35. Fatir · Ajeti 45 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 35:29–35:45
Ata që e lexojnë Kur'anin, e falin namazin dhe japin një pjesë të pasurisë për në rrugën e Zotit, atyre përveç shpërblimit të merituar, Zoti u dhuron edhe më shumë nga mëshira e vet, pse Ai është që edhe falë gabimet edhe është mirënjohës. Kur'anin që ta shpallëm ty Muhammed, është një e vërtetë nga Zoti yt, e jo shpikje jotja, e popullit më të zgjedhur, ymetit të Muhammedit ia lamë në trashëgim që të veprojë sipas tij deri në ditën e kijametit, mirëpo, prej tyre do të ketë që e lexojnë, por nuk veprojnë, e të tillët dëmtojnë veten - dhalimun linefsihi. Disa të tjerë bëjnë punë të mira dhe në shumicën e rasteve veprojnë sipas tij, por në disa raste lënë mangu, të tillët janë) të mesëm - muktesidun. E prej tyre do të ketë që bëjnë gara në punë të mira, e ata janë fituesit - Sabikun fil hajratë.
Pasi të vendosen të mirët në xhennete, të fillojnë t'i gëzojnë të mirat e tij, e falënderojnë Allahun në shenjë gëzimi për atë vendosje të këndshme, pa lodhje e pa brenga.
Ata që refuzuan mësimet e Zotit, i kap zjarri i xhehenemit, por nuk i mbyt, sepse ashtu rehatohen, e as nuk u lehtësohet ndëshkimi, e ata, kuptohet si gjë normale, do të thërrasin Zotin që t'i kthejë edhe njëherë në dynja e të bëjnë vepra të mira, por marrin përgjegjën: Po Ne u dhamë mjaftë jetë në dynja dhe patët mundësi të mendonit, e ju nuk menduat, tash përjetonie dënimin.. Nuk ka send që mund të fshihet prej Zotit, Ai i di edhe qëllimet e njerëzve, Ai solli popull pas populli në këtë jetë, s mosbesimi i atyre që refuzojnë, është e keqja e tyre, pse janë të larguar dhe të dëshpëruar prej mëshirës së Zotit.
E - Për idhujt që i adhuruan mushrikët, nuk kanë kurrfarë fakti por duke e mashtruar njëri-tjetrin, e nuk menduan për madhërinë e Allahut që vetëm Ai komandon me qiej e tokë, e askush tjetër.
Para se t'u vinte pejgamberi dhe para se të shpallej Kur'ani, idhujtarët kurejshitë betoheshin në Allahun se nëse do t'u vijë ndonjë pejgamber, ata do të bëheshin më të mirë se sa jehuditë ose të krishterët, të cilët devijuan mësimet e pejgamberëve të tyre, e kur u erdhi, ata edhe më shumë e kundërshtuan, duke e mbajtur veten lart dhe i bënë shumë dredhi, por dredhia i goditi vetë ata. tillë është ligji i Zotit, ai as nuk ndryshon, as nuk lakon.
Allahu është shumë mëshirues, andaj nuk ndërmerr masa ndëshkuese. Duke u bazuar në vepra të këqia të njerëzve, u jep afat që të përmirësohen, të pendohen, pse Ai ka në dorë, e në afatin e caktuar bën të veten, por është shumë i kujdesshëm ndaj robve të vet.
Me ndihmën e Zotit, Përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures "Fatir". Lavdëruar qoftë Allahu i madhërishëm!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 35:44–35:45
- “A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë e të shohin se si qe fundi i atyre që ishin më parë?” - Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ ,dhe i thotë: “Thuaju mohuesve të Shpalljes që solle nga Zoti yt, të cilët nuk besojnë në vërtetësinë tënde si Profet: Shëtisni nëpër tokë dhe shihni se si ishte përfundimi i atyre që i morën për gënjeshtarë profetët e dërguar nga Zoti ! Shikoni se si Zoti i shkatërroi dhe shfarosi ata ! Shikoni viset e tyre të shndërruara në gërmadha! - “Ata ishin më të fuqishëm se këta. Allahut kurrë nuk mund t'i shmanget
asgjë në qiej dhe as në tokë ...” - Ata humbën mirësitë që gëzonin, edhe pse kishin shumë fëmijë, pasuri të mëdha, ushtri dhe mbështetës të fuqishëm. Të gjitha këto ishin të pavlefshme dhe nuk u sollën asnjë dobi, sepse nuk mundën që t’i mbronin nga ndëshkimi i Allahut. - “Ai është i Gjithëditur, i Gjithëfuqi - shëm.” - Ai është i Gjithëditur për të gjitha qeniet që ekzistojnë dhe është i pushtetshëm për gjithçka. - “Nëse Allahu do t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë. ” - Sikur Allahu t’i merrte dhe t’i ndëshkonte të gjithë sipas gjynaheve të tyre, do t’i shkatërronte të gjithë banorët e Tokës dhe gjithçka që ata zotërojnë, si kafshë, prona, bereqet etj. Ndërsa Seid Ibn Xhubejri dhe Sudiu e shpjegojnë kështu këtë ajet: “Do - methënë, nuk do t’u zbriste asnjë pikë uji, dhe kështu do të vdisnin të gjitha krijesat.” - “Por Ai i lë ata deri në afatin e caktuar.” - Allahu i afatizon deri në Ditën e Kijametit, kur do t’i marrë në llogari dhe do të shpërblejë gjithësecilin sipas meritave. - “Kur të vijë afati i tyre, (le ta dinë se) Allahu shikon gjithçka nga robërit e Vet.” - Allahu do t’i japë çdokujt hakun që i takon. Ky është përfundim i shkurtesës së tefsirit të sures Fatir. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë që na dhuron. Ai i jep sukses dhe ia prin mbarë atij që Ai dëshiron, vetëm tek Ai mbështetemi dhe e kemi shpresën për ndihmë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 35:44–35:45
- A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë e të shohin se si qe fundi i atyre që ishin më parë? Ata ishin më të fuqishëm se këta (të sotmit). - Allahu i Lartësuar na nxit që të udhëtojmë nëpër Tokë me zemrat dhe trupin tonë, me qëllimin që të nxjerrim mësime e jo thjesht për t'u sorollatur dhe për parë botën me sy. Ai na nxit që të shohim dhe meditojmë për përfundimin e brezave të parë, të cilët refuzuan të besonin dhe ndiqnin profetët e dërguar nga Zoti dhe shpalljet e sjella prej Tij. Ata kishin edhe më shumë pasuri, pasardhës dhe ushtri. Ata e populluan tokën dhe ndërtuan më shumë sesa këta të sotmit. Por kur erdhi dënimi i Zotit, atyre nuk u vleu aspak forca e tyre. Asnjë dobi nuk u bëri tek Allahu pasuria dhe pasardhësit e shumtë. Mbi ta u përmbush dëshira dhe caktimi i Zotit dhe u zbatua ligji i Tij. - Allahut kurrë nuk mund t'i shmanget asgjë në qiej dhe as në tokë. - E si mund të ndodhë kjo, kur Allahu është Absolut në diturinë, pushtetin dhe fuqinë e Tij?! - Ai është i Gjithëditur, i Gjithëfuqishëm. - Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon madhështinë e faljes dhe mëshirës së Tij dhe për afatizimin që u ofron atyre që bëjnë padrejtësi e krime të mëdha. Ai thotë: - Nëse Allahu do t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë. - Dënimi do të ishte gjithëpërfshirës, që nuk do të linte jashtë as edhe kafshët, të cilat janë jo të përgjegjshme ligjërisht. Por Allahu i Lartësuar është i Mëshirshëm dhe i Butë. Për këtë arsye: - Por, Ai i lë ata deri në afatin e caktuar. - Ai i afatizon, por kurrë nuk i harron dhe nuk i lë pa marrë në përgjegjësi. - Por kur të vijë afati i tyre, (le ta dinë se) Allahu Shikon gjithçka nga robërit e vet. - Dituria e Tij për veprat e tyre është e plotë, prandaj do t'i shpërblejë për çdo të mirë dhe të keqe që kanë bërë. Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Fatir. I gjithë falënderimi dhe lavdërimet i qofshin Allahut, Zotit të botëve!