53. Nexhm · Ajeti 18

سورة الـنحـم
Përkthimi Sherif Ahmeti
18

لَقَدۡ رَأَىٰ مِنۡ ءَايَٰتِ رَبِّهِ ٱلۡكُبۡرَىٰٓ

Ai (Muhammedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Allahu betohet në atë krijim të vetin që dëshiron, e krijesat nuk bën të betohen në tjetërkënd pos në Krijuesin e vet. Betohet me yllin që bie, që perëndon, që shkapërderdhet në Ditën e Kijametit, se Muhammedi a.s. bashkëvendësi i kurejshitëve, të cilin e njihnin mirë, nuk ishte ai që kishte humbur rrugën, as që kishte besim të prishur dhe as nuk fliste sipas dëshirës së vet, por fliste atë që i shpallej. Me urdhrin e Zotit Xhibrili ia mësonte Kuranin, Xhibrili ishte i fuqishëm dhe mendjemprehtë. Iu paraqit Muhamedit a.s. në formën e vet si ishte i krijuar, dhe prej së larti iu afrua krejt afër, dhe ia shpalli atë që e kishte urdhëruar Zoti. Edhe pse idhujtarët bën dyshim se Muhammedi a.s. mund ta ketë parë Xhibrilin, Kurani vërteton se ai e pa edhe një herë tjetër në formën e vet, e pa pranë Sidrës. Sidre quhet një pemë, e “munteha” - përfundon, pse përtej saj nuk di kush se ç’ka përveç Zotit xh. sh. pra përfundon deri aty dija e krijesave. Sipas kësaj pjese të Kuranit kuptojmë, se Muhamedi e pa dy herë Xhibrilin në formën e tij origjinale: kur për herë të parë ia solli shpalljen në shpellën Hira dhe natën e Israsë e të Miraxhit në qiej. Natën e Miraxhit Pejgamberi a.s. pa shumë çudi: Sidrën e kishte mbuluar dritë prej Zotit dhe e kishin rrethuar melaiket; e pa Bejtul Ma’murin, e pa xhenetin dhe xhehenemin, e pa edhe Xhibrilin në atë formën e vet, e pa edhe shumë gjëra të tjera të çuditshme, e syri i pejgamberit nuk lakoi, as djathtas, as majtas, por ishte i përpikët në vëmendje e në shikim.