7. Araf · Ajeti 126 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:94–7:126

Prej ajetit 94 - 102 bëhet fjalë për masat ndëshkuese të cilat janë rrjedhojë e mospërfilljes së dispozitave dhe të porosive të Zotit. Sikur njerëzit të ishin besimtarë të sinqertë dhe të ruheshin nga punët e këqia, bereqeti i Zotit do t'u vinte nga qielli e nga toka. Masa ndëshkuese zakonisht vie befas për të pasur ndikim më të madh te njerëzit që të kthehen ata në rrugë të drejtë. Kokëfortësia ndaj dispozitave të Zotit, është një shenjë dëshpëruese, nga e cila kuptohet se të tillët nuk do të gjejnë kurrë rrugën e vërtetë, Ruana Zoti Kur u paraqit Musai, pejgamberi i dërguar prej Zotit, kërkoi prej faraonit t'ia lirojë beni israilët të shpërngulen prej Egjiptit. Beni israilët në Egjipt ishin prej kohës së Jusufit, ndërsa faraoni që i takonte popullit kipt, i mundonte dhe i torturonte pa masë.

Mrekullia e Musait ishte shkopi, i cili shndërrohej në gjarpër të madh (bollë) dhe dora e tij e djathtë e cila shkëlqente me dritë më të fortë se dielli. Gara e zhvilluar mes magjistarëve dhe Musait para publikut, thuhet se ka ngjarë në Aleksandrinë e Egjiptit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:123–7:126

Allahu i Lartësuar na tregon se si i kërcënoi Faraoni (Allahu e mallkoftë!) magjistarët, pasi ata besuan Musain (a.s.). Faraoni filloi të manipulonte mendjet e njerëzve me intrigat dhe mashtrimet e tij: - Faraoni tha: “Guxuat ta besoni Atë pa lejen time?! Kjo është veç një dredhi, që ju e keni përgatitur, me qëllim që të largoni banorët prej qytetit. - Kështu, ai po ua paraqiste njerëzve këtë triumf të Musait, si një shfaqje të gënjeshtërt, që magjistarët në bashkëpunim e marrëveshje me Musain, e kishin kurdisur përpara sfidës së asaj dite. I Lartësuari tregon në një ajet tjetër: “Faraoni tha: “A i besuat atij para se unë t’ju jap leje?! Ai (Musai) është prijësi juaj, ai që jua mësoi magjinë!” [Ta Ha 71]. Faraoni e dinte mirë - dhe çdo njeri i logjikshëm - e kuptonte se kjo ishte një shpifje, sepse Musai nuk njihte asnjë nga ata magjistarë dhe nuk ishte takuar me asnjë prej tyre. Faraoni e dinte mirë këtë fakt, por e tha këtë për të manipuluar dhe mashtruar popullin dhe të paditurit, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ai (Faraoni) e

përçmoi popullin e vet (i mori për mendjelehtë), kurse ata e dëgjuan. Ata ishin një popull i shkatërruar.” [Zuhruf 54]. Ata ishin popull mendjelehtë e të humbur. Ata njerëz që e besuan Faraonin, kur u tha: “Unë jam Zoti juaj më i lartë!”, pa dyshim që ishin më injorantët e më të përçmuarit, që mund të ekzistojnë. Allahu i Lartësuar tregon arsyetimin shterpë të Faraonit, i cili tha: “Kjo është veç një dredhi, që ju e keni përgatitur, me qëllim që të largoni banorët prej qytetit.” Domethënë, qëllimi juaj është që të dëboni parinë e qytetit, dhe kështu pushteti të kalojë në dorën tuaj dhe të Musait. - Por shpejt keni për ta parë (ç'do t'ju gjejë). - Pastaj e shtjelloi këtë kërcënim më hollësisht: - Unë kam për t’jua prerë duar e këmbë këmbyerazi - Do t’ju pres dorën e djathtë dhe këmbën e majtë, ose anasjelltas. - e pastaj do t’ju gozhdoj të gjithëve. - Në një ajet tjetër, kjo është shpjeguar: “... Unë do t’jua pres duart e këmbët këmbyerazi e do t’ju mbërthej në trungjet e palmave.” [Ta Ha 71]. Ibn Abasi ka thënë se Faraoni ishte i pari që ka mbërthyer njerëz në shtylla dhe u ka prerë duar e këmbë këmbyerazi. - Ata thanë: “Po, nuk ka dyshim se ne do të kthehemi te Zoti ynë. - Tashmë jemi të bindur se vetëm tek Zoti e kemi kthimin dhe se ndëshkimi i Tij është më i dhembshëm se ndëshkimi yt. Për këtë arsye, ne do të durojmë dënimin tënd, për të shpëtuar nga dënimi i Zotit! Kështu, ata u lutën, duke thënë: “Zoti ynë! Na jep durim dhe na i merr shpirtrat si muslimanë!” Domethënë, na dhuro shumë durim, që të jemi të qëndrueshëm në fenë Tënde dhe na bëj që të vdesim si pasues të Profetit tënd, Musait!” Allahu i Lartësuar na tregon se ata iu drejtuan Faraonit: “Ata thanë: “Ne kurrë nuk do të të japim përparësi ty ndaj argumenteve të qarta, që na erdhën dhe ndaj Atij që na krijoi. Prandaj, gjyko për ne si të duash! Ti mund të gjykosh (dhe të dënosh) vetëm në jetën e kësaj bote.” Ne besuam në Zotin tonë. Ai na i faltë gabimet tona dhe magjitë që ti na detyrove (t'i bënim). Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi. Atë që do të dalë para Zotit të vet si keqbërës, e pret Xhehenemi, ku as nuk do të vdesë dhe as nuk do të jetojë! Ndërsa ata që do të dalin para Tij si besimtarë dhe kanë bërë vepra të mira, i presin grada të larta. Ato janë Xhenetet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jenë përjetë. Ky është shpërblimi i atyre që janë pastruar (nga mosbesimi).” [Ta Ha 72 - 76]. Ndërsa këtu i Lartësuari thotë: - Ti po hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në shenjat e Zotit tonë, kur na erdhën para syve. Zoti ynë! Na jep durim dhe na i merr shpirtrat si muslimanë!” - Në fillim të ditës, ata ishin magjistarë, ndërsa në fund të ditës u bënë dëshmorë të zgjedhur e të lëvduar , që do të kujtohen gjithmonë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:120–7:126

- “Ndërsa magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e gjithësisë, Zotin e Musait dhe të Harunit!”.”- Ne i besojmë si të vërteta të gjitha mesazhet që Zoti ka përcjellë nëpërmjet Musait. E besojmë Shpalljen dhe mrekullitë e qarta që ai solli. Kjo qe befasuese për Faraonin, i cili duke i kërcënuar, u tha: - “Faraoni tha: “Guxuat ta besoni Atë pa lejen time?!” - Faraoni i mallkuar ishte një tiran i pashpirt, një satrap që e kishte robëruar popullin jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Fjala e tij ishte ligj dhe e padiskutueshme. Askush nuk mund të kundërshtonte gjykimin e Faraonit. Populli ishte nënshtruar dhe tërësisht i paaftë për të mbrojtur të drejtat e veta. Për të treguar ndikimin e Faraonit mbi popull, Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “Ai arriti ta frikësonte popullin e vet, të cilët e dëgjuan. Ata ishin vërtet një popull i shkatërruar." [Zuhruf 54]. Ndërsa në këtë sure thotë: “Guxuat ta besoni Atë pa lejën time?!" Pra, sikur u thoshte: Kjo është mungesë edukate nga ana juaj, madje një fyerje që i bëhet autoritetit tim. Ky guximi juaj është i ndëshkueshëm. Pastaj filloi t’i manipulonte mendjen popullit dhe t’i mashtronte ata, duke u thënë magjistarëve: - “Kjo është veç një dredhi, që ju e keni përgatitur, me qëllim që të largoni banorët prej qytetit.” - Kuptimi: Musai është mësuesi juaj, ai që ju ka mësuar magjinë. Ju keni rënë në ujdi që përpara sfidës që të fitonte Musai, dhe pastaj të deklaroheshit si palë e tij, që të gënjenit popullin. Kështu, ju planifikoni që të dëboni prej këtej zotërit e vërtetë të këtij vendi. Padyshim, ky inskenim nga ana e Faraonit qe një mashtrim i rafinuar, sepse ai e dinte shumë mirë të vërtetën. Po ashtu, të gjithë e dinin që Musai nuk ishte takuar asnjëherë me magjistarët më parë. Pastaj, ishte propozimi i vetë Faraonit për t’u realizuar ajo përballje, e jo i Musait. Gjithashtu, ajo që bëri Musai ishte një mrekulli e qartë dhe magjistarët bënë maksimumin për ta mposhtur atë, por nuk ia arritën dot. Madje, vetë dështimi i tyre dhe ajo që ata panë u bënë shkak që magjistarët të besonin dhe ta pasonin Musain. Megjithatë, Faraoni i kërcënoi ata: - “Por shpejt keni për ta parë (ç'do t'ju gjejë).” - Keni për ta parë ndëshkimin e ashpër, që ju pret. - “Unë kam për t’jua prerë duar e këmbë këmbyerazi e pastaj do t’ju gozhdoj të gjithëve.”” - Me këtë mënyrë ndëshkoheshin vetëm terroristët, që prishnin rendin. Kështu, Faraoni po jepte të kuptohej në popull se ata ishin kriminelë tepër të rrezikshëm për rendin, që e meritonin një ndëshkim të tillë. Ndëshkimi ishte prerja e një dore dhe e një këmbe në anë të kundërt, domethënë, dora e djathtë me këmbën e majtë. Pastaj do të gozhdoheshin në trungjet e palmave, derisa të vdisnin. Magjistarët, që tashmë ishin penduar dhe kishin besuar Zotin e vërtetë, i drejtohen Faraonit, që i

kërcënoi më këtë dënim të ashpër, dhe i thonë: - “Ata thanë: “Po, nuk ka dyshim se ne do të kthehemi tek Zoti ynë.” - Ne as që na tremb ndëshkimi yt. Madje as që i kushtojmë fare rëndësi atij. Allahu është i Përjetshëm dhe përfundimi pranë Tij është zgjedhja më e mirë për ne. Prandaj, bëj ç’ke për të bërë me ne! - “Ti po hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në shenjat e Zotit tonë, kur na erdhën para syve.” - Ti nuk ke asnjë motiv të drejtë për këtë kërcënim që po na bën. I vetmi 'gabim" i yni është fakti që ne besuam argumentet e Zotit tonë, kur ato u shfaqën qartë. Nëse ky konsiderohet krim për t’u ndëshkuar, atëherë le të ndëshkohemi. Pastaj ata iu përgjëruan Allahut, që t’u falte durim duke thënë: - “Zoti ynë! Na jep durim dhe na i merr shpirtrat si muslimanë!”” - Na jep durim të madh, sepse kjo është një sprovë shumë e madhe, që përfundon me vdekje të dhimbshme. Në një sprovë të tillë, zemra dhe shpirti duhet të jenë të patundur në besim. Me durim e besim përballohet çdo dhimbje, sado e madhe qoftë. Pastaj u lutën që vdekja t’i gjente si muslimanë, të nënshtruar ndaj Zotit dhe si pasues të denjë të Profetit të Tij. Nga kjo histori kuptohet se Faraoni e ekzekutoi këtë ndëshkim, por Allahu i Madhëruar i forcoi të penduarit me durim e besim, për ta përballuar atë. Ky ishte qëndrimi i magjistarëve, të cilët e njohën të vërtetën dhe e besuan sinqerisht Allahun e Madhëruar. Ndërsa nga ana tjetër qëndronte Faraoni, paria rreth tij dhe populli zullumqar që i pasonte dhe u bindej. Këta të mjerë i mohuan shenjat dhe Shpalljen e Zotit, që përcolli Musai. Duke dashur që të ndëshkohej Musai dhe besimtarët, me pretendimin se mesazhi i Profetit ishte i kotë, i pavërtetë, madje shkaktues i trazirave, ata i drejtohen Faraonit dhe i thonë:

← Araf 7:126