38. Sad · Ajeti 88 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 38:55–38:88
Mëkatarët, të ndrydhur në zjarrin e xhehenemit, do të bëjnë polemikë mes vete, duke u përpjekur që fajin t'ia hedhin njëri-tjetrit.
Fjala "Merhaba", ka kuptimin e shlirimit, rehatimit, komoditetit, mirëseardhjes etj.
Paria idhujtare në xhehenem do të thonë: Ku jan ata që ne nuk i kemi llogaritur fare si njerëz sa ishim në dynja: këtu kanë për qëllim: Bilalin, Suhajbin, Ammarin, shokë të Pejgamberit. Këtë pyetje e bëjnë ngase nuk besonin se myslimanët do të jenë në xhennete, por atëherë e kuptojnë. Ebu Xhehli do ta kuptojë se u bë mysliman i biri i tij Ikreme, bija e tij Xhuvejrije, nëna e tij, vëllai i tij, e ai vetë kishte mbetur në kufër.
Muhammedi urdhërohet t'u tregojë njerëzve pse është i dërguar, se nuk ka Zot pos Allahut, se Ai komandon me çdo gjë, se ka fuqi të pakufishme, se është mëkatfalës dhe se Ai përmes Kur'anit e mësoi për bisedën që e bënë engjëjt kur u krijua Ademi, për kryeneçësinë që e tregoi dreqi, për analogjinë që e parashtroi si arsyetim.
Shejtani u dëbua prej xhennetit, por iu lut Zotit t'i japë të jetojë deri kur të bëhet ringjallja. Zoti i dha, por jo deri në ringjallje, pse pas ringjalljes nuk ka vdekje, e ashtu ai do të shpëtonte, i dha jetë deri kur Ai vetë e di.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Sad. Falënderoj Allahun e madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 38:86–38:88
- “Thuaj: “Unë nuk ju kërkoj këtë ndo - një shpërblim ...” - Thuaju, o Muhamed, këtre idhujtarëve: “Unë nuk ju kërkoj ndonjë gjë në këmbim për kumtimin e qartë të Shpalljes, për këshillimin, dëshirën e përpjekjet e mia të sinqerta për të rregulluar gjendjen tuaj: asnjë shpërblim me mirësitë, shpërblimet apo interesat e kësaj dynjaje. - “... dhe nuk jam prej atyre që hiqen për çfarë nuk janë .” - Unë e zbatova urdhrin për të përcjellë dhe përhapur mesazhin ndër ju. Tashmë e përmbusha misionin tim. Unë kurrsesi nuk e ndryshoj Shpalljen, as nuk shtoj dhe as nuk heq prej asaj që Zoti më urdhëroi ta kumtoj e përhap ndër ju. Unë kërkoj veç kënaqësinë e Allahut Krenar dhe të Lartësuar dhe lumturinë në jetën e përjetshme. Sufjan el Theuriu përcjell nga Abdullah Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thënien: “O njerëz, ai që ka mësuar diçka, le ta thotë atë, ndërsa ai që nuk di, le të thotë: “Allahu është më i ditur!”, pasi edhe thënia: “Allahu është më i ditur.”, për diçka që nuk e di, konsiderohet dituri. Allahu Krenar dhe i Lartësuar i tha Profetit tuaj (a.s): “Thuaj: “Unë nuk kërkoj prej jush për këtë (Kuran) ndonjë shpërblim dhe nuk jam prej atyre që hiqen për çfarë nuk janë.”. Të përafërt me këtë tekst e kanë sjellë dhe Buhariu me Muslimin prej Ameshit. - “Ky nuk është tjetër veç një mesazh për botët.” - Është fjala për Kuranin madhë - shtor, i cili është përkujtues për botë n e të përgjegjshmëve ligjërisht, qofshin prej njerëzve apo prej xhindëve. Kjo i ngjan ajetit: “Mua më është shpallur ky Kuran, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet.” [En’am 19]. Ose: “Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë (Kuranin), Zjarri është vendi i premtuar. Për këtë arsye, ti kurrsesi mos dysho në të! Ai është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd. Megjithatë, shumë njerëz nuk besojnë.” [Hud 17]. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ju do ta shihni shumë shpejt gjithë të vërtetën e tij. ” - Domethënë, në Ditën e Kijametit. Katadja shpjegon: “Domethënë, në momentin e vdekjes.” Ndërsa Ikrime ka thënë: “Domethënë, në Ditën e Kijametit”. Në fakt, nuk ka kundërthënie mes dy shpjegimeve, sepse kur njeriu vdes, tashmë ka filluar Kijameti për të. Haseni ka thënë: “O biri i Ademit, kur të vdesësh, do të të vijë lajmi i sigurt për gjithçka.” Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Sad.
Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdërimi e mirënjohja, për çdo mirësi dhe begati!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 38:65–38:88
- Thuaj: “Unë jam vetëm paralajmërues.” - Nëse ata të kërkojnë ty, o i Dërguar, diçka që nuk është në dorën tënde, thuaju: Unë jam vetëm një paralajmërues. Kjo është gjithçka që unë kam mundësi. Çdo çështje është në dorë të Allahut. Unë jam ngarkuar veçse që t'ju kumtoj urdhëresat dhe ndalesat e Zotit, t’ju tregoj për mirësinë e t'ju nxis drejt saj, t'ju këshilloj për t'iu larguar të keqes dhe tju mësoj mënyrat e shpëtimit prej saj. Ai që e gjen rrugën dhe dritën e udhëzimit të plotë, le ta dijë se e ka për të mirën e vet. Kush largohet dhe e shpërfill udhëzimin, le ta dijë se ka dëmtuar veçse vetveten. Për këtë arsye, mësojeni të vërtetën e sigurt se: - Nuk ka asnjë zot tjetër (që meriton adhurimin), përveç Allahut, që është Një i Vetëm e Ngadhënjimtar (mbi gjithcka). - Askush tjetër nuk meriton të adhurohet me meritë, veç Allahut. Ai është Një i Vetëm e Ngadhënjimtar. Ky përshkrim mjafton për ta besuar se Ai është i vetmi që meriton adhurimin si një dhe i pashoq. Ai dhe vetëm Ai meriton të adhurohet si një i vetëm, sepse Ai është Një në të gjitha aspektet dhe është Ai që ka nënshtruar dhe përulur gjithçka. Nuk mund të ketë dy me cilësinë Ngadhënjimtar ‘Nënshtrues i Gjithçkaje’. Allahu është Një i vetëm dhe si i tillë është i vetmi që e meriton ta adhurosh, t'i përulesh dhe t'i nënshtrohesh ligjit të Tij. Pasi solli këto dy cilësi për Veten, Allahu sjell edhe një argument tjetër: njëshmërinë e Tij në Rububije, pra, në pohimin e Tij si i vetmi Krijues, Furnizues dhe Kujdestar i qiejve dhe Tokës. Ai thotë: - Zoti i qiejve, i tokës dhe i gjithë ç'ka mes tyre, Ngadhënjimtari, Falësi i Madh”. - Ai është i Vetmi Krijues, Kujdestar dhe Rregulluesi i çdo çështjeje, që kujdeset me të gjitha mënyrat. Ai është Krenari e Ngadhënjimtari, që e ka gjithë fuqinë në dorën e Tij. Me këtë fuqi dhe pushtet, Allahu krijoi të gjitha krijesat madhështore. Allahu është Falësi i Madh i të gjitha gjynaheve, të vogla a të mëdha qofshin, për të gjithë ata që pendohen dhe largohen nga këto gjynahe. Allahu është Ai që duhet me gjithë shpirt dhe që e meriton të adhurohet, e jo ata që nuk mund të krijojnë, të furnizojnë, që nuk mund të sjellin dëm apo dobi dhe që nuk kanë në dorë asnjë çështje. Ata nuk kanë në dorë as faljen e gjynaheve dhe as pranimin e pendimit. Të gjitha këto janë në dorë të Allahut.
- Thuaj: “Ky (Kur’ani) është një Lajm i madh” - Këto janë fjalë që shërbejnë si frikësim dhe paralajmërim për ta. Ato duhet të bëjnë që ata të zgjohen dhe të marrin masat, që të ruhen. Allahu thotë: “Ky (Kur’ani) është një Lajm i madh” Kjo përfshin të gjitha lajmet për ringjalljen dhe tubimin para Zotit, për llogarinë me drejtësi dhe shpërblimin e ndëshkimin sipas punëve. Këto janë lajme shumë të mëdha dhe të rëndësishme. Ato duan përkushtim të madh dhe shumë serioz, që të përgatitesh. Këto lajme kurrsesi nuk duhen shpërfillur apo të lihen në harresë. - të cilit ju i ktheni shpinën. - Ju i keni kthyer shpinën, a thua sikur para jush nuk ju pret llogaria dhe nuk do të jepet as shpërblim e as ndëshkim. Nëse keni dyshim në fjalën time, atëherë mendoni pak rreth faktit që unë po ju flas për gjëra që nuk i trilloj nga mendja ime dhe as i kam studiuar në ndonjë libër tjetër. Atëherë, si është e mundur që unë t'ju njoftoj për ato me saktësi, pa shtuar dhe pakësuar gjë nga shpalljet e shkuara? Kjo duhet të shërbejë si argument shumë i madh për ju, që të mësoni për besnikërinë time dhe për vërtetësinë e asaj që solla nga Zoti im. - Unë nuk kam pasur asnjë dije për elitën e lartë (melaiket), kur ata polemizonin (rreth Ademit). - Unë nuk do të dija gjë rreth melekëve dhe asaj që flasin ata, sikur të mos më mësonte Allahu dhe të mos më kishte ardhur Shpallje. - Mua më është shpallur se jam veçse një paralajmërues i qartë." - Unë ju kumtoj veçse atë që më shpallet nga Zoti dhe mua më është shpallur se jam veçse një paralajmërues i qartë, që ju tregon gjithçka nga e cila duhet të ruheni dhe si duhet të ruheni. Nuk ka paralajmërues më të qartë se Muhamedi (a.s). Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për polemikën e melekëve: - (Kujto) Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë po krijoj një njeri nga balta. - Allahu i njoftoi ata: “Unë po krijoj një njeri nga balta.” Kjo ishte lënda e krijimit të Ademit (a.s.). - Kur t’i kem dhënë formë dhe t’i kem fryrë shpirt prej Meje, përuljuni atij në sexhde.”. - Pasi ta kem formuar trupin e Tij, atëherë ju do t’i përuleni atij në sexhde. Pas këtij urdhëri, melekët u përgatitën që ta përmbushin atë në mënyrën më të plotë, siç iu kërkua, duke e nderuar figurën e Ademit (a.s). Allahu i Lartësuar e plotësoi krijimin e Ademit me trup dhe me shpirt dhe i vuri në provë melekët dhe Ademin, në lidhje me diturinë. Pasi doli në pah dituria e Ademit (a.s), atëherë Allahu i urdhëroi ata për të rënë në sexhde. - Kështu, të gjithë melekët së bashku u përulën në sexhde, - Të gjithë melekët e Zotit ranë në sexhde, pa përjashtim. - përveç Iblisit. Ai refuzoi, tregoi mendjemadhësi dhe u bë prej atyre që mohojnë (besimin). - Iblisi nuk pranoi të binte në sexhde, duke treguar mendjemadhësi e kryelartësi para Allahut dhe duke shprehur nënçmim për Ademin (a.s). Allahu thotë: "Ai refuzoi, tregoi
mendjemadhësi dhe u bë prej atyre që mohojnë (besimin). Pra, në diturinë e Zotit, ai ishte mohuesi së vërtetës dhe i Zotit. Më pas, Allahu i Lartësuar tha, duke kërcënuar Iblisin, që nuk iu bind urdhrit të Tij: - “O Iblis! Çfarë të pengoi ty që të mos i përulesh atij që Unë e krijova me dy Duart e Mia? A je mendjemadh, apo je nga ata që ngrenë krye?” - Ademin e dallova dhe e veçova Unë nga të gjitha krijesat me këto cilësi, prandaj mos tregoni kryelartësi e mosbindje e as të nënçmoni Ademin. Atëherë, pse e kundërshton urdhrin? Prej mendjemadhësisë apo sepse e sheh veten më të mirë? Atëherë, Iblisi duke treguar mosbindjen ndaj Allahut, tha: - Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më ke krijuar nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.” - Sipas pretendimit të tij, zjarri është më i mirë sesa balta e toka. Por ky ishte një arsyetim i gabuar. Në fakt, zjarri është bazë për sherr dhe shkatërrim. Ai është lehtësisht i kontrollueshëm dhe i paqëndrueshëm. Ndërsa dheu është një lëndë e fortë, e qëndrueshme, e pjekur dhe e thjeshtë. Prej tij mbijnë e rriten shumë pemë e bimë dhe ai mund të shuajë zjarrin dhe ta mposhtë atë. Nga ana tjetër, zjarri është një diçka që ka nevojë për diçka tjetër që të ekzistojë e qëndrojë i ndezur. Ndërsa dheu qëndron vetë e nuk ka nevojë për gjë tjetër. Mendo pak me kujdes në arsyetimin e Iblisit, i cili konsiderohej se ishte më i dituri dhe më i madhi në mesin e xhindëve. Atëherë, si mendon se arsyetojnë ata që janë nga lloji i tij dhe poshtë tij? Ata do të refuzojnë dhe luftojnë të vërtetën me analogjitë dhe arsyetimet e tyre, por që të gjitha do të jenë si arsyetimi i kotë i të parit të tyre, madje edhe më të dobëta. - Allahu tha: “Atëherë dil prej këtej (prej xhenetit)...” - Atëherë, Zoti tha: “Dil nga qielli dhe ai vendi nderuar!” ku Zoti e kish lejuar në fillim të rrinte. - sepse ti je i mallkuar! - Ti do të jesh i dëbuar dhe i nënçmuar! - Dhe Mallkimi Im ka për të ndjekur deri në Ditën e Gjykimit.” - Mbi të do të rëndojë mallkimi e largimi nga mëshira Ime, deri në Ditën e Gjykimit, pra, përjetë. - Ai (Iblisi) tha: “O Zoti im! Më jep afat deri në ditën kur (të vdekurit) do të ringjallen!” - Ai e kërkoi kot afatin, sepse ishte i mbushur me armiqësi e urrejtje të madhe për Ademin dhe pasardhësit e tij. Ai dëshironte që t’i largojë edhe ata nga mëshira dhe rruga e Zotit. Atëherë, Allahu i Madhëruar, duke iu përgjigjur kërkesës së tij, tha: - Allahu tha: “Ti je prej të afatizuarve,” - Kështu vendosi Zoti, me urtësinë e Tij, që t'ia jepte këtë afat, dhe ky qe caktimi i Tij. - Deri në Ditën e Kohës së Caktuar.” - Deri në atë kohë, pasi të kenë dalë në jetë të gjithë pasardhësit e Ademit dhe sprova e Zotit të jetë përmbushur për njerëzit dhe xhindët. Pasi mësoi që atij iu dha afat, Iblisi i mallkuar, ngaqë ishte i mbushur me ligësi dhe nga armiqësia dhe urrejtja e madhe për Ademin dhe pasardhësit e tij, duke u nxituar dhe pa vonuar, tha: - Ai (Iblisi) tha: “Betohem në Fuqinë Tënde se kam për t’i humbur që të gjithë prej rrugës së drejtë, përveç atyre robve të Tu, që janë të sinqertë.” - Iblisi u betua në krenarinë e fuqinë e Zotit, se do t'i devijonte që të gjithë pasardhësit e Ademit. Pastaj tha: "…përveç atyre robve të Tu, që janë të sinqertë.” Pra, e dinte mirë i mallkuari se është vetë Allahu Ai që i ruan ata nga kurthet dhe ligësia e tij. Iblisi u betua në krenarinë e Allahut, se do ta bënte diçka të tillë. Por ka mundësi që ai të ketë thenë "bi izetil-lah / Betohem në Fuqinë e Allahut", për t'ia arritur qëllimit të tij, edhe pse është armik dhe refuzoi t’i nënshtrohej Allahut. Pra, duke e ditur se ishte i dobët nga çdo aspekt dhe se nuk mund të devijonte asnjë pa lejen dhe vullnetin e Allahut, vendosi që të gjente ndihmë e mbështetje në Fuqinë e Allahut për këtë qëllim. Kurse ne, o Zoti ynë, jemi kaq të pafuqishëm, të varfër, të dobët dhe shumë të mangët në punët tona dhe adhurimet për Ty! Ne jemi të vetëdijshëm dhe i pohojmë me përunjësi të gjitha mirësitë që na i ke
dhuruar dhe të jemi mirënjohës që jemi nga pasardhësit e atij (Ademit) që e nderove dhe dallove me mirësi. Ne po të lutemi dhe mbështetemi në krenarinë dhe fuqinë e madhështinë Tënde. Ne kërkojmë strehim në pushtetin dhe mëshirën Tënde të gjerë, që ka përfshirë çdo krijesë. Ne të lutemi me mëshirën Tënde të pakufishme, nëpërmjet së cilës na ke dhuruar çdo mirësi të dynjasë dhe ahiretit dhe ke larguar prej nesh çdo ligësi dhe fatkeqësi. Ne të lutemi që të na mbrosh dhe të na japësh forcë në luftën kundër armiqësisë dhe urrejtjes së këtij armiku të përbetuar dhe të vjetër. Të lutemi të na shpëtosh nga ligësia dhe kurthet e këtij të mallkuari. Ne kemi shpresë të madhe dhe mendim të mirë për mëshirën Tënde, o Zot, se do t'i përgjigjesh lutjes tonë dhe besojmë me gjithë shpirt në premtimin Tënd të bukur, kur the: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem!" [Gafir 60]. Ja, o Zoti ynë! Ne po të lutemi siç na premtove. Përgjigjju lutjeve tona, ashtu siç na ke premtuar! "Zoti ynë! Na e dhuro atë që na e ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na turpëro Ditën e Kijametit! Vërtet Ti nuk e shkel premtimin!” [Al imran 194]. - Allahu Tha: “Betohem në të vërtetën dhe Unë them vetëm të vërtetën: - Vërtetësia është atributi Im dhe Unë them veçse të vërtetën! - Unë do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të vijnë pas! - Kur Profeti (a.s) ua qartësoi njerëzve me argumente të qarta të vërtetën dhe ua tregoi rrugën e drejtë, Allahu i Madhëruar i tha atij: - Thuaj (o Muhamed) : “Unë nuk kërkoj prej jush për këtë (Kur'an) ndonjë shpërblim...” - Thuaju atyre, o Profet, se për këtë ftesë në rrugën e Zotit dhe kërkimin e së vërtetës, unë nuk po ju kërkoj asnjë shpërblim. - dhe unë nuk jam prej atyre që bëjnë trillime. - Unë kurrë nuk pretendoj për veten diçka që nuk është e imja dhe të flas diçka për të cilën nuk kam dituri nga Zoti. Unë ndjek veçse atë që më shpallet nga Zoti. Ajo është rruga ime, që unë e pasoj dhe i përmbahem. - Ky (Kur’ani) nuk është tjetër veç një Mesazh për Botët. - Ky libër madhështor dhe Shpallja që më është dhënë është: "…veçse një Mesazh për Botët." Nëpërmjet tij, ata mësojnë dhe kërkojnë gjithçka që u sjell dobi, qoftë në drejtim të fesë dhe besimit të pastër, qoftë në çështjet e kësaj jete. Kjo shpallje ka për të qenë lartësim dhe nderim për ata që punojnë dhe jetojnë sipas saj. Nga ana tjetër, ajo do të jetë dëshpërim dhe nuk do t'u lërë asnjë justifikim atyre që e refuzojnë atë. Kjo sure madhështore përmban brenda saj këshilla dhe kujtime madhështore, si dhe urtësi të shumta. Ajo sjell lajme të mëdha, argumente, fakte e shenja, që nuk i lënë më kujt asnjë justifikim për mosbesim dhe mosbindje ndaj Zotit. Të gjithë ata që mohojnë Kur'anin dhe refuzojnë të pasojnë Profetin që e solli atë, nuk do të kenë asnjë justifikim dhe arsye para Zotit, nëse vazhdojnë dhe vdesin në mohimin e tyre. Në këtë sure bëhet edhe një lavdërim i atyre që janë të sinqertë me Zotin e tyre dhe tregohet shpërblimi i mrekullueshëm që i pret të bindurit dhe të devotshmit. Në fillim, Allahu u betua në këtë Kur'an dhe e përshkroi atë si " Dhudhikër". Ndërsa në fund të kësaj sureje e cilëson si kujtim dhe këshillë për të gjithë botët. Madje, gjatë gjithë sures e përsëriti fjalën 'kujto', si p.sh.: "Kujto robin Tonë" ose: "Kjo është si mëshirë dhe si kujtim", ose edhe: "Ky është një kujtim dhe këshillë". O Zoti ynë! Na mëso prej Kur'anit atë që nuk e dimë dhe na kujto nëse harrojmë, qoftë kur harrojmë nga pakujdesia, qoftë kur harrojmë nga gjynahet tona dhe dobësimi ynë! - Dhe ju do ta shihni shumë shpejt gjithë të vërtetën e tij. - Ju do të mësoni dhe do ta shihni të realizohet kjo në ahiret. Ajo do të jetë Dita kur dënimi t'i mbulojë ata, kur çdo ndihmë dhe lidhje mes robve do të ndërpritet dhe kur askujt nuk do t'i bëjë dobi asgjë, përveç besimit të pastër te Zoti, Profeti dhe shpalljet e Tij.