34. Sebe · Ajeti 9 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 34:1–34:9
Pesë kaptina fillojnë me "Elhamdu Lil-Lahi..." Një prej tyre është kjo dhe falënderimi që i i takon Allahut të madhëruar, ka të bëjë edhe me të mirat e kësaj bote, ndërsa falënderim i posaçëm i bëhet në botën tjetër, kur besimtarët e sinqertë gjejnë kënaqësinë që ua dhuron, por falënderimi ndaj Tij në këtë botë është obligim për njerëzit, e falënderimi që do t'i shprehet në botën tjetër është nga gëzimi.
Edhe në këtë kaptinë Muhammedi urdhërohet të betohet në Zotin se do të vijë kijameti, do të ringjallen njerëzit dhe se do të përgjigjen për vepra.
Është menduar se pjesa e imtë e materies është atomi, e këtu, në këtë kaptinë, e gjejmë fjalën e Zotit që iu kumtua Muhammedit para katërmbëdhjetë shekujsh se ka pjesë edhe më të imëta që nuk mund t'i shohë njeriu në asnjë mënyrë, e ka edhe aq të mëdha sa që prapë njeriu nuk mund t'i përfshijë me shikimin e vet. Këtë thënie, tash e ka vërtetuar shkenca. Pra asjnë vepër, fjalë a send, nuk është që nuk ka efektin e vet pozitiv ose negativ, e njeriu do të përgjigjet për të gjitha. E mu këtu qëndron shkaku, pse kriminelët donin të talleshin me Muhammedin, kur ai u shpjegonte se do të ringjallen e do të përgjigjen. Kriminelët nuk mendonin se qiej e tokë janë krijime të Zotit, pra janë të rrethuar prej fuqisë së Tij nga të gjitha anët, e Ai ka fuqi t'i ringjallë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 34:7–34:9
Idhujtarët e shihnin të pamundur ndodhinë e Kijametit, madje talleshin me Profetin e Allahut, kur ai i njoftonte në lidhje me këtë çështje. Allahu i Lartësuar na tregon rreth fjalëve të tyre: - “Ata që nuk besojnë thonë: “A doni t’ju tregojmë një njeri, që do t’ju thotë se, pasi të jeni shpërbërë plotësisht, ju do të krijoheni rishtazi ? A është duke trilluar gënjeshtra kundër Allahut, apo e kanë kapur xhindet? ” - Pasi të jenë tretur dhe shpërbërë tërësisht trupat tuaj, pasi të jeni zhdukur në tokë, vallë, do të riktheheni me një krijim të ri, në një jetë tjetër?! Këtë e thotë ose një njeri që është mësuar që të trillojë të pavërteta rreth Zotit, duke pretenduar se atij po i shpallet diçka e tillë, ose sepse dikush që është i çmendur dhe nuk ka aftësinë për të gjykuar dhe menduar. Por Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këto fjalë, duke u kthyer përgjigje: - “Jo. Por ata që nuk besojnë në jetën e përjetshme janë të dënuar dhe janë në humbje të thellë. ” - Kurrsesi nuk mund të përshkruhet Muhamedi, i zgjedhuri i Zotit, me këto cilësi. Ai është i vërteti, besniku, i sinqerti. Ai është bamirësi, i mençuri dhe besniku i Shpalljes së Zotit, i cili e solli të vërtetën ashtu sikurse Zoti ia shpalli. Ndërsa ata janë mashtruesit, mendjelehtët, që Allahu i Lartësuar i kërcënon duke thënë: “janë të dënuar.” Ata refuzojnë të vërtetën, dhe kjo çon në mënyrë të pashmangshme drejt ndëshkimit. Gjithashtu, ata janë në humbje të thellë, shumë larg të vërtetës në këtë jetë. - “A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë? ” - A nuk e shohin pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar, për të krijuar gjithë këto krijesa madhështore? E nëse e shohin, atëherë përse u duket e pamundur ringjallja e trupave për herë të dytë?! Përse u duket i pavërtetë fakti që Ai dërgoi ndër ta profetë e lajmëtarë, që t’i shpëtojë ata nga humbja ku janë zhytur, t’u mësojë atë që nuk e dinë dhe t’u tregojë rrugën ku duhet të ecin?! - “Po të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të binin copa nga qielli mbi ta.” - Po të dëshironim, Ne do t’i ndëshkonim ata, për shkak të refuzimit të Profetit dhe të Shpalljes së Zotit, duke ua hapur tokën nën këmbët e tyre, ose duke derdhur mbi ta një rrebesh gurësh nga qielli. Por Allahu e vonon ndëshkimin dhe i afatizon ata, sepse Ai është Falës dhe nuk nxitohet në ndëshki - min e atyre që e mohojnë; Ai u jep mundësi të shumta e të vazhdueshme pendimi dhe kthimi. - “Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet i penduar e i bindur. ” - Në këtë afatizim mosndëshkimi për mohi - min e tyre, në këtë falje të Tij, - megjithëse Ai është i Plotpushtetshmi e Madhështori, - ka një fakt, që tregon se ato që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij janë të vërteta. Gjithashtu, ky afatizim duhet të shërbejë si ftesë për t’u kthyer në rrugën e drejtë dhe për të braktisur të kotën, për t’u penduar sinqerisht dhe kthyer në rrugën e mirësisë. Kjo është ftesë për të besuar çdo gjë që Allahu dhe Profeti i Tij ka urdhëruar të
besohet, nxitje për t’iu dorëzuar tërësisht fesë së drejtë dhe të vërtetë dhe për të jetuar e adhuruar Zotin sipas saj.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 34:7–34:9
- Ata që nuk besojnë thonë: “A doni t’ju tregojmë një njeri, që do t’ju thotë se, pasi (të keni vdekur e) të jeni copëtuar plotësisht, ju do të krijoheni rishtazi (për jetën e përjetshme) ? - Duke treguar se kjo është e pamundur, që nuk mund të besohet, dhe duke u tallur, ata thanë: “A doni t’ju tregojmë një njeri, që do t’ju thotë se, pasi (të keni vdekur e) të jeni copëtuar plotësisht, ju do të krijoheni rishtazi (për jetën e përjetshme)?” Me këto fjalë, ata tregojnë edhe një arsye pse ju duket e pamundur dhe e pabesueshme. Ata e kishin fjalën për Profetin e Zotit, Muhamedin (a.s). Sipas tyre, ai kishte sjellë një mesazh shumë të çuditshëm dhe të pabesueshëm. Ata ia tregonin këtë njëri tjetrit në formë çudie dhe talljeje: Si është e mundur që një njeri i logjikshëm të thoshte të tilla fjalë?! Si mund të ringjallemi pasi të jemi tretur e bërë dhé?!
- A është duke trilluar (me vetëdije) gënjeshtra kundër Allahut, apo e kanë kapur xhindet?” Jo. - Mos, vallë, ky njeri që sjell të tilla kumte, ka guximin dhe paturpësinë që të flasë të pavërteta për Allahun apo e kanë pushtuar xhindët? Atëherë, nuk ka pse të çuditemi, sepse i çmenduri dhe i xhindosuri thonë shumë çmendurira dhe gjëra të paqena. Të gjitha këto fjalë ata i thoshin nga inati dhe padrejtësisht, sepse, në fakt, ishin të bindur plotësisht se Muhamedi ishte krijesa më besnike, më i sinqerti, më i logjikshmi dhe më i urti. Pikërisht për shkak se e dinin mirë këtë fakt, ata sakrifikuan aq shumë dhe punuan fort me çdo mënyrë që t'i largonin e pengonin njerëzit nga rruga dhe feja e tij. Nëse do të ishin të bindur se është mashtrues dhe i çmendur, atëherë as që do t'i kishin kushtuar rëndësi, sepse të urtët dhe njerëzit e mençur nuk merren me të çmendurit dhe mashtruesit. Nëse do të ishte i tillë, njerëzit e urtë nuk do t'i hidhnin as sytë e jo më të merreshin me fjalën e tij. Nëse ju, o njerëz, nuk do të ishit të mbushur me padrejtësi dhe inat, do të nxitonit që t'i përgjigjeshit ftesës së tij dhe do të pasonit rrugën e tij, por: "as argumentet dhe as qortimet nuk u bëjnë dobi atyre që nuk besojnë." [Junus 101]. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: - Por, ata që nuk besojnë në jetën e përjetshme janë të dënuar dhe janë në humbje të thellë. - Të tillë janë ata që thonë ato fjalë. Ata nuk besojnë në ahiret. Ata do të jenë:"...të dënuar dhe janë në humbje të thellë." Ata do të jenë në trishtim të madh dhe në humbje shumë të qartë. Ata enden shumë larg së vërtetës. E ku ka humbje dhe largim më të madh nga e vërteta sesa humbja e këtyre njerëzve, që nuk besojnë pushtetin e plotë të Allahut të Lartësuar në ringjalljen e krijesave pas vdekjes dhe të cilët e mohojnë Profetin, që flet në emër të Zotit dhe ka sjellë Shpalljen e Tij?! Këta të mjerë madje tallen me Profetin dhe mesazhet e tij dhe pretendojnë se rruga e tij është një kotësi dhe gënjeshtër. Kështu, të mirën e shohin të keqe dhe udhëzimin në rrugën e drejtë e shohin largim nga e vërteta. - A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë? - Allahu i Madhëruar i udhëzon njerëzit në një argument, që tregon se ringjallja nuk është diçka kaq e largët dhe e pabesueshme, siç pretendojnë. Mjafton që njerëzit të shohin pushtetin e Allahut në qiell dhe në Tokë, për të kuptuar madhështinë dhe fuqinë e Tij për gjithçka që dëshiron. Ky pushtet dhe kjo madhështi i habit dhe lë pa fjalë dijetarët më të mëdhenj. Ata e kuptojnë se krijimi i gjithë kësaj gjithësie me madhështinë e saj dhe ato krijesa të shumta në to është diçka shumë më e madhe sesa thjesht rikrijimi i një njeriu që ka vdekur. Një njeri i logjikshëm që beson dhe dëshmon pushtetin e Allahut për gjithë këto krijesa madhështore, kurrë nuk do të vinte në dyshim pushtetin e Tij për të ringjallur krijesat. Por këta, përsëri e mohojnë ringjalljen, sepse ky është një lajm për të fshehtën dhe deri tani nuk kanë parë gjë me
sytë e tyre. Ky është arsyetimi i tyre. I Lartësuari thotë: - Nëse do të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të binin copa (dënimi) nga qielli mbi ta. - Ai mund t'u zbresë ndonjë dënim nga qielli ose t'i përpijë toka nën këmbët e tyre, sepse Ai është Pronari i qiejve dhe Tokës dhe ato janë nën sundimin e Tij. Nëse Ai do t'i urdhëronte, ato kurrë nuk do ta bënin dysh fjalën e Tij. Për këtë arsye, kini kujdes dhe mos këmbëngulni në mohimin tuaj, sepse kështu do të meritoni më të ashprin ndëshkim. - Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet (tek Allahu) i penduar e i bindur. - Në krijimin e qiejve të Tokës dhe në krijesat e shpërndara në to ka shenja dhe argumente për çdo njeri që do të kthehet tek Zoti dhe t'i përulet Atij. Sa më i përulur dhe i nënshtruar të jetë robi ndaj Zotit, aq më shumë do të përfitojë nga shenjat dhe argumentet e Tij, sepse i penduari dhe i përuluri i përkushtohet Zotit të vet. Të gjitha dëshirat dhe synimet, vullneti dhe ambiciet e tij janë drejtuar për tek Zoti dhe kënaqësia e Tij. Ai i kthehet Zotit për çdo çështje dhe në çdo çast. Kështu, ai është gjithmonë pranë Zotit dhe i vetmi shqetësim dhe qëllim i tij është si ta kënaqë Krijuesin e tij. Për këtë arsye, vështrimi dhe meditimi në krijesat e Zotit është diçka që atij i sjell dobi dhe nuk është thjesht një shikim i pavëmendshëm e i padobishëm.