36. Ja Sin · Ajeti 68 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 36:48–36:68

Idhujtarët, përveç që nuk besonin bënin tallje e thoshin kur do të vijë kijameti. Zoti u tha se do t'ju vijë papritmas dhe shpejt sa nuk do të kenë kohë as t'i lënë dikujt ndonjë amanet, e as ta shohin familjen e tyre. Pastaj do t'i fryhet Surit, e ju shpejt do të paraqiteni te Unë, por do ta mjeroni veten pse nuk mbetët në varreza. E ky është ai premtimi që talleshit. Xhennetlinjtë janë në vendet e tyre të këndshme, kënaqen me të mirat e tij, por kënaqësinë më të madhe do ta përjetojnë kur Zoti Mëshirues u prezentohet dhe u jep selam. Pejgamberi ka thënë: "Duke qenë xhennetlinjtë të preokupuar më kënaqësitë e xhennetit, u paraqitet një dritë, ngrisin kokat, kur qe, Zoti i madhërishëm u thotë: Es Selamu alejkum, o xhennetlinj, Ai i shikon ata dhe ata e shikojnë Atë, nuk u shkojnë sytë tjetërkah derisa të largohet prej tyre, por mbetet drita e Tij, gëzimi ndaj Tij në vendin e tyre.

Atë ditë mëkatarëve u thuhet veçohuni prej besimtarëve, pse ju e dëgjuat shejtanin, edhe pse u pata porositur dhe treguar se ai është armik i juaj, se ka humbur shumë të tjerë më parë, u thashë se e vetmja rrugë e shpëtimit është njohja dhe adhurimi ndaj Meje. Tash pra, shijoni dënimin. Gjymtyrët tuaja nuk janë tash nën sundimin tuaj, Ne komandojmë me to, na flasin duart, na dëshmojnë këmbët, e ju vetëm do të heshtni. Ne u dhamë të gjitha gjymtyrët e shëndosha, por ju i keqpërdorët. Ne kemi pasur mundësi t'ju bëjmë të gjymtë, të verbër, t'ju japim të jetoni shumë, por ju kthejmë në atë krijimin e parë, ju bëjmë sërish fëmijë. Kjo është fuqia Jonë të cilën është dashur ta kuptoni!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 36:68–36:70

- “Nëse dikë e bëjmë të jetojë gjatë, Ne e kthejmë pas në dobësinë e tij. ” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth bijve të Ademit dhe natyrës së tyre. Ai na tregon se sa më shumë të jetojë njeriu në këtë dynja, aq më shumë dobësohet, pas fuqisë që Zoti i jep në kohën e rinisë. Ai bëhet i dobët, pasi ka qenë dikur i fuqishëm, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “ Është Allahu Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, dhe pas asaj dobësie, ju jep fuqi dhe pas fuqisë, Ai sjell dobësi e thinja në kokë (pleqëri). Ai krijon siç dëshiron Ai. Ai është i Gjithëdi - turi, i Plotpushtetshmi.” [Rum 54]. Ose: “...

Pastaj Ne ju nxjerrim si foshnja (pastaj ju japim jetë), në mënyrë që të arrini moshën e pjekurisë. Ka prej jush që vdesin herët, e disa të tjerë jetojnë deri në pleqëri të thellë, aq sa të mos dijnë asgjë nga dija që kanë pasur.” [Haxh 5]. Qëllimi në këtë ajet, - dhe Allahu e di më mirë, - është që të tregojë realitetin e jetës në këtë dynja, të na tregojë se kjo jetë shumë shpejt do të përfundojë. Dynjaja nuk është vendqëndrimi i përher - shëm dhe as vendi ku njeriu mund të gjejë prehjen, qetësinë dhe lumturinë, prandaj Allahu i Lartësuar dhe Krenar thotë: - “A nuk mendojnë ata për këtë? ” - A nuk e mendojnë se si ishin fillesat e krijimit të tyre? A nuk e mendojnë se si transformo - hen gjatë fazave të jetës, derisa u dalin thinjat dhe vjen pleqëria e thellë? Nëse do të meditonin për këto faza nëpër të cilat kalon njeriu, do të bindeshin se nuk janë krijuar që të jetojnë përjetësisht në këtë dynja dhe të gjejnë prehje në të, por janë krijuar për një tjetër vend dhe për një jetë, nga e cila nuk do të ketë kurrë largim. Ata duhet ta dinë se ajo është një rrugë që askush nuk mund t’i shmanget, e cila është rruga drejt ahiretit. - “Ne nuk i kemi mësuar poezinë atij ...” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai nuk i mësoi poezinë të Dërguarit ﷺ. - ...“ dhe ajo as nuk është për të. ” - Domethënë, nuk është aspak në natyrën e tij. Ai as nuk ia thotë për poezi dhe as që e dëshiron atë. Ai është larg kësaj prirjeje. Është përcjellë se Profeti ﷺ nuk dinte qoftë edhe një varg të vetëm të rregullt. Edhe nëse përpiqej të thoshte ndonjë varg, nuk e plotësonte ose e ngatërronte atë. Bejhakiu shënon në Ed-Delail, se: 2231. Profeti i Allahut i tha Abas Ibn Merdasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Ti je ai që e ke thënë këtë vjershë”, dhe tha fundin e vargut: “... mes Akrait dhe Ujejnes .” Abas Ibn Mirdasi e korrigjoi, duke thënë se, në fakt, vargu përfundon: “... mes Ujejnes dhe Akrait.”. Dhe Profeti i tha: “Epo njëlloj është në kuptim ...” (Paqja dhe bekimet e Allahut qof shin mbi të!). Gjithsesi, Allahu është më i ditur! El Um eui shënon në librin “El Megazi ” se: 2232. Profeti i Allahut, duke ecur mes të vrarëve në luftën e Bedrit, nisi të recitonte pjesën e parë të një vjershe, por Sidiku Ebu Bekër, duke e plotësuar, tha “ ... min rixhalin eizze ”. Ky ishte një varg nga vjershat e gjata të disa poetëve arabë, që nxiste trimërinë dhe guximin në luftë. Seid Ibn Ebu Uruete sjell hadithin nga Katadja, se: 2233. “... kur Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është pyetur nëse ka recituar apo jo Profeti ﷺ ndonjë varg poezie, ka thënë: “Vjershat ishin fjalët më të padëshiruara për të. Sidoqoftë, nëse ndodhte ndonjë herë të thoshte ndonjë strofë nga të Benu Kajsi, fillimin e strofës e thoshte në fund dhe fundin e saj e thoshte në fillim, dhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) shpesh e korrigjonte dhe i thoshte: “Nuk është kështu, o i Dërguari i Allahut”. Ndërsa Profeti i Allahut i thoshte: “Për Zotin, unë nuk jam poet dhe nuk më takon të jem i tillë!” Këtë hadith e sjellin Ibn Ebu Hatimi dhe Ibn Xheriri dhe teksti në fjalë është i këtij të fundit. Gjatë luftës së Hunejnit, ai tha disa fjalë, por jo me qëllimin për të bërë poezi, por qëlloi që ato u renditën me rimë. Kështu, hipur mbi mushkën e tij dhe duke ecur përpara drejt armikut, ai thoshte: 2234. “Ene Nebijjun, lâ kedhib / Ene Ibn Abdul Muttalib (Jam Profet e jo mashtrim/ Unë jam biri i Abdul Mutalibit.] Gjithashtu, në dy Sahih-ët shënohet rrëfimi nga Xhundub Ibn Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili tregon se Profetit ﷺ , në një prej ekspeditave luftarake, iu përgjak gishti dhe tha: 2235. “A nuk je veçse një gisht, gjakosur / në rrugën e Allahut plagosur?!” Por njerëzit thanë se edhe këto fjalë, që kanë një farë rime, erdhën ashtu rastësisht me rimë, dhe jo me qëllimin për të bërë vjershë. Pra, ai nuk e ka mësuar poezinë dhe nuk i takonte atij që të ishte vjershëtor ose poet. Allahu i Lartësuar i mësoi atij Kuranin madhështor, të cilit nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit. Kurani nuk është poezi, sikundër pretendonin një grup injorantësh kurejshë, dhe nuk është as fall,

as fjalë e trilluar apo magji, e cila ndikon si magjitë që bëjnë magjistaret. Ebu Daudi shënon se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: 2236. “Më mirë t’ju mbushet gjoksi me qelb, sesa me poezi.”. Vetëm Ebu Daudi e ka sjellë këtë version, me isnadin sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, edhe pse tek ata nuk e gjen. Sidoqoftë, ka poezi të cilat janë të lejuara dhe që janë përgjigje e fortë kundrejt idhujtarëve dhe poshtërim i tyre. Të tilla poezi janë të ngjashme me ato të poetëve muslimanë, si Hasan Ibn Thabit, Keab Ibn Malik, Abdullah Ibn Rauaha dhe të tjerë, - Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të gjithë! Gjithashtu, ka poezi që janë të mbushura me urtësi dhe këshilla të vyera, që ndikojnë në zemër dhe që nxisin për moral dhe virtyte të larta. Të tilla janë, për shembull, disa poezi që vijnë nga një grup poetësh të kohës para Islamit, siç ishte Umeje Ibn Ebu Salti, për të cilin Profeti i Allahut ka thënë: 2237. “Poezia e tij ka besuar, por zemra e tij ka mohuar.” Ebu Daudi sjell hadithin nga Ubej Ibn Keabi, Burejde Ibn Husajbi dhe Abdullah Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2238. “Vërtet gojëtaria ka një forcë magjepsëse dhe shumë poezi shprehin urtësi të mëdha.” Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk i kemi mësuar poezi atij dhe ajo as nuk është për të.” Pra, poezia nuk është e përshtatshme për Profetin ﷺ. - “Ky (Libër) është veçse një mesazh dhe Kuran i qartë ...” - Kjo që Ne i kemi shpallur atij nuk është poezi, por është veçse një përkujtim dhe Kuran i qartë. Ai është i shtjelluar qartësisht, për të gjithë ata që meditojnë thellë në ajetet e tij. - “... për të paralajmëruar këdo që është i gjallë ...” - Kurani shërben si përkujtues dhe udhëzues drejt së vërtetës, për çdo të gjallë që jeton në faqen e Tokës. Kjo i ngjan ajetit kuranor: “Mua më është shpallur ky Kuran, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. ...” [Enam 190]. Ose: “... Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar. Prandaj ti kurrsesi mos dysho në të! Ai është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd, e megjithatë, shumë prej njerëzve nuk besojnë.” [Hud 17]. Pa dyshim, ata që përfitojnë vërtet nga kumtet dhe mesazhet e Kuranit, që e gjejnë rrugën dhe forcën për të ecur në të, janë ata që kanë zemra të gjalla dhe mendje të ndriçuara. - “... dhe që të përmbushet fjala e Tij për jobesimtarët.” - Ai është mëshirë për besimtarët dhe argument për mohuesit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 36:68

- Nëse dikë e bëjmë të jetojë gjatë, Ne e kthejmë pas (nga forca) në dobësinë e tij. -Nëse dikush nga bijtë e Ademit jeton gjatë, Allahu e bën që ai të rikthehet në gjendjen e fillimit, një gjendje kjo e dobët fizikisht e mendërisht. - A nuk mendojnë ata për këtë? - A nuk logjikojnë dhe të kuptojnë se biri i Ademit është i dobët dhe i mangët nga çdo aspekt? Le të shërbejë kjo që njeriu të logjikojë dhe t'i përdorë forcat e tij në bindje ndaj Zotit dhe në dobi të dynjasë dhe ahiretit të tij.

← Ja Sin 36:68