3. Ali Imran · Ajeti 97 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 3:92–3:97
Pasi u vërtetua se çdo orvatje tjetër për ta shpëtuar njeriu vetveten në botën e përjetshme, pos besimit të drejtë islam, është e kotë, Kur'ani udhëzon besimtarët që të jenë shumë të sinqert i dhe kur është nevoja për ta ndihmuar rrugën e Zotit, mos t'u dhembset asgjë, sepse duke e dhënë pasurinë më të dashur, ata shprehin ndjenjën e sinqeritetit, shpërblim i të cilit është xhenneti.
Për shkak të keqpërdorimit të të mirave të Zotit, për kokëfortësinë dhe sjelljen arrogante të beni israilitëve, Zoti, si masë ndëshkimi kundër tyre, ua ndaloi disa nga ushqimet e lejuara. Jehuditë e kohës së Muhammedit thonin se ndalesa e atyre ushqimeve nuk ishte si masë ndëshkimi, por ishte e kahershme, masë prej se ka zbritur Tevrati. Sipas Kur'anit, në Tevrat ishte shënuar vetëm ai ushqim, të cilin Jakubi ia kishte ndaluar vetvetës (mishi dhe qumështi i deves) e jo edhe ndalesat e tjera, të cilat ishin si pasojë e ndëshkimit. Për ta vërtetuar realitetin, Pejgamberi kërkoi prej tyre t'ia sjellin Tevratin, por jehuditë i ikën të vërtetës, andaj nuk ia sollën, por mbetën të demoralizuar, ngase u kuptua gënjeshtra e tyre.
Me fjalën "Israilu" nënkuptohet Jakubi a.s.
E para faltore në fytyrën e tokës e ndërtuar për njerëz është Qabja. Ibrahimi i ngriti themelet e saj. Derisa thuhet: për njerëz, e njerëz pati edhe para Ibrahimit, atëherë ky vetëm i vazhdoi themelet.
Vende të rëndësishme aty, përveç vendit të Ibrahimit janë: Zemzem, Hatimë, Haxheri esved, Safa, Merve si dhe siguria e paqa që janë karakteristikë për Qaben dhe rrethin e saj - haremin.: "Bekke" ndoshta është quajtur vetë vendi i Qabes, e Mekke qyteti, ose anasjelltas.
Në këto ajete sqarohen, e njëkohësisht edhe refuzohen dy përpjekje të ithtarëve të librit me të cilat donin ta vënin në dyshim qëndrimin e Muhammedit: - thua se e ndjek fenë e Ibrahimit, e në të vërtetë, ti e kundërshton, përse e bën të lejuar mishin dhe qumështin e deves që për Ibrahimin ka qenë haram - këtë e sqaron ajeti 93.
- Xhamia Aksa - Bejtul mukaddesi ishte e para faltore, pejgamberët u falën kah ajo, e ti e le atë e u ktheve kah Qabja, e madje thua se jam vërtetues i mësimeve të pejgamberëve të mëparshëm. Edhe këtë e sqaron ajeti 96.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 3:96–3:97
- Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Bekë (Mekë), plot bekime dhe udhëzuese për mbarë botën. - Allahu i Lartësuar na tregon se ndërtesa e parë e ngritur për të gjithë njerëzit, që ata të kryejnë ritet e haxhit dhe të umres, si kurbanet, tavafin, namazin dhe adhurime të tjera për Allahun, është ajo që ndodhet në Bekë, pra, është Qabja, të cilën e ndërtoi Ibrahimi, i Dashuri i Allahut të Madhëruar. Në fakt, çdo bashkësi, jehudë apo të krishterë qofshin, pretendojnë se Ibrahimi (a.s) ishte pjesëtar i fesë së tyre. Por asnjë nga këto grupe nuk e kryejnë haxhin dhe nuk e vizitojnë faltoren që e ndërtoi Ibrahimi, me urdhër të Allahut të Madhëruar. Madje, po me urdhër të Allahut, ai i ftoi njerëzit që të kryejnë haxhin dhe ta vizitojnë këtë tempull. Duke treguar për mirësinë e Qabes, Allahu i Madhëruar thotë se e ka bërë atë të bekuar, domethënë, një vend në të cilin zbret bekimi dhe begatia e Allahut të Lartësuar. Ajo është gjithashtu: “...dhe udhëzuese për mbarë botën.” Imam Ahmedi sjell hadithin se Ebu Dherri - Allahu qoftë i kënaqur prej tij! - ka thënë: 520. “E pyeta njëherë: “O Profet i Allahut! Cila është xhamia e parë që është ngritur në tokë?” Ai tha: “Është Xhamia e Shenjtë (Qabja).” - “Po pas saj?” - “Xhamia Aksa (në Palestinë).” - “Sa kohë pati mes tyre?” - “40 vjet”. Unë përsëri e pyeta: “Po pastaj, cila xhami u ngrit?” Atëherë, Profeti ﷺ më tha: “Kudo që të të kapë namazi, fale atë, sepse e gjithë toka është xhami.” Hadithin e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Ibn Ebi Hatimi sjell hadithin nga Halid Ibn Ararate, se njëherë: “U ngrit një burrë dhe iu tha Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “A nuk më tregon pak rreth Shtëpisë (Qabes)? A është ajo, e para shtëpi që është ngritur në Tokë?” Aliu tha: “Jo, ajo është e para godinë që përmban bekimin, begatinë dhe mirësitë e Allahut. gjithashtu, atje është Vendi i Ibrahimit. Ajo është e para ndërtesë që, kush hyn në të, është i sigurt dhe në paqe....” dhe pastaj tregoi se si u përfundua ndërtimi i saj.” 152 Vërej me kujdes fjalën e Allahut të Madhëruar, kur thotë: “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Bekë (Mekë)...” Bekë është një nga emrat e Mekës, siç është mendimi më i përhapur dhe i pranuar mes dijetarëve. Është thënë se Meka ka disa emra, si Mekke apo Bekke. Ajo quhet edhe El Bejt El Atik (Shtëpia e Lashtë), El Bejt El Harâm (Shtëpia e Shenjtë), El Beledu Emin (Shtëpia e Sigurisë), Ummul Kurâ (Nëna e Qyteteve) e të tjerë. - Atje ka shenja të qarta, siç është Vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. - Ajo ka shenja të dukshme, që tregojnë se është ndërtuar nga Ibrahimi dhe që tregojnë se Allahu i Lavdëruar e ka ngritur vlerën dhe gradën e kësaj ndërtese. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: “...siç është Vendi i Ibrahimit”. 153 Ky vend ishte ngjitur me murin e Qabes, derisa e largoi Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe e kënaqtë atë!), gjatë kohës së udhëheqjes së tij, dhe e vendosi në drejtim të lindjes, në mënyrë që njerëzit ta kenë më të lehtë e të mos pengohen në zhvillimin e tavafit rreth Qabes dhe në mënyrë që ata që falen pasi të mbarojnë tavafin. Allahu i Madhëruar na urdhëroi që të falim namaz tek mekami i Ibrahimit. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Vendin ku qëndroi Ibrahimi bëjeni vend adhurimi (namazi)!”.” [Bekare 125]. Pra, faluni tek Mekami i Ibrahimit! Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë se, nga shenjat që ka vendosur Allahu në Qabe është Mekâmi i Ibrahimit dhe El Meshâir (në Muzdelife).” Ndërsa Muxhahidi ka thënë që shenjat për të cilat aludohet këtu janë gjurmët e dy këmbëve të tij në vendqëndrimin e tij.” Ato gjurmë janë një shenjë e qartë dhe e dukshme. Kështu është përcjellë nga Umer Ibn Abdul -Azizi dhe të tjerë. Ebu Talibi ka thurur disa vargje të njohura në lidhje me këtë çështje, pra, me faktin se shenjat e Allahut për të cilat aludohet në ajet, janë gjurmët e këmbëve të Ibrahimit (a.s): "Vendi i Ibrahimit është ende i freskët në gur, Gjurmët e këmbëve të tij të zbathura, qartë duken në të." Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe kush hyn në të, ai është i sigurt.” Bëhet fjalë për rrethinat e Mekës, që është territor i shenjtë (ku ndalohen padrejtësitë). Kështu, nëse atje hyn dikush që është i frikësuar, atij i jepet siguria nga çdo e keqe. Dhe, në fakt, kështu ndodhte dhe në kohën e injorancës paraislamike: askush nuk trazohej dhe nuk i shkaktohej ndonjë e keqe, kur hynte brenda vendit të shenjtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Le ta adhurojnë Zotin e kësaj Shtëpie, i Cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike!” [Kurejsh 2 -3]. Në dy Sahih-ët vjen një hadith - dhe ky version është sjellë nga Muslimi, - nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: “Ditën e çlirimit të Mekës, Profeti tha: 521. “Tashmë nuk ka më emigrim, por ka vetëm xhihad dhe nijet për vepra të mira. Por kur t’ju jepet kushtrimi për të luftuar, atëherë përgjigjjuni ftesës së udhëheqësit!”. Gjithashtu, ka thënë: 522. “Allahu e bëri të shenjtë këtë qytet që ditën që krijoi qiejt dhe Tokën, dhe ai është i shenjtë prej Allahut deri në Ditën e Kijametit. Askujt përpara meje nuk i është lejuar lufta në të. Edhe mua m'u lejua veçse një orë të ditës, dhe ai tashmë është dhe mbetet i shenjtë prej Allahut, deri në Ditën e Kijametit. Nuk priten pemët dhe shkurret e këtij vendi, nuk përndiqen dhe tremben kafshët e gjahut atje, nuk lejohet të merren sendet e gjetura në të, përveç atij që i merr për t’i treguar dhe për t’i çuar në vendin e posaçëm; dhe nuk lejohet të kryhen nevojat personale në të.” Abasi tha: “O i Dërguari i Allahut, përveç idhħirit (lloj bime), sepse ai na duhet për shtëpitë dhe ndërtesat tona.” Ai tha: “Po, përveç idhħirit!” Nga Xhabiri (r.a) përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar Profetin e Allahut që të thotë: 523. “Askujt nuk i lejohet që të ngrejë armët dhe të luftojë brenda Mekës.” Hadithin e sjell Muslimi. Nga Abdullah Ibn Adi j Ibn Hamra El Zuhri përcillet se ai e ka dëgjuar Profetin e Allahut, - ndërkohë që ai qëndronte në këmbë në në tregun e Mekës - të thoshte: 524. “Betohem se ti je vendi më i mirë i Allahut dhe vendi më i dashur i Allahut!” Hadithin e sjell imam Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh. Tirmidhiu ka thënë se ky është hadith hasenun sahih.154 - Për hir të Allahut, është detyrë për njerëzit vizita e Shtëpisë, për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo. - Ky është ajet që tregon se haxhi është detyrim, sipas shumicës së dijetarëve. Pra, shumica e dijetarëve janë të mendimit se haxhi është bërë detyrë pikërisht me këtë ajet. Ndërsa disa kanë thënë se haxhi është bërë detyrë me një tjetër ajet, dhe pikërisht me fjalën e Allahut: “Kryejeni të plotë haxhin dhe umren, për hir të Allahut!” [Bekare 196]. Por mendimi i parë është më i saktë. Janë transmetuar shumë hadithe që tregojnë se kryerja e haxhit është një nga shtyllat dhe themelet bazë të Islamit. Të gjithë muslimanët pajtohen se kryerja e haxhit është detyrë. Haxhi është detyrë të kryhet një herë në jetë, për atë njeri që është i përgjegjshëm ligjërisht. Kjo detyrë është ligjëruar qoftë me tekst të drejtëpërdrejtë nga Kur'ani dhe hadithet e Profetit ﷺ ,qoftë nëpërmjet unanimitetit të të gjithë umetit islam. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), që tregon: “Njëherë,
Profeti i Allahut na mbajti një hytbe dhe tha: 525. “O ju njerëz! Ju është bërë detyrë farz haxhi, prandaj kryejeni haxhin!” Një burrë tha: “Çdo vit, o Profeti i Allahut?” Profeti ﷺ heshti, derisa ai e përsëriti tri herë pyetjen e tij. Atëherë, Profeti i Allahut tha: “Nëse do të thoja “po”, do të bëhej detyrë dhe nuk do të kishit mundësinë ta përmbushnit.” Pastaj tha: “Më lini në ato që ju urdhëroj (pra, mos gërmoni dhe kërkoni më shumë), sepse ata që ishin para jush u shkatërruan për shkak të pyetjeve dhe kërkesave të shumta, si dhe për shkak të kundërshtimeve me profetët e tyre. Nëse ju urdhëroj për diçka, bëjeni sa të mundeni atë, dhe nëse ju ndaloj nga diçka, atëherë hiqni dorë prej saj!” Hadithin e sjell Muslimi. Në dy Sahih-ët vjen hadithi i Ibn Xhurejxhit, që e sjell nga Ata Ibn Xhabiri, e ky nga Suraka Ibn Maliku, i cili i tha Profetit ﷺ :526. “O i Dërguari i Allahut! Këtë vit e kreve haxhin së bashku me umren me ne. A kryhet haxhi në këtë mënyrë vetëm për këtë vit apo do të kryhet në këtë formë përgjithmonë?” Profeti tha: “Jo, kështu do të jetë përgjithmonë!” Sipas një transmetimi tjetër, tha: “Gjithmonë e përherë!” Ebu Isa Tirmidhiu sjell hadithin nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy!), që tregon: 527. “Njëherë, kur ishim te Profeti, u ngrit një burrë dhe tha: “Cili është haxhi i vërtetë, o i Dërguari i Allahut?” Profeti tha: “Ai i shpupurituri dhe i pluhurosuri!” Një tjetër pyeti: “Cili haxh është më i miri, o i Dërguari i Allahut?” Profeti tha: “ El Axhxhu, el thexhxhu ”, (pra në të cilin ngrihen zërat e besimtarëve duke bërë telbije dhe gjatë cilit bëhen shumë kurbane). U ngrit një tjetër dhe tha: “Kush konsiderohet se “ka mundësi” që të kryejë haxhin, o i Dërguari i Allahut?” Profeti tha: “Ai i cili ka furnizimin për rrugën dhe kafshën e udhëtimit.” Kështu e ka sjellë Ibn Maxhe prej Ibrahim Ibn Zejd el Xheuziut. Tirmidhiu ka thënë se ky hadith vjen merfuan veçse përmes versionit të tij. Por disa dijetarë kanë folur rreth këtij transmetuesi, duke vënë në diskutim aftësinë e tij të të nxënit përmendësh. Por disa të tjerë, - thotë Tirmidhiu - e kanë përforcuar këtë hadith, duke e shoqëruar edhe me hadithe të tjera.” Kështu, Ibn Ebu Hatimi sjell nga Ibn Abasi, Enesi, El Haseni, Muxhahidi, Ata’u, Seid Ibn Xhubejri, Rabi Ibn Enes dhe Katadja, një hadith të ngjashëm me të. Gjithashtu, Hakimi sjell hadithin nga Enes i, se: 528. “Profeti i Allahut është pyetur rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Për hir të Allahut, është detyrë për njerëzit vizita e Shtëpisë, për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo.”: “Cili konsiderohet se “ka mundësi” që të kryejë haxhin, o i Dërguari i Allahut?” Profeti ﷺ tha: “Ai i cili zotëron furnizimin për rrugën dhe kafshën e udhëtimit.” Pastaj Hakimi thotë: “Ky është një hadith sahih, sipas kushteve të Muslimit, por që nuk e kanë as Buhariu dhe as Muslimi.” Ndërsa Ahmed Ibn Hambeli sjell hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 529. “Nxitoni për të kryer haxhin, që ju është bërë farz, sepse askush prej jush nuk e di se çfarë pritet t'i ndodhë!” Ahmedi sjell hadithin përsëri nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 530. “Ai që dëshiron të bëjë haxhin, le të nxitojë dhe ta kryejë sa më shpejt atë.” Këtë hadith e sjell edhe Ebu Daudi. - Kush nuk beson (këtë dispozitë) le ta dijë se, Allahu nuk ka nevojë për botën. - Domethënë, ai që nuk e pranon se haxhi është farz, le ta dijë se ka bërë kufër dhe ka mohuar vetë Zotin. Nëse mohon haxhin dhe detyrueshmërinë e Tij është njëlloj sikur të kesh mohuar vetë Allahun, dhe Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për krijesat, sepse është Ai është vetvetiu i pasur dhe i lavdëruar. Seid Ibn Mensuri përcjell se Ikrima ka thënë: 531. “Kur zbriti ajeti: “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe në botën tjetër ai do të jetë nga të humburit.” [Al imran 85], jehudët thanë: “Po edhe ne jemi muslimanë!” Atëherë, Profeti u tha atyre: “Allahu e bëri detyrë për muslimanët që të bëjnë haxhin në Shtëpinë e Allahut, për atë
që ka mundësi që të shkojë atje.” Ata thanë: “Jo, kjo nuk është detyrë për ne.” Domethënë, refuzuan që të kryenin haxhin. Por Allahu i Lartësuar thotë: “Kush nuk beson (këtë dispozitë) le ta dijë se, Allahu nuk ka nevojë për botën.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 3:96–3:97
- “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Bekë (Mekë), plot bekime dhe udhëzuese për mbarë botën. ” - Allahu i Lartësuar na tregon këtu për madhështinë dhe mirësinë e Shtëpisë së Shenjtë në Mekë. Ajo është e para ndërtesë që Allahu i Lartësuar e përcaktoi për njerëzit si vend ku të kryejnë adhurimet e tyre për Krijuesin e dashur dhe të mëshirshëm. Gjithashtu, në këtë faltore adhurohet Zoti, falen gjynahet, mbulohen të metat, lëshimet dhe mangësitë. Tek ajo kryhen shumë lloje adhurimesh dhe përkushtimesh, nëpërmjet të cilave krijesat afrohen tek Allahu dhe fitojnë kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Atje fitohet shpërblimi i Allahut dhe shpëtohet prej ndëshkimit të Tij, prandaj Allahu i Lartësuar e ka cilësuar si “ mubaraken” - plot bekime . Allahu i Lartësuar e ka përshkruar këtë shtëpi edhe me një cilësi tjetër: “ udhëzuese për mbarë botën.”. Ka dy forma udhëzuesish: udhëzues drejt dijeve të vlefshme dhe udhëzues drejt veprave të mira. Sigurisht, Shtëpia e Shenjtë është udhëzuese për njerëzimin me të dyja format e lartpërmendura. Për sa u përket udhëzuesve që gjenden në këtë Shtëpi dhe në rrethinat e saj, çdo gjë është shumë e qartë. Atje janë shumë të qarta dhe të dukshme vendet ku duhet të kryhen ritet dhe përkushtimet e caktuara për Zotin e gjithësisë. Ndërsa për sa u përket udhëzuesve drejt dijeve të vlefshme, mund të themi se Qabja dhe rrethinat e saj të bukura janë të mbushura plot shenja dhe mrekulli të qarta. Atje ndodhen plot shenja, të cilat dëshmojnë për madhështinë, urtësinë, dijen dhe mëshirën e gjerë të Krijuesit të tyre. Prej tyre, ne kuptojmë qëllimet e larta dhe të urta të Krijuesit dhe Mëshiruesit të dashur. Në Shtëpinë e Shenjtë gjen shenja që flasin për njëshmërinë e Allahut në meritën e adhurimit. Atje gjen argumente rreth mëshirës, urtësisë dhe madhështisë së Allahut. Ato dëshmojnë për gjerësinë e dijes së Tij dhe për bamirësinë e pakufishme të Allahut për adhuruesit e Tij. Ato tregojnë, gjithashtu, për mirësitë e shumta që Ai u ka dhuruar të dashurve dhe profetëve të Tij. Ndër shenjat dhe argumentet që na udhëzojnë drejt dijeve të vlefshme, Allahu i Lartësuar përmend: - “Atje ka shenja të qarta, siç është Vendi i Ibrahimit” - Allahu i Lartësuar e ka konsideruar “Mekamu Ibrahim” – Vendin e Ibrahimit, si shenjë që të udhëzon në shumë dije të vërteta. Po çfarë nënkupton “Mekamu Ibrahim”? Çfarë është ajo shenjë a mrekulli që Zoti ka vendosur në të?! Dijetarët kanë mendime të ndryshme për këto çështje: Kështu, disa mendojnë se këtu flitet për gurin e njohur, mbi të cilin hipte Ibrahimi (a.s.) për të ndërtuar muret e Qabes. Ky gur ka qëndruar ngjitur pranë Qabes deri në kohën e Omer Ibn Hatabit, i cili e zhvendosi atë në pikën ku ndodhet edhe sot. Shenjat e Zotit që ndodhen në këtë gur janë pikërisht gjurmët e këmbëve të Ibrahimit (a.s.), të cilat mrekullisht i kanë rezistuar kohës deri më sot. Është vërtet e jashtëzakonshme ruajtja me shekuj e këtyre gjurmëve. Disa thonë se mrekullia qëndron në respektin dhe dashurinë e madhe që Allahu ka vendosur në zemrat e njerëzve për Ibrahimin (a.s.). Sipas tyre, “ Meķâmu Ibrâhîm” do të thotë “ Grada e lartë e Ibrahimit”. Të gjithë njerëzit e duan, e respektojnë dhe e nderojnë figurën dhe gradën e lartë të Ibrahimit (a.s.). Megjithatë, të tjerë mendojnë se “ Meķâmu Ibrâhîm” ka kuptimin: “Vendadhurimi i Ibrahimit”. Kështu, përderisa ky grup emëror është i formës pronë - pronar, sipas rregullave gjuhësore të arabishtes, ai përfshin në kuptimin e tij të gjitha vendadhurimet e Ibrahimit (a.s.) në Qabe dhe rreth saj, ku Ibrahimi kreu adhurimet dhe përkushtimet e Tij ndaj Allahut të Lartësuar. Nën dritën e këtij kuptimi, të gjitha adhurimet që kryen në Qabe dhe rreth saj, si tavafi, sa 'ji, namazi, qëndrimi në Muzdelife etj., janë
argumente të madhështisë së kësaj Shtëpie dhe të adhurimeve të kryera në të ndër shekuj, që prej kohës së Ibrahimit (a.s.) e deri tani. Të gjitha këto rite, që nuk reshtin në këtë vend të bekuar çdo vit, çdo muaj e çdo ditë nga miliona njerëz, dëshmojnë për qëllimet e larta të Krijuesit kundrejt kësaj toke të begatë dhe kundrejt popullit që e adhuron Zotin Një në të. Një shenjë e madhe dhe argument i mrekullueshëm është edhe dashuria e malli që Allahu i Lartësuar ka futur në zemrat e njerëzve për të vizituar këtë Shtëpi të Shenjtë. Ata durojnë shumë vështirësi e mundime, janë gati të shpenzojnë gjithçka prej jetës dhe pasurisë së tyre vetëm për ta vizituar dhe për të shprehur në të adhurimin dhe dashurinë e tyre ndaj Zotit të saj, ndaj Allahut të Lartësuar. Në të gjitha ritet e përkushtimet që kryhen në Qabe ka urtësi të mrekullueshme dhe qëllime shumë të larta. Adhurimet e lidhura me atë vend janë aq dobiprurëse dhe të mrekullueshme saqë njerëzit nuk mund të përkufizojnë edhe një pjesë të vogël të tyre. Një mrekulli tjetër e Xhamisë të Shenjtë, që dëshmon për pushtetin dhe vërtetësinë absolute të Allahut të Lartësuar është edhe një fakt tjetër, që tregohet në këtë ajet: - “...dhe kush hyn në të, ai është i sigurt.” - Çdokush që hyn në Mekë është i sigurt nga çdo e keqe, ligjërisht dhe realisht. Themi ligjërisht, sepse nëpërmjet profetit Ibrahim (a.s.) e më pas edhe nëpërmjet Muhamedit (a.s.), Allahu i Lartësuar ka caktuar dispozita sigurie, të cilat mundësojnë që ai vend të madhërohet dhe të nderohet. Kështu, çdokush që hyn në Vendin e Shenjtë duhet të jetë i sigurt dhe i ruajtur nga çdo e keqe. Madje, atje është ndaluar edhe vrasja e kafshëve të gjuetisë apo prerja e pemëve dhe e bimësisë së saj. Lidhur me çështjen, disa dijetarë mbështeten në këtë ajet e thonë se kush bën një krim jashtë Vendit të Shenjtë dhe më pas hyn në të, ai është i sigurt dhe nuk dënohet, derisa të dalë prej atij vendi. Ndërsa për sa i përket sigurisë reale të këtij vendi, mund të themi se Allahu i Lartësuar, me urtësinë dhe pushtetin e Tij absolut mbi gjithçka, ka përcaktuar dhe vendosur që Qabja të ketë një nderim dhe vend të veçantë në zemrat e të gjithë njerëzve. Madje edhe idhujtarët apo qafirët (kur Vendi i Shenjtë ende nuk ishte pastruar prej tyre) e nderonin dhe e respektonin shenjtërinë dhe sigurinë e atij vendi. Kështu, për shembull, edhe pse ata ishin në përgjithësi të papërmbajtur, nëse ndonjëri prej tyre shihte vrasësin e babait të vet në Qabe, nuk e ngacmonte apo dëmtonte atë. Një tjetër shenjë e mrekullueshme që tregon për pushtetin absolut të Allahut dhe për faktin se Ai e ka përcaktuar këtë vend që të jetë i shenjtë e i sigurt, është edhe mbrojtja që Zoti i ka siguruar Qabes gjatë kohërave. Çdokush që ka dashur të bëjë diçka të keqe në të apo, aq më keq, ta shembë e shkatërrojë atë vend të shenjtë, e ka vuajtur ndëshkimin e hidhur që në këtë jetë, para atij të ahiretit. Kështu ndodhi me të ashtuquajturën “Ushtria e Elefantit”, por edhe me të tjerë. - “Për hir të Allahut, është detyrë për njerëzit vizita e Shtëpisë...” - Rreth këtij ajeti ka folur shumë bukur Ibn Kajjimi, të cilin unë do të doja ta citoja këtu. Kështu, pasi i bën një analizë gjuhësore kësaj fjalie, duke shfaqur disa dobi që fshihen pas formulimit të saj, Imam Ibn Kajjimi tregon se ajo përcjell tre mesazhe njëri pas tjetrit, të cilët janë renditur sipas rëndësisë së secilit. Renditja e tyre në fjali është në këtë mënyrë: Së pari: “ Për hir të Allahut” . Ky është qëllimi që duhet të ketë njeriu në kryerjen e kësaj detyre. Në fakt, çdo adhurim duhet kryer për hir të Allahut, për të arritur kënaqësinë e Tij. Kështu, fjalia nis duke treguar së pari qëllimin e veprës dhe duke përmendur emrin e Tij të mrekullueshëm, Allah. Përmendja e këtij emri në fillim bëhet edhe për të treguar rëndësinë e madhe të kësaj detyre, madje përmban në vetvete edhe një lloj kërcënimi për ata që nuk e përfillin atë. Vërtet, kjo detyrë është një nga shtyllat e Islamit.
Vizita e Shtëpisë së Zotit është një detyrë e madhe për njeriun, sikurse namazi, agjërimi etj. Ajo dispozitë që është bërë e detyrueshme nga vetë Allahu i Lartësuar, nuk është njëlloj si dispozitat e tjera, të ligjëruara për qëllime të tjera. Së dyti: “është detyrë për njerëzit”. Pra, më pas përmenden ata mbi të cilët rëndon kjo detyrë, që janë të gjithë njerëzit. Së treti: “vizita e Shtëpisë”. Në rend të tretë tregohet vetë detyra që rëndon mbi tërë njerëzimin në përgjithësi, dhe që duhet kryer me qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut të Lartësuar. Kjo detyrë kaq e rëndësishme është, pra: “vizita e Shtëpisë së Shenjtë ”. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon një hollësi tjetër: - “...për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo.” - Në shpjegimin e kësaj pjese, imam Ibn Kajjimi ka analizuar fjalinë nga ana gjuhësore dhe ka thënë se vizita e Shtëpisë së Shenjtë është detyrim për të gjithë njerëzit në përgjithësi, ndërsa përjashtimi që bëhet në fjalinë e fundit tregon se ata që nuk kanë mundësi që ta kryejnë këtë vizitë, Allahu i Lartësuar nuk do t’i marrë në llogari. Përgjegjësinë e kanë vetëm ata të cilët e kanë mundësinë që ta kryejnë një detyrë të tillë. Pra, analiza gjuhësore që i është bërë kësaj fjalie tregon saktësinë e qëndrimit të mësipërm, sepse dikush mund të mendojë gabimisht se vizita e Shtëpisë së Shenjtë është thjesht një detyrim kolektiv (farz kifaje ) që, po të përmbushet nga një individ i bashkësisë, hiqet përgjegjësia nga të tjerët, dhe jo detyrim individual ( farz ajn). Shikoni me kujdes fjalinë! Fragmenti: “...për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo” tregon që përgjegjësia për kryerjen apo jo të kësaj detyre është lidhur ngushtë me mundësinë për ta kryer atë. Pra, njeriu nuk do të merret në përgjegjësi tek Allahu i Lartësuar për kryerjen apo jo të saj, derisa të ketë mundësinë që ta kryejë. Nëse i krijohet mundësia dhe nuk e kryen, atëherë ai do të jetë përgjegjës. Ky është kuptimi i saktë i këtij ajeti. Një përfitim tjetër nga ky ajet është edhe mënyra e formulimit të dispozitave të Allahut të Lartësuar për adhuruesit e Tij. Për të përforcuar rëndësinë e një dispozite të caktuar, Ai përdor stile të ndryshme gjuhësore. Për shembull, kur Allahu i Lartësuar bën të detyrueshme diçka ose kërkon diçka të caktuar, Ai përdor forma të tillla si: “Kutibe alejkumus-sijamu” (Është shkruar për ju (si detyrë) agjërimi), ose: “ Hur-rimet alejkumul mejtetu ” (Është bërë haram për ju e ngordhura), ose: “ Kul teâleu etlu mâ ĥar -rame rab -bukum alejkum” (Thuaj: “Ejani t’ju lexoj se çfarë ka bërë haram Zoti juaj për ju..). Por kur sjell ligjin për detyrimin e kryerjes së haxhit, Allahu përdor disa elementë gjuhësorë përforcues, për të treguar rëndësinë e madhe të këtij adhurimi. Disa nga këta elementë janë: 1. Shprehja hyrëse: “ Për hir të Allahut ”. Pra, kjo detyrë është vetëm për hir të Allahut, prandaj merreni atë në konsideratë në mënyrë të veçantë. 2. Shprehja: “ (detyrë) për njerëzit ”. Kjo është një nga mënyrat më të forta (në arabisht) të ligjërimit të urdhërave. 3. Përsëritja e pohimit të këtij detyrimi, duke u rikujtuar njerëzve se kanë përgjegjësi të madhe për kryerjen e tij, kur thotë: “... për atë që ka mundësi ”. Pra, Allahu u rikujton njerëzve se kjo është një përgjegjësi që rëndon mbi ta, sidomos kur ata e kanë mundësinë për ta kryer atë. Kjo është një nxitje për të qenë më shumë të kujdesshëm ndaj këtij detyrimi. 4. Në shprehjen: “...për atë që ka mundësi”, fjala “ sebîlâ” (mundësi, rrugë) është (në arabisht) në trajtën e pashquar, në një fjali kushtore. Si e tillë, ajo jep kuptimin që: duhet kërkuar çdo rrugë e mundësi për ta kryer këtë detyrim. Pra, haxhi është i detyrueshëm të kryhet, duke kërkuar e gjetur çdo mënyrë që ta mundësojë atë. Një formë tjetër përforcimi është edhe kërcënimi vijues: - “Kush nuk beson (këtë dispozitë) le ta dijë se, Allahu nuk ka nevojë për botën. ” - Ky vërtet konsiderohet si kërcënim, sepse Allahu i Lartësuar e ka konsideruar
mohimin e kësaj detyre si kufër (mohim të Zotit), dhe ky është, gjithashtu, përforcues i kësaj detyre. Allahu i Lartësuar ka deklaruar diçka, që vërtet konsiderohet si qortim, këshillë e kërcënim për njerëzit. Ai ka thënë që: “ Allahu nuk ka nevojë për botën.” Allahu nuk ka nevojë për ibadetin që ia përkushtojnë njerëzit. Pra, Allahu i Lartësuar është i Pasur e Jonevojtar për adhurimet që kryejnë krijesat. Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e askujt. Ai është i Lavdëruar dhe i Madhëruar në Veten e Tij. Çdo adhurim që Ai ka ligjëruar e ka bërë me mëshirën e Tij për lumturinë e njeriut. Kush e pranon ftesën, fiton kënaqësinë e Zotit, e kush e refuzon, dëmton veçse vetveten, duke merituar zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit të tij. Siç kuptohet, kërcënimi është shumë i fortë dhe tregon rëndësinë e këtij urdhri. Për ta theksuar kërcënimin, Allahu i Lartësuar ka thënë se është Jonevojtar ndaj të gjithë botës, e nuk ka thënë që është Jonevojtar ndaj adhurimit të njërit apo tjetrit, që nuk dëshiron ta bëjë atë adhurim. Ky është element më i fuqishëm që tregon se Ai është i Pasur e i Lavdëruar, që nuk ka nevojë për asnjë dhe për asgjë, në çdo aspekt. Kështu përforcohet edhe kërcënimi ndaj atyre që e shpërfillin këtë detyrë. Element tjetër është pjesëza “inne” (vërtet) që përdoret në gjuhën arabe për të përforcuar kumtin e fjalisë. Edhe kjo është bërë, pra, në funksion të përforcimit të kësaj detyre, që quhet “vizita te Shtëpia e Zotit”. Të gjithë elementët përforcues tregojnë së bashku rëndësinë e madhe të këtij riti. Medito pak se si Allahu i Lartësuar e ka përsëritur dy herë që ky adhurim është detyrë: një herë për njerëzit në përgjithësi, dhe pastaj për ata që kanë mundësi dhe gjejnë rrugë dhe mjete për kryerjen e kësaj detyre, në veçanti. Përsëritja e një urdhri tregon për rëndësinë e tij. Pastaj medito pak edhe për faktin që Allahu i Lartësuar, para se të sjellë urdhrin e përforcuar për kryerjen e këtij adhurimi, përmend shumë vlera e mirësi të Shtëpisë së Shenjtë. Pa dyshim që ky stil është i mrekullueshëm për të nxitur shpirtrat dhe zemrat e njerëzve që ta vizitojnë atë vend të begatë. Subhanallah! Allahu i Lartësuar i bën shpirtrat që të përmallohen dhe ta duan fort vizitën e Qabes, që ata të shkojnë atje, edhe nëse nuk do të ishte detyrim për ta. Në ajetet e mësipërme numërohen shumë mirësi, që tregojnë madhështinë e Shtëpisë së Lashtë. Më konkretisht, Allahu i Lartësuar e ka përshkruar këtë shtëpi me pesë cilësi: 1. Ajo është e para Shtëpi adhurimi e vendosur në faqen e dheut për njerëzimin. 2. Ajo është ‘mubâreken’, e bekuar. Nuk ka ndërtesë në faqen e dheut që të jetë e bekuar me mirësi dhe begati të shumta, sikurse kjo Shtëpi e Lashtë. Mirësitë dhe begatitë e saj janë të shumta, të larmishme dhe të vazhdueshme për krijesat. 3. Qabja është udhëzuese për njerëzit. Allahu i Lartësuar ka përdorur fjalën “hudâ”, që është një emër foljor e jo një folje. Kjo bëhet për të treguar peshën dhe fushën e gjerë të udhëzimit që përmban kjo Shtëpi. Ajo është udhëzuese, me të dyja
kuptimet e udhëzimit, që i përmendëm më sipër. Pra, Allahu nuk ka thënë që ajo Shtëpi të udhëzon në këtë apo atë të mirë, por ka thënë se ajo është “udhëzuese”. Pra, a thua se ajo është vetë udhëzimi, e jothjesht një mjet që të ndihmon të gjesh rrugën e drejtë. 4. Në atë Shtëpi ka shenja e mrekulli të shumta, sikurse u tha më lart, që tregojnë madhështinë e Krijuesit dhe qëllimin e Tij me njerëzit. 5. Kush hyn në Qabe është i sigurt. Edhe kjo është një cilësi e mrekullueshme e kësaj shtëpie, që ia ka dhënë Allahu. Të tilla cilësi të shkëlqyera janë një nxitje e madhe për të vizituar Xhaminë e Shenjtë, edhe nëse nuk do të kishte urdhër për ta bërë këtë. Ato e shkurtojnë rrugën drejt saj dhe mundimet për të shkuar atje bëhen të papërfillshme. Më tej, pas përshkrimit të cilësive të Qabes, i Madhëruari e sjell urdhrin për ta kryer atë detyrim, të përforcuar me shumë elementë të tjerë. Kjo tregon për kujdesin e veçantë që Allahu i Lartësuar i ka kushtuar kësaj faltoreje dhe për gradën e lartë të saj. Po ashtu, sikur të mos ishte asnjë fjalë tjetër për të treguar madhështinë dhe shenjtërinë e Qabes, por vetëm fakti që Allahu e ka quajtur atë “Shtëpia Ime”, kaq do të mjaftonte. Allahu i Lartësuar ka thënë për të: “Pastroje Shtëpinë Time”. Kjo është një shenjë e madhe për famën, shenjtërinë dhe madhështinë e saj. Kësisoj, është normale që zemrat dhe shpirtrat e krijesave të nxitojnë të përmalluara drejt kësaj faltoreje, që Allahu e ka quajtur “Shtëpia Ime”. Aq e dashur është ajo për shpirtin e atyre që e duan Zotin, saqë kurrë nuk u shuhet malli për të, qoftë edhe kur e vizitojnë vazhdimisht. Madje, sa më shumë e vizitojnë, aq më shumë shtohet dëshira për ta parë e vizituar edhe një herë. As prania afër saj nuk ua shuan mallin, e as largësia prej saj nuk i ngushëllon dhe i lë të qetë, siç thuhet në një vjershë: Sillem rreth saj, por prapë e dëshiroj, Më pranë se kaq, a mund t’i qëndroj?! ...