38. Sad · Ajeti 11 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:1–38:11
Paria e kurejshitëve në krye me Ebu Xhehlin shkojnë te xhaxhai i Pejgamberit, Ebu Talibi dhe i ankohen se Muhammedi i fyen zotat e tyre, andaj do të ishte mirë ta thërrasësh dhe ta ndalosh. Çoi dhe e thirri, e ai erdhi dhe kur hyri brenda, një vend pranë xhaxhait të tij ishte i zbrazët. Duke u frikësuar se do të ulej në vend të lartë Muhammedi, u ngut Ebu Xhehli dhe shkoi e e zuri atë vend, kurse Muhammedi u ul te dera.
Ebu Talibi i tha: O djalë i vëllait tim, ç'është që ky popull po ankohet se ti i fyen zotat e tyre dhe... dhe...
Pejgamberi tha: O xhaxha, unë e dua prej tyre vetëm një fjalë, ta thonë atë, e të gjithë arabët do t'u përulen atyre, madje edhe të tjerë, joarabë, Të pranishmit thanë: një fjalë, jo një po dhjetë, e thuaje cila është ajo" Pejgamberi u tha: "La ilahe ileli-Llah"... Atëherë, të trishtuar i mblodhën plaçkat dhe u çuan, duke thënë: Të gjithë zotat don t'i bëjë një zot, gjë e çuditshme. Thuhet se si shkas i atij tubimi shpallet kjo pjesë e Kur'anit, ku Zoti betohet për famën dhe për madhështinë e Kur'anit të shpallur prej Tij, e kumtuar Muhammedit. Ata nuk gjenin të meta në Kur'an, por nuk besonin nga kryeneçësia, dhe armiqësia, e nuk mendonin se kur janë ndëshkuar popujt para tyre e lutnin Zotin t'i shpëtojë, por pas kohe. bënin vërejtje Muhammedit se si ai të jetë pejgamber, e jo ndonjë i pasur e i autoritetshëm nga mesi i tyre, madje si mund të komandojë me gjithësinë vetëm një Zot, e më në fund i thoshin popullit të vet: Mos lëshoni pe ndaj zotave tuaj se ky është plan i Muhammedit.
Kur'ani u thotë: A mos ata e kanë në dorë ta bëjnë Pejgamber atë që duan" A mos e kanë në duar sundimin e qiejve e të tokës, pra le të ngjiten lart e le të komandojnë prej atje. Mandej i thotë Pejgamberit: Mos u trondit, ata janë një grup i vogël që fundin e kanë të humbur.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:4–38:11
Allahu i Lavdëruar na tregon rreth habisë së idhujtarëve lidhur me dërgimin e Profetit si përgëzues dhe qortues ndër njerëz, siç thotë edhe në një ajet tjetër: “Vallë, pse është çudi për njerëzit, që Ne i shpallëm një burri nga mesi i tyre: “Tërhiqu vërejtjen njerëzve dhe përgëzoji ata që besojnë se ata do të kenë shpërblime të mëdha nga Zoti i tyre!”. Ata që nuk besojnë, thonë: “Ky është vërtet një magjistar i madh!” [Junus 2]. Ndërsa në këto ajete i Madhëruari thotë: - “Ata u habitën që nga gjiri i tyre u erdhi një paralajmërues. Jobesimtarët thonë: “Ky është magjistar e mashtrues.” - Domethënë, u çuditën që paralajmëruesi ishte njeri, njëlloj si ata. - “A po i zëvendëson zotat me një Zot të vetëm?!” - Si pretendon ky njeri se Zoti duhet të jetë një dhe i vetëm?! Allahu i shëmtoftë! Iu duk e habitshme që dikush të refuzonte adhurimin e idhujve dhe të kufizonte adhurimet në një Zot të vetëm e pa ortak. - “Kjo është vërtet shumë e çuditshme.” - Ata e kishin trashëguar adhurimin e idhujve prej etërve të tyre. Idhujtaria kishte mbushur zemrat e tyre, prandaj kur Profeti i Allahut i ftoi që të hiqnin dorë nga ai krim i shëmtuar dhe të pastronin zemrat prej tij, për të adhuruar vetëm Allahun si një dhe të vetëm, kjo iu duk diçka jashtëzakonisht e madhe, madje e çuditshme dhe e papranueshme. - “Paria e tyre i thanë njëri -tjetrit: "Vazhdoni me qëndrueshmëri në adhurimin e zotave tuaj!” - Këto ishin udhëzimet e dhëna nga udhëheqja e tyre: "Vazhdoni me besnikëri në fenë e të parëve tuaj! Mos iu përgjigjni ftesës së Muhamedit, për të besuar në një Zot të vetëm dhe për të adhuruar vetëm Atë e asnjë tjetër. - “Sepse kjo është diçka e kurdisur (kundër jush) .” - Kjo fe, që kërkon të adhurohet Zoti si Një i vetëm e të braktiset adhurimi i idhujve, është diçka që fsheh qëllime të këqija dhe synon t’ju rrëmbejë
prestigjin tuaj në shoqëri dhe të shndërro - heni në pasues të tij, duke iu nënshtruar rregullave të tij. Për këtë arsye, ai duhet refuzuar dhe kurrë mos iu përgjigjni ftesës së tij. Shkaku i zbritjes së këtyre ajeteve 2257. “Paria e kurejshëve shkoi tek Ebu Talibi e i thanë: "O Ebu Talib, ti je i madhi ynë, zotëria ynë dhe gëzon autoritet tek ne. Po të lutemi të mbash drejtësinë në lidhje me veprimet e nipit tënd. Urdhëroje të ndalet së fyeri idhujt tanë!” Ebu Talibi dërgoi njerëz ta thërrisnin Muhamedin ﷺ dhe, kur ai erdhi, i tha: "O biri i vëllait tim, më vizituan njerëzit e fisit tënd dhe kërkuan që të ndalesh së fyeri idhujt e tyre, që të të lënë të qetë ty dhe Zotin tënd.” Ai tha: “O Xhaxhai im, a t’i ftoj ata në diçka që është më e mirë për ta?” - “Për çfarë i fton ata?” - “Unë i ftoj të thonë vetëm një fjalë, nëpërmjet së cilës do t’u nënshtrohen arabët dhe me të cilën do të sundojnë mbi të huajt?” Ebu Xhehli (Allahu e mallkoftë!) tha: “E çfarë fjale është ajo, pash babën tënd, se jemi gati të ta japim atë dhe dhjetëfish sa ajo!” – “Të thoni: Lâ ilâhe il - l’All-llah!” Ata e refuzuan me neveri dhe i thanë: “Kërko diçka tjetër veç asaj!” Ai u tha: “Edhe sikur diellin të ma vendosni në dorën time, s’kam për t’ju kërkuar gjë tjetër, veç asaj fjale!” Atëherë, ata u ngritën të revoltuar e të tërbuar dhe thanë: “Vallahi, kemi për të të sharë ty dhe Zotin tënd, që të urdhëroi me këtë besim!” Allahu i Madhë - ruar tha: “Paria e tyre i thanë njëri -tjetrit: "Vazhdoni me qëndrueshmëri në adhurimin e zotave tuaj, sepse kjo është diçka e kurdisur." (me disa shkurtime) Kështu e ka sjellë Suddiu. Ndërsa Ibn Ebu Hatimi sjell një transmetim tjetër. Po kështu edhe Ibn Xheriri, i cili shton: 2258. “Kur dolën prej aty, Profeti i Allahut e ftoi xhaxhain e tij në besimin e fjalës “Lâ ilâhe il -l’Allah”, por ai refuzoi dhe tha: “Do të mbetem në fenë e pleqve”. Atëherë, Profetit iu shpall: “Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri ata që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” [Kasas 56]. - “Ne kurrë nuk kemi dëgjuar për diçka të tillë nga njerëzit këto kohët e fundit. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një trillim.” - Kuptimi: Këtë ftesë të sjellë nga Muhamedi, për të adhuruar një Zot të vetëm, nuk e kemi dëgjuar ndër popujt e besimet e hershme. Nëse ky Kuran do të ishte i vërtetë, për të do të na njoftonin të krishterët. Ne mendojmë se ky është veçse një trillim. - “Vallë, ky është ai që u zgjodh nga mesi ynë, për t'iu dërguar Mesazhi?!” - Ata e shihnin si të pamundur që Muhamedi ﷺ të ishte zgjedhur mes tyre për t’iu zbritur Shpallja, sikurse shpjegohet në ajetin tjetër: “Pastaj thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kuran një njeriu të madh (me famë) në këto dy qytete (Meke dhe Taif) ?!” Mos vallë, janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri -tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.” [Zuhruf 31, 32]. Pasi fjalët e tyre treguan për injorancën e thellë dhe mendjelehtësinë që kishin, Allahu i Madhëruar thotë: - “Ata qenkan në dyshim për Mesazhin Tim?! Nuk e kanë shijuar ende dënimin Tim.” - Ata i thanë këto fjalë, sepse ende nuk e kishin provuar ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut. Në vijim, i Lartësuari bën me dije se është Ai i vetmi që admi - nistron e rregullon çështjet e krijimit të Tij. Ai vepron gjithçka që dëshiron. Allahu lartëson kë të dëshirojë dhe poshtëron kë të dëshirojë Ai. Ai udhëzon në dritën e Tij kë të dojë, lë në errësirë kë të dojë dhe ia vulos zemrën kujt të dojë. Përveç Tij, askush nuk zotëron asnjë grimë pushtet e forcë në këtë dynja: - “Apo mos vallë, kanë thesaret e mëshi - rës së Zotit tënd - Ngadhënjimtarit, Dhuruesit të të gjitha mirësive?” - Ai është Ngadhënjimtari, që kurrë nuk mposhtet. Ai
është Dhuruesi, i Cili i dhuron kujt të dëshirojë çfarë të dëshirojë, sikurse thotë në një ajet tjetër: “A mos kanë ata ndonjë pjesë në sundim dhe pushtet? Nëse do të ishte kështu, ata nuk do t’u jepnin njerëzve as një fije lëvoreje. Apo mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga mirësitë e Tij? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e Urtësinë, si edhe pushtet të madh. Disa prej tyre e besuan atë (Muhamedin), e disa e mohuan. Mjafton për këta të fundit zjarri i Xhehenemit i ndezur fort.” [Nisa 53 - 55]. Thuaj: “Sikur t’i kishit në dorën tuaj depot e begative të Zotit tim, përsëri do të ishit koprracë, nga frika se po harxhohen. Njeriu është dorështrënguar.”. [Isra 100]. Ky ishte përshkrimi i mohuesve, të cilët nuk besuan Profetin e Allahut. Po kështu na njofton i Madhëruari edhe për popullin e Salihut, kur thanë: “Vallë, vetëm atij iu dha Shpallja ndër ne? Jo, ai është një gënjeshtar mendjemadh.” Do ta kuptojnë nesër se kush është gënjeshtari mendjemadh.” [Kamer 25 - 26]. - “Apo mos vallë, kanë pushtetin e qiejve e të Tokës dhe ç'ka ndërmjet tyre?! Le të përpiqen atëherë, me çdo rrugë e mjet!” - Nëse kanë ndonjë fuqi në dorë, le të rreken dhe të gjejnë rrugët drejt qiejve! Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi. Ndërsa Dahhaku ka thënë: “Domethënë, për t’u ngjitur deri në qiellin e shtatë.” - “Edhe ata janë një ushtri e mposhtur, si të gjitha ushtritë e tjera .” - Edhe këto ushtri, të cilat janë në kundërshti me njëra - tjetrën, do të mposhten e poshtërohen, ashtu siç u poshtëruan ata para tyre, të cilët mohuan profetët, shpalljet e udhëzimin e Zotit. I Lartësuari thotë: “Mos, vallë, po thonë: “Ne jemi një grup, të bashkuar dhe ngadhënjyes?!” Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë. Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” [Kamer 44 - 46].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:1–38:11
Allahu i Lartësuar na jep një përshkrim të Kur'anit dhe na tregon sjelljen dhe gjendjen e idhujtarëve në lidhje me këtë libër dhe Profetin që e solli atë. Ai thotë: - Sad! Betohem në Kur'anin plot këshilla! – Kur'ani është i famshëm dhe grada e tij është shumë e lartë. Ai është këshillë dhe dituri për besimtarët. Ai u mëson atyre gjithçka që kanë nevojë dhe që është e dobishme. Ata mësojnë në Kur'an rreth emrave dhe cilësive të Allahut të Madhëruar, rreth veprave të Tij të mrekullueshme. Ata mësojnë aty rreth ligjeve të Zotit. Atje marrin dituri të sigurt rreth asaj që i pret njerëzit dhe për mënyrën se si Zoti do t'i shpërblejë e ndëshkojë robtë. Kur'ani i mëson besimtarët për çështjet e fesë së tyre dhe për dispozitat e saj, duke sjellë hollësi të shumta. Në fakt, ky është një betim për Kur'anin dhe me Kur'anin. Domethënë, edhe betimi, edhe subjekti i betimit janë të njëjtë. Allahu i Madhëruar betohet në Kur'an për të na treguar madhështinë pikërisht të Kur'anit. Duke qenë me këtë rëndësi të veçantë, atëherë kuptohet lehtësisht nevoja e domosdoshme e njerëzve për të. Nevoja për të ia kalon çdo gjëje tjetër. Për këtë arsye, është detyrë për njerëzit që ta besojnë e pranojnë këtë libër me zemrat e tyre dhe të përkushtohen totalisht për të nxjerrë mësime nga lënda e tij. Allahu i Drejtë, i Gjithëditur dhe i Urtë i udhëzon besimtarët pikërisht për besimin e tyre të sinqertë në Kur'an. Ndërsa ata të cilët e mohojnë dhe refuzojnë të marrin udhëzimin e Kur'anit, me ata ndodh diçka tjetër: - Por ata që nuk besojnë janë kryeneçë e kundërshtarë të hapur. - Ata kanë mendjemadhësi, që nuk e besojnë Kur'anin. Madje, ata tregohen armiqësorë dhe e luftojnë atë. Ata përpiqen të polemizojnë me kotësi, për ta hedhur poshtë këtë libër. Ata luftojnë me çdo mënyrë për të shpifur për Kur'anin dhe kundër atij që e solli atë nga Zoti. Por Allahu i Madhëruar i kërcënon, duke u kujtuar se i ndëshkoi brezat e mëparshëm, të cilët i mohuan dhe refuzuan të besonin dhe pasonin profetët e tyre. Ata të mjerë, kur i përfshiu dënimi, bërtisnin dhe ulërisnin, për ta larguar atë dënim, por më kot, sepse:
- Sa e sa breza kemi shkatërruar Ne para tyre. Në fund, ata u lutën për (mëshirë e) shpëtim, por nuk kishte më kohë për shpëtim. - Nuk ishte më koha kur mund të shpëtonin dhe t’u pranohej pendimi për atë që kishin bërë. Kështu, le të kenë frikë këta kryeneçë tani dhe të mos vazhdojnë me arrogancën, refuzimin e së vërtetës dhe armiqësinë ndaj saj, sepse i pret i njëjti fund. - Ata u habitën që nga gjiri i tyre u erdhi një paralajmërues. - Këta mohues të së vërtetës çuditen me një çështje, nga e cila nuk duhet kurrë të çuditesh. Atyre u duket habi që u erdhi një paralajmërues nga lloji dhe mesi i tyre. Por kjo është pikërisht zgjedhja më e mirë, në mënyrë që ata të mund të marrin këshilla dhe të mësojnë prej tij. Ai u zgjodh nga mesi i tyre, që ata ta njohin mirë dhe ta pranojnë ftesën e tij dhe, nga ana tjetër, të mos shtyhen nga përkatësia farefisnore për ta refuzuar. Kështu, duke qenë ky Profet nga mesi i popullit të tyre, do të ishte më e lehtë për ta pranuar dhe pasuar rrugën e tij. Kjo duhet që të nxiste tek ata ndjenjën e mirënjohjes për këtë profet të madh dhe përkushtimin për t'u nënshtruar dhe pasuar rrugën e tij. Por me ata ndodhi krejtësisht e kundërta, aq sa shprehën edhe çudi, që tregonte mosbesim dhe një refuzim të fortë të kësaj çështjeje. Për ta refuzuar dhe fyer, ata thanë: - Jobesimtarët thonë: “Ky është magjistar e mashtrues.”. - Po çfarë nuk u pëlqente tek ky profet, që e refuzuan kaq me forcë dhe shpifën për të se ishte magjistar dhe mashtrues? Allahu na tregon arsyet që nxjerrin këta të mjerë. Ata thanë: - A po i zëvendëson zotat me një Zot të vetëm?! - Si është e mundur të na ndalojë nga idhujt e ndërmjetësuesit tanë tek Allahu? Si na urdhëron që t’i përkushtohemi me sinqeritet veçse adhurimit të Allahut?! - Kjo është vërtet shumë e çuditshme. - Sipas tyre, besimi dhe feja që ai propozon është diçka e çuditshme, që kurrsesi nuk mund të jetë e saktë dhe e drejtë. Të mjerët, jo vetëm që refuzuan ta pasonin ftesën e Profetit, por ata më të pushtetshmit dhe paria, të cilëve u dëgjohej fjala ndër popull, filluan punën me njerëzit e thjeshtë, që t'i pengonin nga ftesa e Profetit. Allahu i Madhëruar thotë: - Paria e tyre i thanë njëri -tjetrit: "Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj!” - Ata filluan të nxisin popullin që t'i përmbaheshin idhujtarisë dhe traditës së të parëve të tyre, duke u thënë: "Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj...". Bëhuni të qëndrueshëm dhe të patundur në këtë rrugë, madje mbrojeni me luftë e me veten tuaj! Shpenzoni të gjitha energjitë dhe bëni durim në adhurimet që u përkushtoni idhujve tuaj dhe kurrë mos lejoni njeri që t'ju pengojë e largojë nga kjo rrugë. - Sepse kjo (largimi nga feja e të parëve tuaj) është një gjë e kurdisur (kundër jush)." - Kjo fe që po sjell Muhamedi është një plan ogurzi dhe me qëllime jo të mira. Ky lloj arsyetimi nuk mund të pranohet nga
të mençurit, që kanë sy të shohin dhe zemër që të gjykojnë drejt. Ai mund mashtrojë veçse mendjelehtët. Për të gjykuar për saktësinë e vërtetësinë e thirrjes së dikujt nuk mjafton që të nisesh nga nijeti i tij, duke thënë se ka nijet të keq. Veprimet dhe qëllimi i dikujt janë çështje të tij dhe për ta hedhur poshtë do të duhet të sjellësh argumente të forta, të drejta dhe të vërteta. Qëllimi i shpifjeve të tyre ishte që të bindnin popullin se Muhamedi (a.s.) kishte qëllim që të ishte prijës dhe jo se idhujtaria është e gabuar. Sipas tyre, Profeti (a.s.) thjesht dëshironte që populli të nënshtrohej ndaj tij. - Ne kurrë nuk kemi dëgjuar për diçka të tillë (monoteizëm) nga njerëzit këto kohët e fundit. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një trillim. - Kuptimi: Këtë lloj feje nuk e kemi dëgjuar askund dhe as nga etërit tanë. Për këtë arsye, mbahuni fort pas asaj që kanë lënë etërit tanë, sepse ajo është e vërteta. Kjo fe është thjesht një trillim i mendjes së tij, është një mashtrim dashakeqës. Por edhe ky arsyetim është shumë i dobët dhe jo i drejtë. Është tërësisht e padrejtë që të refuzosh fjalën e tjetrit vetëm e vetëm se bie ndesh me mendimin tënd, pa ofruar asnjë argument vërtetues të këtij qëndrimi. Cili është arsyetimi se ajo tezë është e papranueshme? Pastaj vjen një tjetër arsyetim i tyre për të refuzuar Profetin e Zotit. Ata thanë: - Vallë, ky është ai që u zgjodh nga mesi ynë, për t'iu dërguar Mesazhi? - Çfarë ka ai më shumë se ne, që Allahu ta dallojë mbi ne dhe t'i sjellë Shpallje, siç pretendon? Edhe ky ishte një argument i pasaktë. Ai nuk përmban asnjë arsye të logjikshme që mund të hedhë poshtë ftesën e Profetit (a.s.) për njësimin e Allahut. Të gjithë profetët kanë qenë njerëz, si gjithë njerëzit e tjerë, domethënë që kjo cilësi nuk ishte vetëm e Muhamedit (a.s.). Është Allahu Ai që e dallon kë të dëshirojë duke e bërë profet e duke i shpallur libër të ndritur, që ai të ftojë njerëzit në monoteizëm. Duke qenë se të gjitha arsyet që ata sollën për të refuzuar të vërtetën nuk mund të shërbejnë kurrsesi si argument ku mund të mbështetesh, Allahu i Madhëruar na tregon se ku e kanë burimin ato. Ai thotë: - Ata janë në dyshim për Mesazhin Tim. - Ata nuk kanë asnjë dituri dhe argument të qartë ku të mbështeten. Ata kanë vetëm dyshime dhe kënaqen me këtë gjendje. Kur u erdhi e vërteta e qartë, ata ishin të vendosur që nuk do ta pranonin, për të qëndruar në atë gjendje dyshimi. Për këtë arsye, ata bëjnë arsyetime boshe e kontradiktore, pa patur asnjë argument. Dhe dihet mirë për të tillë njerëz, që flasin të shtyrë nga inati, pasiguria dhe dyshimet e pabaza, se atyre nuk u pranohet fjala, madje fjalët e tyre nuk ndikojnë aspak në të vërtetën. Ata thjesht ngarkojnë veten e tyre me gjynahe dhe e bëjnë të meritueshëm dënimin e Zotit. Për këtë arsye, i Madhëruari i kërcënon ata, duke thënë: - Nuk e kanë shijuar ende dënimin Tim. - Ata i thonë ato fjalë dhe marrin guximin të trillojnë kundër të vërtetës, sepse ende janë në dynja dhe akoma nuk i ka kapur dënimi i Zotit. Po nëse do të shihnin këtë ndëshkim, nuk do të merrnin guximin për të tilla shpifje e trillime: - Apo mos i kanë ata vallë Thesaret e mëshirës së Zotit tënd - Ngadhënjimtarit, Dhuruesit të të gjitha mirësive? - Mos, vallë, i kanë ata në dorë depot e mëshirës së Zotit tënd, Ngadhënjimtarit, Dhuruesit (të të gjitha mirësive), dhe kështu mund t’i japin atij që duan dhe të privojnë atë që ata duan? Këta mendjelehtë, ndër fjalët boshe që guxuan të thoshin për të refuzuar Profetin, ishin dhe: "Vallë, ky është ai që u zgjodh nga mesi ynë, për t'iu dërguar Mesazhi?" Kjo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep atij që dëshiron, me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Nuk u takon atyre të vendosin se kujt ia jep Zoti profetësinë dhe çdo mirësi tjetër. - Apo mos e kanë ata vallë pushtetin e qiejve e të tokës dhe ç'ka ndërmjet tyre? - Mos, vallë, kanë ndonjë pushtet në qiej dhe në tokë, dhe kjo u mundëson që të arrijnë gjithçka që dëshirojnë?!
- Le të përpiqen atëherë me çdo rrugë e mjet (e të sundojnë)! - Le të ngrihen në qiej dhe le ta presin e shkëpusin mëshirën që Allahu i dhuroi Profetit të Tij. Atëherë, si është e mundur që të flasin e të trillojnë fjalë të tilla, kur ata janë krijesat më të dobëta? E vërteta është se ata thonë të tilla fjalë që të grumbullojnë pas vetes sa më shumë pasues, që të mbështesin kotësinë e tyre dhe të luftojnë të vërtetën. Ky është realiteti. Por edhe ky qëllim nuk ka për t'u përmbushur dhe përpjekjet e tyre do të dështojnë. Ushtria e tyre do të poshtërohet dhe mposhtet, siç thuhet më pas: - Edhe ata janë një ushtri e mposhtur, si të gjitha ushtritë e tjera (që luftuan kundër së vërtetës).