32. Sexhde · Ajeti 17 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 32:1–32:17

Nuk ka dyshim se zbritja e Kur'anit është nga Zoti i madhërishëm, e për ta thirrur në rrugë të drejtë atë popull që më i parë, në periudhën prej Isait e deri në Muhammedin, nuk u pat ardhur ndonjë i dërguar. Ata më heret patën pejgamberë si Ibrahimin, Hudin, Salihun, por ndër pasardhësit e Ismailit, birit të Ibrahimit, nuk pati ndonjë pejgamber tjetër përveç Muhammedit, e ky ishte i obliguar me këtë shpallje të thërrasë atë popull, ani pse ata i thonin se ti vetë po e trillon Kur'anin.

Kur'ani është shpallje prej atij Zoti që krijoi qiejt e tokën dhe gjithçka tjetër brenda gjashtë dite, që mbizotëroi gjithësinë dhe që udhëheq me të gjitha çështjet. Ai i di të gjitha të fshehtat e të dukshmet dhe që të gjitha veprat e njerëzve do të ngriten tek Ai për t'i shpërblyer ose ndëshkuar në ditën e kijametit, ditë që, për shkak të vështirësive, duket se është sa njëmijë vjet të kësaj bote. Rreth përcaktimit të ditës njëmijë vjet, ka edhe shumë mendime të tjera. Ai Zoti që çdo krijesë e krijoi në mënyrën më të përsosur: Shikoje elefantin, sikur të mos e kishte të krijuar atë turi aq të gjatë, si do të mund t'i afrohej ushqimit të nevojshëm për jetë, me atë peshë e trup aq të madh. Sa i shëmtuar do të dukej njeriu sikur ta kishte kokën dhe veshët sa të gomarit, ose lepuri sa të luanit, ashtu qafa e devesë dhe fulçinjtë e saj. Këtë harmoni në krijimin e gjymtyrëve, e sipas nevojës së tyre, e përsosi vetëm krijuesi i gjithdijshëm.

Për melaikën e caktuar për marrjen e shpirtrave thuhet se është Azraili, por ai i ka edhe ndihmësit e vet. Thuhet se e tërë toka pranë tij është sa një sofër që merr prej cilës pjesë të dojë, Gjithashtu thuhet se ndihmësit e tij i nxjerrin shpirtrat deri në fyt, e prej fytit i kap ai.

Vullneti i Zotit nuk është që njerëzit t'i fusë me dhunë në fe, megjithqë atë ka mund ta bëjë, por Ai do besimtarët që me vullnetin e tyre t'i pranojnë mësimet e Tij.Ai përherë e ka ditur dhe e di se kush do të jetë respektues e kush refuzues, andaj krijoi edhe xhennet e edhe xhehenem. Xhehenemin do ta mbushë me exhinë dhe me njerëz, si duket exhinët do të jenë edhe më shumë në të, e melaikët janë të mbrojtura prej atyre punëve që meritojnë xhehenem.

Besimtarët që respektojnë këshillat e Zotit, që nga dashuria bijnë me fytyrë në tokë, bëjnë sexhde, që lënë shtretërit e çohen dhe lusin Zotin edhe natën, që kanë frikën e ndëshkimit, që shpresojnë në mëshirën e Zotit, të tillëve Zoti u ka caktuar aso të mirash që sipas një hadithi kudsij që e regjistron Buhariu dhe Muslimi, thuhet: "Allahu ka thënë se u kam caktuar robërve të Mi të mirë: çka nuk ka parë sy, nuk ka dëgjuar vesh dhe nuk i ka shkuar ndërmend asnjë njeriu". Ky hadith ka lidhmëri me ajetin 17.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 32:15–32:17

- “Argumentet Tona i besojnë vetëm ata, të cilët, kur u lexohen ato, bien me fytyrë në tokë, duke e madhëruar Zotin e tyre me tesbiĥ dhe që kurrë nuk tregohen kryeneçë.” - Argumentet Tona i besojnë vetëm ata, të cilët i pranojnë ato si të vërteta nga Zoti; ata të cilët kur u lexohen ato, bien me fytyrë në tokë, pra, i dëgjojnë me vëmendje ajetet dhe udhëzimet e Zotit dhe iu binden atyre. Ata pasojnë me kujdes e përpikmëri Shpalljen e Zotit, si në fjalët që thonë, ashtu dhe në veprat që kryejnë. Ata nuk tregohen kryeneçë dhe mendjemëdhenj, duke braktisur udhëzimet dhe shpalljet e Zotit, ashtu siç veprojnë mohuesit dhe keqbërësit injorantë. Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Por ata që, nga mendjemadhësia, i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.” [Gafir 60]. - “Trupat e tyre largohen prej dyshekëve ...” - Këtu është për qëllim namazi i natës, kur ata lënë gjumin dhe rehatinë në shtrojet e buta dhe të ngrohta. Muxhahidi dhe Haseni kanë thënë se flitet për namazin e natës. Disa të tjerë kanë dhënë mendimin se flitet për namazet (nafile) mes farzeve të akshamit dhe jacisë. Kurse Enesi ka thënë se këtu bëhet fjalë për pritjen e namazit të jacisë. - “... duke iu lutur Zotit të tyre me frikë dhe me shpresë dhe, nga ajo që u kemi dhënë, ata japin. ” - E bëjnë nga frika e ndëshkimit të Zotit dhe me shpresë për shpërblimin e Tij madhështor. - “... dhe, nga ajo që u kemi dhënë, ata japin.” - Allahu i Madhëruar thotë se ata kryejnë jo vetëm vepra e adhurime që i afrojnë tek Ai dhe nëpërmjet të cilave përmirësojnë veten e tyre, por kryejnë edhe vepra të mira, dobia e të cilave përfshin edhe të tjerët. Pa dyshim që më i zgjedhuri ndër ta, zotëria i të gjithë bamirësve, krenaria e gjithë njerëzimit në dynja dhe në ahiret, shembulli i tyre më i lartë, është Profeti i Allahut, sikurse ka thënë Abdullah Ibn Rauaha në një vjershë, të cilën e ka bërë për Profetin ﷺ . Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Mesudi se Profeti ﷺ ka thënë: 2099. “Zoti ynë kënaqet me dy

njerëz: me atë brof nga shtrojet e tij të buta dhe të ngrohta, mes dashurisë së familjes së tij, vetëm për të falur namazin, me shpresë për shpërblimin që ka premtuar Ai dhe nga frika e ndëshkimit prej Tij; dhe me atë burrë që lufton në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe, pasi ushtria e tij humb luftën, ai, duke e ditur mirë se çfarë gjynahu ka braktisja e fushëbetejës dhe dezertimi nga lufta, qëndron burrërisht derisa derdh gjakun, me shpresë që të fitojë shpërblimin që gjendet tek Ai dhe nga frika prej ndëshkimit të Tij. Allahu i Lartësuar i thotë melekëve të Tij: “Shikojeni robin tim! U kthye në luftë, duke shpresuar shpërblimin Tim dhe duke u frikësuar prej ndëshkimit Tim, derisa derdhi gjakun.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Muadh Ibn Xhebeli, i cili rrëfen: 2100. “Isha së bashku me Profetin (a.s) në një udhëtim. Një mëngjes qëllova pranë tij, kur ishim duke ecur rrugës. Unë i thashë: “O Profeti i Allahut! Më trego një punë, që të më fusë në Xhenet dhe të më shpëtojë prej zjarrit.” Ai tha: “Me të vërtetë, ke pyetur për diçka shumë të madhe, por pa dyshim që ajo është e lehtë për atë të cilit ia lehtëson Allahu. Së pari, të adhurosh Allahun dhe të mos i bësh shok asgjë dhe askënd në adhurim. Ta përkryesh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh ramazanin dhe të kryesh haxhin në Shtëpinë e Zotit.” Pastaj shtoi: “A të tregoj për portat e mirësive? Agjërimi, që është mburojë; sadakaja, që i fshin gjynahet dhe namazi në mes të natës.” Pastaj lexoi ajetin: “Trupat e tyre largohen prej dyshekëve, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë dhe me shpresë dhe, nga ajo që u kemi dhënë, ata japin. Askush nuk di për atë kënaqësi, që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira .”. Më pas tha: “A të tregoj për kreun e çdo çështjeje, shtyllën mbi të cilën ngrihet dhe majën e tij?” Unë i thashë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Ai i tha: “Kreu i çdo gjëje është Islami, shtylla kryesore e tij është namazi dhe kulmi i tij është xhihadi në rrugën e Allahut.” Pastaj tha: “A dëshiron të tregoj për diçka, nga e cila varen të gjitha këto?” - “Po, o i Dërguari i Allahut”. - “Atëherë, ai kapi gjuhën e tij dhe tha: “Mbaje e kujdes me këtë!” - ‘O i Dërguari i Allahut, vallë, do të meremi në përgjegjësi edhe për fjalët që themi?!” Ai tha: “Të pastë nëna, o Muadh! Po, a nuk i hedh njerëzit në zjarr me fytyrë - mbase tha: “me hundë” - veçse ajo që ata korrin me gjuhën e tyre?!” Këtë hadith e sjellin Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe në sunenet e tyre përmes rrugës së Ma’merit, ngjashëm me këtë version. Tirmidhiu ka thënë: “Hasen Sahih”. - “Askush nuk di për atë kënaqësi, që u është caktuar atyre, si shpërblim për veprat e tyre të mira .” - Askush nuk e di madhështinë e asaj që Allahu ka fshehur dhe ruajtur për ta në Xhenet, siç janë mirësitë e përjetshme dhe kënaqësitë, të cilat askush nuk ka mundur t’i shohë dhe përjetojë në dynja. Duke qenë se ata i fshehën veprat e tyre të mira nga njerëzit, po kështu Allahu i Lartësuar i ka fshehur shpërblimet dhe kënaqësitë e pashembullta që ka ruajtur për ta, si shpërblim i merituar dhe i drejtë, sepse shpërblimi jepet sipas llojit të punës. Hasen el Basriu shpjegon: “Ata i kanë bërë fshehtas veprat e tyre të mira, pran daj Allahu ka fshehur për ta atë që sytë nuk e kanë parë dhe askush nuk ka mundur ta përfytyrojë.” Kështu ka sjellë Ibn Ebi Hatimi. Ndërsa Buhariu ka sjellë hadithin nga Ebu Hurejra (r.a), se Profeti i Allahut ka treguar se 2101. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kam përgatitur për robërit e Mi punëmirë diçka, që sytë nuk e kanë parë, veshët nuk e kanë dëgjuar dhe as një zemër njeriu nuk e ka përfytyruar.” Kjo gjendet në dy Sahih-ët e te Buhariut dhe Muslimit, pa pjesën se Ebu Hurejra tha: “Po të doni, lexoni fjalën e Allahut: “Askush nuk di për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit), që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 32:15–32:17

- Argumentet Tona i besojnë vetëm ata, të cilët kur u lexohen ato (si këshillë), bien me fytyrë përtokë dhe e madhërojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre me tesbih dhe kurrë nuk tregohen kryeneçë. - Ja këta janë ata që kanë iman të vërtetë dhe të plotë, iman që shoqërohet me punë të mira treguese të imanit të zemrës. Këta janë ata të cilët: "...kur u lexohen ato (si këshillë), bien me fytyra përtokë dhe e madhërojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre me tesbih." kur atyre u lexohen ajetet e Kur'anit dhe u vijnë këshillat e Zotit përmes profetëve që të marin mësim, të nënshtrohen e të adhurojnë Zotin, ata i dëgjojnë me shumë kujdes i pranojnë dhe nënshtrojnë për t’i zbatuar. Aq i sinqertë dhe i vërtetë është ky nënshtrim dhe përkushtim saqë shfaqet haptazi kur ata bien me fytyra përtokë dhe e madhërojnë dhe lavdërojnë Zotin e tyre me tesbih. Kështu ata tregojnë përunjësinë e nënshtrimin ndaj urdhëresave të Zotit, respektimin e madhërimin për Allahun dhe gëzimin dhe kënaqësinë që ndiejnë me njohurinë dhe diturinë që kanë për Zotin dhe rreth Zotit të madhërishëm. Aq e thellë është njohuria dhe dituria për Zotin saqë: "...ata kurrë nuk tregohen kryeneçë." Ata kurë nuk i sheh që të tregohen kryeneçë e mëndjemëdhenj, as me zemrat e tyre, as me trupin e tyre, dhe as të heqin dorë nga bindja ndaj Zotit. Madje i sheh modestë, të thjeshtë e të përulur, thjeshtësi kjo që u vjen e nxitet prej ajeteve dhe argumenteve të Zotit. Ata i dorëzohen tërësisht Allahut duke jetuar sipas atyre ajeteve dhe të gjithë këtë e bëjnë me gjoks të zgjeruar dhe plot kënaqësi. Me këtë dorëzim e nënështrim të plotë ata arrijnë të kënaqin Zotin Mëshirëplotë dhe kështu dalin faqebardhë duke gjetur udhëzimin e plotë në rrugën e drejtë. - Trupat e tyre largohen prej dyshekëve, (e qëndrojnë në këmbë e në sexhde) duke iu lutur Zotit të tyre me frikë dhe me shpresë (për dashurinë dhe mëshirën e Tij)... - Trupat e tyre nuk gjejnë rehat në dyshekun e ngrohtë sepse kanë mall për diçka shumë më të këndshme, të rehatshme, - namazi i natës -, dhe atë bisedë aq lumturuese dhe qetësuese me Zotin e tyre të Lartësuar. Prandaj tha: "(e qëndrojnë në këmbë e në sexhde) duke iu lutur Zotit të tyre me frikë dhe me shpresë (për dashurinë dhe mëshirën e Tij), " i luten Atij për çdo të mirë të besimit dhe të fesë, për mirësitë e dynjasë si dhe për t'i shpëtuar dhe ruajtur ata nga ligësitë dhe fatkeqësitë në ato dy drejtime. Ata i luten Zotit të mbushur nga dy ndjenja të mrekullueshme "...me frikë dhe me shpresë..." ata bashkojnë mes këtyre dy përshkrimeve. Ata janë të frikësuar sepse veprat e tyre mund t’u refuzohen, por edhe me shpresë të madhe që Zoti t’ua pranojë dhe t'i shpërblejë për to. Ata i frkësohen dënimit të Allahut dhe shpresojnë shpërblimin dhe sevapin e Tij. - dhe nga ajo që u kemi dhënë, ata japin. - Ja edhe një përshkrim tjetër i këtyre fatlumëve: nga pasuria që Zoti u ka dhënë, qoftë e pakët apo e shumtë, ata japin për hir të Tij. Vërej me kujdes! Nuk ka përmendur

masën se sa japin dhe se kujt ia japin për të qenë sa më gjithpërfshirëse dhe sa më përgjithsuese. Kështu në këtë bëjnë pjesë si shpenzimet e detyrueshme, si Zekati, kompensimet, shpenzimet e detyrueshme për gruan, të afërmit; ashtu edhe shpenzimet e pëlqyeshme e vullnetare, si të gjitha shpenzimet në rrugët e shumta të mirësive. Shpenzimet dhe bamirësia financiare është mirësi e madhe dhe një mënyrë për të përfituar sevape të shumta, pavarësisht a i jepet të pasurit apo të varfërit, të afërmit apo të largëtit. Por sigurisht që shpërblimi ndryshon në varësi të dobisë që njeriu u ofron dhe u mundëson të tjerëve me pasurinë e tij. Ja këto janë veprat e këtyre të zgjedhurve dhe përshkrimi i tyre. Ndërsa persa i përket shpërblimit të tyre Alahu i Madhëruar thotë: - Askush nuk di për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit), që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira (në dynja). - Kjo përfshin të gjitha shpirtrat e krijesave. kuptimi është: askush prej krijesave nuk e di për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit), që u është caktuar atyre si shpërblim për veprat e tyre të mira (në dynja). Nuk e dinë se si janë mirësitë e shumta, dhe kënqësitë e pafund të atyre fatlumëve. Askush nuk mund ta përshkruajë gëzimin dhe lumturinë, kënaqësinë dhe qetësinë e tyre. Siç ka thëne profeti i Allahut në hadithin që transmeton nga Zoti i tij: “ Kam përgatitur për robërit e Mi, atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe zemra e robit kurrë nuk e ka menduar dhe përfytyruar”. Edhe këta, Allahu i lavdëruar i shpërbleu sipas llojit të veprave të tyre. Duke qenë se ata faleshin natën dhe luteshin duke i fshehur veprat, Allahu i shpërbleu me shpërblime që askush nuk i ka parë dhe dëgjuar. Prandaj edhe tha: "...si shpërblim për veprat e tyre të mira (në dynja)."

← Sexhde 32:17