35. Fatir · Ajeti 28 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 35:15–35:28
Çdo krijesë, a gjallesë, e në mesin e tyre edhe njeriu, kanë nevojë për të mirat e Zotit në çdo çast dhe në çdo gjendje, ndërsa Allahu nuk ka nevojë për krijesa, vetvetiu është i lavdëruar. Nëse Ai dëshiron, i zhduk njerëzit e një kohe dhe sjell të tjerë, sepse është i pavarur.
Në ditën e kijametit secili do të përgjigjet për veprat e veta, askush, e edhe më i afërmi, nuk do të pranojë të bartë përgjegjësinë për mëkatet e tjetrit. Ky është ligj i Allahut.
Krahasimi që bëhet në mes të verbërit dhe syshëndoshit, errësirës e dritës, freskisë e vapës, të gjallëve e të vdekurve, aludon në besimtarin dhe jobesimtarin. Veni re! Errësira vjen në trajtën e shumësit, errësirat-zulumatë, ngase rrugët e gabuara janë të llojllojta, ndërsa drita, e vërteta është një, andaj edhe vjen në numrin njëjës: nurë.
Nuk pati popull që Allahu nuk i dërgoi pejgamber, por shumë popuj nuk u besuan, edhe Muhammedi nuk do të duhej të brengosej aq shumë pse edhe atij nuk i besuan.
Fuqia e Krijuesit dhe mjeshtëria e Tij e përsosur, duket në çdo dukuri në gjithësi, siç është uji që i jep jetë çdo bime e gjallese, e ato mandej janë të ngjyrave e shijeve të ndryshme. Andej, ai ndryshim vërehet edhe në shtresat e tokës - e bardhë, e kuqe, e zezë. Vërehet edhe në gjallesa, në njerëz, në shtëpiake, e këtë fuqi dhe këtë mjeshtëri të Krijuesit e kuptojnë dhe u përulën vetëm njerëzit e dijshëm, të cilët në përpjekjet e tyre për zbulimin e fshehtësive në natyrë, arrijnë ta njohin dhe ta kuptojnë Krijuesin e plotfuqishëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 35:27–35:28
- “A nuk e sheh se si Allahu lëshon shi nga qielli, me të cilin Ne bëjmë që të dalin në dritë prodhime e bimësi të shumta me ngjyra të ndryshme?” - Allahu i Lartësuar na udhëzon që të meditojmë në pushtetin e Tij të plotë, për të krijuar gjëra të ndryshme, të kundërta, edhe pse në bazë të krijimit të të gjithave është vetëm uji, të cilin Ai e lëshon nga qielli. Nëpërmjet tij, Ai nxjerr fruta shumëngjyrëshe: të verdha, të kuqe, jeshile, të bardha etj., bashkë me shijet dhe aromat e tyre të ndryshme, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Në Tokë ka hapësira që që - ndrojnë pranë njëra -tjetrës, ka vreshta dhe fusha të mbjella, ka palma që janë me shu - më degë, por edhe pa të tilla. Të gjitha uji - ten me të njëjtin ujë, por Ne i kemi bërë me shije të veçanta e të dallueshme nga njëra - tjetra. Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që kuptojnë.” [Rad 4]. - “Edhe nëpër male bëri shtresa të bardha e të kuqe dhe me nuanca të ndry - shme.” - Edhe malet i krijoi të ndryshëm në ngjyra dhe në shtresa. Disa male janë të bardhë, disa të kuq etj. - “Ka edhe shtresa shumë të zeza. ” - Ikrime shpjegon se el gerabib janë malet e larta dhe me ngjyrë të zezë. - “Edhe te njerëzit, kafshët dhe bagëtitë ka ngjyra të ndryshme. ” - Po kështu, të ndryshme e të larmishme janë edhe kafshët, njerëzit, bagëtitë dhe çdo lloj gjallese. Prej njerëzve ka që janë shumë të zinj e të tjerë që janë të bardhë, siç ka të tjerë që janë mes këtyre dy ngjyrave apo edhe të tjerë afër të kuqërremtës ose të verdhës. I Lartësuari thotë: “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i Tokës, ndryshimet në gjuhët tuaja dhe në ngjyrat tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëzit e ditur.” [Rum 22]. Po kështu, kafshët janë të larmishme në ngjyrat e tyre. Edhe mes të njëjtit lloj ka dallime në ngjyrat e tyre, madje edhe në të njëjten kafshë mund të gjesh ngjyra të ndryshme. I lartësuar qoftë Allahu, që është më i miri Krijues. - “Nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët. Allahu është Ngadhë -
njimtar dhe Falës i Madh. ” - Ata që i frikësohen vërtet Allahut të Madhëruar janë dijetarët, të cilët i njohin atributet dhe madhështinë e Tij. Sa më e madhe dhe e thellë të jetë njohja e atributeve të të Madhërishmit, të Plotpushtetshmit, të Gjithëditurit, Atij që ka emrat dhe cilësitë më të bukura, më të larta dhe absolute, aq më e madhe është frika, respekti dhe madhërimi në zemrën e robit për Allahun. Hasen el Basriu ka thënë: “I ditur është ai që i frikësohet të Gjithëmëshirshmit fshehtaz, kur nuk e sheh askush veç Zotit, ai i cili shpres on, punon dhe përkushtohet, arrin dhe i përmbush të gjitha ato gjëra që i kërkon Allahu i Madhëruar, ai i cili tregohet asket, i larguar nga gjithçka që Allahu e ka urdhëruar të distancohet”. Pastaj Haseni lexoi fjalën e Allahut “Nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 35:27–35:28
- A nuk e sheh se si Allahu lëshon shi nga qielli? Dhe me të Ne bëjmë që të dalin në dritë prodhime e bimësi të shumta me ngjyra të ndryshme? Edhe nëpër male bëri shtresa të bardha e të kuqe dhe me nuanca të ndryshme ngjyrash. Ka edhe shtresa shumë të zeza. - Allahu i Madhëruar u tregon njerëzve për krijesat kaq të shumta dhe të ndryshme, edhe pse origjina dhe lënda bazë e jetës së tyre është e njëjtë. Edhe pse kanë të njejtën origjinë, ata janë aq të ndryshëm dhe të larmishëm, sa çdokush e dëshmon me sytë e ballit. Allahu i Madhëruar ua tregon këto fakte njerëzve, që ata të shohin dhe të binden për pushtetin e Tij të plotë dhe absolut dhe për urtësinë e Tij të gjerë dhe të pashembullt. Kështu, Allahu i Lartësuar lëshon ujë nga qielli dhe me të i jep jetë bimësisë. Edhe pse toka ku mbijnë është e njëjtë dhe uji është i njëjtë, madje çdo kusht tjetër jetësor është i njejtë, frutat dhe bimët janë të larmishme. Po kështu, edhe malet që Zoti i vendosi si shtylla fiksuese për shtresat e Tokës, i sheh që të jenë të ndryshëm dhe të ndërfutur në njëri tjetrin. Por edhe në të njëjtin mal gjen ngjyra dhe shtresa nga më të ndryshmet. Ai
përmban shtresa të bardha, të verdha të kuqe, si edhe shtresa që janë sterrë të zeza. - Edhe te njerëzit, kafshët dhe bagëtitë ka ngjyra të ndryshme. - Kështu i gjen edhe njerëzit, kafshët e bagëtitë. Ata janë me ngjyra të ndryshme, me cilësi të ndryshme, me zëra të ndryshëm e pamje të ndryshme, që çdokush i dallon. Të tillë janë ata, edhe pse të gjithë vijnë nga e njëjta origjinë, uji. Të gjitha këto ndryshime janë argument i qartë që tregon për vullnetin e Allahut dhe faktin se është ai vullnet që zbatohet në botë. Allahu dëshiron që t'i veçojë disa krijesa me cilësi të caktuara, që nuk i kanë të tjerët. Kështu, Ai i dallon disa me ngjyra e disa me pamjen që i dhuron. Të gjitha tregojnë për pushtetin dhe fuqinë absolute të Allahut, që i solli në ekzistencë dhe krijoi këtë larmishmëri krijesash. Ato tregojnë, gjithashtu, për urtësinë dhe mëshirën e Tij të gjerë, sepse nëpërmjet kësaj larmishmërie, Ai u sjell krijesave mirësi e dobi të pallogaritshme. Kjo dëshmon, gjithashtu, edhe për diturinë e gjerë të Allahut dhe për faktin se Ai ka për t’i ringjallur të gjithë ata që janë nëpër varre. Por ata që janë të pavëmendshëm dhe të pakujdesshëm, nuk munden që të kuptojnë dhe të shohin të vërtetën. Në fakt, të vetmit që përfitojnë nga këto fakte janë ata që i druhen madhështisë dhe pushtetit të Zotit. Këta, duke medituar me kujdes, arrijnë të shohin urtësitë që fshihen në krijimin e Allahut. - Nga robërit e Tij Allahut i frikësohen vetëm ata që kanë dituri. - Ai që është më i ditur rreth Allahut, ka për të qenë edhe më i respektueshëm dhe i druajtur prej Tij. Frika dhe dituria rreth Zotit bën që njeriu të ruhet nga gjynahet dhe të përgatitet mirë për takimin me Atë. Ky ajet është argument që tregon për vlerën e lartë të diturisë. Dituria të mundëson drojën nga Zoti. Ata që i frikësohen Allahut janë më të nderuarit, që Allahu ka për t'i lartësuar dhe shpërblyer, sikurse thotë në një ajet tjetër kuranor: "Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira janë krijesat më të mira. Shpërblimi për ta është te Zoti i tyre, në Xhenetet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Atje do të jenë të përjetshëm. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është për ata që i druhen Zotit të tyre. [Bejine 8]. - Allahu është Ngadhënjimtar dhe Falës i Madh. - Ai ëshë Ngadhënjimtari, i Cili është Absolut në krenarinë, madhështinë dhe fuqinë e Tij. Tregues i forcës, fuqisë e krenarisë së Tij janë edhe këto krijesa të ndryshme dhe të larmishme, që Ai ka krijuar. Ai është edhe El Gaffar – domethënë, Falës i Madh për gjynahet e atyre që pendohen sinqerisht tek Ai.