3. Ali Imran · Ajeti 41 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:33–3:41

Dashuria e Zotit nuk arrihet ndryshe, por vetëm duke i dëgjuar dhe duke i respektuar të dërguarit e Tij, sepse ata janë të zgjedhur e të dalluar dhe gëzojnë vend të lartë tek Zoti. Këtu përmendet Ademi, njeriu dhe Pejgamberi i parë, Nuhu babai i dytë i njerëzimit, familja e Ibrahimit, I babait të pejgamberëve, prej të cilit rrjedh edhe Pejgamberi ynë, familja e Imranit, babait të Merjemes prej së cilës lindi Isai.

Në vazhdim të këtyre ajeteve përmenden ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat argumentojnë për fuqinë e pakufishme të të madhit Zot, si: lindja e Merjemes, e Jahjasë dhe e Isait. E derisa më e theksuar është ajo e familjes Imran, e tërë kaptina titullohet me këtë titull: Ali Imran. Të kuptojmë se edhe i ati i Musait është quajtur Imran.

Lindja e Merjemes edhe pse ishte e natyrshme, premtimi - nedhri i së ëmës së saj ishte shumë i rëndësishëm, ngase edhe pa e lindur, atë fëmijë ia falë tempullit fetar, respektivisht e cakton për shërbim të Zotit. Ajo njëherë dëshprohet, përse lindi femër, ngase femra nuk do të mundte t'i shërbente tempullit, sipas kuptimit të saj, por Zoti xh. sh. i thotë se mashkullin, të cilin e ka dëshiruar, nuk është si kjo femër, roli dhe rëndësia e saj do të jetë shumë e madhe, sepse nuk është puna se ajo do t'i shërbejë tempullit, ajo do t'i shërbejë kauzës më të madhe, do t'i shërbejë idologjisë, besimit, imanit derisa të ekzistojë kjo jetë, ajo do ta lindë Isain pa babë, e mu aty manifestohet fuqia e Zotit, fuqia e pavarur nga shkaqet, e që do të thotë: Ai që e krijon sendin nga shkaku Ai gjithqysh ka mundësi ta krijojë atë send edhe pa atë shkak, pse Ai është krijues edhe i shkakut.

Kur sheh Zekerijaja te Merjemja ushqim që nuk ia kishte sjellë ai vetë, ndërsa çelësin e dhomës e mbante ai, u habit e tha: Prej nga ky ushqim" Ajo iu përgjigj, duke i thënë: nga Zoti fuqiplotë, atëherë imani i Zekerijasë u zgjua edhe më tepër për fuqinë e Zotit në krijimin e sendeve pa kurrfarë shkaku dhe kërkoi t'ia falë edhe atij një djalë jashtë kushteve të rregullta, sepse ai dhe bashkëshortja e tij kishin hyrë bukur thellë në pleqëri, por Zoti ia falë Jahjanë.

Zekerijaja në ato tri ditë të caktuara ishte i paaftë të flasë me njerëz, por ishte i aftë ta përmendë Zotin dhe t'i bëjë tesbih. Edhe kjo ishtë një mrekulli prej Zotit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:38–3:41

- Atëherë, Zekeria iu lut Zotit të tij, duke thënë: “O Zoti im! Më dhuro edhe mua një pasardhës të mirë! Vërtet, Ti e dëgjon lutjen.” - Kur Zekeria (a.s) e pa se Allahu i Madhëruar e furnizonte Merjemen me frutat e dimrit në behar dhe me frutat e beharit në dimër, u mallëngjye dhe i deshi shpirti një djalë, edhe pse ishte në moshë të thyer, kur trupi i ishte dobësuar, koka i ishte thinjur, me gruan gjithashtu të madhe në moshë dhe, për më tepër, që ishte beronjë. Atëherë, ai e luti Zotin e tij në intimitet: “O Zoti im! Më dhuro edhe mua një pasardhës të mirë! Vërtet, Ti e dëgjon lutjen! Më jep si dhuratë prej Teje një djalë të mirë! Ti je dëgjues i lutjes!” - Kur qëndronte në këmbë, duke u falur në faltore, atë e thirrën melekët: “Allahu të përgëzon ty me Jahjan, i cili do të besojë Fjalën e ardhur nga Allahu. - Atij iu drejtuan dhe i folën melekët, ndërkohë që ishte duke u falur në mihrabin që kishte përcaktuar për adhurimet e veta. Në fakt, mihrab quhet e gjithë xhamia a faltorja, dhe nuk është thjesht vetëm pjesa e futur, ku qëndron imami në drejtim të kiblës. Kjo pjesë e futur është diçka e shtuar më vonë, pasi nuk ka ekzistuar më parë. Mihrabi që njohim sot nuk ka qenë në kohën e Profetit ﷺ dhe as në kohën e sahabëve. Thuhet se i pari që e solli një risi të tillë ishte Uelid Ibn Abdul Meliku, i cili gjithashtu solli edhe risinë e futjes së varrit të Profetit ﷺ në xhaminë e Medinës. 140 Kështu, Zekeria ishte duke adhuruar Allahun në vendin ku ai falte namazin, kur melekët i dhanë lajmin e mirë. Allahu i Lartësuar na tregon se cili qe ky lajm i mirë: “Allahu të përgëzon ty me Jahjan...”, pra, me një djalë nga trupi dhe mishi yt, emri i të cilit do të jetë Jahja. Ky djalë “do të besojë Fjalën e ardhur nga Allahu”, domethënë, do të përgëzojë për ardhjen e birit të Merjemes. Dhe, vërtet, Jahja ishte i pari që përgëzoi njerëzit për ardhjen e Isait, këtij profeti madhështor. Madje, ai ishte një pasues i denjë i traditës dhe rrugës së tij. Duke përshkruar Jahjan, Allahu i Lartësuar thotë: - Ai do të jetë zotëri (fisnik), i përkorë dhe Profet nga më të mirët.” - / pra Ai do të jetë zotëri ( sejjiden), në gradë të lartë të diturisë, dhembshurisë, mëshirës, faljes, adhurimit dhe moralit. Ai do të ishte edhe “i përkorë” ( hasuran). Thuhet që Jahja nuk tundohej nga gratë. Disa thonë se kuptimi është se “ai nuk ejakulonte”. Thuhen edhe shumë gjëra të tjera, por Kadi Ijadi, në librin e tij “ Esh-Shifa” thotë: “Dije se, lavdërimi që Allahu i Lartësuar i ka bërë Jahjas, duke e quajtur “i përkorë”, nuk është siç pretendojnë disa prej tyre, që thonë fjalë të paqena. Madje, të tilla fjalë i kanë refuzuar dijetarët e mëdhenj dhe ekspertët e tefsirit. Dijetarët thonë se, të tilla përshkrime janë mangësi, që nuk u shkojnë profetëve (paqja e Zotit qoftë mbi ta!), prandaj nuk duhet që atyre t’u mvishen të tilla cilësi. Kështu, kuptimi i fjalës “i përkorë” është se Jahja ishte aq i ruajtur nga gjynahet, njëlloj sikur të mos kishte asnjë

tundim prej epshit.” Paaftësia për marrëdhënie intime në martesë, në fakt, konsiderohet si mangësi. Gjithashtu, vlera e dikujt në këtë aspekt (në tundimin e epshit) çmohet kur kjo aftësi ekziston dhe është e fortë tek njeriu, por ai e mposht dhe e disiplinon veten. Kjo arrihet ose duke u përpjekur shumë dhe duke luftuar me vetveten në tendencat dhe prirjet e saj drejt shfrenimit, ashtu siç veproi Isai (a.s), ose me lehtësimin e dhuruar nga Allahu i Madhëruar, që ta bën të thjeshtë dhe të largon prej saj, edhe pse ajo ekziston, siç ndodhi me Jahjan (a.s). Megjithatë, nëse kjo aftësi dhe prirje ndodhet tek dikush dhe ai i jep hakun dhe e disiplinon atë ashtu si Allahu i Madhëruar ka urdhëruar, duke përmbushur detyrimet e martesës dhe duke mos e lejuar atë që të të preokupojë dhe të të pengojë nga detyrimet ndaj Zotit, kjo sigurisht që është një gradë shumë shumë më e lartë, madje kjo është grada e Profetit tonë, Muhamedit ﷺ .Atë nuk e preokupuan dhe penguan nga adhurimi i Zotit , gratë e shumta, me të cilat u martua. Madje, ato ia shtuan edhe më shumë adhurimin dhe aspektet të ndryshme të jetës së përditshme. I tillë, për shembull, ishte edukimi i grave dhe përkushtimi në shërbimin ndaj tyre. Po kështu ishte edhe plotësimi i detyrimeve dhe përgjegjësive bashkëshortore, përpjekja për të kënaqur zemrat e tyre, mësimi e udhëzimi i tyre drejt mirësive dhe cilësive më të larta. Profeti ﷺ është shprehur qartë se dynjaja dhe kënaqësitë më të mëdha të saj, vërtet ishin të dashura për të, por ato nuk ishin pjesë e dynjasë të tij. Ai ka thënë në një hadith: 497. “Prej dynjasë tuaj, më janë bërë të dashura aromat e mira dhe gratë.” Ky është teksti i hadithit që tregon se Profetin ﷺ nuk e joshte dynjaja dhe se dynjaja nuk ishte pjesë e tij, prandaj tha “prej dynjasë tuaj”. Qëllimi ynë është të tregojmë se, kur Allahu i Lartësuar tregoi se Jahja ishte i përkorë, i tillë që nuk tundohej nga epshi dhe që ishte i ruajtur nga shfrenimi, e tha këtë në një kontekst lavdërimi për Jahjan, dhe jo për të treguar se ai nuk qe i aftë dhe nuk kishte mundësi fizike për të shkuar me gratë. Kuptimi i saktë është ashtu siç kanë thënë dijetarët, pra, se ai ishte i ruajtur nga poshtërsitë dhe gjërat e shëmtuara e të pista. Sigurisht, kjo nuk e bënte të ndaluar aspak që ai të martohej me gratë dhe të kryente marrëdhënie me to, sipas normave të Zotit. Madje, me lutjen që bëri Zekeria, mund të kuptohej se ai la pasardhës, sepse ai tha:”O Zoti im! Më dhuro edhe mua një pasardhës të mirë! Kjo është njëlloj sikur të ketë thënë: “Më dhuro, o Zot, një djalë, që të ketë pasardhës të mirë, që do ta pasojnë dhe do të ndjekin rrugën e tij!” Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar është më i ditur. Në vijim, Allahu i Lartësuar tha: “...dhe Profet nga më të mirët.” Ky është një përgëzim i dytë, që tregon se Allahu i Lartësuar do ta zgjidhte Jahjan (a.s) për ta bërë profet, pasi i dha Zekerias përgëzimin e parë për lindjen e atij fëmije. Dhe, sigurisht, përgëzimi për bërjen e tij profet është më i madh dhe më i rëndësishëm sesa përgëzimi i parë. Kjo ngjan me fjalën e Allahut të Lartësuar që ia drejtoi nënës së Musait: “ Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi atij gji! Dhe kur të kesh frikë për të, atëherë hidhe në lumë dhe mos u frikëso e as mos u pikëllo sepse Ne do ta kthejmë atë tek ti dhe do ta bëjmë nga të dërguarit Tanë.” [Kasas 7]. - Ai (Zekeria) tha: “O Zoti im! Si mund të kem unë djalë, kur mua më ka kapur pleqëria dhe shoqja ime është beronjë?!” - Kur Zekeria (a.s) u sigurua mirë për këtë lajm të mirë që i erdhi, filloi të mendonte. Kështu, ai u çudit me faktin se si mund të kishte ai fëmijë pasi kishte arritur atë moshë të madhe dhe, për më tepër, që bashkëshortja e tij ishte shterpë. Atëherë, Mbreti, Sunduesi i Plotpushtetshëm tha: - Tha (Allahu): “Allahu bën çfarë dëshiron.” - Ky është Allahu i Madhërishëm: për Të asgjë nuk është e pamundur. Allahu bën të ekzistojë gjithçka që dëshiron. Atëherë Zekeria tha:

- Ai (Zekeria) tha: “O Zoti im! Më shfaq mua një shenjë!” - Më jep, o Zot, një shenjë, që unë ta kem si argument që do të më jepet dhe do të vijë një fëmijë prej meje! - Ai (Allahu) tha: “Shenja është që, për tri ditë, ti nuk do të mund t’i flasësh asnjë njeriu, përveçse me gjeste . - Pra, ti do të komunikosh me shenja, sepse nuk do të mundesh t’i artikulosh fjalët me gojë, duke qenë i shëndetshëm në këtë drejtim. Pastaj Zekeria u urdhërua që ta përmendte shumë Zotin, ta madhëronte e falënderonte Atë duke bërë tekbire dhe tesbih, kur të ishte në një gjendje të tillë: - Përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje Atë çdo mbrëmje e mëngjes!” - Më pas do të vijë edhe një aspekt tjetër në trajtimin e këtij ajeti, kur të flasim në një kontekst tjetër, në fillim të sures Merjem, - në dashtë Allahu i Lartësuar!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:38–3:41

- “Atëherë, Zekeria iu lut Zotit të tij, duke thënë: “O Zoti im! Më dhuro edhe mua një pasardhës të mirë! Vërtet, Ti e Dëgjon lutjen.” - Ai e luti Zotin e tij që t’i dhuronte atij pasardhës të mirë dhe të pastër në cilësi, edukatë dhe në fe. Ai i kërkoi Allahut që t’i dhuronte pasardhësit të tij mirësi si në aspektin e dynjasë, ashtu edhe në atë të besimit në Zotin.

- “Kur qëndronte në këmbë, duke u falur në faltore, atë e thirrën mel ekët: ...” – Kështu, Allahu i Lartësuar iu përgjigj kësaj kërkese, gjatë kohës kur Zekeria (a.s) lutej dhe përgjërohej në faltoren e tij. - “Allahu të përgëzon ty me Jahjan, i cili do të besojë Fjalën e ardhur nga Allahu. Ai do të jetë zotëri (fisnik), i përkorë...” - Allahu i Lartësuar e përgëzoi me një djalë të quajtur Jahja, i cili do të përcillte tek njerëzit lajmin e mirë për ardhjen në botë të Fjalës së Zotit, pra, të Isait (a.s.), sepse Isai u krijua me fjalën e Zotit “ Kun” (Bëhu). Jahja do të ishte, gjithashtu, sejjiden (zotëri), tek i cili do të shkonin njerëzit për zgjidhjen e çështjeve të tyre, për shkak të cilësive të tij të mira dhe vlerave të larta. Cilësi tjetër e Jahjas ishte edhe “ ĥaŝûran” (i përkorë), domethënë që nuk ishte i dhënë pas femrave. Ai nuk tundohej prej tyre, sepse ishte shumë i angazhuar me shërbimin dhe adhurimet ndaj Zotit të tij. Allahu i Lartësuar përmend edhe një cilësi tjetër të Jahjas: - “...dhe Profet nga më të mirët.” - Ku ka lajm më të mirë për një prind që merr vesh se do të gëzohet me një fëmijë, i cili do të ketë cilësi të shkëlqyera dhe që do të bëhet një Profet i dalluar dhe vepërmirë?! E kështu, nga gëzimi i madh, Zekeria nisi të fliste: - “Ai (Zekeria) tha: “O Zoti im! Si mund të kem unë djalë, kur mua më ka kapur pleqëria dhe shoqja ime është beronjë?!”" - Si mund të kem unë fëmijë, kur janë dy shkaqe që e bëjnë të pamundur një gjë të tillë?! Vetëm njëri prej tyre do të mjaftonte që lindja e fëmijës të ishte e pamundur. Po kur janë dy të tillë?! Por Allahu i Lartësuar i tha se këtu bëhej fjalë për një mrekulli, e cila është jashtë mundësive njerëzore: - “Tha (Allahu): “Allahu bën çfarë dëshiron.” - Allahu i Lartësuar është Ai që e ka përcaktuar që fëmijët të krijohen e të lindin sipas ligjeve natyrore të vendosura prej Tij. Nëpërmjet këtyre ligjeve mundësohet vazhdimësia e jetës së njerëzimit. Megjithatë, Ai që i ka krijuar mënyrat natyrore të lindjes është i Plotfuqishëm që ta bëjë të lindë një fëmijë edhe jashtë këtyre ligjeve normale. Allahu është i Gjithëpushtetshëm dhe ligjet i janë nënshtruar pushtetit të Tij. Kur dëgjoi këto fjalë, Zekeria, i nxituar tashmë, kërkoi ndonjë shenjë për ardhjen e fëmijës, me qëllim që t’i qetësohej zemra më shumë, prandaj tha: - “Ai (Zekeria) tha: “O Zoti im! Më shfaq mua një Shenjë! ” – Kuptimi: O Zot, më jep një shenjë që të më tregojë se fëmija vërtet do të më dhurohet. - “Ai (Allahu) tha: “Shenja është që, për tri ditë, ti nuk do të mund t’i flasësh asnjë njeriu, përveçse me gjeste. ” – Atëherë, Allahu i Lartësuar e njoftoi se shenja do të ishte një paaftësi për të folur me njerëzit, pa pasur asnjë defekt fizik tek ai. Ai, thjesht, nuk do të mund t’u fliste njerëzve me gojë, por do të komunikonte veç me gjeste. Nëse një njeri i aftë për të folur nuk është në gjendje të thotë asnjë fjalë, kjo është vërtet një shenjë e madhe, e cila përshtatet shumë me përgëzimin për fëmijë. Me këtë shenjë, sikur na jepet të kuptojmë se shkaqet dhe mundësitë, edhe nëse ekzistojnë, mund të bëhen të pavlefshme dhe jo ndikuese për të sjellë pasojat e tyre, ashtu sikurse edhe pasojat mund të ekzistojnë pa qenë e nevojshme të ekzistojnë shkaqet e tyre. Në përfundim, kjo tregon se, si shkaqet, ashtu edhe aftësia e tyre vepruese për të sjellë pasojat, të gjitha janë të nënshtruara ndaj vullnetit dhe përcaktimit të Allahut të Urtë e të Plotpushtetshëm. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Zekeria nuk foli për tri ditë rresht. - “Përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje Atë çdo mbrëmje e mëngjes! ” - Allahu i Lartësuar e urdhëroi Zekerian që, gjatë kësaj kohe, të kujtonte Allahun e Lartësuar dhe ta madhëronte Atë shumë, mëngjes e mbrëmje. E kështu, Zekeria dilte para popullit dhe nuk fliste dot, por u komunikonte me shenja atyre që ta madhëronin dhe ta për mendnin shumë

Allahun e Lartësuar. Në një ajet tjetër të Kur’ânit thuhet: “Ai (Zekerija) tha: “O Zoti im! Më jep mua një Shenjë!” Ai (Allahu) tha: “Shenja jote do të jetë që nuk do të mund t’i flasësh akujt për tri net”. Dhe Zekeria doli prej faltores para popullit të vet dhe u tha me shenja: "Madhërojeni Allahun mëngjes e mbrëmje!” [Merjem 10, 11]. Pra, Zekeria i këshilloi ata që ta kujtonin dhe ta madhëronin sa më shumë Allahun e Lartësuar, në mëngjes dhe në mbrëmje.

← Ali Imran 3:41