3. Ali Imran · Ajeti 91 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:81–3:91
Allahu vërtetoi se ka marrë zotimin prej të gjithë pejgamberëve se do t'i besonin Muhammedit sikur ta arrinin me jetë, se do të jenë ithtarë dhe ndihmëtarë të tij. Derisa prej pejgamberëve është marrë zotimi që ta besojnë dhe ta lajmërojnë ardhjen e tij, edhe ithtarët e tyre ithtarët e librit, janë të obliguar ta besojnë, e jo ta përgënjeshtrojnë. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar ose për ta ndërruar ndonjë pjesë të librit të shenjtë ishin të kota.
Besimi ndaj të gjithë pejgamberëve është kusht për të qenë besim i drejtë, i vërtetë dhe i pranishëm te Zoti.
Tek Allahu nuk është i pranishëm asnjë besim tjetër përveç këtij islam, ngase Ai nuk shpalli fe tjetër. Të gjithë pejgamberët patën po këtë besim. Ky është besim edhe i çdo qenie a sendi në botë. Pendimi dhe përmirësimi i gjendjes në të mirë është i pranishëm te Zoti xh. sh.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:90–3:91
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar i kërcënon ata të cilët mohojnë besimin e vërtetë pasi e kanë pranuar njëherë atë, dhe pastaj vazhdojnë në këtë gjendje derisa iu vjen vdekja. Ai na tregon se atyre nuk ka për t’u vlejtur pendimi në çastin e vdekjes, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Nuk është i pranueshëm pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë vepra të këqija dhe vetëm atëherë kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, thotë “Unë tani me të vërtetë u pendova!”, as pendimi i atyre që vdesin si jobesimtarë. Për ta kemi përgatitur dënimin më të ashpër.” [Nisa 18]. - Atyre që mohojnë, pasi kanë besuar më parë, dhe pastaj e shtojnë mosbesimin e tyre, nuk do t’u pranohet kurrsesi pendimi; pikërisht ata janë të humburit. - Nuk do t’u pranohet pendimi, sepse ata janë të humbur. Ata e kanë braktisur të vërtetën, për të zgjedhur të pavërtetën. El Bezari sjell me sened-in e tij rrëfimin nga Ibn Abasi, që tregon : 515. “Njëherë, një popull e pranoi Islamin, pastaj e braktisi atë, pastaj pranoi përsëri Islamin, dhe pastaj përsëri e braktisi atë. Atëherë, u dërguan disa njerëz që të pyesnin rreth çështjes së tyre. Kur ia përmendën këtë Profetit të Allahut, zbriti ajeti: “Atyre që mohojnë, pasi kanë besuar më parë, dhe pastaj e shtojnë mosbesimin e tyre, nuk do t’u
pranohet kurrsesi pendimi; pikërisht ata janë të humburit.” Sened-i i këtij transmetimi është i mirë. - Asnjërit prej atyre, që nuk besojnë dhe që vdesin si jobesimtarë, nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe sa e tërë faqja e dheut me flori. - Çdokush që ka vdekur si mohues, atij nuk ka për t’iu pranuar asnjë lloj mirësie që mund të ketë bërë në të shkuarën. Ajo nuk do t’i vlejë tek Allahu për të kërkuar shpëtimin. Edhe nëse në të shkuarën ai ka qenë nga ata që mirëpriste, respektonte dhe nderonte mikun, ose i jepte ndihmë nevojtarit, apo ushqente ata që ishin të uritur, përsëri këto nuk kanë për t’i vlejtur atij, edhe sikur të ketë shpenzuar flori aq sa është e gjithë Tok a. Ato nuk i vlejnë, nëse ai e ka mohuar Allahun dhe besimin e vërtetë dhe vdes si i tillë. Sipas një hadithi, 516. “Profeti i Allahut është pyetur rreth Abdullah Ibn Xhed'anit, i cili kishte qenë njeri që respektonte dhe nderonte mikun, ndihmonte nevojtarët dhe ushqente të uriturit: “A do t’i bëjnë dobi atij këto gjëra që ai bënte?” Profeti ﷺ tha: “Jo! Sepse ai kurrë, në asnjë ditë që jetoi, nuk tha një herë të vetme: “O Zot, më fal gjynahet Ditën e Gjykimit!” Kështu, edhe nëse ai do të jepte për kompensim flori sa e tërë faqa e dheut, atij nuk do t’i pranohej nga A llahu i Lartësuar, që thotë në një ajet tjetër: “Atëherë ruajuni një dite, kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asgjë! Prej askujt nuk pranohet kompensim, dhe askujt nuk do t’i bëjë dobi asnjë ndërmjetësim. Askush nuk do të ndihmohet.” [Bekare 123]. Ndërsa këtu thotë: “...nuk do t’i pranohet për kompensim qoftë edhe sa e tërë faqja e dheut me flori.” Nga kjo kuptohet që atë nuk mund ta shpëtojë asgjë nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut, edhe sikur ai të shpenzojë në këtë drejtim gjithë faqen e dheut me flori. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku, se Profeti i Allahut ka thënë: 517. “Një burri prej banorëve të Zjarrit do t’i thuhet Ditën e Gjykimit: “A e shikon gjithë këtë që është në faqen e tokës? A do ta jepje të gjithë atë si kompensim për të shpëtuar?” Ai do të thotë: “Po!” Atëherë, Allahu i Lartësuar do t’i thotë: “Desha prej teje diçka më të vogël se kjo. Kur ishe në shpinën e babait tënd, Ademit (a.s), mora besën prej teje se nuk do të më bëje shok Mua asgjë në adhurim. Por ti refuzove dhe këmbëngule veçse të bëje shirk!” Kështu e ka përnxjerrë këtë hadith Buhariu dhe Muslimi. - Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë. - Për ta nuk ka më ndihmës, që mund t’i shpëtojnë nga ndëshkimi i Allahut apo që edhe t’ua lehtësojnë disi atë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:90–3:91
Allahu i Lartësuar na përshkruan disa cilësi të njerëzve më të trishtuar e më fatzinj, të cilëve Ai nuk u jep sukses që të pendohen dhe të bëjnë kthesë nga rruga e humbjes: - “Atyre që mohojnë, pasi kanë besuar më parë, dhe pastaj e shtojnë mosbesimin e tyre, nuk do t’u pranohet kurrsesi pendimi;” – Kështu, të tillë janë ata që e mohojnë të vërtetën e sigurt, pasi e kanë njohur fillimisht dhe pasi e kanë besuar njëherë atë. Jo vetëm kaq, por ata thellohen edhe më shumë në mohimin dhe mospërfilljen e tyre ndaj udhëzimeve dhe porosive të Zotit dhe Profetit (a.s.). Pra, në vend që të pendohen dhe t’i kthehen rrugës së besimit dhe të bindjes ndaj Allahut, që dikur ia kanë provuar ëmbëlsinë dhe mirësinë asaj, ata thellohen edhe më tepër në shthurjen dhe mosbindjen e tyre. Këta njerëz, të cilët as nuk mendohen për t’u kthyer në besim dhe në udhën e drejtë, Allahu i Lartësuar i lë në humbje dhe nuk u jep sukses që ta rigjejnë rrugën e drejtë, sepse ata vetë e kanë zgjedhur një rrugë të tillë për veten e tyre. Ata enden në padrejtësi dhe në shkeljen e kufijve. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë: “ Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën) .” [En’am, 110, 111]. Dhe thotë: “ Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.” [Saf, 5]. Dhe thotë: “Ka nga ata, që i janë zotuar Allahut, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga mirësitë e Tij, sigurisht që do të japim sadaka dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë.” Por kur Ai u dha nga mirësitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën. Prandaj, Ai ua ka hedhur hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në Ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe sepse vazhdimisht gënjenin. Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di sekretet e tyre dhe çdo bisedë të fshehtë dhe se Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat? ” [Teube, 75 - 78]. Kështu, veprat e këqija sjellin e shkaktojnë njëra -tjetrën, sidomos tek ata njerëz të cilët i përkushtohen mohimit të të Madhërishmit dhe janë të vazhdueshëm në shpërfilljen dhe braktisjen e rrugës së drejtë, edhe pasi u është qartësuar e vërteta plotësisht, si drita e diellit. Këtyre të dëshpëruarve u janë treguar qartë shenjat dalluese të rrugës së drejtë, por ata vetë i shpërfillin dhe i braktisin ato. Këta nxitojnë dhe punojnë pareshtur për të këputur çdo mundësi dhe shkak që sjell mëshirën e Zotit. Janë vetë ata që nuk e pranojnë mëshirën e Krijuesit të tyre. Janë vetë ata që ia kanë mbyllur vetvetes portën e pendimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: - “Pikërisht ata janë të humburit.” - Pikërisht ata dhe vetëm ata janë të humburit e sigurt, pa shpëtim. Siç shihet, Allahu e ka posaçëruar humbjen tek ata. A thua se
vetëm ata janë të humbur . Por vërtet, a ka më të madhe sesa humbja e atyre që e kanë parë shumë qartë të vërtetën. Ata e kanë braktisur me vetëdije të vërtetën e sigurt. Nëse ata fatkeqë vazhdojnë në këtë drejtim, deri sa t’i befasojë vdekja, atëherë do të jenë përjetësisht në dënim dhe dëshpërim. Atyre nuk do t’u hyjë më në punë asnjë mundësi shpëtimi që e zotërojnë tashmë në dynja, siç thotë i Lartësuari: - “Asnjërit prej atyre, që nuk besojnë dhe që vdesin si jobesimtarë, nuk do t’i pranohet për kompensim qoftë edhe sa e tërë faqja e dheut me flori. ” - Çfarëdo që të shpenzojnë dhe të ofrojnë si kompensim, ai nuk do t’u pranohet. - “Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë. ” - Ata do të vuajnë pandërprerë ndëshkimin e dhembshëm. Askush nuk do mund të ndërmjetësojë për ta, t’i ndihmojë apo t’i strehojë, që t’i fshihen ndëshkimit të pashmangshëm, sepse ata e kanë braktisur vetë mundësinë për të kryer vepra të mira dhe për të fituar shpërblime, dhe i janë përkushtuar me këmbëngulje humbjes dhe ndëshkimit të përjetshëm. Ata e kanë zgjedhur vetë Zjarrin dhe zemërimin e të Madhërishmit. Allahu na ruajtë nga gjendja e këtyre të dëshpëruarve!