34. Sebe · Ajeti 14 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:10–34:14
Davudin e kishte graduar Allahu, duke e bërë pejgamber, duke i dhënë librin Zebur, duke i nënshtruar malet dhe shpezët që së bashku me të i luteshin Zotit duke e pëlqyer zërin e tij, duke I zbutur hekurin dhe duke mësuar për punimin e këmishëve të hekurta për luftë. Sulejmani kishte mrekulli erën me të cilën udhëtonte për një gjysmë dite sapër një muaj udhëtim këmbësor, Zoti kishte mundësuar të zbulojë burimin e bakrit, mandej ia nënshtroi edhe xhinët, të cilët ishin të detyruar të vepronin sipas urdhërit të Sulejmanit, e nuk guxonin të shmangeshin, se Zoti u kishte tërhequr vërejtjen se do t'i dënonte ashpër. Xhinët i punonin çdo gjë Sulejmanit, por ishte karakteristike se me vdekjen e Sulejmanit vërtetohet se xhinët nuk e dinin të fshehtën. Sulejmani vdiq në këmbë duke iu lutur Zotit, e i mbështetur në shkopin e vet për vdekjen e tij nuk diti askush: xhinët e vazhdonin punën e tyre të mundimshme, Sikur ta dinin se Sulejmani kishte vdekur, ata nuk do të vazhdonin atë punë të mundimshme. Sulejmani i vdekur mbeti mbështetur në shkop, deri kur krimbi ia brejti shkopin: ai u thye, e Sulejmani u rrëzua. Shumë falltorë mbështeten në atë se xhinët u sjellin lajme të panjohura, e ky është mashtrim i madh. Këtë e mohon kategorikisht ky ajet i Kur'anit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:14
- “Kur Ne vendosëm që ai të vdiste, askush nuk i njoftoi ata (xhindët) për vdekjen e tij, përveç një krimbi të vogël, që brejti shkopin e tij. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për mënyrën se si vdiq Sulejmani (a.s) dhe se si ua fshehu vdekjen e tij xhindëve, që ishin të nënshtruar në shërbim të tij dhe bënin punë të vështira dhe të mëdha. Kështu, Sulejmani (a.s) qëndroi i mbështetur në shkopin e tij për një kohë shumë të gjatë, gati një vit. 189 Kur krimbi e brejti shkopin, i cili u dobësua e u thye, Sulejmani ra në tokë. Vetëm atëherë xhindët e kuptuan se Sulejmani kishte vdekur para shumë kohësh. Po kështu, njerëzit dhe xhindët u bindën se xhindët nuk dinë gjë prej të fshehtës, sikundër mëtonin dhe përpiqeshin më parë që t’i bindin njerëzit: - “Kështu, vetëm kur ai u rrëzua, e kuptuan qartë xhindët, se sikur ata (xhindët) të dinin të fshehtën, nuk do të kishin vazhduar të qëndronin nën mundimin e rëndë.” - Njerëzit u bindën se xhindët i mashtronin, në lidhje me pretendi - min e tyre se ishin të aftë të zbulonin të fshehtat. Ky ishte një argument i qartë dhe i pakundërshtueshëm: nëse ata do të ishin të aftë të zbulonin gjë prej të fshehtës, do të mund të zbulonin se Sulejmani ki shte vdekur prej kohësh dhe nuk do të ishin të detyruar që të vazhdonin me punët e rënda që kryenin. El Asbag tregon: “Më kanë thënë se krimbi vazhdoi për një vit rresht të brente shkopin, derisa ai shkop u dobësua mjaftueshëm që të thyhej dhe Sulejmani të rrëzohej në tokë. Edhe selefë të tjerë e kanë përmendur një fakt të tillë. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:12–34:14
- Sulejmanit Ne ia nënshtruam erën, me të cilën udhëtimin e një muaji (me mjetet e zakonshme) e bënte për një paradite dhe kthimin nga ai, brenda një pasditeje. Pasi përmendi mirësitë dhe veçoritë që i dhuroi Daudit, Allahu i Lartësuar vijoi që të përmendë mirësitë që i dhuroi birit të Daudit, Sulejmanit (a.s). Allahu i Madhëruar nënshtroi erën, që të ishte nën urdhrat e Sulejmanit: ajo frynte andej nga e urdhëronte Sulejmani (a.s) dhe mbarte Sulejmanin me ushtrinë e tij nga të dëshironte ai. Ata lëviznin shumë shpejt, aq sa distanca që zakonisht bëheshin për muaj të tërë, ai i bënte brenda ditës. Zoti thotë: "Ne bëmë që t'i nënshtrohej era, me të cilën udhëtimin e një muaji (me mjetet e zakonshme) e bënte për një paradite ...". Gjithashtu: "... dhe kthimin brenda një pasditeje." Edhe kthimi pasdite ishte i njëjtë. - Ne bëmë që të rridhte për të një burim bakri (i shkrirë). Dhe ia nënshtruam xhindet që, me urdhrin e Zotit, të punonin sipas dëshirës së tij. Dhe kush largohej prej tyre nga urdhri Ynë, Ne e bënim të shijonte Dënimin e zjarrit përvëlues. - Allahu i Madhëruar i mundësoi të gjente burimet e mineralit të bakrit dhe që prej tij të bënin enë dhe mjete të tjera. Allahu i Madhëruar i nënshtroi atij shejtanët dhe xhindët, të cilët nuk e bënin dysh fjalën e tij. Madje, “...kush largohej prej tyre nga urdhri Ynë, Ne e bënim të shijonte Dënimin e zjarrit përvëlues." - Ata (xhindet) bënin për të gjithçka që ai dëshironte: Tempuj, skulptura, legena të gjera si rezervuare dhe kazanë (gatimi) të mëdhenj e të palëvizshëm. - Ata punonin gjithçka që urdhëronte dhe dëshironte Sulejmani pa e bërë dysh fjalën e tij. Ata ngrinin ndërtesa gjigande, shumë të bukura e të forta. Ata bënin skulptura me pamje kafshësh dhe sendesh të pashembullta, në aspektin e hijeshisë dhe perfeksionit artistik. Gjithashtu, bënin enë të mëdha, që ngjanin si rezervuare, sepse duheshin për të gatuar ushqim. Ata kishin kazanë të mëdhenj, që nuk mund të lëviznin nga vendi. Pasi përmendi mirësitë e Tij mbi ta, Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të ishin mirënjohës për to: - Tregohuni mirënjohës o familje e Daudit! - Këtu bëjnë pjesë Daudi, fëmijët dhe familja e tij, sepse këto ishin mirësi për të gjithë. Shumë nga këto mirësi i gëzonin të gjithë të tjerët. Bëni vepra të mira, si falënderim dhe mirënjohje për atë që Zoti ju ka dhënë.
- Por, pak nga robërit e Mi janë mirënjohës. - Shumica nuk i janë mirënjohës Allahut për mirësitë që u ka dhuruar dhe për të këqijat nga të cilat i ka ruajtur dhe shpëtuar. Mirënjohja është ndjenja e zemrës për mirësitë që Allahu të ka dhuruar duke treguar varfërinë dhe nevojën e madhe që ke për Allahun, si dhe shfrytëzimi i këtyre mirësive në bindje ndaj Allahut. Mirënjohje është, gjithashtu, që të mos i shfrytëzosh mirësitë e Zotit në vepra të këqija dhe në mosbindje ndaj Tij. - Kur Ne vendosëm që ai të vdiste, askush nuk i njoftoi ata (xhindet) për vdekjen e tij, përveç një krimbi të vogël që brejti shkopin e tij. - Shejtanët vazhdonin të punonin për Sulejmanin dhe të përmbushnin çdo urdhër të tij. Ndërkohë, shejtanët i kishin mashtruar njerëzit dhe u kishin thënë se ata e dinin të fshehtën, se dinin të shihnin të ardhmen dhe çdo gjë që ndodh. Por Allahu i Madhëruar deshi që t'ua zbulonte njerëzve gënjeshtrën e shejtanëve në këtë pretendim. Kështu, shejtanët vazhduan të punonin për Sulejmanin kur Allahu vendosi që ta merrte Profetin e Tij. Sulejmani ndërroi jetë dhe qëndronte mbështetur në shkopin e tij. Sa herë kalonin pranë tij dhe e shikonin të mbështetur në shkopin e tij, shejtanët mendonin se ishte ende gjallë dhe e kishin frikë. Ata vazhduan të punonin për një vit rresht, sikurse është thënë. Kështu vazhduan, ndërsa krimbi hante ngadalë shkopin e Sulejmanit. Kur shkopi u thye, Sulejmani u rrëzua. Atëherë shejtanët u përhapën dhe u larguan nga shërbimi i Sulejmanit. Vetëm kështu e kuptuan njerëzit se shejtanët nuk e dinin të fshehtën. - Kështu, vetëm kur ai u rrëzua, e panë xhindet qartë se sikur ata (xhindet) të dinin të fshehtën, nuk do të kishin vazhduar të qëndronin nën mundimin e rëndë. - Ata kurrë nuk do të vazhdonin ta bënin atë punë të vështirë. Nëse do të dinin të fshehtën, atëherë do të dinin edhe për vdekjen e Sulejmanit, që ishin duke e pritur me padurim, që të shpëtonin nga nënshtrimi e vuajtja.