7. Araf · Ajeti 58 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 7:52–7:58
E vërteta mbi thëniet e Kur'anit është e pranishme në dynja për ata që kuptojnë, e këtë të vërtetë do ta kuptojnë edhe ata që e refuzuan në ditën e kijametit, por atëherë është pa dobi.
Çdo send është krijesë e Zotit. Ai krijoi qiej e tokë. Ka mundur t'i krijojë për një moment, por i krijoi në etapa për të na dhënë të kuptojmë se në nguti nuk ka rezultate. Qëndrimin e Zotit mbi Arshin duhet besuar bindshëm e pa kurrfarë komentimi. Sikurse e ngjall tokën e vdekur me anën e shiut, ashtu do t'i ngjallë të vdekurit pas shkatërrimit të përgjithshëm të ekzistencës.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 7:57–7:58
Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lavdëruar tregoi se Ai është Krijuesi i qiejve dhe Tokës, Ai që rregullon e kujdeset për çështjet e krijesave dhe na udhëzoi gjithashtu që t’i lutemi dhe drejtohemi vetëm Atij, se Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka. Ndërsa në këto ajete, Ai vijon që të na tregojë se Ai është Furnizuesi dhe Dhuruesi i të gjitha mirësive dhe se Ai do t’i rikthejë në jetë të vdekurit Ditën e Kijametit. Allahu Krenar dhe i Plotpushtetshëm thotë: - Është Ai që i lëshon erërat si përgëzim para mëshirës së Tij. - Kjo i ngjan ajetit të Allahut: “Nga argumentet e Tij janë edhe erërat, që Ai i dërgon si përgëzim (para shiut), që ju të mund të përfitoni mirësi (të shumta) nga mëshira e Tij; që anijet të lundrojnë me vullnetin e Tij në kërkim të mirësive të Tij dhe që të jeni mirënjohës. ” [Rum 46]. Allahu thotë se i dërgon ato si përgëzim “para mëshirës së Tij”, domethënë, para shiut. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Është Ai që, pasi ata i kanë humbur shpresat, u lëshon shiun dhe shpërndan mëshirën e Vet. Ai është Mbikëqyrësi, i Lavdëruari.” [Shura 38]. Dhe thotë gjithashtu: “ Është Allahu Ai që i dërgon erërat për të ngritur rete. Pastaj i shpërndan nëpër qiell si të dojë dhe i ndan në pjesë dhe ja, nga mesi i tyre filljonë të dalin pikat e shiut. Ai ia zbret atë kujt të dojë prej robve të vet, dhe ja, ata gëzohen, edhe pse para se t’u zbriste (shiu), ata ishin shpresëhumbur. Shikoji o njeri gjurmët e mëshirës së Allahut se si Ai e ngjall tokën pasi është shkretuar! Kështu do t’i ngjallë Ai të vdekurit dhe Ai ka Fuqi për gjithçka. ” [Rum 50]. - Kur erërat bartin re të mëdha... - Erërat bartin re të rënda, nga uji që gjendet në to, dhe qëndrojnë afër tokës të përhapura. - Ne i sjellim ato mbi një tokë të vdekur - Mbi një tokë të tharë e pa bimësi në të, siç thuhet në ajetin tjetër: “Argument për ata është toka e vdekur, kur Ne i japim jetë dhe bëhen drithërat, nga të cilat ju hani.” [Ja Sin 33]. - dhe atje e zbresim shiun, nëpërmjet të cilit bëjmë që të dalin nga të gjitha prodhimet. Kështu do t’i nxjerrim të vdekurit; kësisoj ju mund të kujtoni. - Ashtu siç e ringjallim këtë tokë të tharë e të
vdekur, ashtu do t’i ringjallim njerëzit, pasi të jenë bërë pluhur. Ditën e Kijametit, Allahu i Lartësuar do të lëshojë shi në tokë për dyzet ditë rresht dhe atëherë trupat do të riformohen e mbijnë në varret e tyre, ashtu siç mbin bima në tokë. Ky fakt ka ardhur shpesh në Kur 'an. Allahu sjell si shembull për Ditën e Ringjalljes pikërisht ringjalljen e tokës pas zhuritjes së saj, prandaj thotë: “...kësisoj ju mund të kujtoni.”. - Toka e mirë i jep prodhimet e saj me lejen e Zotit... - Kështu, toka e mirë dhe pjellore i nxjerr prodhimet e saj shpejt, të shëndetshme e të bollshme. - ndërsa toka e keqe mezi jep diçka. - Muxhahidi dhe të tjerë shpjegojnë: “Domethënë, si tokat ranore e të kripura, që japin shumë pak prodhim me vështirësi të mëdha.” Përcillet se Ibn Abasi ka thënë thënë se: “Allahu e jep këtë shembull për të krahasuar besimtarin me jobesimtarin.” - Kështu i shpjegojmë Ne argumentet Tona për ata që janë mirënjohës. - Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti i Allahut ka thënë: “Shembulli i asaj që Allahu më shpalli mua dhe i udhëzimit dhe diturisë me të cilën ai më dërgoi, është shiu që bie në tokë. Një lloj toke e pranon ujin dhe në të mbijnë bimë. Një lloj tjetër toke është ranishte , që e mban ujin e nëpërmjet këtij uji, Allahu u sjell dobi njerëzve, pinë prej tij, pinë kafshët e tyre dhe ujiten të mbjellat. Një lloj tjetër toke është shkëmbore, që as nuk e mban ujin e as nuk mbin gjë. I tillë është personi që mëson e përfiton nga feja e Allahut. Allahu i jep dobi atij nëpërmjet diturisë, me të cilën më dërgoi mua dhe e bën atë të dobishëm edhe për të tjerët. Kështu, ai e merr diturinë dhe ua mëson edhe të tjerëve. Nga ana tjetër, është shembulli i atij i cili nuk ngre kokë (me këtë mirësi) dhe nuk e pranon udhëzimin e Allahut, me të cilin Ai më dërgoi mua ndër njerëz.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 7:57–7:58
Allahu i Madhëruar na shpalos një shenjë të pushtetit dhe mëshirës së Tij të pamatë kur thotë: - “Është Ai që i lëshon erërat si përgëzim para mëshirës së Tij. - Është Allahu që i dërgon erërat paralajmëruese të shiut, aq të nevojshëm për jetën në tokë. Nëpërmjet ujit të shiut, me lejen dhe mëshirën e Allahut të Madhërishëm, toka gjallërohet dhe krijesat gëzohen. - Kur erërat bartin re të mëdha, Ne i sjellim ato mbi një tokë të vdekur dhe atje e zbresim shiun, - Kur erërat bashkojnë retë, atëherë i Gjithëmëshirshmi bën që shiu të bjerë poshtë, në tokën e zhuritur për ujë, ku krijesat janë pranë vdekjes dhe pa shpresë ndaj mëshirës së Allahut. Kur bie shiu, bashkë me të zbret jeta, shpresa dhe gëzimi. Ai bie me butësi dhe shpërndahet aq bukur nëpërmjet erës, për të ngopur tokën dhe krijesat mbi të. Kështu, jeta fillon të gëlojë nga e para, siç thotë i Madhëruari më pas: - “...nëpërmjet të cilit bëjmë që të dalin nga të gjitha prodhimet. - Dhe krijesat lumturohen me mëshirën dhe bujarinë e Allahut ndaj tyre. Në vijim, i Madhëruari thotë diçka që duhet t’i bëjë njerëzit të reflektojnë: - Kështu do t’i nxjerrim të vdekurit; kësisoj ju mund të kujtoni.” - Ashtu siç e ringjallim tokën e vdekur duke nxjerrë prej saj bimësinë, po kështu do t’i nxjerrim të vdekurit nga varret, pasi të jenë bërë pluhur e tretur një me tokën. Ky është një argumentim tejet i qartë dhe i kuptueshëm për pushtetin absolut të Allahut të Lartësuar. Nuk ka asnjë ndryshim mes dy rasteve. Prandaj, çdokush që e mohon ringjalljen, - edhe pse vazhdimisht sheh shëmbëllimet e saj në natyrë, - e bën këtë thjesht nga inati e kryeneçësia. Madje,
mund të thuhet se kështu mohon një fakt të vërtetueshëm nga shqisat. Këto ajete janë gjithashtu nxitje për të këqyrur shenjat e Allahut me syrin e atij që kërkon të nxjerrë mësime, e jo fare me shpërfillje. Në vijim, i Madhëruari na përmend llojet e tokave, ku zbret shiu: - Toka e mirë i jep prodhimet e saj me lejen e Zotit, - Së pari, është toka e mirë, toka pjellore. Kur mbi të bie shi, ajo jep prodhim, me lejen e Krijuesit të saj, Allahut të Madhëruar. Sidoqoftë, asgjë nuk mund të dalë jashtë vullnetit dhe përcaktimit të të Urtit të Gjithëpushtetshëm. Shkaqet mund të sjellin pasojat e tyre veçse me dëshirën e Zotit të Madhëruar, që ka në dorë çdo të shkak dhe pasojë. - “...ndërsa toka e keqe mezi jep diçka. - Nga ana tjetër, toka e keqe prodhon veçse bimë të këqija, të cilat nuk kanë asnjë dobi. - “Kështu i shpjegojmë Ne argumentet Tona për ata që janë mirënjohës. - Kështu, me shembuj konkretë, i bëjmë të larmishme dhe të qarta argumentet Tona, në mënyrë që mirënjohësit ndaj Allahut të përfitojnë dhe nxjerrin mësime prej tyre. Ata që e lavdërojnë Allahun dhe i shprehin mirënjohjen Atij për mirësitë që u ka dhuruar, pikërisht ata dinë të përfitojnë nga shembujt e sjellë nga i Madhërishmi, i Cili është i Gjithëditur dhe i Urtë. Ata arrijnë ta dallojnë udhën e drejtë dhe i kuptojnë lehtësisht dispozitat e Zotit për jetën e tyre. E si të ndodhë ndryshe, kur ata e konsiderojnë Shpalljen e Zotit si mirësinë më të madhe, të cilës duhet t’i përkushtohesh dhe për të cilën duhet t’i shprehësh Atij mirënjohjen e plotë. Për ta, ajo është vetë jeta e dhuruar. Këtë mirësi ata e presin me gëzim dhe e pranojnë me përunjësi, për vetë domosdoshmërinë e saj. Ata meditojnë thellë në të. Në varësi të mirësisë dhe gradës së besimit të tyre, ata përfitojnë nga ‘uji’ i Shpalljes së Zotit. Ashtu sikurse toka pas shiut prodhon në varësi të cilësisë së saj, ashtu edhe zemra e njeriut, në varësi të imanit, përfiton nga Shpallja dhe jep frytet e saj. Për sa u përket zemrave të nxira dhe të ngurta, kur mbi to zbret Shpallja e Zotit, nuk gjen vend të përshtatshëm për të dhënë frytet e saj. Ajo gjen zemra të shkujdesura e mospërfillëse, madje kundërshtuese të saj. Shpallja kalon nëpër këto zemra ashtu si uji që rrëshqet në një tokë shkëmbore apo uji që humbet pa asnjë dobi në tokë ranore. Kjo ngjan me thënien e Allahut të Madhëruar: “ Ai zbret nga qielli ujë, që rrjedh nëpër lumenj me masë, ndërsa vala nxjerr shkumën mbi sipërfaqe. Edhe ajo që del nga shkrirja (e xeherorit) në zjarr për të bërë me të ndonjë stoli ose ndonjë mjet, është shkumë e ngjashme si ajo. Kështu e sqaron Allahu shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës. Sepse zgjyra zhduket si shkuma, ndërsa ajo që u sjell dobi njerëzve, mbetet në tokë. Kështu i shpjegon Allahu shembujt.” [Ra'd 17].