37. Safat · Ajeti 182

سورة الصّافّات
Përkthimi Sherif Ahmeti
182

وَٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ

Dhe falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të gjithësisë!*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Pas rrëfimit për pejgamberët, dhe për ndëshkimet që përjetuan popujt e padëgjueshëm, përshkruhet qëndrimi i idhujtarëve mekas, të cilët shpifnin trillime, se gjoja engjëjt janë bija të Zotit, se Zoti ka fëmijë, se në mes Zotit dhe engjëjve (ose xhinëve) ekziston një lloj lidhmërie farefisnore, ose lidhmëri miqësore. Zoti xh. sh. përmes Kuranit sjell argumente bindëse, të cilat edhe në mënyrë logjike mposhtin thëniet e trilluara të idhujtarëve. Së pari ata thonin se engjëjt janë femra, e Zoti ju thotë se ju nuk ishit prezentë kur Unë i krijova engjëjt, prandaj ju nuk dini asgjë, vetëm se shpifni. Ju shpifni edhe kur thoni se Zoti i vlerësoi vajzat më shumë se djemtë, e Zoti ju thotë, a mos keni ndonjë fakt për çka thoni, silleni librin dokumentues, që po ju mëson ashtu. Përpjekjet e idhujtarëve me idhujt e tyre janë të kota, pse besimtarin e sinqertë ata nuk mund ta sprovojnë me ato thënie, përveç atyre që janë të përgatitur për xhehenem. Engjëjt janë krijesa të Zotit, që siç thonë ata vetë: secili prej nesh e dimë dhe e kemi të caktuar detyrën, dhe për zbatimin e saj gjithnjë jemi të rreshtuar duke madhëruar Zotin Fuqiplotë prej shpifjeve që ia mveshin idhujtarët. Para se të kishin libër arabët idhujtarë thoshin, se sikur të kishim pasur ndonjë nga librat e shpallur më herët, ne do të ishim besimtarë të sinqertë, por gënjeshtra e tyre u zbulua kur erdhi Kurani, sepse po ata të njëjtit e mohuan. Ndihma e Zotit ndaj pejgamberëve, ndaj besimtarëve është e garantuar qysh herët, prandaj i thuhet pejgamberit tonë: “Hiqu prej tyre, se edhe ti, edhe ata keni për ta parë premtimin e Allahut!”