52. Tur · Ajeti 28 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 52:1–52:28
Tur është kodra në të cilën Zoti i foli Musait. Libri i shkruar në rreshta e në fletë të hapura, është Kur'ani që lexohet prej besimtarëve në mus-haf, e prej melekëve në Levhi Mahfudh. Shtëpia e banuar është Qabja, të cilën gjithnjë e vizitojnë haxhinjtë, ose Bejtul Ma'muri në qiell, të cilin e vizitojnë melekët. Kulm i ngritur është qielli. Deti i mbushur me ujë, ose deti që në momentin e katastrofës do të ndizet si zjarr. Zoti betohet në këto krijime se dënimi për kundërshtarë është realitet i pamohueshëm. Lëkundja e qiellit andej-këndej dhe shkulja e kodrave e fluturimi i tyre, japin të kuptohet se dynjaja mori fund, sepse toka, qielli, malet, detet, janë krijuar që njerëzit të përfitojnë prej tyre, e deri sa në të nuk do të kthehet më askush, ajo shkatërrohet.
Të mjerë janë ata që refuzuan mësimet e Zotit dhe atë ditë u thuhet kur janë në prag të xhehenemit: A mos është kjo ndonjë magji, apo jeni verbuar siç u verbuat në dynja ndaj udhëzimeve të Zotit.
Xhennetlinjtë, përveç që janë të kënaqur me të mirat e xhennetit,Zoti do t'i kënaqë edhe më tepër, kur do t'ua shoqërojë edhe fëmijët e tyre në xhennet, edhe nëse fëmija i tyre nuk ka meritë për atë shkallë të xhennetit, por atë e bën për hirë të prindërve të mirë, Kuptohet, nëse fëmija ka qenë besimtar sikurse edhe prindërit e vet, e nëse jo, atëherë këputen të gjitha lidhjet.
Gjithashtu kuptohet se edhe xhennetlinjtë edhe xhehenemlinjtë i përkujtojnë veprat dhe gjendjen e tyre se ishin në dynja, e besimtarët do të kënaqen kur i përkujtojnë vështirësitë e dynjasë dhe gjendjen e tyre të kënaqshme në xhennet, ndërsa të tjerët mjerimin në xhehenem.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 52:28–52:34
- “Atëherë, përkujto, sepse ti, me mirë - sinë e Zotit tënd, nuk je as falltar e as i çmendur.” - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij të dashur që të kumtojë mesazhet e Tij dërguar robërve. Më pas, i Lartësuari hedh poshtë ato trillime, me të cilat shpifësit mundohen të ulin figurën e Profetit: “... sepse ti, me mirësinë e Zotit tënd, nuk je as falltar ...” Ti nuk je fallxhor, dhe lavdërimi i takon Allahut që e lartësoi figurën tënde dhe të ruajti nga çdo mangësi dhe devijim! El Kahin quhen falltarët, që u vijnë xhindët me lajme dhe informacione, të cilat arrijnë t’i rrëmbejnë prej qiellit. Pastaj i Lartësuari thotë: “... e as i çmendur.” Mexhnun konsiderohet ai që shejtani i mallkuar e ka zaptuar dhe e bën të përçartet. Pra, Muhamedi, i dërguari i Zotit, është i pastër edhe nga një shpifje e tillë. Më pas, i Lartësuari hedh poshtë edhe një trillim tjetër për të Dërguarin e Tij të dashur: - “Ata thonë: “Ai është veçse një poet, prandaj po presim derisa vdekja ta zhdukë!”. - Ata të mjerë shpresonin që të rehatoheshin prej tij sa më shpejt, ashtu siç thoshin. - “ Thuaju: “Prisni, sepse edhe unë po pres bashkë me ju!”. - Prisni, sepse edhe unë jam duke pritur me ju dhe do ta mësoni se kujt do t’i takojë përfundimi i mirë, triumfi, lartësimi dhe lavdia në të dyja jetët. - “Vallë, mendja e tyre po i detyron ... ” - Mos vallë, logjika e tyre i udhëzon për të tilla paudhësi dhe për të folur kotësira, gënjeshtra dhe shpifje?!
- “... apo janë njerëz pa fre? ” - Ata janë njerëz që kalojnë çdo kufi, të humbur, të devijuar, inatçorë, që e refuzojnë të vërtetën me kokëfortësi. Ishte pikërisht kjo natyrë dhe prirje e tyre, që i bëri të thoshin të tilla fjalë në lidhje me ty, o i Dërguar. Më pas i Lartësuari thotë: - “Në fakt, ata thonë: “Ai e trilloi atë.” - Ata pretendojnë se Muhamedi e trilloi vetë Kuranin. - “Jo, kurrsesi nuk është ashtu, por ata nuk besojnë. ” - Zgjedhja e tyre për të mohuar këtë të vërtetë i bëri të thonë të tilla fjalë e pretendime, për refuzimin e Muha - medit si Profet i Zotit dhe të Shpalljes që ai solli. - “Le ta sjellin një libër si ai, nëse është e vërtetë ajo që thonë!” - Nëse është i vërtetë pretendimi juaj se Muhamedi ﷺ e trilloi vetë këtë libër, atëherë sillni dhe ju një të ngjashëm me të. Po ku është e mundur diçka e tillë?! Ajo është jashtë mundësive të tyre. Sikur të mblidheshin të gjithë banorët e Tokës, prej xhindëve dhe njerëzve, nuk do ia dilnin të bënin një libër të ngjashëm me të, madje as dhjetë sure, madje -madje as edhe një sure të vetme, si të Kuranit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 52:21–52:28
- “Besimtarët e vërtetë do t’i bashkojmë me ata pasardhës të tyre që i pasojnë në besim, duke mos u pakësuar asgjë nga veprat e veta.” - Ky është një plotësim i shpërblimit dhe i lumturisë së banorëve të Xhenetit. Fëmijët që pasojnë prindërit e tyre në besim dhe vepra të mira, Allahu i Lartësuar ua bashkëngjit prindërve, që mund të jenë në grada më të larta në Xhenet. Kjo bëhet për të shtuar nderimin e këtyre prindërve, por edhe për të shtuar shpërblimin e fëmijëve që ndjekin rrugën e drejtë të paraardhësve besimtarë. Po kështu ndodh edhe anasjelltas: nëse fëmijët janë në grada më të larta, Allahu i Lartësuar u bashkangjit atyre prindërit besimtarë. Sigurisht, kjo gjë nuk e pakëson shpërblimin e prindërve. Dikush mund të mendojë gabimisht se edhe me banorët e Zjarrit do të veprohet në të njëjtën mënyrë, domethënë që Allahu i Lartësuar do t’i bashkojë prindërit me pasardhësit e tyre. Por i Madhëruari na tregon se gjykimi për dy vendet nuk është i njëjtë, dhe s’ka se si të jetë i tillë, sepse Zjarri është vendi ku zbatohet drejtësia e Zotit dhe askush nuk ndëshkohet për gjynahet që nuk i ka vepruar vetë apo nuk është bërë shkak, siç thotë i Madhëruari më pas: - “Çdokush është peng i punës së vet.” - Askush nuk do të merret në përgjegjësi për veprat e të tjerëve. Askush nuk do të pyetet për gjynahun e tjetrit. Atëherë, ky ajet hedh poshtë keqkuptimet që mund të lindin në këtë drejtim. - “Ne do t’ua shtojmë të mirat atyre: fruta e mish, si t’ua ketë ënda.” - Ndër begatitë e shumta me të cilat Zoti do t’i kënaqë banorët e Xhenetit janë edhe frutat e shijshme. Rrushi, shega, molla e shumë fruta të tjera të mrekullueshme, janë kënaqësi që ata do t’i shijojnë, përveç ushqimeve të pakrahasueshme që do të kenë përjetësisht në Xhenet. Nëse kërkojnë mish, do t’u jepet çdo lloj mishi që dëshirojnë: mish shpendësh apo kafshësh të tjera. - “Atje do t’ia kalojnë njëri -tjetrit kupat e mbushura...” - Mes këtyre mirësive, ata do të shkëmbejnë me njëri -tjetrin gota me pije të shijshme, nektar etj. Ato u shërbehen me ibrikë nga djelmosha të përjetshëm, mes kopshteve të bukura. Në Xhenet, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: - “...nuk do të ketë fjalë të kota e as gjynahe.” - Atje nuk ka fjalë të kota, të padobishme apo, aq më shumë, të dëmshme, që t’i ngarkojnë me gjynahe dhe të sjellin ndëshkime. Por nëse të tilla fjalë nuk ekzistojnë në Xhenet, atëherë atje ka tjetër lloj fjalësh. Ato janë fjalë të ëmbla, të buta e qetësuese, që gëzojnë zemrën dhe lumturojnë shpirtin. Banorët e Xhenetit i drejtohen njëri -tjetrit me fjalët më të mira,
me ngrohtësi e dashuri. Gjithashtu, ajo që do të dëgjojnë prej Zotit do t’i lumturojë më shumë, sepse Ai është i kënaqur prej tyre, prandaj u shpreh dashurinë e Tij. - “Mes tyre do të sillen djelmoshat shërbyes, si të ishin margaritarë të fshehur.” – Ata janë të rinj shërbëtorë, të cilët duken si margaritarë. Ata do të vërtiten mes tyre për t’u shërbyer gjithçka që dëshirojnë. Kjo është dëshmi e begatisë së madhe që ata do të kenë në Xhenet. - “Ata (besimtarët) do të afrohen duke biseduar me njëri -tjetrin...” – Ata do të diskutojnë rreth çështjeve të shkuara të dynjasë. Ndër të tjera, duke folur për shkaqet që sollën shpëtimin e tyre dhe hyrjen në Xhenet, ata do të thonë: - Ata thonë: “Ne, edhe në gjirin e familjeve tona druheshim (nga Frika e Zotit).” – Kuptimi: Kur ishim në dynja, ne i druheshim Zotit edhe në gjirin e familjeve tona. Nga frika ndaj Zotit dhe llogarisë para Tij, i lamë gjynahet dhe u munduam të rregullojmë gabimet dhe mangësitë tona. - “Por Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit në afshin përcëllues të Zjarrit.” - Allahu i Madhëruar na begatoi me mirësi të mëdha, duke na udhëzuar në rrugën e drejtë dhe duke na ndriçuar për të mësuar dhe kuptuar të vërtetën. Ai na dha sukses dhe forcë për të punuar dhe jetuar sipas udhëzimeve të Tij. Kështu, i Lartësuari na e lehtësoi rrugën drejt shpëtimit dhe na ruajti nga Zjarri përvëlues. - “Ne i jemi lutur Atij edhe më parë. Vërtet, Ai është Bamirësi e Mëshirëploti.” - Ne i luteshim Allahut vazhdimisht, që të na ruante nga ndëshkimi i Zjarrit përvëlues dhe të na dhuronte shpërblimin në Xhenetin e përjetësisë. Ne i kërkonim Allahut nëpërmjet lutjeve të drejtpërdrejta dhe lutjeve të shprehura nëpërmjet adhurimit. Koha jonë ishte e mbushur me lutje e adhurime, nëpërmjet të cilave kërkonim mëshirë dhe shpresonim shpërblim prej Allahut të Madhëruar. Allahu i Lartësuar është El Beru - Bamirës dhe El Rahim - i Gjithëmëshirshëm. Prej bamirësisë dhe mëshirës së Tij të gjerë mbi ne është edhe fakti që Ai na futi në Xhenet dhe në kënaqësinë e Tij dhe na shpëtoi nga zemërimi dhe Zjarri i Tij.