33. Ahzab · Ajeti 27 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 33:21–33:27

Shembullin më të mirë për durim, për trimëri luftarake, për fjalën, veprat dhe sjelljen, myslimanët e kanë në Pejgamberin e tyre, andaj, do të duhej orientuar dhe pajisur me cilësitë e tij.

Besimtarët e pajisur me cilësi të duhura, nuk mundi t'i trembë numri i madh i armikut, përkundrazi, ata edhe më shumë u forcuan, pse e dinin se sprovimi në këtë jetë është rregull, e ishin edhe të bindur se Allahu do t'u ndihmojë. Prandaj pati prej tyre që e flijuan jetën për rrugën e Allahut, e pati që mezi e pritnin momentin që të vdisnin si dëshmorë.

Jehuditë e fisit Beni Kurejdha, të cilët e thyen marrëveshjen me myslimanët dhe ndihmuan armikun e tyre, idhujtarët, Zoti i dënoi ashtu që u detyruan të hapin fortifikatën ku ishin të strehuar dhe të dorëzohen, kurse burrat e tyre u dënuan me vdekje, ndërsa gra e fëmijë u robëruan. Vendin e tyre e trashëguan myslimanët, e trashëguan edhe toka të tjera, si atë të Hajberit etj.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 33:26–33:27

E përmendëm më lart se fisi jehud i Benu Kurejdhas e shkeli paktin me Profetin e Allahut, dhe kjo ndodhi e nxitur nga Hujej Ibn Ahtab el Nadrij, - Allahu e mallkoftë! Ai foli me prijësin e tyre Keab Ibn Esedin, derisa e bindi për të thyer paktin me Profetin dhe për të marrë pjesë në aleancën kundër tij. Kur ky lajm i mbërriti Profetit të Allahut, ai u hidhërua shumë. Ky qe një shqetësim shumë i madh për të dhe për besimtarët. Megjithatë, Allahu i Lartësuar e ndihmoi Profetin e Tij, i cili u kthye triumfues, ndërsa ushtria e madhe e idhujtarëve dhe tradhtarëve u kthye e dëshpëruar e duarbosh. 2121. “Në kohën që Profeti po lahej, nga mundimi i atij rrethimi të gjatë, në shtëpinë e Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ia beh Xhibrili (a.s.), hipur në kafshën e tij, që kishte vendosur një çallmë (prej mëndafshi. Mbi shpinën e kafshës së tij kishte hedhur një rrobë prej dibaxhi (rrobë e trashë e thurur me mëndafsh). Ai tha: “A i lëshove armët, o i Dërguari i Allahut?!” - “Po”, - tha Profeti ﷺ - “Ndërsa melekët ende nuk i kanë ulur armët dhe unë u ktheva tek ti, pasi jam nisur drejt atij populli (tradhtar e thyes të paktit). Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar të urdhëron të shkosh drejt Benu Kurejdhas dhe më urdhëroi mua që t’i bëj të dridhen këmbët (dhe zemrat) e tyre.” Atëherë, Profeti i Allahut u nis menjëherë dhe urdhëroi ushtrinë e tij të niseshin drejt Benu Kurejdhas. Kur ishte disa milje larg Medinës, e pikërisht pas namazit të drekës, Profeti i Allahut tha: “Namazin e ikindisë ta falni veçse te Benu Kurejdhat!” Të gjithë iu përgjigjën thirrjes për luftë dhe menjëherë u nisën për udhëtim. Namazi i ikindisë i zuri ata gjatë rrugës. Disa besimtarë thanë: “Do të falemi vetëm pasi të mbërrijmë te Benu Kurejdhat, sikurse u urdhëruam.” Dhe kështu vepruan, porse ikindinë mundën ta falnin veçse pasi kishte hyrë koha e jacisë. Ndërsa disa të tjerët thanë: “Profeti ﷺ nuk kërkoi pikërisht këtë prej nesh! Ai donte të kuptonim që ne duhet të shkonim shumë shpejt tek ai fis.” Këta e falën namazin e ikindisë gjatë rrugës. Më pas, Profeti ﷺ nuk qortoi asnjërën nga palët për çka vepruan.163 Gjatë kësaj kohe, Profeti la në Medinë Ibn Ummu Mektumin. Ai ia dha flamurin Ali Ibn Ebu Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Profeti i rrethoi ata për 25 net. Kur e panë se ky rrethim po bëhej i padurueshëm, ata pranuan të dorëzoheshin dhe të pranonin vetëm gjykimin e Sad Ibn Muadhit, zotëria i fisit të madh të luftëtarëve Eus (Allahu qoftë i kënaqur me të!). 164 Fisi i Eusit ishin aleatë me Beni Kurejdhat para Islamit, ndaj këta të fundit menduan se Profeti do ta pranonte ndërmjetësimin e tyre për ta, ashtu sikurse veproi me fisin Benu Kajnuka, kur ai pranoi ndërmjetësimin e Abdullah Ibn Ubej Ibn Selulit, prijësit të fisit Hazrexh, aleatëve të Benu Kajnukas. Atëherë, Profeti ftoi Sad Ibn Muadhin nga Medina, që të jepte gjykimin në lidhje me ta. Sadi ishte i sëmurë e vuante plagët e marra në luftën e Hendekut. Kur Sadi u afrua hipur mbi kafshë, njerëzit në dy anët e tij i thoshin: “O Sad, tregohu i mëshirshëm me aleatët tanë (Benu Kurejdhat), se Profeti ﷺ e la në dorën tënde gjykimin!” Ata ia përsëritën shumë herë këto fjalë, por ai ecte i heshtur, derisa mbërriti te Profeti ﷺ . Kur njerëzit ia përsëritën ato fjalë, Sadi tha: “Ka ardhur dita që Sadi, për hir të Allahut, të mos i druhet qortimit të askujt!” Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz u kthyen në Medinë dhe lajmëruan për çfarë pritej të ndodhte. Kur mbërriti Sadi, Profeti ﷺ u tha sahabëve: “Ngrihuni në këmbë për zotërinë tuaj!” Ata i thanë Sadit: “O Sad, gjykimin për këtë fis, Profeti ﷺ e la në dorën tënde.” Sadi tha: “A do të jetë gjykimi im i pranueshëm dhe i zbatueshëm për ta?” - “Po” - “Po për muslimanët, a është i pranueshëm?” - “Po” - thanë ata. - “Po për atë që ndodhet këtu?” Sadi bëri shenjë nga Profeti ﷺ , por pa e kthyer fytyrën drejt tij në shenjë respekti dhe vlerësimi për të. Profeti ﷺ tha: “Po, edhe për mua është i pranueshëm.” Atëherë, Sadi dha gjykimin: “Të vriten burrat e tyre, të robërohen familjet e tyre dhe të ndahen pasuritë e tyre!” Profeti ﷺ i drejtohet atij

dhe i thotë: “Ke gjykuar me ligjin e Allahut të Lartësuar, që ndodhet mbi shtatë qiej.” Profeti ﷺ urdhëroi të vritej çdokush që kishte arritur moshën e pjekurisë. Ndërsa të miturit iu bashkangjitën familjeve të tyre, e patën të njëjtin gjykim me to. Për të ekzekutuarit u krijua një varrezë në tregun e Medinës. U ekzekutuan afërsisht gjashtë - qind ose shtatëqind burra.165 - “Ai (Allahu) i nxori prej fortesave ata ithtarë të librit (jehudinj), që i ndihmuan ato (ushtritë armike) , ...” - Domethënë, i nxori prej kështjellave të tyre. Ata u bënë palë me armiqtë e muslimanëve në luftën e Ahzabit, kundër Profetit të Allahut. Ata ishin fisi i Benu Kurejdhas, pasardhës të bijve të Israilit, paraardhësit e të cilëve kishin zbritur herët në Hixhaz, me shpresën për të pasu ar e mbështetur Profetin, që parashi-kohej të vinte sipas librave të tyre Teurat dhe Ungjill. Por Allahu i Lartësuar thotë: “Atyre u erdhi Libri (Kur'ani) prej Allahut, që vërteton atë që e kishin pranë, dhe përpara kësaj, ata shpresonin me ardhjen e tij (Muhamedit) ndihmën (e Allahut) kundër jobesimtarëve. Por, kur u erdhi ai (Muha-medi) që e njihnin mirë, ata e mohuan atë. Mallkimi i Allahut qoftë mbi jobesimtarët!” [Bekare 89].166 - “... dhe futi frikë në zemrat e tyre. ” - Allahu u futi frikën në zemër. Atyre iu fut frika, sepse mbështetën aleancën e idhujta - rëve kundër Profetit të Allahut. Pa dyshim, ai që di nuk mund të jetë njëlloj si ai që nuk di. Ata u shkaktuan frikë muslimanëve dhe u bënë kërcënim serioz për shfarosjen e tyre, por ai plan u ra mbi kokë. Ata synuan shfarosjen e muslimanëve, por shfarosën popullin e vet, përveç faktit që do të jenë në zjarr dhe do të vuajnë ndëshkimin e përjetshëm. Kjo ishte marrë -veshja e tyre e humbjes dhe e shkatërrimit. I Lartësuari thotë: - “Kështu, disa prej tyre i vratë, kurse disa të tjerë i robëruat. ” - Ata që u vranë ishin luftëtarët nga populli i tyre, ndërsa të robëruarit ishin gratë dhe fëmijët e tyre. - “Ai ju bëri ju trashëgimtarë të tokave, shtëpive dhe pasurive të tyre ...” - Kështu, ju u bëtë pronarë të atyre pasurive. - “... si edhe të një toke, që ende nuk e kishit shkelur.” - Thuhet se bëhet fjalë për çlirimin e Hajberit, ashtu siç thuhet për çlirimin e Mekës, Persisë ose të Romës. Thuhet, gjithashtu, se kjo fjali i përfshin të gjitha. - “Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 33:25–33:27

- Dhe Allahu i zmbrapsi ata që nuk besuan bashkë me tërë mllefin e tyre, dhe ata nuk fituan asgjë të mirë. - I ktheu ata duarbosh dhe të poshtëruar. Ata nuk e arritën dot atë që, me aq padurim, synonin ta arrinin e realizonin, domethënë, vrasjen e

Profetit dhe të besimtarëve. Ata ishin të bindur se do ta arrinin qëllimin, sepse i mashtroi epërsia numerike e aftësitë ushtarake. Ata u krenuan me aleancën e tyre të gjerë në këtë luftë dhe ishin tërësisht të bindur për fitoren. Por Allahu i Madhëruar u dërgoi atyre një furtunë shumë të madhe, që i tronditi e shkuli nga vendi i fushimit. Era ua fluturoi çadrat dhe ua derdhi përmbysi kazanët ku gatuanin. Ndërsa në zemrat e tyre Allahu futi frikën, dhe kështu u larguan të mbushur me zemërim dhe me urrejtje. Kjo ishte ndihma e Allahut për robërit e Tij besimtarë. - Dhe Allahu ua largoi luftën besimtarëve. - Allahu i ruajti besimtarët me ushtrinë e Tij, me erërat e furishme. - Allahu është i Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar. - Çdokush që lufton kundër rrugës së Tij dhe besimtarëve, do të mposhtet. Për Allahun, asgjë nuk është e pamundur. Ai e përmbush gjithçka që dëshiron. Asnjë fuqi dhe ushtri nuk të bën dobi përballë fuqisë së Tij. Edhe më të fuqishmit nuk i sjell dobi fuqia, nëse nuk e ndihmon Allahu. - Ai (Allahu) i nxori prej fortesave ata ithtarë të librit (jehudinj), që i ndihmuan ato (ushtritë armike) , - Është fjala për jehudët, të cilët e tradhtuan Profetin, duke shkelur paktin me të. Ata u bënë me aleancën kundër Profetit. Allahu i Madhëruar i nxori ata nga kështjellat e tyre, për t'u gjykuar me ligjin Islam dhe me vendimin që do të merrte Profeti për ta. - dhe hodhi frikë në zemrat e tyre. - Për këtë arsye, ata nuk patën guximin të bënin qëndresë dhe të luftonin, por u dorëzuan si frikacakë dhe u poshtëruan. - Kështu, një grup prej tyre i vratë,... - Kështu u veprua me të gjithë burrat që mund të luftonin. - kurse disa të tjerë i robëruat. - gratë dhe fëmijët e tyre u robëruan. Ky ishte dënimi për tradhtinë e atij populli. - Dhe Ai ju bëri ju trashëgimtarë të tokave, shtëpive dhe pasurive të tyre si edhe të një toke që ende nuk e kishit shkelur (më parë). - Kështu, Zoti ju la pasuritë e tyre si plaçkë lufte dhe hallall për ju. Në kohën e paqes, jehudët nuk i lejonin arabët që të shklenin në tokat e tyre, sepse i konsideronin ato toka të shenjta. Por Zoti i poshtëroi dhe ua dha këto toka besimtarëve të Tij, që t'i kishin pronë të tyre. Burrat ua vrau dhe gratë e fëmijët ua skllavëroi. - Allahu është i Gjithfuqishëm për çdo gjë. - Asgjë nuk është e pamundur për Allahun. Me pushtetin dhe forcën e Tij, Ai përcaktoi për ju ato gjëra. Këtu flitet për fisin judej Benu Kurajdhah, në Medinë. Ata jetonin në një fshat jashtë Medinës, jo shumë larg saj. Kur Profeti (a.s) erdhi në Medinë, bëri një pakt me ta që të jetonin në paqe dhe të mos luftonin kundër njëri tjetrit. Kështu i la të lirë të ushtronin fenë e tyre. Por kur jehudët panë aleancën e madhe të arabëve kundër Profetit dhe numrin e vogël të muslimanëve, me mundësitë e tyre të pakta, menduan se ky ishte fundi për Profetin dhe sahabët. Këtë mendim e përforcoi edhe më shumë propaganda e puna që bënë edhe disa prej krerëve të tyre, që çoi në thyerjen e paktit që kishin bërë me Profetin (a.s). Kështu ata u bënë palë me idhujtarët kundër Profetit (a.s). Më pas, kur Allahu i Lartësuar i poshtëroi dhe i ktheu duarbosh idhujtarët, Profeti (a.s) u kthye për të luftuar kundër tyre. Ai i rrethoi dhe u kërkoi të dorëzoheshin. Ata pranuan që të dorëzoheshin, me kusht që të gjykonte për ta Sad ibn Mu'adhi. Por ai gjykoi që të vriteshin burrat luftëtarë nga mesi i tyre, të robëroheshin gratë dhe fëmijët e tyre dhe t'u merreshin pasuritë e tyre. Kështu, Allahu i Madhëruar e plotësoi mirësinë e Tij për besimtarët, duke u dhënë pasuri të shumta dhe duke ua kënaqur sytë, me mposhtjen e armikut të tyre. Tradhtarët u vranë dhe shumë të tjerë u robëruan. Kështu vazhdon Allahu i Madhëruar të tregojë butësinë me robërit e Tij besimtarë. Ai kujdeset për ta në mënyrë të vazhdueshme.

← Ahzab 33:27