50. Kaf · Ajeti 35 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 50:22–50:35

Pasi t'i fryhet surit, të ringjallen dhe të ngriten, të paraqiten për llogari, meleku përcjellës thotë: "O Zot, shënimet për veprat e tij me të cilat më obligove t'i ruaj, qe, janë gati. Atëherë Zoti i urdhëron ata dy mel- ekë që njëri e përcillte e tjetri dëshmonte, ta hedhin në xhehenem secilin jobesimtar kryefortë që ka penguar shumë nga punët e mira, që ka qenë i shfrenuar dhe ka dyshuar në Zotin duke i shoqëruar edhe ndonjë zot tjetër.

Kur zullumqari përpiqet të arsyetohet se dreqi e ka mashtruar, dreqi që ka qenë shok i tij i thotë Zotit:

'Unë nuk e kam humbur me dhunë, ai vetë me dëshirën e vet ka qenë i humbur. Zoti u thotë: Tash mos u grindni para Meje, sepse Unë në dynja u kam pas tërhequr vërejtjen për këtë rrezik, Unë nuk i bëj padrejtë askujt, por fjala Ime nuk thyhet.

Kur pyetet xhehenemi se a ka ende vend, ai përgjijet se është mbushur përplot.

Besimtarëve të mirë e të ruajtur, xhenneti u afrohet e shohin dhe u thuhet: Këto të mira janë nga ato që u janë premtuar, tash hyni se jeni të shpëtuar prej zjarrit, keni përshëndetje prej Allahut, prej melekëve, jepni selam njëri-tjetrit në shenjë gëzimi, se këtu jeni përgjithmonë, këtu keni ç'të dëshironi, e pos këtyre të mirave, keni edhe më shumë, e ajo më shumë është se do të shihni Zotin xh. sh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 50:30–50:35

- Atë ditë, Ne do t’i themi Xhehenemit: “A u mbushe?” Ndërsa ai do të thotë: “A ka edhe më?” - Allahu i Lartësuar na tregon se në Ditën e Kijametit do t’i thotë Xhehenemit: “A u mbushe?” Kështu do të ndodhë, sepse Allahu i Madhëruar ka kërcënuar se ka për ta mbushur Xhehenemin me xhindë dhe njerëz së bashku. Allahu i Lartësuar urdhëron që të hidhen në zjarr ata që meritojnë të hidhen në të dhe Xhehenemi vazhdimisht thotë: “A ka edhe më?” Pra, a ka akoma të tjerë, që do hidhen në Xhehe - nem. Ky është kuptimi i dukshëm i tekstit, mbështetur edhe nga hadithe të shumta. Kështu, Buhariu sjell hadithin nga Enes Ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti i Allahut ka thënë: 2477. “Ata do të vazhdojnë të hidhen në zjarr dhe Xhehe - nemi vazhdimisht do të thotë: “A ka më të tjerë?” Derisa i Madhëruari të vendosë këmbën e Tij në të. Atëherë Xhehenemi do të thotë: “Mjaft! Mjaft!” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti i Allahut ka thënë: 2478. “Ata që e meritojnë do të vazhdojnë të hidhen në Xhehenem dhe ai vazhdimisht do të thotë: “A ka më të tjerë?” Derisa Zoti i Krenarisë të vendosë këmbën e Tij mbi të dhe zjarri do të mbështillet në vetvete dhe do të thotë: “Mjaft, mjaft, betohem krenarinë dhe në bujarinë Tënde!” Nga ana tjetër, në Xhenet do të mbeten vende bosh, pa ba - norë, derisa Allahu i Lartësuar të bëjë krije - sa të tjera, që të banojnë në vendet shtesë të Xhenetit.” Edhe Muslimi ka sjellë një ha - dith të ngjashëm. Muslimi sjell në Sahihun e tij një hadith nga Ebu Saidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti i Allahut ka thënë: 2479. “Xheneti dhe Zjarri polemi - zojnë me njëri -tjetrin. Zjarri thotë: “Brenda meje janë tiranët, kryeneçët.” Ndërsa Xhe - neti thotë: “Brenda meje janë njerëzit e do - bët, të varfërit.” Atëherë u gjykua mes tyre dhe Xhenetit iu tha: “Ti je mëshira Ime. Me ty mëshiroj kë të dëshiroj prej robërve të Mi.” Ndërsa Zjarrit iu tha: “Kurse ti je ndë - shkimi Im. Nëpërmjet teje ndëshkoj kë të dëshiroj prej robërve të Mi. Për secilin prej jush ka meritues, që do t’ju mbushin.” Më pas, i Lartësuari thotë: - “Besimtarëve të devotshëm do t'u afrohet Xheneti pranë. ” - Xheneti do t’u afrohet të devotshmëve. Kjo do të ndodhë në Ditën e Kijametit dhe nuk është diçka e largët. Ajo do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme dhe çdo gjë që pritet të ndodhë, është afër. - “Ky është premtimi për çdo të penduar që ka përmbushur detyrimet ... - ‘El eu - uâb’ janë ata që kthehen të penduar te Zoti, duke hequr dorë nga gjynahet dhe të nën - shtruar ndaj Tij. Allahu i Lartësuar i për - shkruan gjithashtu, si ‘ el hafidh’ , si njerëz që e mbajnë premtimin, nuk shkelin fjalën e dhënë. Ndërsa Ubejd Ibn Umejri ka thënë se el euuab el hafidh janë ata të cilët, sa herë që ulen në një kuvend, nuk ngrihen pa i kërkuar falje Allahut Krenar dhe të Lartësuar. - që i është druajtur të Gjithëmëshir - shmit edhe fshehtazi ... - Ata të cilët i frikësohen Allahut edhe fshehtazi, atëherë kur askush nuk i sheh, veç Zotit Krenar dhe të Lartësuar, sikurse thotë Profeti ﷺ kur

përmend ata që do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut, atë ditë kur nuk ka hije tjetër veç hijes së Tij. Mes tyre ai përmend: 2480. “... Edhe një burrë, i cili përmend Allahun e Lartësuar në privatësi dhe i lotojnë sytë nga frika për Të”. - “... dhe që është kthyer tek Allahu me zemër të penduar.” - Që gjithmonë kthehet tek Ai i pastër dhe i çliruar nga shirku. - “Hyni në paqe dhe të sigurt!” - Pra, hyni në Xhenet në paqe dhe të sigurt! Hyni të shpëtuar dhe të mbrojtur nga dënimi i zja - rrit. Ose: Hyni në Xhenet të shoqëruar nga përshëndetjet me selam, që do t’ju drejtojnë melekët. - “Kjo është dita e përjetësisë.” - Ata do të jenë të përjetshëm në Xhenet. Nuk do të vdesin kurrë dhe nuk kanë për t’u larguar nga ai vend i mrekullueshëm. Ata nuk kanë për të kërkuar kurrë diçka të tillë, sepse do të jenë tërësisht të lumtur dhe të kënaqur në të. - “Atje kanë çfarë të dëshirojnë ... ” - Gjithçka që ata do ta kërkojnë, kanë për ta gjetur. Në hadithin që sjell Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), Profeti i Allahut i tha atij: 2481. “Në Xhenet, sapo dëshiron të hash një zog, ai ka për t’u servirur në çast përpara teje i pjekur, i gatuar, i gatshëm për t’u ngrënë.” - ... por prej Nesh ka edhe më shumë. - Sikurse thuhet edhe në ajetin tjetër: “Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, ma - dje edhe më shumë. ” [Junus 26]. Është përmendur edhe më herët hadithi në Sahih-un e Muslimit, se bëhet fjalë për shikimin në fytyrën e Allahut Bujar dhe të Madhëruar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 50:30–50:35

Allahu i Lartësuar i frikëson robtë e Tij, duke thënë: - “Atë ditë, Ne do t’i themi Xhehenemit: “A u mbushe?”” - Aq të shumtë do të jenë ata që do të tërhiqen zvarrë deri në Xhehenem, saqë Xhehenemit do t’i thuhet: “A u mbushe?” E si përgjigjet Xhehenemi? - “Ndërsa ai do të thotë: “A ka edhe më?”” - Xhehenemi do të kërkojë shtesë, që të përpijë me zemëratë sa më shumë jobesimtarë dhe të pabindur ndaj Zotit. Ai vlon nga urrejtja për ata që meritojnë dënimin e të Drejtit dhe të Madhëruarit. Allahu i Madhëruar ka paralajmëruar se do ta mbushë Xhehenemin plot, siç thotë në një ajet tjetër: “Sikur të kishim dashur, çdokujt do t’i kishim dhënë udhëzimin (e plotë), por fjala ime do të vërtetohet: “Do ta mbush Xhehenemin me xhinde e njerëz së bashku.” [Sexhde 13]. Xhehenemi do të vazhdojë të kërkojë shtesë, derisa Zoti i krenarisë dhe madhështisë të vendosë mbi të këmbën e Tij, e cila nuk i përngjan asgjëje dhe asgjë nuk i përngjan asaj. Atëherë, Xhehenemi do të digjet brenda për brenda vetes dhe do të thotë: “Mjaf! Mjaf! U mbusha! U plotësova!”” - “Besimtarëve të devotshëm do t'u afrohet Xheneti pranë.” – Xheneti do t’u afrohet aq pranë, saqë besimtarët do mund

të shohin lehtësisht mirësitë që ndodhen në të. Ai afrohet për hir të devotshmërisë së tyre ndaj Zotit, duke iu larguar shirk-ut të madh dhe të vogël, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Zotit. Duke iu uruar mirëseardhjen, atyre u thuhet: - Ky është premtimi për çdo të penduar (nga gjynahet) që ka pëmbushur (besnikërisht) detyrimet,...” – Kuptimi: Xheneti, që po e shihni tashmë kaq pranë, me bukuritë që i pëlqen shpirti e syri, është ai që Zoti premtoi për besimtarët që kanë patur disa cilësi. Së pari, ata janë penduar te Zoti i tyre në të gjitha kohët dhe gjendjet, duke i shprehur Atij dashurinë e madhe për Të, që kalon çdo lloj dashurie. Ata e kanë shprehur pendimin e tyre duke e kujtuar Allahun me adhurime që e kënaqnin Atë, duke iu lutur Atij, të mbushur me drojë e madhërim për Ngadhënjimtarin e Plotfuqishëm dhe me shpresë të madhe për faljen dhe shpërblimin e Bujarit të Gjithëmëshirshëm. Ata kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm në ruajtjen e kufijve të Zotit. Ata i kanë plotësuar porositë e Tij me sinqeritet dhe në formën më të plotë të mundshme. Këta besimtarë kanë patur edhe el hashjetu ose drojë, siç thotë i Lartësuari: - “...që i është druajtur të Gjithëmëshirshmit edhe atëherë kur nuk e shihte kush...” - El hashjetu është droja e bazuar në dijen e plotë rreth Allahut, e cila është e shoqëruar me shpresën për mëshirën e Tij. Pra, ata e kanë patur frikë Zotin e tyre, sepse e njihnin Atë saktësisht, përmes burimeve të sakta të diturisë rreth Tij, por frika e tyre ishte e përzier me një shpresë të madhe për mëshirën, faljen dhe shpërblimin e të Gjithëmëshirshmit. Por këtu duhet theksuar një tipar shumë i rëndësishëm: ata kanë patur frikë Allahun jo vetëm haptazi, por edhe kur njerëzit e tjerë nuk i shihnin. Kjo është el hashjetu e vërtetë, sepse ai që tregohet se e ka frikë Zotin vetëm në prani të njerëzve, ai nuk është i sinqertë, dhe këtë mund ta bëjë për famë dhe dukje. Ky ishte njëri nga kuptimet e ajetit. Ndërsa kuptimi tjetër është: “...ai që i është druajtur të Gjithëmëshirshmit fshehtazi”, pra, që e besoi dhe e pati frikë Zotin, edhe pse nuk e pa Atë haptazi në dynja. Ai e besoi Allahun sikurse besoi në çdo gjë të fshehtë, që nuk e sheh haptazi. - “...dhe që është kthyer tek Allahu me zemër të penduar.” – Cilësi tjetër e tyre është që kthehen gjithmonë me pendesë, bindje dhe përunjësi tek Allahu i Madhëruar. Ata i shpenzojnë të gjitha energjitë e tyre për të kënaqur Zotin. Këtyre robve të devotshëm dhe vepërmirë u thuhet: - “Hyni (në Xhenet) në paqe dhe të sigurt!...” - Hyni të shoqëruar me paqe dhe të ruajtur nga çdo gjë e keqe. Atje do të jeni të sigurt nga çdo gjë që i frikësoheni. Atje nuk do të kenë fund mirësitë dhe lumturia juaj, nuk do të ketë lodhje, trishtim dhe asnjë lloj shqetësimi për ju. - “Kjo është dita e përjetësisë.” – Kjo është dita pas së cilës nuk ka vdekje, nuk ka fund dhe as mundime dhe trishtime për të devotshmit.

- “Atje kanë çfarë të dëshirojnë, por prej Nesh ka edhe më shumë.” - Të devotshmit do të kenë atje çfarë të dëshirojnë, madje edhe më shumë se kaq. Ata do të kënaqen me mirësitë që Mëshiruesi u ka premtuar, mirësi që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as zemra nuk i ka ëndërruar. Madje, do të kenë edhe më shumë se kaq. Atje do të shohin fytyrën e Allahut Bujar dhe të Lartësuar dhe do të lumturohen duke dëgjuar fjalën e Tij. Ata do të kënaqen përjetësisht me praninë e Krijuesit të gjithësisë. E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej tyre!

← Kaf 50:35