. Këta e meritojnë të quhen ‘ithtarë të Librit’ dhe përqafues të dijes dhe të së vërtetës, sikurse thotë i Lartësuari: “Prej robve të Tij, Allahut i frikësohen veçse dijetarët”. Shenjë e drojës së vërtetë të tyre ndaj Allahut të Lartësuar është edhe një fakt i rëndësishëm, siç thotë i Lartësuari: - “Ata nuk i shesin argumentet e Allahut për hir të ndonjë çmimi të paktë. ” – Ata nuk e preferojnë kurrë këtë jetë dhe përjetimet e saj mashtruese kundrejt të vërtetës së pakundërshtueshme, sikundër veprojnë të devijuarit, të prishurit e të humburit, të cilët e fshehin të vërtetën e zbritur nga Zoti për hir të një çmimi të vogël. Të sinqertët janë shumë të dashuruar pas të vërtetës, prandaj nuk mund ta shesin aq lehtë. Ata e dinë se kjo tregti është gjithnjë e humbur. E si mund të kënaqen me humbjen të diturit, të urtët, të mençurit dhe të sinqertët?! Dëshirat dhe qëllimet vetjake nuk janë kurrë arsye për ata që jetojnë për të vërtetën. Ata e ndiejnë kënaqësinë që të ofron e vërteta dhe jeta sipas saj. Pa dyshim, kjo është fitorja më e madhe që mund të arrijë njeriu në këtë jetë dhe në tjetrën. Për këtë arsye, ata i japin përparësi të vërtetës dhe qartësimit të saj ndër njerëz. Ata jetojnë për të ftuar dhe inkurajuar njerëzit që ta pranojnë të vetmen mundësi për të qenë të lumtur. Ata qortojnë dhe këshillojnë njerëzit që t'i largohen të kotës. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i shpërblen ata shumëfish: - “Ata do ta marin (të plotë) shpërblimin nga Zoti i tyre. ” - Ky është premtim për një shpërblim të madh. Më tej, Allahu i përgëzon me diçka tjetër: - “Allahu është i shpejtë në llogarinë Tij.” – Pra, mos e mendo si të largët shpërblimin e mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar, sepse ai është shumë afër. Allahu i Lartësuar llogarit dhe shpërblen shpejt. Më pas, Allahu i Lartësuar u drejtohet të gjithë besimtarëve me një këshillë, e cila është shumë të vlefshme për këdo që synon suksesin e vërtetë, fitoren, lumturinë dhe shpërblimin: - “O ju që keni besuar! Bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini vigjilentë dhe ruajuni dënimit të Allahut, që të shpëtoni! ” - Rruga drejt suksesit kalon, së pari, përmes durimit. Është e domosdoshme të mos largohesh asnjë çast nga rruga e durimit. Durim do të thotë të nënshtrosh vetveten për të kryer detyrimet dhe veprat e mira, edhe nëse është e vështirë për ta bërë këtë, do të thotë të lësh gjynahet dhe mosbindjen ndaj Allahut, do të thotë të pranosh me kënaqësi caktimin e Allahut gjatë sprovave e fatkeqësive, do të thotë, pra, të zbatosh të gjitha këto detyrime, që janë të vështira për nefsin. Së dyti, Allahu na urdhëron për të qenë sistematikë e të vazhdueshëm në durim dhe në luftën kundër armiqve, në çdo kohë e gjendje. Së treti, Allahu urdhëron për

vigjilencë ndaj armikut. Pra, të ruhemi nga qëllimet dhe sulmet e armikut, t’ia zëmë atij çdo shteg e mundësi për të na sulmuar e dëmtuar. Të mos e lejojmë atë të godasë qëllimet tona. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresohet për suksesin, që të fitojmë çdo të mirë të dynjasë dhe të ahiretit dhe që të shpëtojmë nga çdo e keqe e dynjasë dhe e ahiretit. Me pak fjalë, suksesi i vërtetë arrihet veçse me durim, qëndrueshmëri sistematike, vigjilencë ndaj planeve të armikut dhe, sigurisht, me devotshmëri. Megjithatë, Allahu është i vetmi që jep sukses. Nuk ka forcë e ndryshim të gjendjes me mënyrë tjetër, por veçse me ndihmën e Allahut të Lartësuar. Këtu përfundon dhe tefsiri i sures Al Imran. I lavdëruar qoftë Allahu për çdo mirësi të dhuruar prej Tij. E lusim Atë që ta plotësojë dhe përsosë mirësinë e Tij ndaj nesh. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

← Ali Imran 3:200