41. Fusilet · Ajeti 54 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 41:39–41:54
Ata që u përpoqën ta mohojnë Kur'anin si shpallje të Zotit, janë naivë. Kur'ani është libër që nuk ka shok, andaj atij nuk mund t'i mvishet ndonjë e pavërtetë, sepse Zoti e ka garantuar ta ruajë të saktë Muhammedit i thuhet që të mos shqetësohet aq shumë nëse ata e kundërshtojnë edhe rreth Kur'anit, sepse ashtu i patën kundërshtuar edhe pejgamberët që kishin qenë më parë.
Zoti xh. sh. i dërgoi shpalljet në gjuhën e atij populli, të cilit i dërgohej pejgamberi. Edhe Kur'anin e shpalli në gjuhën e popullit dhe të pejgamberit. Idhujtarët i patën thënë Pejgamberit: "Pse shpallja në gjuhë tjetër, kur Pejgamberi është arab" Idhujtarët nuk donin ta dëgjonin Kur'anin sikur të ishin të shurdhët ose të verbër.
Suksesin ose vlerën e çdo vepre do ta gëzojë, ose do ta vuajë i zoti i saj, kjo është drejtësi e të madhit Zot. E nëse pyesin se kur do të ngjajë ajo, thuaju se do të ngjajë në ditën e kijametit, por për momentin e kijametit nuk di askush përveç Zotit. Edhe për frutin në lëvozhgë, edhe për fetusin në mitrën e nënës, edhe për lindjen e tij, Zoti është i njohur në hollësi, pra Ai e di edhe kur do të bëhet kijameti. Idhujtarëve do t'u humbë lidhja me idhujt që i adhuruan, do ta pranojnë Zotin një, por do të jetë vonë.
Njeriu duhet falënderuar, duhet adhuruar Zotin e madhëruar për çdo moment dhe në të gjitha gjendjet e tij jetësore, e jo vetëm kur është i kënaqur, i disponuar, e jo edhe vetëm kur është në vështirësi, me lutje që ta largojë atë. As kënaqësitë, e as vuajtjet në këtë jetë nuk janë masë për të vlerësuar njeriun, andaj gjendjet e tilla nuk duhet të kenë ndikim në adhurimin ndaj Zotit: adhurimi dhe falënderimi duhet të jenë ushqim shpirtëror për njeriun.
Gjithçka që thotë Kur'ani është e vërtetë e sigurt, andaj atë duhet besuar, ngase është thënie e Zotit, e thënia e Zotit është e vërtetë pa kurrfarë dyshimi. Mirëpo, Zoti e ka ditur se edhe në kohën e pejgamberit, e edhe më vonë, pati dhe do të ketë njerëz që thëniet e Zotit nuk duan t'i pranojnë, nëse nuk arrijnë t'i kuptojnë edhe me mendjen e tyre. Zoti u tha: Ani pra, pritni, e thëniet e Mia doemos do t'i vërtetoni, duke zbuluar sekrete në vetë qenien tuaj njerëzore. E këso sekretesh të dhëna në Kur'an para sa shekujsh janë zbuluar tash, pra domosdo po vërtetojnë thëniet e Zotit në shpalljen e Tij.: Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i sures "Suretu Fussiletu"' - kaptina e shkoqitjeve. Lavdëruar qoftë Zoti i madhërishëm!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 41:52–41:54
Thuaju idhujtarëve, të cilët e mohojnë këtë libër, që t’u dha nga Zoti yt: - “Nëse ky është vërtet prej Allahut, por ju e mohoni atë, atëherë, kush është në humbje më të madhe se ata që janë në kundërshtim të hapur me të?” - Pra, a nuk e mendoni dhe meditoni pak në këtë fakt? Sikur Kurani të jetë shpallje e vërtetë e Zotit, drejtuar Profetit të Tij, kurse ju e mohoni atë, si mendoni se do të jetë gjendja juaj tek Ai, i Cili ia zbriti këtë libër Profetit dhe të zgjedhurit të Tij, Muhamedit ?ﷺ Prandaj i Lartësuari thotë: “... atëherë, kush është në humbje më të madhe se ata që janë në kundërshtim të hapur me të?” Këta janë të zhyturit në mohimin e të vërtetës, të mbushur me inat , armiq ësi e refuzim. Ata janë në luftë me të vërtetën, në një rrugë, që është shumë larg nga drita dhe udhëzimi i drejtë. - “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin shenjat Tona në horizont dhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ai është i vërtetë. ” - Ne kemi për t’u shfaqur argumentet Tona, faktet që tre - gojnë se Kurani është i vërtetë dhe i zbritur prej Allahut, te Profeti i Tij i zgjedhur Mu - hamedi .ﷺKëtë do ta bëjmë përmes shumë e shumë fakteve, jashtë këtij Kurani, pra, të cilat do të shfaqen në “... horizonte ...”, domethënë, përmes çlirimeve të shumë vendeve dhe triumfit të Islamit, duke e bërë atë të jetë feja e epërme mbi të gjithë fetë dhe besimet në botë. Ne do t’u sjellim, gjithashtu, argumente që t’i shohin edhe në vetet e tyre, sikurse ishte ngjarja e Bedrit, çlirimi i Mekës e shumë ngjarje të tilla, të cilat vetë kurejshët, mohuesit e Kuranit, i përjetuan. Ata e panë të qartë ndihmën që Allahu i Madhëruar i ofroi Muhamedit ﷺ dhe shokëve e përkrahësve të tij. Panë ndëshkimin që morën të gjithë ata që iu kundërvunë ose që u bënë palë me kundër - shtarët. Gjithashtu, ka mundësi që kuptimi i: “... dhe në veten e tyre” të jetë për ato shenja dhe argumente të mrekullueshme, që njeriu mund të shohë në veten e vet, si krijesë: si është ndërtuar ai, lëndët, përzierjet, format e habitshme, sikurse shihet qartë në shkencat mjekësore, të cilat, sa më thellë t’i studiosh, aq më shumë kupton urtësinë e Krijuesit të Lartësuar dhe Begatiplotë. Mahnitesh kur sheh natyrën e njeriut, prirjet me të cilat ai është gatuar dhe formuar, forcat e mrekullueshme shpirtërore dhe dallimet aq të shumta në moralin,
sjelljet e gjithësecilit e shumë aspekte të tjera, të cilat janë aq të larmishme dhe të cilat kurrsesi nuk mund të jenë në dorë të njeriut. Njeriu kurrsesi nuk mund t’ia ofrojë vetes këto mirësi e veçori të shumta, me forcën e tij, me mundësitë dhe zgjedhjet e tij, por është Allahu i Lartësuar Ai që ia ka dhuruar të gjitha këto cilësi dhe e ka krijuar në formën më të përkryer. - “A nuk mjafton që Zoti yt është Dëshmues për çdo gjë? ” - Mjafton që Allahu është Gjithëshikues dhe i Gjithëditur rreth fjalëve dhe veprave të robërve të Tij. Allahu i Madhëruar është Ai që dëshmon se Muhamedi është besniku i Tij dhe është i vërtetë në çdo mesazh që solli prej Zotit të tij, siç thotë Allahu i Lartësuar në ajetin tjetër: “Por Allahu dëshmon se atë që ta zbriti ty, ta zbriti nga dija e Vet; gjithashtu, melekët dëshmojnë. Por mjafton që Allahu është dëshmues.” [Nisa 166]. - “Vërtet, ata janë në dyshim për takimin me Zotin e tyre ... ” - Ata janë në dyshim e pasiguri, në lidhje me ndodhinë e Kijametit dhe llogarisë së drejtë para Zotit, prandaj dhe nuk thellohen rreth saj dhe as nuk punojnë, që të përgatiten. Zemrat e tyre janë bosh dhe nuk e njohin frikën për llogarinë e drejtë përpara Tij, edhe pse ajo është një ngjarje, që do të ndodhë në mënyrë të padiskutueshme dhe të paevitueshme. - “... por le ta dinë se pushteti i Tij përfshin gjithçka. ” - Ai është Gjithë - përfshirës dhe asgjë e askush prej krijesave nuk mund të dalë jashtë pushtetit e sundimit të tij. Çdo gjë është nën pushtetin e Zotit. Është Ai që administron çdo çështje të krijesave me urtësinë e Tij. Ai është i vetëm dhe nuk ka ortak në asgjë prej këtyre aspekteve të zotërimit të Tij. Ajo që Ai dëshiroi të jetë, është, ndërsa ajo që ai nuk e dëshiroi që të jetë, ajo kurrsesi nuk mund të jetë. Nuk ka të adhuruar tjetër; që meriton të adhurohet, veç Tij. Allahu është i vetëm, pa ortak, i pashoq. Ai nuk ka ndihmës, nuk ka të ngjashëm dhe si shembulli i Tij. Në dorën e Tij është mbretërimi, sundimi, pronësia e gjithçkaje dhe vetëm Atij i takon lavdërimi, përlëvdimi për çdo gjë. Ai për gjithçka është i Plotpushtetshëm. Ky është fundi i përmbledhjes së tefsirit të sures Fusilet. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja për të gjitha mirësitë që na dhuron!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 41:52–41:54
- “Thuaj: “Më tregoni! Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej Allahut, por ju e mohoni atë, atëherë, kush është në humbje më të madhe se ata që janë në kundërshtim të hapur me të?” ” - Thuaju atyre që e mohojnë Kuranin dhe që nxitojnë të mohojnë Zotin, profetët dhe shpalljet e Tij: “Më tregoni! Nëse ky Kuran është Shpallje e Allahut të Lartësuar, – gjë për të cilën nuk ka asnjë dyshim, – dhe ju zgjidhni që ta mohoni atë, atëherë, a nuk është ky tregues i qartë për humbjen e thellë, ku keni rënë?! Pa dyshim, kjo është shprehje e mohimit dhe armiqësisë ndaj Allahut dhe Profetit, sepse ju keni devijuar nga e vërteta pasi ajo ju është bërë plotësisht e qartë. Ju e keni braktisur Shpalljen e Zotit jo për shkak se synoni të vërtetën dhe të drejtën, ashtu siç pretendoni, por për hir të së kotës dhe injorancës, prandaj, me këtë veprim, meritoni të jeni njerëzit më të humbur, më të devijuar dhe më të padrejtë. - “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin Shenjat Tona në horizont dhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se Ai (Kur'ani) është i Vërtetë.” – Kuptimi: Nëse pretendoni se keni dyshime për saktësinë e kësaj Shpalljeje, atëherë dijeni se Allahu i Lartësuar ka për t’ju bërë të shihni shenjat e Tij në gjithësi, në qiell dhe në tokë, ose në ngjarjet madhështore, të cilat i japin dritë kujtdo që kërkon ta shohë të vërtetën. Gjithashtu, Allahu ju ka sjellë shenja e fakte edhe në vetet tuaja. Çdokush mund të shohë te vetja çuditë e krijimit të Allahut të Madhëruar, që të bindet për madhështinë dhe fuqinë e Tij. Nga ana tjetër, duke parë ndëshkimet me të cilat ai ka goditur mohuesit e të vërtetës, si dhe suksesin e mirësitë që u ka dhuruar besimtarëve, ju do të bindeni se Kurani dhe gjithçka që ai përmban është e vërteta e sigurt nga Zoti i Madhëruar. Allahu i Lartësuar u ka dhënë gjithmonë shenja dhe argumente të shumta adhuruesve të Tij, nëpërmjet të cilave u jepet siguri e plotë se Kurani është i vërtetë nga Zoti. Allahu i Lartësuar është i vetmi që jep dritën e imanit. Ai udhëzon atë që Ai dëshiron, me mëshirën dhe bujarinë e Tij, dhe e lë jashtë rruge Atë që Ai dëshiron, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij.