5. Maide · Ajeti 96 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 5:87–5:96
Myslimanët urdhërohen të mos i kalojnë kufinjtë në shfrytëzimin e begative. Begatitë e mira e të lejuara të shfrytëzohen, të mos iket prej tyre në shenjë të ndonjë asketizmi, misticizmi, heqjeje dorë nga kënaqësitë e kësaj bote etj. Në anën tjetër, nuk duhet t'u afrohen sendeve të ndaluara.
Betimet e rastit në shenjë vërtetimi ose mohimi, fjala vjen: po, vall Ilahi, jo vall llahi, nuk kanë ndonjë përgjegjësi. Betimet me qëllim të caktuar kanë përgjegjësi, andaj duhet respektuar ato, e nëse vjen puna të thyhet një betim i tillë, masa ndëshkuse është: të ushqyerit e dhjetë të varfërve, ose veshja, e tyre, ose agjërimi.
Pijet alkoolike, luajtja në komar, adhurimi i statujeve, falli për njohje të fatit, janë të fëlliqta, janë nxitje e shejtanit, prandaj janë rreptësisht të ndaluara. Ky është ajeti me të cilin ndalohen definitivisht alkololi dhe bixhozi.
Pasi që u ndalua pija e verës dhe e braktisën myslimanët, u shtrua pyetja: çka ishte puna e atyre që e pinë më parë dhe vdiqën, a kanë përgjegjësi Ajeti sqaron se ata nuk kanë kurrfarë përgjegjësie derisa atëherë nuk ishte e ndaluar definitivisht.
Arabët ishin gjahtarë të njohur, ngase jetonin prej gjuetisë, në kohën kur ishin në ihram e kishin të ndaluar gjahun tokësor dhe nëse e shkelnin ligjin ishin të obliguar të kompensonin për shtazën e mbytur duke bërë kurban një nga kafshët shtëpiake, ose të ushqenin të varfër, ose të agjëronin. Këto dispozita ishin sprovim për të parët - sahabët, ashtu që të dihet se kush i respekton dispozitat e Zotit e kush jo. Këto dispozita të gjuetisë në kohën e haxhit ose të umres, janë të përhershme deri në kijamet. Ihramë është një çarshaf më të cilin është mbështjellur njeriu gjatë kryerjes së detyrës së haxhit.
Nga kjo pjesë e Kur'anit po kuptohet se edhe egërsirat janë të sigurta në Qabe me rrethinë, e të mos flasim për njerëz.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 5:96–5:99
- Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij, për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët... - Ibn Abasi - sipas një transmetim të njohur prej tij - ka thënë se fjala “gjuetia e detit” ka për qëllim çdo gjallesë që nxirret e gjallë prej detit. Ndërsa
fjala “çdo ushqim i tij” ka për qëllim çdo gjallesë që deti e nxjerr të ngordhur. Po i njëjti mendim është transmetuar nga Ebu Bekër Sidiku, Zejd Ibn Thabiti, Abdullah Ibn Amri, Ebu Ejub el Ensari, (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe nga një grup tabiinësh. Ibn Xheriri tregon se për këtë qëndrim vjen një rrëfim, të cilin disa e sjellin si hadith meukuf. Ai thotë: “Henadi na tregon me senedin e tij nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 1067. “Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij”. Pastaj tha: “Ushqimi i tij” janë gjallesat që deti i nxjerr të ngordhura.” Ibn Xheriri thotë: “Disa e kanë sjellë këtë si një hadith meukuf, pra, si fjalë të Ebu Hurejrës e jo të Profetit ﷺ ”. Allahu i Lartësuar thotë: “për t’u kënaqur ju...”, pra, që të jetë në dobinë tuaj dhe si furnizim për ju. Allahu thotë: “dhe udhëtarët”. Ikrima shpjegon: “...Pra, udhëtarët në det.” Ndërsa të tjerë e kanë shpjeguar: “Gjahu i freskët që nxirret prej detit (i gjallë) është për udhëtarët e detit, që e gjuajnë atë. Ndërsa “ushqimi i tij” janë gjallesat që kanë ngordhur në det, ose që janë gjuajtur e nxjerrë prej tij dhe janë tharë e kriposur, për t’u ruajtur si ushqim përgjatë udhëtimit në det, por edhe për ata që nuk janë në det. Një mendim i ngjashëm është sjellë nga Ibn Abasi, Muxhahidi dhe Suddiju. Shumica e dijetarëve kanë argumentuar me këtë ajet për të thënë se të gjitha kafshët e detit janë hallall edhe kur janë të ngordhura. Gjithashtu, ata argumentojnë edhe me hadithin që sjell Imam Maliku nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili ka thënë: “Profeti i Allahut dërgoi njëherë një çetë në një ekspeditë përgjatë bregdetit, në krye të së cilës emëroi Ebu Ubejdete Ibn Xherrahun. Ishin rreth 300 burra dhe unë bashkë me ta. Gjatë udhëtimit, furnizimet dhe ushqimet po na mbaronin. Atëherë Ebu Ubejde urdhëroi të grumbullohej i gjithë ushqimi i ushtarëve, dhe e mblodhi të gjithin. Unë kisha marrë hurma për rrugës. Ai na jepte çdo ditë nga pak e nga pak ushqim, aq sa nuk na mbeti të hanim më shumë sesa nga një hurmë. Por edhe ky ushqim i paktë, erdhi koha e mbaroi. Kur arritëm afër detit, gjetëm një peshk shumë të madh në breg, sa një kodër. E gjithë ushtria hëngri prej tij për 18 net me radhë. Ebu Ubejde urdhëroi që dy brinjë të peshkut të vendoseshin në këmbë, të mbështetura në njëra -tjetrën (si një portë e madhe), dhe pastaj urdhëroi që nën të të kalonte një deve e ngarkuar. Ajo kaloi përmes dhe as që i preku fare dy brinjët.” Ky hadith është në dy Sahih-ët dhe ka ardhur përmes shumë rrugëve nga Xhabir Ibn Abdilahi. Në versionin e sjellë nga Muslimi në Sahih-un e tij, përmes Ebu Zubejrit nga Xhabiri, thuhet: 1068. “...Ne morëm furnizim nga mishi i tij i tharë (e i kriposur) për rrugëtimin tonë. Kur mbërritëm në Medinë, ia treguam këtë Profetit të Allahut, i cili tha: “Ai ishte një furnizim që Zoti jua nxorri në breg. A keni ndonjë pjesë prej tij, të hamë edhe ne?” Ne i dërguam Profetit një pjesë nga ai dhe ai hëngri prej saj.” Malik Ibn Safuan Ibn Sulejm Ibn Seid Ibn Seleme ...... sjell hadithin nga Ebu Hurejra, që ka thënë: 1069. “Një burrë e pyeti Profetin e Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ne udhëtojmë në det dhe me vete marim pak ujë. Nëse marrim abdes me të, do të ngelemi pa pirë. A të marrim abdes me ujin e detit?” Profeti i Allahut tha: “Uji i tij është i pastër dhe kafshët e ngordhura që dalin prej tij janë hallall .” Këtë hadith e kanë sjellë imam Shafiiu, imam Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve. Ai është vlerësuar si i saktë nga Buhariu, Tirmidhiu, Ibn Huzejme, Ibn Hibani e të tjerë. Edhe një grup sahabësh kanë përcjellë diçka të ngjashme nga Profeti i Allahut. Kështu, imam Abdullah el Shafiiu sjell hadithin nga Ibn Umeri, se Profeti ﷺ ka thënë: 1070. “Na janë lejuar dy lloj gjakrash dhe dy lloj të ngordhurash: peshqit dhe karkalecat, mëlçia dhe shpretka.” Hadithin e ka sjellë edhe Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Darekutni. Për këtë ka hadithe të tjera dëshmuese e përforcuese. Ky hadith është transmetuar edhe meukufen.
Megjithatë, Allahu është më i ditur. Në vijim, i Lartësuari thotë: - por ju është ndaluar gjahu i tokës, sa të jeni në ihram! - Gjatë kohës që jeni në ihram, është e ndaluar gjuetia e tokës. Ky ajet tregon se kjo është një vepër e ndaluar kategorikisht, pra, është haram. Nëse muhrimi gjuan me vetëdije e paramendim, ai ka detyrë ta shlyejë me kompensim dhe (duhet të kërkojë falje e) të pendohet, sepse merr gjynah. Nëse ai gjuan gabimisht, edhe në këtë rast ai e ka detyrë që të bëjë kompensimin dhe e ka haram që të hajë nga gjahu, sepse ai konsiderohet për të njëlloj si mishi i ngordhur. Por, a lejohet ai mish për të tjerët? Disa nuk e lejojnë diçka të tillë, ndërsa të tjerë janë të mendimit se ai është i lejueshëm për të tjerët, pavarësisht a janë në ihram ap o jo. Ata bazohen në hadithin: 1071. “Gjahu i tokës është hallall për ju kur jeni në ihram, nëse nuk e keni gjuajtur vetë dhe kur nuk e keni porositur ta gjuajnë për ju.” Imam Ahmedi e ka sjellë këtë hadith nga Xhabiri, ndërsa Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu e kanë sjellë nga Kutejbe. Nëse dikush që nuk është në ihram gjuan një kafshë në gjueti dhe ia dhuron një muhrimi, kur ai e ka gjuajtur posaçërisht për të, ai e ka të ndaluar ta hajë, sipas hadithit të Sa 'b Ibn Xhuthames: 1072. “Profetit iu dhurua një zebër (gomar i egër) gjatë kohës kur ai ishte në El Ebuâe, - ose në Beudân - por ai nuk e pranoi. Kur pa shqetësimin e dhuruesit, Profeti tha: “Ne nuk ta kthyem për ndonjë shkak tjetër, përveçse ne jemi në ihram.” Ky hadith është në dy Sahih-ët dhe është sjellë me tekste e në versione të ndryshme. Kështu, - thonë argumentuesit me këtë hadith - Profeti ia ktheu gjahun, sepse e mendoi se ai e kishte gjuajtur për të. Kjo do të thotë që, nëse dikush gjuan një gjah jo me qëllimin për t'ia dhuruar ndonjë muhrimi, ai lejohet, sipas hadithit: 1073. “Ebu Katade gjuajti një gomar të egër (ose zebër) përpara se të vishte ihramin, ndërsa shokët e tij ishin në ihram. Ata nuk hëngrën nga gjahu dhe pyetën Profetin e Allahut. Ai tha: “A pati ndonjë prej jush që i bëri me shenjë të gjuajë ose e ndihmoi në ndonjë mënyrë për këtë gjah?” - “Jo”, - tha ata. - “Atëherë, - tha Profeti ﷺ ,- hani prej tij!” Dhe Profeti i Allahut hëngri edhe vetë.” Edhe kjo histori është në dy Sahih-ët dhe është sjellë me tekst dhe versione të shumta.276 - Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të grumbulloheni! - Frikësojuni Allahut në lidhje me ato që Ai jua ka ndaluar. Vëreni me kujdes fjalën e Allahut kur thotë: “...para të Cilit do të grumbulloheni!” Ky është një kërcënim, duke u kujtuar robërve Ditën e Llogarisë dhe se të gjithë ata e kanë kthimin tek Zoti, ku do të llogariten me drejtësi për veprat e tyre. - Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, vend rimëkëmbjeje për njerëzit... - El keabe tregon diçka me brinjë dhe kulme, pra, jo e rrumbullakët; gjithashtu, tregon diçka të shfaqur e të nxjerrë mbi sipërfaqe. Allahu e quajti Qaben “Shtëpia e Shenjtë”, sepse është pikërisht Ai që e shenjtëroi atë. Allahu i Madhëruar na njofton se e bëri Qaben “vend rimëkëmbjeje për njerëzit”, pra, në këtë vend, ata rimëkëmbin e përmirësojnë çështjet e fesë dhe të dynjasë së tyre: në të i frikësuari ndihet i sigurt, i dobëti gjen ndihmë, tregtari gjen begatinë, kurse adhuruesi gjen qetësinë dhe ëmbëlsinë e adhurimit. - edhe muajin e shenjtë... - Ky vjen pas Qabes dhe me të njëjtin gjykim. Është fjala për muajin e haxhit Dhul hixhe. Është përmendur veç muajve të tjerë të shenjtë, sepse gjatë këtij muaji kryhen adhurimet dhe ritet e haxhit. Disa kanë thënë se fjala “muaji i shenjtë” nënkupton të gjithë muajt e shenjtë, që janë: Dhul Ki'de, Dhul hixhe, Muharrem dhe Rexheb. Gjatë këtyre muajve, edhe në kohën para Islamit, njerëzit nuk kërkonin gjakun e të vrarëve, nuk luftonin kundër armiqve dhe iu largoheshin poshtërsive. Kështu, me këtë kuptim, edhe këta muaj të shenjtë konsideroheshin si rimëkëmbës të fesë dhe jetës së njerëzve.
- edhe kurbanin, edhe ato me qafore. - Pra, edhe këto bagëti dhe mirësitë që lidhen me to, Allahu i Madhëruar i bëri si rimëkëmbëse të pasurisë së njerëzve. Të gjitha këto, Allahu i Madhëruar i bëri për ju me qëllimin që: - Këtë, që ta dini se Allahu e di çfarë ka në qiej dhe çfarë ka në tokë... - Allahu di hollësisht çdo hollësi të çështjeve të qiellit dhe të Tokës. Ai i di mirë atë që është e dobishme për fenë dhe për jetën tuaj, prandaj ta kuptoni se çdo gjë që Allahu e ligjëroi për ju është në dobinë tuaj dhe për t'ju ruajtur nga çdo e keqe. - dhe se Allahu di gjithçka. - Dituria e Allahut përfshin gjithçka, e jo vetëm atë që është në qiell dhe në Tokë. Për këtë arsye, duhet ta dini se ai që shkel kufijtë e Zotit dhe nuk pendohet për këtë, meriton ndëshkim të rëndë. Por nëse pendohet e kthehet i nënshtruar për të zbatuar ligjin e Tij, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. - Dijeni se Allahu e ka ndëshkimin të rreptë dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Në vijim, i Lartësuari na njofton se detyra e Profetit është vetëm kumtimi i qartë i të vërtetës dhe Shpalljes. Ai thotë: - I Dërguari nuk ka tjetër obligim, veç kumtimit të qartë (të shpalljes). Allahu e di gjithçka që e bëni haptazi dhe atë që e mbani fshehtë. - Nëse nuk binden, atëherë le ta dinë se kanë dëmtuar veç vetveten. Ndërsa Profeti e ka bërë detyrën e vet dhe e ka përmbushur urdhrin e Allahut për kumtimin e qartë të Shpalljes.277
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 5:94–5:96
Një ndër mirësitë e shumta që Allahu i Madhëruar u ka bërë robve të Tij është që i ka përgatitur ata për sprovat me të cilat do t’i godasë, me gjykimin dhe caktimin e Tij. Ai u tregon në Librin e Tij mënyrat e sprovimit, që ata të binden dhe të rrinë të përgatitur për çdo rast. Pas këtij paralajmërimi, çdokush do të zgjedhë shpëtimin ose humbjen, i vetëdijshëm dhe i qartë për atë që bën. Kështu, thotë i Madhëruari: - “O ju që keni besuar! Allahu ka për t’ju provuar duke ju ndaluar nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja,...” - Allahu i Madhëruar ka për ta vënë në provë besimin tuaj. Ai do t’ju sprovojë me diçka të vogël e të lehtë, jo me diçka të madhe e të rëndë. Kjo sprovë do të jetë si lehtësim nga Allahu i Madhëruar. Është vetë Zoti që jua mundëson gjuetinë, me shtiza dhe me duar. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon urtësinë e këtij sprovimi: “...që Allahu ta dallojë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh. ” - Pra, që Allahu i Madhëruar t’jua shfaqë krijesave haptazi atë që fshihet në zemrat e tyre, dhe kështu shpërblimi dhe ndëshkimi të ngrihen mbi fakte të dukshme dhe jo thjesht mbi dijen e Allahut të Madhëruar. Kështu, Allahu i Madhëruar do t’i shfaqë ata që i frikësohen Atij edhe fshehtazi dhe që largohen nga ndalesat e Tij edhe kur e kanë mundësinë që t’i kryejnë ato, dhe më pas do t’i shpërblejë me mirësi të shumta. Ai do t’i shfaqë edhe ata të cilët nuk i frikësohen Atij, të cilët sa herë që u jepet mundësia që të gjuajnë edhe kur e kanë të ndaluar, ata e bëjnë, pa u drojtur nga Zoti dhe përgjegjësia para Tij. - “Kushdo që e kalon kufirin pas këtij qartësimi, do të ketë një dënim të dhembshëm.” - Çdokush që i kalon kufijtë e Zotit, pasi i janë sqaruar, ai meriton dhe do të marrë një ndëshkim të dh embshëm, realitetin e të cilit e di veçse Allahu i Madhëruar. Ky ndëshkim është i meritueshëm, sepse ata nuk kanë asnjë justifikim për veprat e tyre. Devotshmëria e
shpërblyeshme është ajo e fshehta, kur asnjë krijesë nuk të sheh dhe dëshmon. Ndërsa shfaqja e devotshmërisë në praninë e njerëzve, mund të jetë sa për sy e faqe, dhe njeriu nuk meriton shpërblim për këtë vepër. Pastaj Allahu i Lartësuar e shpreh qartë ndalimin e gjuetisë gjatë kohës së ihramit (për haxh ose umre). Ai thotë: - “O ju që keni besuar! Mos gjuani duke qenë në ihram.” - Kjo ndalesë përfshin gjithçka që lidhet me gjuetinë, si: veprimet përgatitore për gjueti, pjesëmarrjen në gjueti, ndihmesën në të, qoftë edhe duke treguar prenë apo duke dhënë armën, madje ndalohet edhe ngrënia e gjahut, nëse është gjuajtur për atë që është në ihram. Ky është respekt për adhurimet e rëndësishme dhe madhështore të haxhit dhe umres. Pra, gjuetia që në kohët e tjera është e lejuar, gjatë kohës së ihramit është e ndaluar. - “Kushdo që kryen gjueti me paramendim, si dënim duhet të therë një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën që ka vrarë, për të cilën vendosin dy njerëz të drejtë nga mesi juaj, duke e kushtuar atë si kurban në Qabe, ...” - Ai që bën gjueti dhe e vret kafshën e gjuetisë me qëllim, ai detyrohet që ta kompensojë këtë veprim duke bërë kurban një kafshë të përafërt me kafshën që ka vrarë (si lopë, dele, deve etj.). Domethënë, ai duhet të shohë se cilës kafshë shtëpiake i ngjan dhe i përafrohet më shumë për nga vlera kafsha që ka vrarë. Është detyrë, pra, të gjendet dhe përcaktohet përafërsia dhe ngjashmëria e duhur. Ky përcaktim bëhet nga ata që Zoti i ka quajtur “ dheuej adlin”- të drejtët. Pra, dy njerëz të drejtë, të cilët dinë të përcaktojnë ngjashmërinë dhe përafërsinë. Kështu vepruan sahabët, të cilët, për gjuajtjen dhe vrasjen e një pëllumbi bënë të detyrueshëm kurbanin e një deleje, për vrasjen e një struci bënë të detyrueshëm kurbanin e një budneje, ndërsa për vrasjen e lopëve të egra, bënë të detyrueshme kurbanin e një lope të butë. Megjithatë, nëse nuk ka kafshë të butë shtëpiake që i përngjan apo i përafrohet gjahut të paligjshëm, atëherë shikohet vlera e tij monetare, ashtu sikurse thotë rregulli bazë për dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Më tej, Allahu i Madhëruar na udhëzon që kurbanin e kompensimit ta çojmë në Qabe. - “...ose të ushqejë të varfër si kompensim, ose të agjërojë në atë masë, që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë. Allahu e ka falur atë që ka kaluar. ” - Dëmshpërblimi për gjahun e ndaluar mund të nxirret edhe në formë ushqimi për të varfërit, me të njëjtën vlerë sa bagëtia e kurbanit të kompensimit. Shumë dijetarë kanë thënë që, pasi përcaktohet lloji i bagëtisë që do të bëhet kurban, përcaktohet vlera e saj monetare, me të cilën do të blihet ushqim për të varfërit. Pastaj, çdo të varfëri i jepet nga një mudde (dy grushta) grurë ose gjysmë sa-i me lloje të tjera ushqimi, si oriz etj. Kjo është një mënyrë kompensimi, pra, duke ushqyer të varfërit. Mënyra tjetër është duke agjëruar nga një ditë për çdo të varfër që duhej të ushqehej. Për shembull, për dhjetë të varfër është detyrë që të agjërohet dhjetë ditë. Allahu i Madhëruar bëri të detyrueshme këto shlyerje për gjuetinë e ndaluar, me qëllim që gabimtari t’i ndjejë pasojat e mosbindjes së tij. Por ai që i kthehet përsëri kësaj vepre të ndaluar ka për t’u ndëshkuar nga Allahu i Madhëruar: - “Ndërsa atë që i kthehet (gjynahut) pas ndalimit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është Ngadhnjimtar dhe Zoti i shpagimit.” - Shtrohet pyetja: A është i detyruar për kompensim dhe a është i kërcënuar me këtë ndëshkim si ai që e bën gjuetinë me dashje, edhe ai që e bën pa dashje? Ndërkohë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kushdo që kryen gjueti me paramendim...”. Në lidhje me këtë, shumica e dijetarëve kanë thënë se ai që vret gjahun pa dashje çlirohet vetëm nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar, por jo nga përgjegjësia për kompensim. Rregulli për kompensimin e dëmeve thotë qartë se çdokush që dëmton jetën dhe pasurinë e atyre që nuk lejohet t’i cenosh, ai është i detyruar që t’i kompensojë, sido që të jetë, me qëllim apo
pa qëllim. Allahu i Lartësuar ka përcaktuar tri lloje masash për çdo dëmtim: shpagimin, ndëshkimin në dynja dhe ndëshkimin në ahiret. Ai që e bën me qëllim dëmtimin i meriton të trija masat ndëshkimore. Ndërsa ai që e bën pa qëllim mund të çlirohet nga ndëshkimi në dynja dhe ndëshkimi në ahiret, por jo nga detyrimi për kompensim. Kësisoj, përcaktimi në ajet: “Kushdo që kryen gjueti me paramendim...”, është bërë për të përjashtuar nga dënimi i Zotit veprën e bërë pa dashje, por jo nga detyrimi për kompensim. Ky ishte mendimi i shumicës së dijetarëve. Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se ai që e bën këtë vepër pa dashje përjashtohet edhe nga detyrimi për kompensim. Thënë ndryshe, kompensimi është detyrim vetëm për atë që e ka bërë me qëllim, sepse këtë e tregon qartë ajeti, me kuptimin e drejtpërdrejtë të tij. Edhe rregulli për kompensimin e dëmeve në jetë dhe pasuri është i saktë, por ka një ndryshim mes rasteve të zakonshme dhe rastit të gjahut të ndaluar. Ndryshimi është se në rastet e zakonshme kemi të bëjmë me shkelje të hakut të krijesave, prandaj është i detyrueshëm kompensimi i dëmit. Ndërsa në rastin e gjuetisë së ndaluar kemi të bëjmë me hakun e Allahut, dhe përderisa ai që e bën pa dashje çlirohet nga gjynahu dhe ndëshkimi i Zotit, duhet të jetë i çliruar edhe nga detyrimi për kompensim. Fjala “gjueti” në ajet nënkupton si gjuetinë tokësore, ashtu edhe atë të detit. Pra, ndalesa i përfshin të dyja llojet e gjahut, prandaj Allahu i Madhëruar veçon gjahun e detit, që është hallall. I Lartësuari thotë: - “Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij, për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët,...” - Pra, gjuetia në det është lejuar edhe gjatë kohës së ihramit. Lejohet si ushqimi që del i gjallë prej detit, ashtu dhe kafshët e detit të ngordhura në të. Allahu i Lartësuar i lejoi këto ushqime, gjithashtu, me qëllim që bashkë me ne, të përfitojnë edhe shoqëruesit tanë të udhëtimit në det. - “...por ju është ndaluar gjahu i tokës, sa të jeni në ihram!” - Nga fjala “sajd” (gjah) nënkuptohet që, së pari, gjahu të jetë kafshë e egër dhe jo e zbutur. Pra, vrasja e kafshëve të buta për ushqim nuk konsiderohet gjah. Së dyti, gjahu duhet të jetë i ngrënshëm, domethënë që lejohet të hahet. Kësisoj, vrasja e kafshëve jo të ngrënshme nuk konsiderohet si gjah për të cilin je i detyruar të kompensosh. - “Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të grumbulloheni!” - Frika ndaj Allahut tregohet duke zbatuar ato gjëra të cilat Ai i ka urdhëruar dhe duke iu larguar atyre të cilat Ai i ka ndaluar. Për të qenë sa më e lehtë arritja e kësaj, duhet të kujtojmë shpesh se do të ringjallemi dhe do të grumbullohemi para Allahut, për t’u llogaritur dhe shpërblyer sipas veprave tona. Nëse tregohemi të devotshëm, të gëzohemi, se shpërblimi do të jetë i madh. Por nëse nuk jemi të tillë dhe nuk përpiqemi për të arritur frikën ndaj Allahut, atëherë do të jemi të rrezikuar nga ndëshkimi i të Drejtit.