3. Ali Imran · Ajeti 80 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:75–3:80
Në këto ajete Allahu na tregon për disa vese të posaçme të një pjese të jehudive, si në pikëpamje të tradhtisë së tyre në lëmin e pasurisë, ashtu edhe në lëmin e fesë.
Duke konsideruar veten si popull të previligjuar, pasurinë e të tjerëve, e posaçërisht të atyre që nuk kishin pasur me parë libër, siç ishin arabët, e konsideronin të tyre dhe nuk e ndienin veten të obliguar t'ua kthenin atyre që ua kishin marrë si amanet. Pejgamberi ka thënë: "Po gënjejnë këta armiq të Allahut, s'ka asgjë nga koha e injorancës që nuk është nën këto dy këmbët e mia, me përjashtim të amanetit, ai duhet kthyer te të zotit, i mirë qoftë ai (i zoti) ose i keqi"'Me këtë kuptohet se amaneti nuk ka pasur ndryshim.
Për sa i përket tradhtisë së tyre në fe, ata kur lexonin Tevratin, përdredhnin gjuhët e tyre duke thënë fjalë të tjera që ishin kundër fesë islame, e thonin se janë thënie të librit të shenjtë. Pra bënin shpifje edhe kundër Zotit.
Arabët idhujtarë adhuronin edhe engjëjtë, jehuditë adhuronin Uzejrin, e disa të krishterë Isain. Këtë rrugë të tyre të gabuar, Kur'ani e sqaroi duke u thënë se asnjë pejgamber nuk ka kërkuar nga populli, e as që ka lejuar të adhurohet ai në vend të Zotit. Prandaj, përulja, sexhdeja nuk është e lejuar ndaj askujt tjetër përveç ndaj Zotit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:79–3:80
- Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Allahu t’i ketë dhënë dikujt Librin, urtësinë dhe profetësinë, dhe pastaj ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhurues të mi e jo të Allahut!” - Nuk është e udhës dhe as nuk mund të ndodhë që një profet apo i dërguar i Zotit t’u thotë njerëzve: ‘më adhuroni mua së bashku me Allahun!’ Kur të dërguarit janë në gradat të larta të adhurimit dhe më të përzgjedhurit nga Allahu i Lartësuar, atëherë çfarë mund të mendohet për njerëzit e tjerë poshtë tyre?! Sigurisht që është me parësore që ata të mos e meritojnë një gradë të tillë dhe as që duhet ta mendojnë atë. Ky ajet jep një sqarim të tillë, sepse ithtarët e Librit adhuronin edh e njerëzit, priftërinjtë dhe murgjit e tyre, përveç Allahut, sikurse thuhet në një ajet tjetër në Kur'an: “Ata i konsideruan priftërinjtë, oshënarët dhe Mesihun - birin e Merjemes, si zota veç Allahut, ndërkohë që ishin urdhëruar të adhuronin veç Allahun. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. I Lartësuar është Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë!” [ El teube 31]. Në Musned-in e Imam Ahmedit dhe në Xhamiu-n e Tirmidhiut është një hadith, i cili do të shtjellohet më hollësisht gjatë shpjegimit të këtij ajeti në suren Teube. Në këtë hadith, ndër të tjera, përmendet se Adi j Ibn Hatimi i tha Profetit të Allahut: 511. “O i Dërguari i Allahut! Po ata nuk i adhuronin priftërinjtë dhe ruhbanët e tyre?” Profeti tha: “Po, i adhuronin! Ata ua bënin hallall haramin dhe ua bënin haram atë që Zoti e kishte bërë hallall, ndërsa ata (njerëzit) u bindeshin dhe i pasonin në këto. Pikërisht ky ishte adhurimi për priftërinjtë dhe murgjit e tyre.” Në këtë ajet flitet për ata priftërinj, murgjër e dijetarë, që ftojnë njerëzit në humbje dhe devijim nga rruga e Allahut të Lartësuar. Ata i ftojnë njerëzit në adhurimin dhe nënshtrimin ndaj urdhrave dhe dëshirave të tyre, ndryshe nga ç'veprojnë të dërguarit e Zotit dhe pasuesit e tyre të denjë, dijetarë e edukatorë, të cilët janë të parët adhurues që punojnë me diturinë e Allahut të Lartësuar. Këta i përcjellin vetëm ato urdhra që vetë Zoti i ka urdhëruar ose që profetët i kanë kumtuar qartazi. Gjithashtu, ata ndalojnë vetëm gjëra që vetë Zoti dhe profetët e Tij i kanë ndaluar. Profetët janë besnikët e Allahut të Lartësuar, që Ai i ka dërguar për të qenë kumtuesit e Shpalljes së Tij te krijesat. Pa dyshim që profetët e kryen këtë mision në formën më të plotë. Ata i këshilluan krijesat dhe e kumtuan të vërtetën qartazi dhe kuptueshëm. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Përkundrazi, do t'u thotë: “Bëhuni dijetarë dhe edukatorë, duke u mësuar njerëzve Librin dhe duke e studiuar vetë atë” - Pra, Profeti nuk u thotë njerëzve që ta adhurojnë atë si Zot, por përkundrazi, u thotë atyre që të jenë rab-bânijin - edukatorë, dhe që të jesh edukator, është e domosdoshme që, së pari, të kesh dituri. Fjala është për diturinë mbi Shpalljen e Allahut të Lartësuar, për urdhëresat e ndalesat e Tij. Gjithashtu, duhet të kesh edhe butësi, dhembshuri, dashuri, të dish të falësh dhe të tolerosh. Duhet të kesh një njohje të plotë, të thellë e në mënyrë të hollësishme të çështjeve, të njohësh urtësitë e ligjit të Zotit dhe të shpalljeve të Tij. Pastaj, përveç diturisë, mëshirës dhe dhembshurisë, duhet të jesh i pajisur dhe me cilësinë e devotshmërisë ndaj Allahut të Madhëruar, duke qenë një adhurues i përkushtuar dhe i pari i cili zbaton urdhëresat dhe ligjin e Tij. Në fund, të gjithë këtë ta bësh me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe në emër të dashurisë për Të. Duke shpjeguar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Përkundrazi, do t'u thotë: “Bëhuni dijetarë dhe edukatorë, duke u mësuar njerëzve Librin dhe duke e studiuar vetë atë”, Dahaku ka thënë: “T’u mundësoni njerëzve që të kuptojnë qartë mesazhet e Shpalljes së Zotit dhe t’u mësoni dispozitat e Allahut të Lartësuar, urdhëresat e ndalesat e Tij. Pra, nuk është qëllimi që t’u mësoni
atyre vetëm tekstin e shpalljeve mekanikisht, por t’u mësoni thelbin e këtij mesazhi dhe kumtet e qarta të tij.”149 - Ai nuk do t'ju urdhëronte kurrë që t’i konsideronit melekët dhe profetët si zota. E si mund t’ju urdhërojë për mosbesim, pasi jeni bërë muslimanë?! - Profeti nuk mund t’ju urdhërojë kurrë që të adhuroni diçka tjetër veç Allahut, as profet të dërguar dhe as melek të dalluar! E si mund t’ju urdhërojë për mohimin e Zotit, ndërkohë që ju i jeni dorëzuar Atij në zbatimin e ligjit të Tij?! Profeti kurrë nuk do t’ju urdhëronte për mohimin e Zotit dhe as për adhurimin e diçkaje tjetër. Profetët e Zotit urdhërojnë veçse për iman të pastër, të drejtë dhe korrekt. Ata urdhërojnë veçse për adhurimin e Allahut si një të vetëm dhe të pashoq, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në ajetet e tjera: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” [ Enbija 25] . Gjithashtu: “Nëse dikush prej tyre do të thoshte “Unë jam zot (e meritoj adhurime) veç Tij, këtë do ta ndëshkonim me Xhehenem. Kështu i ndëshkojmë Ne keqbërësit.” [Enbija 29]. Është fjala për melekët. Kështu, nëse ndonjë nga melekët do të pretendonte diçka të tillë, Allahu do t’i jepte një ndëshkim të rëndë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:79–3:80
Profeti (a.s.) i urdhëroi ithtarët e Librit që ta besonin atë si Profet dhe t’i bindeshin atij plotësisht në udhëzimet e sjella prej Zotit. Por ata e shpërfillën dhe e
keqpërdorën këtë ftesë bujare. Ata i thanë atij: “O Muhamed, a mos do që ne të të adhurojmë edhe ty bashkë me Allahun?” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti këto ajete, për të hedhur poshtë fjalët e tyre: - “Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Allahu t’i ketë dhënë dikujt Librin, urtësinë dhe profetësinë, dhe pastaj ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhurues të mi e jo të Allahut!”” - Pra, është e pamundur që një njeri, të cilit Allahu i Lartësuar i ka bërë mirësi duke i dhuruar një Libër hyjnor, urtësi dhe profetësi, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhurues të mi e jo të Allahut!”. Kjo nuk mund të mendohet kurrsesi se mund të kryhet nga ndonjë profet i Allahut. Një urdhër i tillë konsiderohet si nga më të shëmtuarit, ndërsa profetët janë njerëzit më të zgjedhur dhe më të përkryer. E si mund të mendohet që urdhri më i shëmtuar të jepet nga njerëzit më të shkëlqyer?! Pa dyshim që urdhrat kanë të njëjtën natyrë me urdhëruesit e tyre. Kështu, profetët urdhëronin veçse për çështje të larta dhe të mira, siç thotë Allahu i Lartësuar: - “Përkundrazi, do t'u thotë: “Bëhuni dijetarë dhe edukatorë, ...” - Pra, profetët nuk ju urdhërojnë kurrë për vepra të shëmtuara e të ulta, porse ata ju urdhërojnë që të jeni dijetarë të urtë e të butë dhe edukatorë të mirë. Ju duhet t’u mësoni njerëzve dije të drejtë dhe të pastër. Ju duhet t’i edukoni ata gradualisht, duke filluar me gjërat të vogla, para të mëdhave. Megjithatë, ju kurrë nuk mund të jeni edukatorë të mirë, nëse nuk e jetësoni dijen që keni marë. Profetët ju urdhërojnë për dije të dobishme, të saktë dhe të drejtë, dhe për të punuar sinqerisht sipas saj. Pastaj, ju duhet të ftoni edhe të tjerët që të punojnë sipas këtij udhëzimi madhështor, të dhuruar nga Zoti i gjithësisë. Me këto tri mënyra mund të arrihet lumturia në të dyja jetët. Dija e saktë dhe e vërtetë, puna sipas saj dhe edukimi i njerëzve me të përbëjnë rrugën e vetme që siguron lumturinë e robit në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Çrregullimet dhe defektet në jetën e njeriut varen nga mangësitë që ai ka në këto tri aspekte. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon mënyrën se si të bëhesh edukator dhe se çfarë e ndihmon njeriun për t’u bërë i tillë. Pra, Allahu i Lartësuar jo vetëm që na urdhëron të jemi edukatorë të njerëzimit, por na tregon edhe mënyrën për të qenë të tillë. Ai thotë: - “Bëhuni dijetarë dhe edukatorë, duke u mësuar njerëzve Librin dhe duke e studiuar vetë atë ”. - Jini edukatorë të njerëzimit, dhe të tillë mund të jeni veçse duke u mësuar njerëzve Librin, pasi ta keni mësuar vetë, dhe jo vetëm ta keni mësuar, por ta keni studiuar me kujdes, sepse nëse studion me kujdes e përqendrim, dija zë rrënjë të thella në zemër dhe jep frytet e saj në fjalët dhe në veprat që kryhen. Pastaj, pasi ta keni mësuar dhe studiuar dijen, dhe pasi të keni punuar sinqerisht me të, atëherë mësojani atë të tjerëve. Vetëm kështu mund të jeni edukatorë të njerëzimit, dhe kjo është ajo që kanë urdhëruar profetët e Zotit. - “Ai nuk do t'ju urdhëronte kurrë që t’i konsideronit melekët dhe profetët si zota.” - Ky është një përshkrim më i gjerë rreth natyrës së urdhrave që jepnin profetët. Një profet nuk mund t’i urdhëronte kurrë njerëzit që ata të adhuronin atë, por as që të adhuronin ndonjë melek, kushdo qoftë ai, sepse adhurimi, bindja, përkushtimi dhe nënshtrimi janë vetëm për Allahun e Lartësuar. - “E si mund t’ju urdhërojë për mosbesim, pasi jeni bërë muslimanë?!” - Kjo është e pamundur që të ndodhë. As që mund të përfytyrohet se një profet mund të urdhërojë për gjëra të tilla. Ata të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi janë shumë larg krimeve të tilla të rënda. Madje, nëse dikush trillon të tilla gënjeshtra dhe ia atribuon ato ndonjë profeti, ai ka kryer kufër, pra, një krim të rëndë e të shëmtuar.