41. Fusilet · Ajeti 38 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 41:19–41:38

Edhe në ajete të Kur'anit, sikurse edhe në këta, përmendet se në ditën e gjykimit gjymtyrët e trupit të njeriut, siç janë veshi, syri dhe lëkura do të dëshmojnë për veprat që i ka bërë njeriu. Ai Zot që pati fuqi ta krijojë njeriun për herë të parë, pa ekzistuar fare dhe pati fuqi ta ringjallë pasi të vdesë, ka fuqi t'u dhurojë të folur edhe gjymtyrëve. Ka mendime se puna e secilës gjymtyrë është e inçizuar dhe se ai inçizim do të paraqitet atë ditë.

Njerëzit kur bëjnë ndonjë punë të keqe, fshihen prej masës e nuk e dinë se për ato punë të bëra do të dëshmojnë gjymtyrët e tyre. Sipas kësaj, nënkuptohet se njeriu asnjëherë nuk është pa përcjellës, megjithse Zoti i di të gjitha.

Shoku i keq ia miraton punët e këqija shokut të vet edhe në këtë jetë dhe e mashtron duke i thënë se nuk ka botë tjetër, nuk ka përgjegjësi para Zotit dhe ashtu e çon drejt në humnerë. Asi njerëzish të këqij pati ndër popuj dhe në të kaluarën e largët, pati edhe në kohën e Pejgamberit, kur kundërshtarët, le që nuk e dëgjonin Kur'anin kur ai lexohej dhe bënte fjalë për jetën e ardhshme, por i nxitnin edhe të tjerët që të ngrisin zërin kundër tij në mënyrë që të mos dëgjohet leximi i Kur'anit dhe të mos bëjë ndonjë ndikim te dëgjuesit. Pra, e dinin se ai është mrekulli e Zotit dhe e dinin se ai ka ndikim te njerëzit e urtë, por kryeneçësia nuk i lejonte ta pranojnë të vërtetën. Andaj, kundërshpërblimi i tyre ishte meritë e tyre. Të gjithë të mashtruarit prej shokëve të këqij do të kërkojnë prej Zotit që t'u sjellë pranë tyre mashtruesit, qofshin prej xhinëve, qofshin prej njerëzve e ti vënë nën këmbët e tyre, sepse ua panë sherrin dhe u ndëshkuan me zjarr.

Besimtarët e sinqertë e të vendosur gjatë tërë jetës së tyre, do të kenë pranë vetes në momentin e vdekjes engjëj të mëshirës që do t'u thonë: Mos keni frikë për ardhmërinë tuaj, mos u pikëlloni që u ndatë prej fëmijëve, prej familjes e prej pasurisë, sepse do të shkoni në xhennet, në të cilin do të keni çka të dëshironi dhe do të jeni të pritur e të nderuar prej Zotit mëshirues.

Njeriu më i mirë, të cilin duhet marrë shembull, është ai që vetë është besimtar, që këshillon për rrugën e drejtë dhe që vetë bën vepra të mira. Të tillëve u kanë thënë: Ulemai amilin - dijetarë vepërmirë.

Nuk janë të njëjta e mira dhe e keqja, sepse e mira ka peshë të madhe, ndaj duhet përpjekur që edhe të keqen e dikujt ta kthejmë në të mirë. Por këtë nuk mund ta bëjë çdokush: këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e mirë. Shejtanit nuk i vjen mirë të kthehet e keqja me të mirë, sepse ai dëshiron t'i ngacmojë njerëzit që të keqes t'i përgjigjen me të keqe e në mes tyre të shtohet armiqësia: prandaj në rastet e tilla duhet kërkuar ndihmë prej Zotit, e Ai ndihmon.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 41:37–41:39

Allahu i Lartësuar u bën me dije krijesave, pushtetin e Tij madhështor, të pashembullt dhe pa ortak në të. I Lartësuari thotë: - “Ndër shenjat e Tij janë nata, dita, Dielli e Hëna.” - Allahu i Lartësuar krijoi natën dhe ditën, në mënyrë të tillë që ato zëvëndësojnë njëra -tjetrën dhe kurrë nuk ndërpritet ky rregull. Po kështu, Ai krijoi Diellin dhe Hënën, të tillë që, me ndryshimet e lëvizjeve të tyre, përcaktohet gjatësia e natës dhe ditës, javëve, muajve, viteve, duke llogaritur kohën e përmbushjes së detyrimeve, adhurimeve, dhe aktmarrë - veshjeve mes njerëzve. Duke qënë se Dielli dhe Hëna janë trupat më të bukur, që duken në botën e sipërme dhe të poshtme, i Lartësuari na njofton se ata janë thjesht dy krijesa, që i janë nënshtruar dhe bindur Zotit. Ato janë krijesa nën sundimin dhe pushtetin e Zotit dhe zbatojnë rregullin e vendosur prej Tij. - “Mos i bëni sexhde as Diellit, as Hënës! Sexhde i bëni vetëm Allahut, i Cili i krijoi ato, nëse e adhuroni vetëm Atë!” - Mos i shoqëroni Zotit asgjë prej tyre në adhurime, sepse adhurimet për këto krijesa nuk kanë për t’ju sjellë asnjë dobi. Nëse adhuroni Allahun duke i shoqëruar Atij ortakë, dijeni se Allahu i Madhëruar nuk e fal kurrë që t’i shoqërohet Atij diçka apo dikush në adhurim. - “Po nëse ata refuzojnë ...” - Nëse ata tregohen kryeneçë dhe nuk nënshtrohen që

ta besojnë dhe adhurojnë Allahun e Lartësuar si Një dhe të Vetëm, ta dinë se ... - “... atëherë ata që janë pranë Zotit tënd i thurin lavde Atij, natën e ditën dhe kurrë nuk lodhen.” - Është fjala për melekët, të cilët nuk reshtin së adhuruari Zotin, natën dhe ditën dhe kurrë nuk lodhen, kurrë nuk pakësojnë ose ngadalësojnë adhurimet që bëjnë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar dhe Krenar: “Këta janë ata të cilëve Ne u dhamë Librin, urtësinë e profetësinë. E nëse këta (populli yt) refuzojnë, Ne e kemi siguruar atë me një popull që nuk e refuzon.” [En’am 89] . Hafidh Ebu Ja’la përcjell nga Xhabir Ibn Abdilahi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), se Profeti i Allahut ka thënë: [83] “Mos e shani natën dhe ditën, as Diellin dhe Hënën, edhe erërat mos i shani, sepse ato dërgohen si mëshirë për një popull dhe si ndëshkim për popuj të tjerë.” - “Nga shenjat e Tij është edhe toka, që ti e sheh të thatë e të shkretë, por, kur Ne i lëshojmë shiun, ajo gjallërohet e (prodhimi) shtohet.” - Ndër shenjat, të cilat tre - gojnë fuqinë e Allahut për të rikthyer të vdekurit në jetë është “edhe toka, që ti e sheh të thatë e të shkretë”, pra, të tharë, pa asnjë lloj bimësie, të vdekur, pa jetë, por, kur Allahu i lëshon shiun, ajo gjallërohet e shtohet, duke nxjerrë shumëllojshmëri bimësh dhe frutash. - “Nuk ka dyshim se Ai që e gjallëron atë, do t’i ngjallë të vdekurit, sepse Ai është i Plotpushtetshëm për çdo gjë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 41:36–41:39

Pasi na mësoi se si t’i kundërvihemi dhe të shpëtojmë nga armiqësia e njerëzve, pra, duke ua kthyer të keqen me të mirë, Allahu i Lartësuar vijon të na mësojë si të mbrohemi nga armiqësia e xhindëve. Prej tyre mund të mbrohesh dhe të ruhesh veçse duke ia kërkuar këtë ndihmë Allahut të Madhëruar. Thotë i Lartësuari: - “E, nëse ndonjëherë ty të bëhet ndonjë ngacmim prej Shejtanit, kërkoi mbrojtje Allahut,...” - Nëse në ndonjë moment ndien ndonjë ngacmim prej Shejtanit të mallkuar, i cili ta zbukuron të keqen dhe të josh për ta vepruar atë, ose ta shëmton të mirën dhe të dembelos a të pengon që ta kryesh atë, ose të mbush me lloj-lloj vesvesesh të ndryshme të tij, atëherë menjëherë kërko mbrojtje tek i Gjithëmëshirshmi i Gjithëpushtetshmi, duke thënë: “ Eudhu bil -lahi minesh -shejtanirraxhim!”. Lutju Allahut me përgjërim e përulje të plotë, si një rob i pafuqishëm, që të të ruajë prej sherrit të Shejtanit. Gjithashtu, dije mirë se po i lutesh Atij që dëgjon gjithçka dhe di gjithçka: - “...sepse Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdituri.” - Ai e dëgjon lutjen dhe përgjërimin tënd. Allahu e di shumë mirë pafuqinë dhe nevojën tënde të domosdoshme për ndihmën e Tij. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar përmend disa nga shenjat e Tij madhështore, të cilat tregojnë qartë për pushtetin e Tij të plotë mbi gjithçka, për sundimin dhe mbretërinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe të gjerë, për mëshirën e Tij të pafundme, që ka përfshirë gjithçka. Në gjithësi ndodh ajo që Zoti dëshiron, me dijen, urtësinë, drejtësinë dhe mëshirën e Tij. Këto shenja tregojnë se Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë. Askush tjetër nuk meriton adhurimin veç Tij. Kështu, i Lartësuari thotë: - “Ndër Shenjat e Tij janë nata, dita, Dielli e Hëna. ” - Gjatë ditës së ndritshme, njerëzit kërkojnë të përfitojnë prej begative të Allahut dhe të mbledhin prej mirësive të Tij. Ndërsa gjatë natës së errët dhe të qetë, ata qetësohen e çlodhen, që të rimarrin forcat për ditën e re. Nëpërmjet dy krijesave të tjera të Zotit, Diellit dhe Hënës, bëhet e mundur jeta në tokë, pra, jeta e njerëzve, e kafshëve dhe e bimëve. Këto janë mirësi që nuk mund të mënjanohen dhe që vetëm Zoti që i krijoi i di me hollësi. - “Mos i bëni sexhde as Diellit, as Hënës! Sexhde i bëni vetëm Allahut, i Cili i krijoi ato, nëse e adhuroni vetëm Atë! ” - Ato janë thjesht krijesa të Allahut dhe të nënshtruara ndaj urdhrit dhe vullnetit të Tij dhe, si të tilla, ato nuk meritojnë që t’u biesh në sexhde, t’i adhurosh apo t’u nënshtrohesh me dashuri, madhërim, shpresë dhe frikë. Adhurimet i takojnë vetëm Allahut të Vetëm dhe të Pashoq, sepse vetëm Ai është Krijuesi dhe Sunduesi madhështor. Vetëm Allahu duhet të adhurohet, duke qëndruar sa më larg adhurimit të krijesave, sado të mëdha, të çuditshme apo të dobishme të duken ato. Në

fakt, madhështia, mrekullia apo dobia e tyre janë dhunti që Zoti ua ka falur, prandaj vetëm Ai duhet lavdëruar e adhuruar për çdo mirësi. Nëse njerëzit pretendojnë se adhurojnë një Zot të vetëm, atëherë vetëm Atij t’ia përkushtojnë çdo adhurim me sinqeritet, dashuri madhërim, bindje dhe nënshtrim. Ky është besimi i drejtë, kjo është e vetmja fe e pranueshme nga Allahu i Madhëruar. - “Po nëse ata (jobesimtarët) refuzojnë, atëherë ata që janë pranë Zotit tënd i thurin lavde Atij, natën e ditën dhe kurrë nuk lodhen.” – Kuptimi: Nëse refuzojnë që të adhurojnë Allahun e Lartësuar dhe nuk i përulen Atij, le ta dinë se ata nuk mund ta cenojnë aspak madhështinë e Allahut. Allahu është jonevojtar për ta dhe për adhurimet e tyre. Nga ana tjetër, Allahu i Madhëuar ka krijuar rob të bindur, të cilët kurrë nuk e thyejnë urdhrin e Tij, por zbatojnë gjithçka që u urdhërohet. “Ata që janë pranë Zotit”, domethënë melekët e Tij, e madhërojnë dhe e lavdërojnë me tesbih Atë natë e ditë, dhe kurrë nuk lodhen apo ta pakësojnë adhurimin. Ata janë shumë të fuqishëm, ashtu siç është e fuqishme edhe dashuria e tyre për Zotin, prandaj edhe përkushtimi i tyre është i pandërprerë. - “Nga Shenjat e Tij është edhe toka, që ti e sheh të thatë e të shkretë e, kur Ne i lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e (prodhimi) shtohet..” - Prej shenjave madhështore që dëshmojnë për pushtetin dhe mbretërinë e plotë të Allahut dhe për faktin se Ai është i Vetëm në sundimin dhe administrimin e çështjeve të krijesave, është edhe toka e tharë dhe e pajetë, e cila, kur Allahu i Lartësuar zbret shiun nga qielli, ajo ringjallet, merr jetë dhe fillon të gëlojë. Prej saj lulëzon bimësi e madhe, si furnizim për njerëzit dhe kafshët. Kështu zbret jeta nga qielli dhe përhapet begatia dhe gëzimi. - “Nuk ka dyshim se Ai që e gjallëron atë, do t’i ngjallë të vdekurit,..” – Kuptimi: Është po ky Krijues Madhështor, që kujdeset për ju dhe që risjell jetën në tokën e vdekur, Ai i Cili do t’i ringjallë të vdekurit e do t’i nxjerrë nga varret e tyre Ditën e Ringjalljes. - “sepse Ai është i Plotpushtetshëm për çdo gjë.” - Pra, ashtu sikurse është i Plotpushtetshëm për të ringjallur tokën pas vdekjes së saj, po ashtu Allahu është i Plotpushtetshëm që të ringjallë të vdekurit nga varret e tyre.

← Fusilet 41:38