32. Sexhde · Ajeti 30 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 32:18–32:30

Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, nuk janë të njëjtë me ata që nuk besuan, sepse besimtarët do t'i presin me nderime të larta si mysafirë, me vende të zgjedhura në xhennet. Ndërsa ata që nuk besuan, vendin e kanë në zjarr. Saherë i hedh vala lart e ata tentojnë të dalin, ajo i kthen në fund të tij. Por edhe para atij dënimi të madh në Ahiret, do të përjetojnë dënime edhe në Dynja, për t'u ndihmuar që të largohen prej rrugës së gabuar.

Muhammedit i thuhet se ligji i Zotit është, t'i shpallë libër të dërguarit, Musait i shpalli Tevratin e ty Kur'anin, pra mos kij dyshim se është shpallje e Zotit. Ka mendime se fjala është që Muhammedi do të takohej me Musain në Kudsi Sherif ose në qiell natën e Israut, ka mendime se fjala është edhe për atë se vështirësitë që e goditën Musain do të godasin edhe ty... Edhe prej ymetit të Musait pati prijës që udhëzuan në rrugë të drejtë, por ata që ishin të durueshëm e të bindshëm.

Është për t'u habitur me kurejshitët që kalojnë nëpër ato vende ku popujt e tyre u shkatërruan më herët dhe megjithatë nuk mblidhnin. mend, nuk i vështronin mrekullitë e Zotit, por talleshin me myslimanë se kur do ta çlirojnë Meken! Në fund Muhammedi porositet të heq dorë prej tyre, të presë ndilimën e Zotit se edhe ata janë duke pritur ndryshimin e gjendjes.

Me ndihmën e Zotit, mori fund përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Sexhde''. Falënderuar qoftë Allahu i madhërishëm!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 32:28–32:30

Allahu i Lartësuar na tregon rreth ngutjes së mohuesve, të cilët, në formë sfide, kërkonin përshpejtimin e ndëshkimit të Allahut mbi ta, siç ka premtuar. Në këtë mënyrë, ata shprehin mosbesimin e tyre dhe faktin se ata e konsideronin këtë gjë gënjeshtër dhe të pamundur për t’u kryer. Pa dyshim, kjo ishte shprehje e inatit dhe refuzimit të padrejtë të tyre. - “Ata thonë: “Kur do të përmbushet ai premtim, nëse po thoni të vërtetën?! ” - Pra, kur do të jetë dita e ndëshkimit tonë dhe e triumfit tënd mbi ne, o Muhamed, ashtu sikurse pretendon? Përkundrazi, ne të shohim ty dhe ata që të shoqërojnë ty veçse si disa frikacakë të përçmuar, të cilët fshehin kokën dhe i shmangen përballjes. - “Thuaj: “Ditën e Ndarjes, mohuesve nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre e nuk do t’u jepet afat”. - Kur të vijë dita që të godasë zemërimi dhe ndëshkimi i ashpër i Zotit, në dynja dhe në ahiret, mohuesve nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre e nuk do t’u jepet afat, siç ka thënë i Lartësuari edhe në ajetin tjeter: “Kur u erdhën të dërguarit me shenja të qarta, ata u mburrën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai, me të cilin talleshin. Kur e panë dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut, që vepron te robërit e Tij. Kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” [Gafir 83 - 85]. Vërej me kujdes fjalën “ Jeumul Fet’hi” (që është përkthyer “Dita e Ndarjes”). Këtu bëhet fjalë për Ditën e Gjykimit, kur Allahu do të bëjë ndarjen mes mohuesve dhe besimtarëve, duke ndëshkuar mohuesit dhe

duke lartësuar e shpërblyer besimtarët, përmes gjykimit të Tij të drejtë. Të gjithë ata që pretendojnë se këtu flitet për ditën e çlirimit të Mekës, kur Allahu i Madhëruar bëri ndarjen e drejtë mes mohuesve dhe besimtarëve, duke u dhënë fitoren besimtarëve, në fakt ka bër ë një gabim të dukshëm dhe të madh. Ditën e çlirimit të Mekës, Profeti i Allahut ua pranoi Islamin dhe pendimin atyre të cilët u quajtën ‘ et tuleka’, pra, të çliruarit nga robëria, që ishin rreth dy mijë të tillë. Por Allahu i Lartësuar në këtë ajet thotë: “mohuesve nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre e as nuk do t’u jepet afat.” Qëllimi këtu është, pa dyshim, për Ditën e Gjykimit, që do të bëhet përpara Zotit. Fjala El fet’h këtu ka kuptimin “Gjykim me drejtësi dhe ndarja e drejtë mes krijesave”, siç ka thënë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “ Gjyko, atëherë me drejtësinë tënde ndërmjet meje dhe atyre dhe më shpëto mua dhe besimtarët që vijnë pas meje!” [Shuara 118]. Ose: “Thuaj: “Zoti ynë do të na tubojë ne dhe ju e pastaj do të gjykojë me drejtësi mes nesh (e jush). Dhe Ai është Gjykatës i drejtë e i Gjithëditur. ” [Sebe 26]. “Ata kërkuan ndihmë dhe çdo kryelartë e inatçor përfundoi në shkatë - rrim.” [Ibrahim 15]. Pra, kërkuan ndihmën e Zotit dhe gjykimin e Tij me drejtësi.159 - “Prandaj, ti largohu prej tyre dhe prit, edhe ata, janë duke pritur. ” - Distancohu prej idhujtarëve dhe kumtoje qartë atë që t’u shpall prej Zotit tënd. Thjesht rri në pritje, se Allahu i Lartësuar ka për ta përmbushur premtimin që të ka dhënë. Ai ka për të të dhuruar fitoren mbi kundërshtarët e tu dhe, pa dyshim, që Ai nuk e thyen premtimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “... edhe ata, janë duke pritur.” Pra, edhe ti je në pritje, edhe ata janë në pritje, që juve t’ju ndodhin fatkeqësi. Por ti ke për ta parë suksesin e durimit tënd, ndërsa ata kanë për ta gjetur dhimbjen që do t’u sjellë mohimi i tyre, kur të shijojnë dënimin e Allahut mbi ta, kur zemërimi i Tij t’i përfshijë me ashpërsi. Na mjafton Allahu dhe Ai është më i miri mbështetës! Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Sexhde. Vetëm Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet për mirësitë që na dhuron! 1 / 5 / 1390 h ose (4 / 7 1970).

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 32:28–32:30

- Ata thonë: “Kur do të përmbushet ai premtim (i Zotit), nëse po thoni të vërtetën?! - Keqbërësit e mosbesimtarët kërkojnë që t’u ngutet dënimi që u kërcënohet, sepse ata mohojnë profetët dhe shpalljet. Me këtë tregojnë se nuk e besojnë ringjalljen. Ata tregojnë, gjithashtu, kokëfortësinë, kryeneçësinë, inatin dhe urrejtjen e tyre ndaj së vërtetës. “Kur do të përmbushet ai premtim (i Zotit), nëse po thoni të vërtetën?! Kur do të vijë ajo ditë, kur do të bëhet ndarja mes nesh dhe jush? Kur do të vijë dita kur ne do të dënohemi, sipas pretendimit tuaj?” Kështu u drejtoheshin ata profetëve, madje thoshin edhe: "... nëse po thoni të vërtetën." Me këtë fjalë, ata pretendonin e mëtonin se profetët nuk thoshin të vërtetën. - Thuaj: “Ditën e Gjykimit, mohuesve nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre e as që do t’u jepet afat”. - Atëherë kur do të ndodhë ndarja mes nesh, ajo është dita kur ju do të ndëshkoheni. Njohja e asaj dite nuk ka për t’ju sjellë asnjë dobi, sepse kurdo që të vijë ajo, kjo do të shënojë fundin e afatit tuaj. Atë ditë nuk do të keni mundësi të rregulloheni dhe të besoni, sepse çdo gjë do ta shihni qartë. Nëse do t’ju jepej mundësia të rregulloheshit e të besonit, atëherë do të kishte kuptim kjo pyetje që ju bëni. Por duke qenë se kur të vijë ajo ditë, nuk do të ketë asnjë dobi për ju, kjo pyetje është e pakuptimtë. Me ardhjen e asaj dite nuk ka më kthim për robërit, sepse ka përfunduar koha e sprovës dhe përzgjedhjes. I Lartësuari thotë: “Ditën e Gjykimit, mohuesve nuk do t’u bëjë dobi besimi i tyre e as që do t’u jepet afat”, sepse tashmë nuk ka më besim tek e fshehta, por besimi tek e dukshmja. Atyre nuk do t’u jepet afat që të rregullojnë atë që prishën dhe që të besojnë. Pendimi nuk ka për t'u pranuar prej tyre. - Ndaj, ti largohu (distancohu) prej tyre dhe prit... - Nëse ata arrijnë në këtë gjendje injorance e arrogance dhe kërkojnë ngutjen e ndëshkimit, atëherë distancohu prej tyre dhe prit, për të parë se çfarë do të ndodhë me ta. Dënimi është i pashmangshëm për ta, por Allahu ka vendosur një afat, i cili nuk shpejtohet e as nuk vonohet. - se edhe ata janë duke pritur. - Edhe ata po presin për ty lloj -lloj ligësish dhe fatkeqësish. Por le ta dijnë se përfundimi i mirë i takon devotshmërisë ndaj Zotit.

Këtu përfundon tefsiri i sures Sexhde, me ndihmën e Allahut dhe mirësinë e Tij. Atij i takon lavdërimi më i plotë, të gjitha përlëvdimet dhe madhërimi!

← Sexhde 32:30