5. Maide · Ajeti 46 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:41–5:46

Zoti xh. sh. lehtëson brengosjet që ia shkaktonin Muhammedit kundërshtarët duke i thënë: të mos brengosin ty intrigat e hipokritëve, të cilët vetëm me gojë thonë së kemi besuar, por në të vërtetë nuk janë besimtarë. Të mos brengosin as dredhitë e jehudive, të cilët me qëllim bëjnë interpretime të gabuara në librin e Zotit dhe përhapin e përcjellin çdo gënjeshtër kundër Muhammedit.

Jehuditë u thoshin njerëzve të vet të shkonin te Muhammedi dhe ta pyesnin për masën e paraparë të dënimit kundër atij që bën imoralitet (zina) dhe nëse ju thotë se masa ndëshkuese është rrahja, pranoni atë gjykim të tij, por nëse ju thotë se masa ndëshkuese për të tillin është gurëzimi - mbytja me gurë - atë gjykim mos e pranoni, edhe pse kjo masë ishte edhe në Tevrat.

Derisa edhe kur u përgjigjej Muhammedi sipas vendimit të Allahut të shënuar në Tevrat dhe ata nuk pranonin, Zoti e lë të lirë Muhammedin t'iu përgjigjet ose të mos u përgjigjet fare në çështjet e tyre, duke e garantuar se ata nuk do të mund t'i sjellin kurrfarë dëmi.

Pejgamberët dhe ulemaja e parë nga beni israilët i zgjidhnin të gjitha çështjet mes jehudive sipas dispozitave të Tevratit, por më vonë një pari e tyre fetare bëri ndryshime në shumë çështje. Prandaj, edhe parashtrohet çështja e masës së dënimit për mbytje e të tjera, sepse ishte e vënë në baza të drejta e të shëndosha, por më vonë bëhet shkallëzimi i njerëzve në vetë fiset e jehudive dhe masat nuk zbatohen njëjtë. Të gjithë ata që bëjnë ndryshime në dispozitat e Zotit, konsiderohen jobesimtarë. Edhe Inxhili, që i shpallet Isait, vërtetonte shpalljen e mëparshme, Tevratin, pse edhe njëri edhe tjetri ishin të shpallur prej Zotit, ashtu sikurse është edhe vetë Kur'ani. Ndonjë ndryshim mes tyre mund të jetë vetëm në dispozita, e kurrsesi në themelet e besimit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:46–5:47

- Dhe në gjurmët e tyre (të profetëve) Ne dërguam Isanë, birin e Merjemes, që vërtetoi Teuratin, që kishte ardhur para tij. - Edhe Isai ishte vazhdim i profetëve të dërguar nga Zoti nga mesi i bijve të Izraelit (Jakubit259). Allahu na tregon se Isai “...vërtetoi Teuratin, që kishte ardhur para tij.” Domethënë, ai e besoi vërtetësinë e tij dhe jetoi e gjykoi ndër njerëz sipas tij. Ky është shpjegimi i fjalës “vërtetoi”. - Atij i dhamë Ungjillin, që ishte udhëzim dhe dritë... - Ai ishte udhëzim i qartë drejt të vërtetës së Zotit. Ai ishte dritë, nëpërmjet së cilës besimtarët ndriçoheshin në rrugën drejt Zotit dhe kënaqësisë së Tij dhe shihnin qartë zgjidhjen e çdo problemi e vështirësie, duke larguar dyshimet. Isai ishte gjithashtu: - vërtetues i Teuratit që kishte ardhur para tij - Isai ishte pasues i përpiktë i Teuratit, jo kundërshtues i tij. Isai abrogoi veçse disa gjëra të vogla nga dispozitat e librave të shkuar, çështje për të cilat bijtë e Izraelit ishin në kundërshtim e polemika të vazhdueshme me njëri -tjetrin. I Lartësuari thotë në një sure tjetër: “Unë jam dëshmues i vërtetësisë së Teuratit, që është shpallur para meje, dhe do t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Unë kam ardhur me argumenta (të qarta) nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni mua!” [Al Imran 50]. Për këtë arsye, mendimi më i saktë dhe më i përhapur mes dijetarëve është se Ungjilli abrogoi disa ligje e dispozita të Teuratit. Allahu i Madhëruar

vijon me përshkrimin e Ungjillit, duke thënë: - udhëzues e këshillues për të devotshmit. - Ne e bëmë Ungjillin udhëzim të qartë, përmes të cilit besimtarët të shihnin rrugën drejt kënaqësisë së Zotit. Ai ishte edhe këshillues e qortues, përmes të cilit zemrat e besimtarëve frikësoheshin e bëheshin të përulura, për t’u larguar nga çdo haram e çdo gjynah. Ungjilli ishte i tillë, - siç thotë i Madhëruari, - veçse “për të devotshmit”, për ata që kishin në zemër frikë -respekt për Zotin dhe drojë të madhe nga kërcënimi e ndëshkimi i Tij. - Le të gjykojnë ithtarët e Ungjillit sipas asaj që Allahu ka shpallur në të! – Ky ajet është lexuar edhe si fjali e formës dëftore: “Li jaĥkume Ehlul Ungjilli ...” domethënë: “në mënyrë që ithtarët e Ungjillit të gjykonin mes tyre në atë kohë kur iu shpall, sipas asaj që Allahu shpalli në të!” Por është lexuar gjërësisht në këtë formë: “ L'jaĥkum ehlul Ungjilli ...”, pra: “Le të gjykojnë ithtarët e Ungjillit sipas asaj që Allahu ka shpallur në të!” Ky formulim është një fjali urdhërore, sipas të cilit ithtarët e Ungjillit urdhëroheshin që të besonin gjithçka në të dhe të zbatonin me përpikmëri e sinqeritet çdo dispozitë e porosi të sjellë nga Zoti. Mes porosive më të rëndësishme ishte edhe lajmi i mirë për ardhjen e Profetit të fundit të botës, Muhamedit, dhe urdhri për pasimin dhe mbështetjen e rrugës së tij. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thuaj: “O ithtarë të Librit, ju nuk jeni asgjë, derisa të zbatoni Teuratin, Ungjillin dhe atë (Kur'anin) që ju zbriti nga Zoti juaj.” Shumë prej tyre, kjo (shpallje) që t’u zbrit ty do t’ua shtojë largimin dhe mohimin. Po ti mos u ligështo për popullin që nuk beson.” [Maide 68]. - E kush nuk gjykon sipas asaj që Allahu ka shpallur, ata kanë dalë jashtë rrugës së Zotit. - Ata i janë larguar rrugës së bindjes e nënshtrimit ndaj Zotit dhe kanë shkuar drejt kotësisë. Këta e kanë braktisur të vërtetën. Duket qartë nga konteksti, se ajeti ka zbritur dhe flet për të krishterët.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:46–5:47

- “Dhe në gjurmët e tyre (të pejgamberëve) Ne dërguam Isanë, birin e Merjemes, që vërtetoi Teuratin, që kishte ardhur para tij.” - Kuptimi: Pas profetëve që u urdhëruan të gjykonin me Teurat, Ne dërguam robin dhe adhuruesin Tonë të sinqertë, Isain, birin e Merjemes. Ai ishte Shpirti i krijuar prej Allahut dhe Fjala e Tij (Bëhu), të cilën Ai e drejtoi mbi Merjemen. Allahu i Lartësuar e dërgoi Isain si vërtetues dhe përforcues të urtësisë së Teuratit. Me fjalë të tjera, Isai dëshmoi për vërtetësinë e Teuratit dhe për besnikërinë e Musait. Si profet i zgjedhur i Zotit, Isai do të ishte pohues e përforcues i shumicës së ligjeve të shpallura Musait dhe profetëve para tij. Megjithatë, ai solli lehtësime për bijtë e Israilit në disa dispozita, sikurse thuhet në suren Al Imran: “ Unë jam dëshmues i vërtetësisë së Teuratit, që është shpallur para meje, dhe do t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Unë kam ardhur me argumenta (të qarta) nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni mua! Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Atë adhurojeni, sepse kjo është Rruga e drejtë! ” [Al Imran 50, 51]. Më tej, Allahu i Madhëruar thotë: - “Atij i dhamë Ungjillin, që ishte udhëzim dhe dritë...” - Ungjilli ishte libër madhështor, plotësues i Teuratit madhështor dhe shpalljeve hyjnore para tij. Ai libër u bë udhëzim dhe dritë, që tregonte rrugën e drejtë për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe që sqaronte të vërtetën nga e kota. - “...vërtetues i Teuratit që kishte ardhur para tij ...” - Ungjilli ishte vërtetues dhe përforcues i Teuratit. Ai dëshmonte për atë si një libër i Zotit dhe i përforconte ligjet e shpallura në të. Ungjilli gjithashtu ishte: - “...udhëzues e këshillues për të devotshmit.” - Ata të cilët ndriçoheshin nga udhëzimi i Ungjillit dhe nxirrnin mësime prej tij ishin vetëm të devotshmit. Ata qëndronin brendave kufijve të tij, zbatonin urdhëresat e tij, largoheshin nga

ndalesat e tij dhe nga çdo cilësi e ulët dhe e padenjë. - “Le të gjykojnë ithtarët e Ungjillit sipas asaj që Allahu ka shpallur në të.” - Besimtarët e vërtetë të Ungjillit duhet të mos i kalonin kufijtë e vendosur në librin e tyre. Ata nuk duhet të mohonin dhe shpërfillnin porositë që Zoti shpalli në të. Në të kundërt: - “E kush nuk gjykon sipas asaj që Allahu ka shpallur, ata kanë dalë jashtë rrugës së Zotit.”

← Maide 5:46