36. Ja Sin · Ajeti 47 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:33–36:47

Në këto ajete Allahu atyre që nuk besonin u vargon disa fakte që dokumentojnë për fuqinë e Zotit Krijues, kuptohet për njerëzit që kanë logjikë. Pëmend se si i jep jetë tokës me anën e i shiut, si bijnë bimët, krijohen kopshte që njerëzit ushqehen prej tyre, se si largon dritën e sjell I terrin, se si dielli u mundëson njerëzve të dinë kur është ditë e kur natë, ndërsa hëna me ato ndryshimet e saj, u mundëson të numërojnë muajt, dhe se si as nata e as dita nuk janë njëra para tjetrës, por kur ka natë ka edhe ditë dhe kur ka ditë ka edhe natë, ngase njëra pjesë e tokës së rrumbullakët është natë e tjetra ditë. Kështu ka qenë prej fillimit dhe kështu do të jetë. Çdo trup qiellor kalon nëpër ato rrugët e veta të caktuara prej Zotit.

Njerëzit do të duhej marrë mësim e përvojë prej belave që i goditën ata që ishin më herët dhe duhet pasur frikë atyre që mund t'u vijnë më vonë, e posaçërisht ditës së gjykimit. Por njerëzit, le që nuk përfillën argumentet e Zotit, por u tallën me këshillat e Tij kur besimtarëve u thoshin: pse ta ushqejnë atë që Zoti nuk e ushqen"

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:45–36:47

Allahu i Lartësuar na tregon për vazhdimë - sinë dhe këmbënguljen e idhujtarëve në refuzimin e të vërtetës, për verbërinë e tyre për të mos vërejtur kotësirat ku janë zhytur dhe rrezikun që ato bartin me vete. Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: - “Atyre u thuhet: “Kini frikë atë që është para jush dhe atë që do të vijë pas jush, që të mëshiroheni”. - Atyre u thuhet që të largohen nga poshtërsitë e gjynahet e kryera më përpara dhe të frikësohen nga ndëshkimi i Allahut, që i pret në Ditën e Kijametit, me qëllimin që, siç thotë Allahu: “... që të mëshiroheni”, pra, me shpresë që t’ju falen ato gabime, nëse tregohen të kujdesshëm, kërkojnë falje dhe ruhen më pas nga gjynahet. Nëse ata ruhen dhe heqin dorë nga gjynahet, atëherë shpresohet që të mëshirohen dhe të jenë të sigurt nga ndëshkimi i Allahut. Por, me gjithë këtë ftesë për pendim dhe për t’u ruajtur nga gjynahet, ata kthejnë shpinën, siç thotë Allahu i Lartësuar dhe Krenar: - “Por sa herë që u vjen atyre ndonjë argument nga argumentet e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën.” - Sa herë që u vjen ndonjë shenjë dhe argument, që tregon për

besnikërinë e profetëve dhe vërtetësinë e shpalljeve të sjella prej tyre nga Zoti, ata nuk i pranojnë. Këto mrekulli dhe shenja, këto mesazhe dhe mësime të vyera nuk u vlejnë dhe nuk u sjellin asnjë dobi atyre që i refuzojnë dhe nuk duan të përndriten e gjejnë shpëtimin përmes tyre. - “Dhe kur u thuhet: “Jepni nga ajo, me të cilën Allahu ju begatoi!" - Kur atyre u thuhet të shpenzojnë nga mirësitë që u ka dhënë Allahu, për t’ua dhënë të varfërve dhe muslimanëve nevojtarë, atëherë: - “... mohuesit u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t'i ushqejmë ata, të cilët, nëse do të donte Allahu, do t'i kishte ushqyer?” - Mohuesit u drejtohen besimtarëve, të cilët i këshillojnë që të shpenzojnë për të ndihmuar besimtarët nevojtarë dhe, duke treguar kokëfortësi, thonë: “Pse, ne do t'i ushqejmë ata, të cilët, nëse do të donte Allahu, do t'i kishte ushqyer Vetë?” Pra, ne nuk kemi përse t’u japim atyre. Madje duke mos u dhënë, ne miratojmë pikërisht dëshirën e vetë Zotit, që ka dashur t’i lërë të varfër. - “Ju jeni në një humbje të qartë.” - Jeni pikërisht ju, që po na urdhëroni të shpenzojmë pasurinë tonë dhe t’u japim atyre që Zoti i ka lënë të varfër, ata që po gaboni dhe që jeni në humbje të qartë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:41–36:50

- Argument për ta është edhe ajo që Ne i bartëm pasardhësit e tyre (gjatë përmbytjes) në anijen e ngarkuar (të Nuhut). - Ky është një fakt shumë i fortë, që tregon se Allahu i Lartësuar është i vetmi që meriton që robi ta adhurojë me dashuri dhe duke iu nënshtruar e bindur tërësisht, sepse Ai është i vetmi që ka në dorë mirësitë dhe kujdeset për të. Ai është i vetmi që të ruan nga ligësitë. Ndër mirësitë që Ai përmend është: "Ne i bartëm pasardhësit e tyre (gjatë përmbytjes) në anijen e ngarkuar (të Nuhut)." Shumë nga mufesirët kanë thënë se këtu flitet për prindërit dhe të parët e tyre, edhe pse janë përmendur "pasardhësit", sepse ky Kur'an iu drejtohet popullit të Muhamedit (a.s.), të cilëve Kur'ani iu drejtua fillimisht. - Dhe Ne kemi krijuar për ta (mjete) të ngjashme me të, me të cilat udhëtojnë. - Për njerëzinë që do të vijnë më pas, Ne do të krijojmë të tjera mjete, të ngjashme me ato (anijet), që ata të hipin. Kur përmendi mirësinë që u bëri duke i mbartur në anije, Allahu përmendi se ajo ishte mirësi për pasardhësit, sepse mirësia për paraardhësit është mirësi edhe për pasardhësit, të cilëve Ai do t'u mundësojë mjete të tjera të ngjashme me ato të paraardhësve, që ata të udhëtojnë e ngarkojnë mallrat e tyre. Por ka mundësi që me fjalën "pasardhësit" të jetë pasur për qëllim "lloji njerëzor" ose "njerëzimi". Në këtë rast, kuptimi do të ishte: "Ne i bartëm pasardhësit e tyre (pra të njerëzimit) në anijen e ngarkuar (të Nuhut)." Kështu nuk do të ishte e nevojshme që të nënkuptonim "paraardhësit", siç u përmend më sipër. Allahu i Madhëruar u drejtohet atyre njerëzve që iu drejtua ky Kur'an në fillim, që të kujtojnë mirësinë e Tij kur e shpëtoi llojin e tyre duke i mbartur në anije. Ai e dinte mirë se shumë shenja më të mëdha do t'u shfaqeshin njerëzve edhe në kohët më pas, kur Ai t'u mësonte njerëzve të ndërtonin mjete të tjera për lundrim, fluturim e për lëvizje në tokë. Për këtë arsye, në fillim tha: "Argument për ta është edhe se Ne i bartëm pasardhësit e tyre (të njerëzimit) në anijen e ngarkuar (të Nuhut)." Le të shërbejnë si shenja madhështore për ju, këto anije të mbushura plot me njerëz dhe mallra, të cilat Allahu i ruan nga mbytja. - Po të donim, Ne mund t'i përmbytnim ata dhe askush nuk do t'i dëgjonte kur të kërkonin ndihmë dhe as nuk do të mund të shpëtonin, - Ai u kujton pushtetin e Tij dhe faktin se Ai edhe mund të bëjë që ata të mbyten dhe askush nuk do të mund t'i ndihmojë e shpëtojë apo t'ua largojë fatkeqësinë dhe as ata vetë nuk do të mund të shpëtojnë. - Përveçse me Mëshirën Tonë, për t'i lënë të jetonin deri në një kohë të caktuar. - Nëse ata nuk mbyten, kjo është nga mirësia dhe butësia e Zotit, sepse Ai po i lë që vazhdojnë jetën deri në afatin e caktuar prej

Tij, ndoshta ata mund të kthejnë rrugë dhe të besojnë e rregullojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin. - Dhe kur atyre u thuhet: “Kijeni frikë atë që është para jush dhe atë që do të vijë pas jush, që të mëshiroheni (ata nuk dëgjojnë). - Kur ata këshillohen që të ruhen dhe të kenë frikë nga ajo që i pret më pas në jetën e varrit, në ahiret, por edhe nga ndëshkimet e Zotit në këtë dynja, me shpresë që të mëshirohen, ata i kthejnë shpinën kësaj këshille e ftese dhe as që përfitojnë gjë nga ajo. Ata nuk e pranojnë këshillën, edhe sikur t'u sjellësh çdo lloj shenje. - Sa herë që u vjen atyre ndonjë argument nga argumentet e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën. - Shiko me kujdes se si i atribuohen ato shenja Zotit, për të treguar se ato janë argumente dhe shenja të plota, të qarta dhe të pakundërshtueshme. Nuk ka më të mëdha dhe më të qarta se shenjat dhe argumentet e Allahut të Madhëruar, dhe Ai gjithmonë u ka sjellë njerëzve të tilla shenja. Ai gjithmonë kujdeset për robërit dhe ndër aspektet më të rëndësishme të kujdesit të Tij për ta është pikërisht dërgimi në mënyrë të vazhdueshme i këtyre shenjave dhe argumenteve, nëpërmjet të cilave ata të mund të mësojnë dhe arrijnë atë që u sjell dobi në fenë dhe dynjanë e tyre. - Dhe kur u thuhet: “Jepni nga ajo, me të cilën Allahu ju begatoi!" mohuesit (e besimit) u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t'i ushqejmë ata, të cilët, nëse do të donte Allahu, do t'i kishte ushqyer (Vetë)? Ju jeni në një humbje të qartë.”. - Jepni për hir të Allahut nga ajo pasuri që Ai ju ka dhënë dhe kujtoni se, nëse Ai do të dëshironte, edhe mund t'ju privonte prej tij. Kur atyre u thuhej që të shpenzonin nga ajo pasuri, mohuesit (e besimit) u thoshin besimtarëve: “Pse, ne do t'i ushqejmë ata, të cilët, nëse do të donte Allahu, do t'i kishte ushqyer (Vetë)" Kështu ata e refuzuan urdhërin e Zotit, duke përdorur padrejtësisht si argument faktin se kjo na qenkësh dëshira e Zotit. Sipas tyre, meqë Zoti dëshiroi t'i lerë të varfër, as ata nuk duhej që t'u jepnin atyre. Madje, ata thoshin më shumë se kaq: "Ju jeni në një humbje të qartë. Ju, o besimtarë, që na urdhëroni t'u japim të varfërve, jeni shumë të gabuar.” Kjo tregon për injorancën dhe padrejtësinë e tyre të pashembullt. Dëshira dhe caktimi i Zotit nuk mund të shërbejnë kurrsesi si justifikim për të padrejtin dhe gjynahqarin. Është e vërtetë se ajo që dëshiron Zoti të jetë është dhe ajo që Ai dëshiron të mos jetë, ajo nuk është, por, po ashtu është e vërtetë se Allahu e ka pajisur njeriun me forcë të mjaftueshme që të ketë të gjitha mundësitë të kryejë urdhëresat dhe të mund t'i largohet ndalesave të Tij. Kështu, nëse njerëzit nuk përmbushin urdhëresat e Zotit, ky është një veprim me zgjedhjen e tyre të lirë, që askush nuk i detyron apo i imponon që ta kryejnë. Pastaj këta të mjerë, duke treguar se nuk e besojnë ringjalljen dhe e shohin si diçka të largët, thanë: - Dhe thonë: “Kur do të përmbushet ky premtim, nëse ajo që thoni është e vërtetë?” - Allahu i Madhëruar u tregon se ajo mund të jetë afër, prandaj të mos e shohim si larg. Për këtë arsye, u thotë: - Ata nuk kanë për të pritur gjë tjetër veçse një zë të fuqishëm që do t'i rrëmbejë ata, kur janë duke u zënë njëri me tjetrin. - Ajo është fryrja e Bririt, e cila do t'i përfshijë ata "...kur janë duke u zënë njëri me tjetrin.". Ajo do t'i përfshijë kur ata të jenë fare të pavëmendshëm dhe duke polemizuar mes njëri tjetrit. - Dhe nuk do të mund të lënë as porosi e as nuk do të mund të kthehen në familjet e tyre. - Kur ata të zhyten në pakujdesi, do të jenë të papërgatitur dhe as nuk do t'u jepet kohë për të lënë asnjë porosi, as të madhe, as të vogël dhe as do të mund të kthehen tek familja e vet.

← Ja Sin 36:47