3. Ali Imran · Ajeti 25 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:14–3:25

Bukuritë e kësaj bote, të cilat Zoti i krijoi për njerëz, sado që janë të lakmueshme e të dëshirueshme, nuk duhet i mashtruar pas tyre dhe keqpërdorur, sepse edhe jeta e njeriut e edhe përjetimi i tyre është për një kohë të shkurtër, e nëse njeriu mashtrohet pas tyre dhe lë manash mësimet e Zotit, atëherë dështimi është shumë i madh, ngase e humb të drejtën në shpërblimet e botës tjetër që janë të përjetshme, e humbja më e madhe është ajo se njeriu i tillë nuk do të mund ta gëzojë kënaqësinë e Zotit që është kulmi i shpërblimeve, sepse atë kënaqësi mund ta gëzojnë vetëm ata që kanë qenë të ruajtur, të matur.

Meqë Allahu i bëri me dije besimtarët për shpërblimet që do t'i gëzojnë, vërtetoi se argumentet e besimit janë të qarta. Dëshmia e Allahut për veten se është Një, i plotfuqishëm, është kjo ekzistencë, është gjithësia me të gjitha qeniet.. Këtë mund ta kuptojë çdo njeri i mençur. Besimi në një Zot, është ai besim, ajo fe, të cilën e shpalli Zoti që nga ekzistimi i njerëzve në këtë botë. Çdo besim tjetër përkitazi me njësinë e Zotit, është devijim i së vërtetës së shpallur prej Zotit.

Jehuditë e pyetën Muhammedin për dënimin që duhet ekzekutuar kundër atij që ka bërë dhurim, e kur Muhammedi u tha se edhe në Tevrat është masa ndëshkuese gurëzimi, ata refuzuan ta sjellin Tevratin dhe të veprojnë sipas tij, edhe pse e dinin se ashtu ishte e vërteta, por derisa e vërteta e Tevratit dhe e Kur'anit përputheshin, ata e fshehën Tevratin, përndryshe do të duhej pranuar atë që u tha Muhammedi, e ai ishte pranim edhe i fesë islame, e atë nuk e deshën.

Zoti i madhëruar i thotë Muhammedit se obligim yti është vetëm komunikimi i qartë, e Ne do t'u japim hesapin e merituar për kokëfortësinë e tyre që bënë kundër pejgamberëve, kundër Tevratit dhe e mashtruan veten duke trilluar shpifje se në xhehenem do të qëndrojnë vetëm dyzet ditë, aq sa e patën adhuruar edhe viçin. Në ditën e gjykimit do të dalin para Zotit të gjitha çështjet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:23–3:25

- A nuk i sheh ti ata, të cilëve u është dhënë një pjesë nga Libri e kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë Libri i Allahut, një grup prej tyre kthejnë shpinën duke refuzuar? - Këto ajete janë qortim i rëndë nga Allahu i Lartësuar drejtuar jehudëve dhe krishterëve, të cilët pretendojnë se kapen fort pas Teuratit dhe Ungjillit. Por kur ata ftohen për të gjykuar drejt, sipas asaj që gjendet në Teurat dhe Ungjill, libra që i urdhërojnë të ndjekin rrugën e Muhamedit, ata kthejnë shpinën. Ky është një nënçmim dhe poshtërim i madh për ta, që tregon, gjithashtu, për kundërshtimin e padrejtë dhe inaçor të së vërtetës nga ana e tyre. - Kjo sepse ata thonë: “Ne nuk do të na djegë Zjarri, përveçse disa ditë të numëruara.” - Ata shpifin dhe trillojnë se Allahu ka për t'i ndëshkuar ata në zjarr veçse për shtatë ditë. Më përpara, në suren Bekare 139 është dhënë shpjegimi i këtij pretendimi të tyre. - Shpifja që bënë i ka mashtruar keq për fenë e tyre. - Feja e tyre, që e sajuan vetë, i bëri që të jenë këmbëngulës në kotësinë dhe vetëmashtrimin e tyre. Kështu u bindën në mendjet dhe zemrat e tyre se zjarri do t’i kapte vetëm disa ditë të numëruara. Por, në fakt, ky qe thjesht një pretendim i kotë, për të justifikuar kundërshtimin e të vërtetës nga ana e tyre. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i kërcënon ata, kur thotë: - E si do të jetë gjendja e tyre, kur t’i tubojmë një Ditë, për të cilën nuk ka dyshim dhe kur çdo njeriu do t’i jepet ajo që ka fituar? - Pra, si do të jetë gjendja e tyre Ditën e Kijametit, kur të dalin përpara Allahut dhe ata të përballen me veprat e tyre të poshtra dhe të shëmtuara, me mohimin dhe vrasjen e profetëve, si edhe me vrasjen e njerëzve të mirë nga mezi i tyre, që i urdhëronin për të mira dhe i ndalonin nga të këqijat? Allahu i Madhëruar do t'i pyesë e do t'i marrë në përgjegjësi për të gjitha këto

krime dhe padrejtësi dhe do t'u japë ndëshkimin e merituar atë ditë, e cila nuk ka asnjë dyshim që do të vijë patjetër. - Atyre nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:23–3:25

- “A nuk i sheh ti ata, të cilëve u është dhënë një pjesë nga Libri e kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë Libri i Allahut, një grup prej tyre kthejnë shpinën duke rrefuzuar?” - Në këto ajete Allahu i Lartësuar përshkruan disa cilësi të atyre që i begatoi fillimisht, duke u dhuruar libër hyjnor. Për këtë mirësi të mrekullueshme ndaj tyre, ata duhej të tregoheshin mirënjohës, duke qenë të parët që do t’i besonin dhe që do të punonin me të. Ata duhej të ishin të parët që duhej të nxitonin t’i nënshtroheshin dhe t’i përkushtoheshin zbatimit të ligjeve dhe dispozitave të shpallura prej Zotit. Allahu i Lartësuar na tregon se, kur ata ftohen që të gjykojnë dhe të zbatojnë gjykimin e Zotit, të sjellë në Librin e Tij, një grup prej tyre kthen shpinën dhe refuzojnë t’i nënshtrohen zbatimit të tij. Me trup, ata kthyen shpinën, ndërsa zemrat e tyre kundërshtuan urdhrin. Ky përshkrim është shumë i rëndë për ta. Ai është edhe një vërejtje për ne, që kurrë të mos veprojmë sikurse ata të mjerë, në mënyrë që të mos na godasë ndëshkimi që goditi edhe ata. Përkundrazi, është e detyrueshme për këdo që ftohet të gjykojë me Librin e Allahut, që të dëgjojë me kujdes, të bindet dhe të nënshtrohet. Thotë Allahu i Lartësuar: “ Kur besimtarët ftohen, që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi.” Ata janë të shpëtuarit. Kush i bindet Allahu t dhe të dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, - ata do të jenë fitimtarët (që do të arrijnë çdo të mirë).” [Nur 51 -52]. Është një shkak i caktuar që i bëri ithtarët e Librit që të shpërfillnin ligjin e Zotit dhe të zhyteshin në krime e mosbindje. Ky ishte një mendim i gabuar dhe i pabazë nga ana e tyre, që Allahu i Lartësuar e shpjegon: - “Kjo sepse ata thonë: “Ne nuk do të na djegë Zjarri, përveçse disa ditë të numëruara.” Shpifja që bënë i ka mashtruar keq për fenë e tyre. ”. - Ata e trilluan vetë këtë pretendim të tyre dhe tashmë e konsiderojnë si të vërtetë të pamohueshme. Madje, ata punojnë duke u mbështetur në këtë supozim të pabazë. Atyre nuk u ka bërë dobi asnjë këshillë dhe kërcënim prej Zotit. Përkundrazi, të dehur nga një ëndërr e pabazë, ata janë zhytur në poshtërsi dhe harame. Ata mashtr ojnë veten me mendimin se do të hyjnë në Xhenet, dhe e marrin këtë si një fakt të kryer. Por ky

është veçse një mashtrim, që nuk ka asnjë bazë të besueshme dhe të sigurt. Përfundimi i të tillëve është i tmerrshëm: - “E si do të jetë gjendja e tyre, kur t’i tubojmë një Ditë, për të cilën nuk ka dyshim dhe kur çdo njeriu do t’i jepet ajo që ka fituar? Atyre nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi.” – Kuptimi: Si do të jetë gjendja e këtyre të vetëmashtruarve atë ditë të tmerrshme? Sa e frikshme do të jetë përballja me tmerrin e asaj dite të vështirë! Gjendja e tyre atë ditë është e paimagjinueshme për ne sot. E tillë do të jetë gjendja e këtyre mashtruesve të vetes dhe të të tjerëve, sepse ajo është dita e shpagimit me drejtësi për çdo vepër të paraqitur. Atë ditë nuk do t’i mohohet askujt shpërblimi dhe e drejta e vet. Në varësi të punëve, do të jetë edhe shpërblimi i merituar. Prandaj, nëse sheh veprat e këtyre fatzinjve, e kupton se ata do të jenë njerëzit që do të kalojnë ndëshkimin më të ashpër dhe më të dhembshëm.

← Ali Imran 3:25