6. Enam · Ajeti 121 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 6:112–6:121

Muhammedit a.s. i jepet shenjë që të jetë i durueshëm. Armiq nga radhët e njerëzve e të xhin. ve patën edhe pejgamberët e tjerë dhe se ata përpiqeshin në mënyra të ndryshme të largojnë prej rrugës së drejtë. Veset e atyre armiqve gjenin përkrahje te ata që ishin të luhatshëm në besim ndaj botës tjetër. Ata nuk bënin gjë tjetër vetëm se e ngarkonin veten me mëkate, e Pejgamberit nuk mund t'i sillnin kurrfarë dëmi. Sipas këtyre ajeteve po kuptohet se nga xhinët ka besimtarë dhe jobesimtarë sikurse edhe nga njerëzit.

Mushrikët kurejshitë i thanë Muhammedit të caktojë një gjykatës nga prijësit fetarë jehudi ose të krishterë, e ai të informojë masën se çka shkruan në librat e tyre për Muhammedin. Zoti e urdhëroi Muhammedin të refuzojë atë propozim, pasi që Kur'ani kishte sqaruar çdo gjë dhe ata dinin për saktësinë e tij.

Me shumicën në tokë, fjala është për banorët e Mekës, të cilët në ditët e para të fesë islame ishin mohues.

Mushrikët u thoshin myslimanëve: nuk po e hani atë që e mbyt Zoti (kishin për qëllim të ngordhtën) e po hani çka mbytni ju vetë. Me këtë donin t'ju ngatërronin myslimanëve hallallin me haram.

Çështja e ngrënies së mishit të therrur pa bismilah është shumë e rëndë, ngase urdhëri për të mos ngrënë është shumë i ashpër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 6:121

- Dhe mos hani nga mishi që është therur pa përmendur emrin e Allahut! - Me këtë ajet argumentohen atë që thonë se mishi nuk lejohet të hahet nëse gjatë therjes së tij nuk është përmendur emri i Allahut (bismil-lah), edhe nëse ai që e ther atë është musliman. Imamët kanë dhënë mendime të ndryshme në lidhje më këtë çështje. - Së pari, është mendimi i medhhebit të Imam Malikut dhe Imam Ahmedit. Sipas tyre, një kafshë e therur në këtë mënyrë është e palejueshme që të hahet, pavarësisht nëse nuk është thënë “Bismilah” me qëllim ose nga harresa. Ky është sjellë edhe si mendim i Ibn Umerit dhe disa tabiinëve. Në fakt, ky është njëri nga mendimet e transmetuara nga Imam Maliku dhe Imam Ahmedi. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Ebu Theuri, sipas Daud Dhahiriut. Këta e mbështesin mendimin e tyre pikërisht me këtë ajet dhe me ajetin e gjuetisë, ku Allahu i Lartësuar thotë: “... Hani, pra, atë që ato e gjahtojnë për ju dhe përmendeni emrin e Allahut!” [Maide 2]. Po në këtë ajet, Allahu i Madhëruar e përforcon

këtë ndalesë, duke thënë: “Me të vërtetë, ky është gjynah! ...” Në ajet, përemri “ky” i referohet ngrënies së mishit që është therur pa përmendur emrin e Allahut, ndonëse disa të tjerë thonë se ai i referohet mishit që therret duke përmendur emrin e dikujt tjetër, veç Allahut. Gjithashtu, këta argumentohen edhe me hadithet që urdhërojnë për të përmendur emrin e Allahut gjatë gjuetisë dhe gjatë therrjes së kafshës, siç janë hadithet e sjella nga Adij Ibn Hatimi dhe Ebu Thealebe: 11 35. “...Kur e lëshon qenin tënd të ushtruar dhe përmend emrin e Allahut (thua bismilah), nëse ai e zë prenë për ty, mund të hash prej saj!”...” Po ashtu, hadithi i Rafi Ibn Hadixhit: “Çdo gjë së cilës i është derdhur gjaku dhe për të cilën është përmendur emri i Allahut, hajeni!” Të dy hadithet gjenden në dy Sahih-ët. Po kështu, është hadithi i Ibn Mesudit: 1136. “...Profeti u thotë xhindëve: “Juve ju takon çdo kockë në të cilën është përmendur emri i Allahut.”. Ky hadith gjendet te Muslimi. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - Mendimi i dytë është i Imam Shafiiut. Ai nuk e konsideron si kusht thënien “Bismilah”, por thjesht të pëlqyeshme dhe, si e tillë, nëse nuk veprohet me qëllim ose nga harresa, nuk cenon asgjë. Ky është qëndrimi i imam Shafiut dhe i të gjithë nxënësve të tij. Ky vjen edhe si njëri nga mendimet e Imam Ahmedit dhe Imam Malikut. Imam Shafiiu mëton se ajeti në fjalë, në të cilin mbështetet pala tjetër, ka për qëllim ato kafshë që janë therur për hir të idhujve, sikurse është thënë në tjetër ajet: “...dhe mishit që theret me emrin e dikujt tjetër veç Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij.” [En'am 145]. Edhe ky arsyetim është i bukur dhe i fortë. Këtë mendim ai e mbështet edhe me hadithin e Aishes: “O i Dërguari i Allahut! Disa njerëz që sapo kanë pranuar Islamin, na sjellin mish për të ngrënë, por ne nuk e dimë a është përmendur në të (gjatë therjes) emri i Allahut apo jo ...” Ai thotë: “Thoni ju ‘Bismilah’ dhe hajeni!”. Kështu, nëse thënia “Bismilah” do të ishte kusht i domosdoshëm, Profeti nuk do ta lehtësonte dhe nuk do ta justifikonte mospërdorimin e saj. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - Nëse nuk thua “Bismilah” nga harresa, nuk ka gjë, por nëse e lë me qëllim, atëherë ai mish është haram. Ky është mendimi më i përhapur në medhhebin e Imam Malikut dhe Imam Ahmedit. Ai është, gjithashtu, mendimi i Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij. Ky mendim transmetohet edhe si mendimi i Aliut, Ibn Abasit dhe i disa tabiinëve. Imam Ebu Hasen el Mergajani, në librin e tij “ El Hidajeh”, tregon se ka konsensus mes dijetarëve për faktin që, nëse nuk thuhet me qëllim “Bismilah”, kjo e bën haram mishin. Imam Ebu Xhafer Ibn Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që e bën haram mishin që nuk është therur me “Bismilah” nga harresa, ka shkelur çdo argument dhe ka kundërshtuar hadithe të sakta nga Profeti, si për shembull, hadithin që e sjell Bejhakiu nga Ibn Abasi se Profeti i Allahut ka thënë: 1137. “Muslimanit, nëse e ka harruar “Bismilah-in” gjatë therjes, i mjafton që të kujtojë emrin e Allahut (para ngrënies) dhe le të hajë!” Por kjo njihet si fjalë e Ibn Abasit e jo si fjalë e Profetit ﷺ . Kështu e kanë gjykuar Bejhakiu dhe hafizë të tjerë të hadithit. Ibn Xheriri ka sjellë për të mbështetur saktësinë e këtij mendimi edhe hadithin që është tek Ibn Maxhe, përmes rrugësh të ndryshme, nga Ibn Abasi, Ebu Hurejra, Ebu Dheri, Ukbe Ibn Amiri dhe Abdullah Ibn Amri, se Profeti ka thënë: 1138. “Allahu i Lartësuar ia ka falur umetit tim ato gjëra që i bën gabimisht, ato gjëra që i bën nga harresa dhe ato që i bën nën kërcënim.” Këtë çështje e kam shtjelluar në një punim të veçantë, ku kam përmendur mendimet e imamëve, argumentet dhe analizën e tyre, aspektin argumentues etj. Megjithatë, Allahu është më i ditur. Ibn Xheriri ka thënë se imamët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë ajet: a është një ajet i anuluar apo jo. Pjesa dërrmuese e tyre janë të mendimit se asnjë pjesë e këtij ajeti nuk është anuluar. Ky është mendimi i Muxhahidit dhe shumicës së dijetarëve. Nga

Hasen el Basriu dhe Ikrime është përcjellë se kanë thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Hani vetëm atë mish gjatë therjes së të cilit është përmendur emri i Allahut, nëse vërtet jeni besimtarë të shpalljeve të Tij.” Ai thotë, gjithashtu: “ Dhe mos hani nga mishi që është therur pa përmendur emrin e Allahut! Me të vërtetë, ky është gjynah!” Por Ai veçoi një kategori, duke thënë: “... Edhe ushqimet e ithtarëve të Librit janë të lejuara për ju, ashtu si edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta...” [Maide 5]. Po kështu është përcjellë edhe prej Mekhulit. Më pas, Ibn Xheriri thotë: “Në fakt, nuk ka asnjë përplasje mes gjykimit se mishi i therur nga ithtarët e Librit është hallall dhe faktit se ai që theret pa përmendur emrin e Allahut është haram (sepse edhe ithtarët e Librit e permendin Allahun)” Kjo që thotë Ibn Xheriri është e saktë dhe shumë e logjikshme. Në fakt, tek brezat e parë, me fjalën nes’h, - që të mëvonshmit kuptojnë abrogimin - , ishte për qëllim el tahsis, pra, specifikimi i një gjykimi të caktuar, dhe jo anulimi i tij. Megjithatë, Allahu e di më mirë. - Por shejtanët i nxisin (e inspirojnë) miqtë e tyre që të polemizojnë me ju. - Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin nga Ebu Zemili: “Unë isha ulur pranë Ibn Abasit, - gjatë haxhit të Muhtar Ibn Ubejdit - kur erdhi një burrë dhe e pyeti: “O Ibn Abas! Ebu Is'haku pretendoi se sot natën atij i kishte ardhur shpallje (vahj)” Ibn Abasi tha: “Të vërtetën ka thënë!”. Unë - tregon Ebu Zemili - shtanga dhe thashë: “Çfarë po thotë kështu Ibn Abasi?!” Atëherë, Ibn Abasi tha: “Janë dy lloje shpalljesh: shpallje nga Allahu dhe “shpallje” nga shejtani. Shpallja e Allahut iu zbrit Muhamedit, ndërsa shpallja e shejtanit u zbret miqve të tij!” Pastaj lexoi: “Por shejtanët i nxisin (e inspirojnë) miqtë e tyre që të polemizojnë me ju.” Taberaniu përcjell se Ibn Abasi ka thënë: “Kur zbriti fjala e Allahut: "Dhe mos hani nga mishi që është therur pa përmendur emrin e Allahut! Me të vërtetë, ky është gjynah!”, persianët dërguan fjalë tek kurejshët, që ta kundërshtonin Muhamedin dhe t’i thoshin: “Vallë, ajo që e ther ti me thikë është hallall, kurse ajo që e ther Allahu me thikë floriri (domethënë, kafsha e ngordhur) qenka haram?!” Atëherë zbriti ky ajet: “Por shejtanët i nxisin (e inspirojnë) miqtë e tyre që të polemizojnë me ju.” Domethënë, shejtanët nga Persia inspirojnë miqtë e tyre prej kurejshve që të plolemizojnë me ju. Ebu Daudi sjell sërish shpjegimin e Ibn Abasit për këtë ajet: “Ata thoshin: “Si, vallë, atë që e ther r Allahu (domethënë, kafshën që ngordh) nuk e hani, kurse atë që e therni vetë, e hani?!” Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “ Dhe mos hani nga mishi që është therur pa përmendur emrin e Allahut! ...” Hadithin e sjell Ibn Maxheh dhe Ibn Ebu Hatimi, nga Amr Ibn Abdilahi, ky nga Uekiu, e ky nga Israili. Ky është një isnad sahih . Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Nëse ju u bindeni atyre, atëherë do të jeni si ata. - Kështu, nëse ju devijoni nga urdhëresat e Allahut dhe zbatimi i Sheriatit të Tij, për të pasuar fjalën e tjetërkujt, duke preferuar ata kundrejt ligjit të Tij, pikërisht kjo është idhujtari. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “Ata i konsideruan priftërinjtë, oshënarët dhe Mesihun - birin e Merjemes, si zota veç Allahut, ndërkohë që ishin urdhëruar të adhuronin veç Allahun. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. I lartësuar është Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë!” [Teube 31]. Në tefsirin e këtij ajeti, Tirmidhiu sjell një hadith nga Adij Ibn Hatimi, që tha: 1139. “O i Dërguari i Allahut! Po ata nuk i adhuronin pr iftërinjtë dhe ruhbanët e tyre.” Profeti ia ktheu: “Po, i adhuronin. Ata ua bënin hallall haramin dhe ua bënin haram atë që Zoti e kishte bërë hallall, ndërsa ata (njerëzit) u bindeshin dhe i pasonin në këto. Pikërisht ky ishte adhurimi për priftërinjtë dhe murgjit e tyre.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 6:121

- Dhe mos hani nga mishi që nuk është therur duke përmendur emrin e Allahut! Me të vërtetë, ky është gjynah. - Në këtë ndalesë futen: 1. Të gjitha ato kafshë të cilat janë therur jo në emër të Allahut, por në emër të putave e idhujve të ndryshëm. Këto hyjnë në ndalesën e dretpërdrejtë të këtij ajeti. 2. Ato kafshë që janë therur për hir të Allahut të Lartësuar, si kurbanet ose kafshët që theren thjesht për ushqim, nëse gjatë therjes së tyre nuk është thënë me qëllim “Bismilah”. Ky është mendimi i shumë dijetarëve. Nga ky rregull përjashtohet rasti kur nuk thuhet “ Bismilah” nga harresa, sepse ai që harron nuk merret në përgjegjësi për harresën e tij. 3. Ato kafshë të cilat kanë ngordhur dhe nuk janë therur me mënyrën e treguar në Sheriat. Edhe këto hyjnë në kategorinë e kafshëve që nuk janë therur me “ Bismilah”. Në fakt, për këtë kategori Allahu i Lartësuar ka sjellë tekst të veçantë në suren Maide ajeti 3, kur thotë: “Haram janë për ju: të ngordhurat...”. Madje, ky ajet në suren Maide, në të cilin Allahu i Lartësuar ndalon ngrënien e kafshëve të ngordhura, është shkaku i shpalljes së ajetit që po komentojmë. Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - Por shejtanët i nxisin miqtë e tyre që të polemizojnë me ju. - Kur idhujtarët dëgjuan se Allahu i Lartësuar e bëri të ndaluar ngrënien e mishit të kafshës së ngordhur dhe e lejoi atë që theret sipas mënyrës islame, ata - që vetë e hanin mishin e ngordhur - thanë: “A po e konsideroni të lejuar të hahet kafsha që e vrisni ju dhe nuk e hani atë kafshë që e ka vrarë Allahu?” Sigurisht që kjo ishte shenjë e armiqësisë dhe urrejtjes kundër Zotit dhe Profetit të Tij. Ajo ishte një polemikë e padrejtë dhe e paargumentuar, me të cilën donin thjesht refuzimin e ligjit të Zotit. Ky arsyetim i prishur nuk bazohej në ndonjë fakt, por thjesht në logjikën e tyre të sëmurë, që nëse do të merrej për bazë, do të shkatërroheshin qiejt, Toka dhe gjithçka që ndodhet në to. U poshtëroftë dhe u shkatërroftë ai që u jep përparësi këtyre lloj arsyetimesh të sëmura kundrejt ligjit të Zotit. Ligji i Zotit u jep rëndësi dobive të përgjithshme dhe atyre individuale. Gjithsesi, nuk është aspak e çuditshme që ata të arsyetonin në këtë mënyrë, sepse ata ndikoheshin nga këshillat e shejtanëve të mallkuar, të cilët kanë si qëllim kryesor devijimin e krijesave nga

feja e Zotit, për t’i bërë banorë të Zjarrit të ndezur fort. - Nëse ju u bindeni atyre, atëherë do të jeni si ata. - Nëse u bindeni atyre, për sa i përket idhujtarisë, lejimit të haramit dhe ndalimit të hallallit nga ana e tyre, atëherë edhe ju do të bëheni idhujtarë. Ju do të konsideroheni njëlloj si ata, sepse me miratimin e tyre në idhujtari dhe në shpërfilljen e ligjit të Zotit, ju i keni përzgjedhur ata si miqtë dhe të dashurit tuaj. Çdokush që shkon kundër rrugës së besimtarëve, duke miratuar dhe pasuar rrugën e humbjes, është larguar nga rruga e Zotit. Ky ajet i bukur tregon se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mendimet, arsyetimet dhe ndjenjat e emocionet, që shpesh na sulmojnë mendjen dhe shpirtin, edhe nëse na sjellin ndonjë lloj prehjeje e kënaqësie, sikurse ndodh me sufitë e të tjerë si ta, të cilët u japin shumë rëndësi këtyre lloj shkëndijash. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj të tilla mendimeve e ndjenjave, sepse ato mund të jenë një portë shumë e rrezikshme, të cilën shejtani i mallkuar e përdor për të devijuar njeriun, duke shfrytëzuar paditurinë e tij. Thjesht kënaqësia ose një përjetim i veçantë që këto mendime mund të na sjellin nuk janë të mjaftueshme që ne të gjykojmë se ato janë të vërteta, dhe pastaj t’i marrim për bazë dhe t’u shkojmë pas. Besimtari i vërtetë, të gjitha mendimet, ndjenjat dhe arsyetimet e tij fillimisht ia parashtron Librit të Allahut dhe Traditës së Profetit të Tij. Nëse këto dy burime tregojnë se ato arsyetime dhe ndjenja janë të sakta, të mira e të dobishme, atëherë ai i pranon dhe vazhdon i sigurt me adhurimin e Allahut, me sinqeritet dhe jo për sy e faqe, për t’u dukur e për të përfituar nga të tjerët. Por nëse ato dy burime të sigurta dhe të mrekullueshme, të pastra dhe të paprekshme dëshmojnë për të kundërtën, atëherë robi duhet t’i refuzojë dhe t’i kërkojë mbrojtje Allahut që ta ruajë zemrën e tij nga devijimi dhe sëmundjet. Nga ana tjetër, nëse në fenë e Zotit, në Kur’ân dhe Sunet, nuk gjen ndonjë argument pro apo kundër, atëherë robi duhet të tregohet i rezervuar e i përmbajtur, as duke i besuar, as duke i mohuar. Robi në të tilla raste duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sepse inspirimet, siç mund të vijnë prej Allahut të Lartësuar (nëpërmjet melekëve), ashtu mund të vijnë edhe nga shejtani i mallkuar. Prandaj duhet një kujdes shumë i madh dhe mbështetje e plotë tek Allahu i Lartësuar që të arrish të bësh dallimin mes dy rasteve. Forca dalluese është e lidhur ngushtë me devotshmërinë ndaj Zotit dhe mbështetjen me përunjësi tek Ai. Nëse Allahu i Lartësuar e ndihmon të bëjë dallimin, robi do të jetë i ruajtur dhe i sigurt, me mbrojtjen e Allahut. Por nëse për shkak të padrejtësive, dëshirave të prishura, paditurisë në fe dhe mungesës së sinqeritetit të tij, robi nuk arrin të bëjë dallimin, atëherë devijimi dhe humbja kanë për të qenë shumë të mëdha, aq sa vetëm një Zot e di.

← Enam 6:121