54. Kamer · Ajeti 32 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 54:1–54:32

Afrimi i momentit të shkatërrimit të kësaj bote, është i kuptueshëm nga fakti se Muhammedi është i dërguar i fundit, por distanca ndërmjet ardhjes së tij dhe momentit, është aq sa e di Zoti, e askush tjetër.

Për ndarjen e hënës më dysh, si mrekulli e Pejgamberit, vërteton shumica dërmuese e komentatorëve, vërtetojnë edhe shumë hadithe të vërteta që shënuan muhadithinët, në mesin e të cilëve edhe përmbledhësit më të njohur e më autoritativë, Buhariu e Muslimi. Pas fakteve të tilla nuk mbetet vend për ndonjë shqyrtim ndonëse sipas disave, fjala është për ditën e kijametit kur do të copëtohen të gjithë trupat qiellorë, pra edhe hëna.

Jobesimtarët kurejshitë nuk u besuan fakteve, por ata shkuan pas dëshirave të veta, por është normale që çdo send e gjen vendin e vet, e vërteta te njerëzit e mirë, kurse e shtrembëra te të këqijtë.

Kur'ani është dituri e këshillë e përsosur, por arrogantëve nuk u bën dobi, të cilët kur thirrë Israfili për ringjallje, do të dalin prej varreve si karkalecat që nuk kanë ndonjë orientim të caktuar në qarkullimin e vet, e ajo është ditë e vështirë për mohuesit.

Populli i Nuhut përveç që e quajti gënjeshtar, ai edhe iu kërcënua, andaj u dënua me vërshim, i Adit u zhduk nga një erë e fortë dhe e ftohtë që fryente nga ana e perëndimit, ndërsa të Themudit, që e theri deven që ishte mrekulli e Salihut, u zhduk me një krismë rrufeje.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 54:23–54:32

- “Themudët mohuan të dërguarit. ” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon rreth popullit të Themudit dhe faktit se ata e refuzuan profetin e tyre, Salihun, - paqja e Zotit qoftë mbi të! - “Ata thanë: “A të shkojmë pas një njeriu të vetëm, që doli nga mesi ynë?! Ne, atëherë, do të ishim vërtet të humbur dhe të marrë!” - Kuptimi: Do të ishin

dështakë dhe të humbur, nëse do t’ia jepnin udhëheqjen dhe t’i nënshtroheshin një njeriu si ata, domethënë, profetit Salih, - paqja e Zotit qoftë me të! Më pas, shprehën habi se si është e mundur që Shpallja t’i jepej atij dhe të ishte ai i zgjedhuri ndër ta! Gjithashtu, ata shpifën duke thënë se ai ishte mashtrues: - “Vallë, vetëm atij iu dha Shpallja ndër ne? Jo, ai është një gënjeshtar mendje - madh.” - Kështu, jo vetëm shpifën duke thënë se ai është mashtrues, por me fjalën ‘Eshir’ mëtuan se ai e kishte kaluar edhe gradën e mashtruesit. Atëherë, i Lartësuari thotë: - “Do ta kuptojnë nesër se cili është gënjeshtari mendjemadh.” - Ky ishte një kërcënim i ashpër dhe një paralajmërim i sigurt për dënimin që do t’i godiste. - “Ne do t’u dërgojmë devenë si sprovë, por ti vetëm vështroji me durim!” - Do ta sjellim devenë, si sprovë për ta. Kështu, një deve madhështore doli prej një shkëmbi të lëmuar, pikërisht ashtu siç e kishin kërkuar vetë, si argument i Allahut për ta, për të treguar vërtetësinë e Salihut si profet i Tij, si dhe për vërtetësinë e mesazhit që ai solli. Më pas, i Lartësuari urdhëron robin dhe Profetin e Tij të dashur, Salihun: “... por ti vetëm vështroji me durim!” Domethënë, prit se ku do t’i çojë zgjedhja e tyre dhe bëj durim në marrëdhëniet e tua me ta, sepse përfundimi i mirë do të jetë për ty, triumfi në dynja dhe në ahiret do t’i takojë besimit dhe profetëve të Zotit. - “Lajmëroi se uji është ndarë për ta veç e veç ...” - Domethënë, një ditë për ta, një ditë për devenë, sikurse na tregon i Lartësuari në ajetet e tjera: “Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të pijë (ujë) në një ditë të caktuar, kurse ju në një ditë tjetër.” [Shuara 155]. - “... e secili do të paraqitet për të pirë sipas rregullit.” - Muxhahidi shpjegon: “Kur ajo largohej, ata vinin tek uji dhe kur ajo vinte tek uji, ata përfitonin nga qumështi i saj. Kështu, ata vinin përsëri, që të përfitonin nga qumështi i saj, edhe pse nuk merrnin ujë.” - “Ata thirrën shokun e tyre, i cili e mori dhe e theri atë.” - Ky ishte pikërisht vrasësi i devesë. Emri i tij ishte Kudar Ibn Salif. Ky ishte më fatziu i popullit të tij, sikurse thotë i Lartësuari, duke e përshkruar atë në një ajet tjetër: “Themudi mohoi për shkak të arrogancës së vet, kur më fatziu i tyre u ngrit me të shpejtë...” - “Si ishte ndëshkimi dhe paralajmërimi Im?” - Unë i ndëshkova ata, por a e di ti se si i ndëshkova, për shkak të mohimit, refuzimit të besimit të vërtetë dhe Profetit tim? - “Ne lëshuam kundër tyre një ushtimë të vetme ...” - Kështu u shfarosën nga i pari, deri tek i fundit. - “... dhe ata u bënë si shtrojë vathi. ” - U bënë pluhur, si kullotat në mes të shkretë - tirës kur thahen, përvëlohen nga dielli, dhe pastaj i shpërndan era si pluhur në ajër. - “Ne e bëmë Kuranin të lehtë për t'u kujtuar, po a ka ndonjë që merr mësim?”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 54:23–54:32

- “Themudët mohuan të dërguarit.” - Themudët kanë qenë një popull i njohur në zonën e Hixhrit. Allahu i Lartësuar dërgoi tek ata profetin Salih. Ai i ftoi që të adhuronin Allahun si Një, të Vetëm dhe të Pashoq dhe i paralajmëroi ata për një ndëshkim të dhembshëm, nëse do kundërshtonin fjalën e tij. Por ata e refuzuan Profetin e Zotit, madje u treguan arrogantë me të, duke thënë: - “Ata thanë: “A të shkojmë pas një njeriu të vetëm, që doli nga mesi ynë?! Ne, atëherë, do të ishim vërtet të humbur dhe të marrë!” - Si të bëhemi pasues të një njeriu të vetëm e të thjeshtë, i cili nuk është mbret apo nga ndonjë popull i fuqishëm? Nëse do të bëheshim pasues të një njeriu të tillë, ne do të ishim të humbur dhe fatkeqë. Këto fjalë ishin, në fakt, treguese të humbjes dhe fatkeqësisë së tyre. Ata refuzuan të ishin pasues të një Profeti të dërguar dhe mbështetur nga Zoti dhe pranuan të bëheshin adhurues të pemëve, gurëve e figurave. - “Vallë, vetëm atij iu dha Shpallja ndër ne?” - Përse Allahu zgjodhi atë nga mesi ynë për t’i dhënë Shpalljen? Çfarë e bën atë të veçantë nga ne? Ky qe një justifikim i kotë i tyre. Jobesimtarët në çdo kohë kanë nxjerrë një justifikim të tillë për refuzimin e profetëve dhe shpalljeve të Zotit. Allahu i Madhëruar i është përgjigjur këtij justifikimi bosh me fjalët që profetët u kanë thënë popujve të tyre: “Të dërguarit e tyre u thanë: “Të dërguarit u thanë: “Ne jemi veçse njerëz, sikurse edhe ju, por Allahu ia

dhuron mirësinë kujt të dojë nga robtë e Vet. Nuk na takon ne t’ju sjellim ndonjë argument, përveçse me dëshirën e Allahut. Vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” [Ibrahim 11.] Është Allahu i Madhëruar që i zgjedh dhe i veçon profetët nga të tjerët, duke i dalluar me cilësi e vityte të larta. Është Ai që i përzgjedh, që të jenë të aftë të përballojnë peshën e Shpalljes së Zotit të tyre. Gjithashtu, është mëshirë dhe urtësi e madhe nga Allahu i Madhëruar që i zgjodhi ata të jenë prej njerëzve. Nëse do t’i bënte prej melekëve, njerëzit nuk do të mund t’i merrnin mësimet e Zotit, për shkak të vështirësisë së komunikimit mes këtyre dy llojeve të krijesave. Gjithashtu, nëse Zoti do të jepte një shenjë kaq të dukshme, si shfaqja e melekëve, duke plotësuar kështu kërkesat e caktuara nga populli si kushte për të besuar, dhe nëse pas saj njerëzit ende nuk do të besonin, atëherë ndëshkimi do të ishte i menjëhershëm dhe i pashmangshëm. Përfundimisht, është mëshira dhe urtësia e Allahut që profetët kanë qenë njerëz. Kështu, këto fjalë të themudëve ishin thjesht justifikim për të mohuar profetin Salih. Më pas, ata bënë një deklaratë të shëmtuar për Profetin e tyre, duke thënë: -“Jo, por ai është një gënjeshtar mendjemadh!” Do ta kuptojnë nesër se kush është gënjeshtari mendjemadh!” – Kuptimi: Ai është mashtrues i madh dhe gjithë ligësi. Allahu i shëmtoftë dhe i poshtëroftë! Sa mendjelehtë e të paturpshëm, sa të padrejtë e mosmirënjohës të pashembullt që ishin! Si është e mundur që t’i trajtosh në këtë mënyrë njerëzit më të sinqertë dhe dashamirës, njerëzit më të çiltër dhe më të mëshirshëm me popullin e tyre?! Si mund të mohosh këshilluesit e urtë dhe durimtarë, që këshillojnë për çdo të mirë dhe largojnë nga çdo e keqe? Prandaj, kur padrejtësia e tyre kaloi kufijtë, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi. - “Ne do t’u dërgojmë devenë si sprovë...” - Si mrekulli, Zoti u bëri atyre një deve, që të shërbente si provë e mjaftueshme për vërtetësinë e profetit Salih. I gjithë populli mund të pinte nga qumështi i saj dhe u mjaftonte. Por kjo mrekulli ishte gjithashtu edhe një sprovë për ta, siç thotë i Madhëruari: - “...por t’i vetëm vështroji me durim!” – Kuptimi: Kjo do të jetë sprovë për ta, prandaj ti bëj durim kur i fton në rrugën e drejtë. Ji i qëndrueshëm dhe i durueshëm në rrugën e thirrjes dhe vështro se çfarë do të ndodhë: a do të besojnë apo do të vazhdojnë të jenë mospërfillës ndaj porosive të Zotit? - “Lajmëroi ata se uji është i ndarë për ta veç e veç, e secili do të paraqitet për të pirë sipas rregullit.” - Njoftoji ata se, për ujin e burimit, të cilin e pinë e freskohen, duhet të ketë një ndarje me ditë: një ditë për njerëzit dhe një ditë për devenë. Ditën që pinë njerëzit nuk duhet të afrohet deveja dhe ditën që pi deveja nuk duhet të afrohen njerëzit. Por si ishte reagimi i tyre? - “Po ata thirrën shokun e tyre, i cili e mori dhe e theri atë (devenë).” - Ky ishte më zemërligu i popullit. Ai iu bind kërkesës së kriminelëve për therjen e devesë.

- “(A e dini) Si ishte ndëshkimi dhe paralajmërimi Im? Ne lëshuam kundër tyre një ushtimë të vetme, dhe ata u bënë si shtrojë vathi.” - Ai ishte ndëshkimi më i rëndë. Allahu i Plotfuqishëm lëshoi mbi ta një ushtimë të madhe, që i shkatërroi nga i pari deri tek i fundit, përveç Profetit të Tij Salih dhe të gjithë besimtarëve që e shoqëronin. - “Ne e bëmë Kur'anin të lehtë për t'u kujtuar, po a ka ndonjë që merr mësim?”

← Kamer 54:32