40. Gafir · Ajeti 85 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 40:67–40:85
Allahu, i cili e krijoi njeriun e parë prej dheut, e pasardhësit e tij prej një pikëze uji, e përshkruan jetën e njeriut në tri etapa: "në fëmijëri, në pjekuri, e cila arrin në vitet e katërdhjeta dhe në pleqëri në të cilën nis dobësimi fizik e dikur edhe ai mendor.
Atyre që nuk besuan argumentet e Allahut, refuzuan mësimet e pejgamberëve, u mbështetën në diçka tjetër e jo në Zotin, i gëzoheshin punës së keqe dhe mëkatit, do t'u vihen pranga në qafa e me zinxhir tërhiqen për në zjarr, edhe pse në atë moment do të mohojnë çdo adhurim tjetër pos Zotit.
Pejgamberit i thuhet se ndonjë nga dënimet e Zotit, të caktuara kundër armiqve, mund t'i shohësh, por edhe ndodh të mos i shohësh, por të gjithë ata do të paraqiten pranë Zotit dhe Ai do të ndërmarrë masa ndëshkuese, që i meritojnë.
Për disa pejgamberë Zoti i tregoi Muhammedit se si ishte gjendja e tyre, e për disa nuk i tregoi. Nga kjo kuptohet se përpos pejgamberëve të përmendur në Kur'an, pati edhe të tjerë, numrin e të cilëve e di vetëm Zoti, anipse në një hadith thuhet se ishin njëqind e njëzet e katër mijë. Kuptohet edhe ajo, se pejgamberët nuk kishin mundësi të shfaqin ndonjë mrekulli nga vetvetja, por vetëm më urdhërin dhe me lejen e Zotit.
Besimi në zorin, kur njeriu i humb të gjitha shpresat për jetë, nuk vlen.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures Gafir. Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 40:82–40:85
- “A nuk udhëtojnë ata nëpër Tokë dhe të shohin se si qe fundi i atyre që jetuan më parë? Ata qenë më shumë dhe më të fortë për gjurmët që kanë lënë në tokë, por atyre nuk u bënë aspak dobi ato që kishin fituar. ” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth popujve, mohues dhe refuzues të profetëve të tyre, që kanë jetuar në kohërat më të hershme dhe rreth ndëshkimit të ashpër që i përfshiu ata, me gjithë pushtetin e tyre të madh, forcën dhe gjurmët e shumta, që lanë në Tokë. Pushteti i madh dhe pasuritë e shumta nuk i mbrojtën aspak prej ndëshkimit të Allahut dhe ata nuk mundën që të shpëtonin prej zemërimit të Tij. Ata e meritonin, sepse kur u erdhën të dërguarit e Zotit, ata as nuk u hodhën sytë argumenteve, shenjave dhe mrekullive, që ata sollën nga Zoti dhe mesazheve të kumtuara prej Tij, duke pretenduar se nuk kishin nevojë për udhëzimet e Zotit, pasi u mjaftonte dituria. - “Kur u erdhën të dërguarit me shenja të qarta, ata u mburrën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ajo gjë, me të cilën talleshin.” - Muxhahidi shpjegon: “Ata pretendonin se ishin më të ditur sesa profetët dhe ishin të bindur se nuk do të ringjalleshin apo ndëshkoheshin.” Allahu i Madhëruar thotë: “... por atëherë i goditi ajo gjë, me të cilën talleshin.” Domethënë, i përfshiu ndëshkimi i Zotit, që ata e mohonin, madje talleshin me të. - “Dhe kur panë dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. - Kur ata e panë me sytë e ballit ndëshkimin, që po i gllabëronte, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Kështu, në ato momente ata deklaruan se e besonin Allahun si një të vetëm, Krenar, të Lartësuar dhe mohuan çdo gjë tjetër që ata e adhuro - nin, u bindeshin dhe u nënshtroheshin. Por ky pranim dhe besim u bë në një kohë, në të cilën nuk pranohet pendimi dhe nuk bën dobi asnjë lloj justifikimi dhe arsyetimi. Kjo i ngjan fjalës së Faraonit, - Allahu e mallkoftë! - kur po mbytej: “Besoj se nuk ka Zot tjetër, veç Atij të Cilit i besojnë bijtë
e Izraelit. Edhe unë jam nga muslimanët.”” [Junus 90] . Allahu i Lartësuar na tregon fjalët që iu thanë Faraonit në ato çaste të fundit. Ai thotë: “Vallë, tani po beson, ndërsa më parë kundërshtoje dhe ishe prej shkatërrimtarëve?!” [Junus 91] . Pra, Allahu i Lartësuar nuk e pranoi pendimin e tij në çastet kur zbriti ndëshkimi. Kjo ndodhi edhe për faktin se Ai iu përgjigj lutjes, që i drejtoi profeti i Tij i dashur, Musai (paqja e Zotit qoftë mbi të!), kur ai tha: “Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate. Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” [Junus 88] . Ndërsa në këto ajete, Allahu i Lartësuar thotë: - “Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut, që ka vepruar te robërit e Tij. ” - Kështu vendosi Allahu i Madhëruar, që të veprohet me të gjithë ata që pendohen në kohën kur shohin ndëshkimin: pendimi i tyre është i papranueshëm. Në një hadith thuhet: 2308. “Allahu e pranon pendimin e robit të Tij, deri pa i ardhur akoma grahma e fundit.” Pra, kur ai është në grahmën e fundit, kur shpirti i arrin në fyt dhe ai sheh melekun e vdekjes, ajo është koha kur pendimi është i papranueshëm. - “Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” Ky është fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Gafir. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë dhe begatitë! Ai është një, i vetëm dhe pa ortak.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 40:82–40:85
- “A nuk udhëtojnë ata nëpër Tokë...” - Allahu i Madhëruar u drejtohet mohuesve të profetëve dhe të shpalljeve hyjnore e u thotë
që të udhëtojnë nëpër botë ose të studiojnë për historinë e saj. Le të pyesin njerëzit e dijshëm apo të shikojnë vetë shenjat e lëna nga Zoti në vende të ndryshme. Le t’i shohin me kujdes ato, për të nxjerrë mësime dhe me synimin e mirë për të kuptuar të vërtetën. - “...dhe të shohin se si qe fundi i atyre që jetuan më parë? Ata qenë më shumë dhe më të fortë për gjurmët që kanë lënë në tokë,...” - Të tillë ishin popujt e Adit, Themudit etj. Ata ishin më të mëdhenj, më të fuqishëm dhe më të pasur se ata të mëvonshmit. Ata lanë shumë gjurmë të dukshme në këtë botë, si ndërtesa të mëdha dhe kështjella të larta. Ata lanë pas pasuri e toka të begatshme. - “...por atyre nuk u bënë aspak dobi ato që kishin fituar.” - Kur u zbatua vendimi i Zotit për të ndëshkuar ata, atyre nuk iu bëri aspak dobi fuqia dhe pushteti i tyre. Ata nuk mund të shpëtonin kurrsesi nga ndëshkimi duke dhënë pasuritë e tyre. Edhe kështjellat apo ushtritë që kishin nuk mundën t’i mbronin nga ndëshkimi i Zotit. Pastaj i Madhëruari përmend krimin e tyre, për shkak të të cilit merituan atë që merituan: - “Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet,...” - Kur profetët e Zotit sollën libra hyjnorë, mrekullitë madhështore dhe diturinë e dobishme, nëpërmjet së cilës mund të dallonin udhëzimin e drejtë nga devijimi dhe të vërtetën nga e kota, pabesimtarët u vetëkënaqën me diturinë që kishin, edhe pse ajo ishte në kundërshtim me fenë e Zotit dhe me diturinë e sjellë nga profetët. Kuptohet lehtë se ky gëzim i tyre me njohuritë që kishin ishte vetëkënaqësi e tepruar. Nga ana tjetër, ajo tregonte për armiqësinë dhe urrejtjen e madhe të tyre për të vërtetën me të cilën erdhën profetët. Ata i trumbetonin idetë e tyre sikur ishin e vërteta e sigurt, që duhet mbrojtur e pasuar. Këtu futen edhe idetë e filozofisë greke, nëpërmjet të cilave disa njerëz përpiqen që të hedhin poshtë ajetet kuranore ose që të zbehin rëndësinë dhe vlerën e Librit të Allahut në zemrat e robve. Sipas tyre, dituria e sigurt e Kur'anit mund të vihet në dyshim. Për ta është më e pranueshme që të pranosh logjikën e mendjelehtëve, të cilët mbështeten në rregulla të kota, që i vendosin vetë dhe i besojnë si të mirëqena. Ky këmbim konsiderohet si mohimi më i madh i Shpalljes së Allahut dhe si armiqësi e hapur ndaj saj. Por Allahu është Mbrojtësi dhe Ndihmëtari më i mirë kundër mohuesve e refuzuesve të së vërtetës. - “...por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.” - Mbi ta zbriti ndëshkimi, për shkak të shpërfilljes dhe talljes me shenjat dhe Shpalljen e Zotit. - “Dhe kur e panë Dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”.”. - Kur të tillët të shohin ndëshkimin, ata do të pranojnë besimin e drejtë në Allahun, por kjo nuk do t’ju vlejë, sepse koha për pendim dhe besim përfundon me vdekjen. Ata do të distancohen nga idhujt ose gjithçka që kanë adhuruar në dynja, veç Allahut të Madhëruar. Po ashtu, ata do të pendohen
për çdo dituri e vepër që binte ndesh me mësimet dhe udhëzimet e profetëve të Zotit. - “Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robve të Tij.” - Por besimi dhe pendimi i tyre nuk u vlen në atë çast. Ky është rregulli i pandryshueshëm, që ka vendosur Zoti. Besimi i mohuesve në momentet e zbritjes së ndëshkimit është i pavlefshëm. Ai tashmë nuk i shpëton më nga ndëshkimi i Zotit, sepse është besim i detyruar, dhe jo besim me zgjedhje të lirë. Ai është tashmë besim i diçkaje të dukshme nga shqisat. Ndërsa besimi i vërtetë dhe i saktë, që i sjell dobi njeriut, është besimi me zgjedhje të lirë dhe besimi në gjërat dhe çështjet që nuk dëshmohen nga shqisat. Gjithashtu, kusht për vlefshmërinë e imanit është që të ndodhë para se të vijnë shenjat e dukshme të ndëshkimit dhe para se të vijë Dita e Gjykimit (ose disa nga shenjat e afrimit të saj). - “Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” - Pikërisht në këtë kohë, kur të vuajnë ndëshkimin e madh, qafirët do të binden për humbjen dhe dështimin e tyre. Ata tashmë kanë humbur fenë, dynjanë dhe ahiretin e tyre. Por humbja e mirësive nuk do të jetë e vetmja gjë që i pret. Ata do të hidhen në ndëshkimin më të rëndë, që do ta vuajnë në përjetësi. Këtu përfundon edhe tefsiri i sures “El mu’min” (besmtari) 8, me mirësinë, butësinë dhe ndihmën e Allahut të Madhëruar.