75. Kijame · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 75:1–75:15

Zoti xh. sh. betohet në ditën e kijametit që është me rëndësi të madhe, betohet edhe në ndërgjegjën e njeriut, e cila gjithnjë e qorton të zotin, pse nuk bën më shumë punë të mira dhe pse bën punë të këqija: pra, shpirti, ndërgjegjja, karakteri i tillë është i rëndësishëm, andaj është për t'u betuar në të. Ky betim bëhet në shenjë vërtetimi të ditës së kijametit.

Njëfarë Adijj ibni Rebia shkon te Pejgamberi e i thotë: "Më trego si është puna e kijametit, kur do të bëhet..." Pejgamberi i tregon, e ai thotë: "Nuk të besoj, pse si do t'i tubojë Zoti eshtrat kur do të bëhet... e kalbur?!" Atëherë zbret ajeti rreth dyshimit të tij e thotë: "Do t'i tubojmë e edhe mollëzat e gishtërinjve do t'ua rikrijojmë ashtu si i kanë pasur..."

Këtu manifestohet njëra nga mrekullitë e Kur'anit, pse e përmend një çështje delikate që njerëzit shumë vonë arritën ta kuptojnë. E përmend veçorinë e çdo individi me çka mund të dallohet nga tjetri, e ajo veçori qëndron në vijat në majë të gishtërinjve, gjë që tash arriti ta kuptojë edhe dituria, andaj e bëri obligim vënien e gishtit në dokumentet më të rëndësishme personale. Zoti i madhëruar përmendi fuqinë e vet të përsosur për ringjallje, i përmendi majat e gishtave, e njerëzit pas njëmijë e sa vjetësh e kuptuan pse i përmendi. Njeriu e kupton fuqinë e Zotit, por dëshiron të jetë i shfrenuar, andaj përpiqet ta bëjë të dyshimtë mundshmërinë e ringjalljes dhe të përgjegjësisë dhe pyet kur është kijameti. Atë ditë nuk i bëjnë dritë sytë, hëna errësohet dhe përplaset për diellin atëherë nuk ka vend për strehim, vetëm duhet paraqitur para Zotit dhe duhet dhënë llogari.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 75:1–75:15

Kijame është një sure mekase, me 40 ajete, që ka zbritur pas sures Kariah. - “Jo! Betohem në Ditën e Kijametit.” - Allahu i Lartësuar betohet për Ditën e Kijametit dhe vërtetësinë e saj. Po ta vëresh me kujdes, përpara betimit, ka vendosur parafjalën mohuese ‘ Lâ’, që do të thotë ‘Jo!’. Kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj atyre që nuk besojnë Ditën e Ringjalljes. Kuptimi i ajetit do të ishte në këtë formë: ‘Jo, nuk është ashtu si pretendoni ju, që nuk besoni se do të ndodhë Kijameti.’ Më pas, Allahu i Madhëruar betohet për vërtetësinë e kësaj dite, duke thënë: “Betohem në Ditën e Kijametit!’ Kështu, Allahu i Lartësuar betohet për vërtetësinë e Ditës së Premtimit,

duke hedhur poshtë pretendimin e atyre të paditurve, që e mohojnë atë! - “Jo! Betohem në shpirtin shumë qortues.” - Allahu i Madhëruar betohet edhe në shpirtin qortues. Edhe në këtë rast pjesëza mohuese “lâ” (jo) vjen me kuptimin që përmendëm më sipër. Pra: ‘Jo, nuk është ashtu si pretendoni ju, që nuk besoni se do të ndodhë Kijameti.’ Më pas, Allahu i Madhëruar pohon vërtetësinë e kësaj dite, duke u betuar edhe në “shpirtin shumë qortues”. Ky është mendimi më i saktë për kuptimin e ajeteve. Ky mendim vjen nga Katade dhe e ka mbështetur Ibn Xheriri. Allahu i Lartësuar betohet në këto çështje të rëndësishme, për të pohuar ringjalljen, llogarinë dhe shpërblimin me drejtësi. Për sa i përket Ditës së Kijametit, kuptimi i saj është i qartë: ajo është dita e madhe, kur njerëzit do të përjetojnë ngjarjet më të frikshme. Ndërsa për sa i përket ‘ En-Nefs El-Leu-uâmeh’ - “shpirti shumë qortues”, mufesirët kanë dhënë mendime të ndry - shme. Disa mendojnë se këtu bëhet fjalë, në mënyrë të veçantë, për shpirtin e besimtarit, i cili e qorton vazhdimisht veten, për të bërë sa më shumë punë të mira dhe për t’u larguar nga të këqiat. Kështu, besimtari e qorton vazhdimisht veten e vet, për çdo fjalë, mendim dhe veprim që kryen në jetën e kësaj bote. Ndërsa mohuesi zhytet në gjynahe dhe padrejtësi dhe asnjëherë nuk e qorton vetveten. Sipas një mendimi tjetër, këtu bëhet fjalë për të gjithë shpirtrat. Haseni thotë: “Nuk ka asnjë banor të qiejve dhe të tokës që nuk do ta qortojë veten në Ditën e Kijametit.” Ibn Abasi ka thënë: “Çdo shpirt do të qortojë veten e tij në Ditën e Kijametit. Bamirësi qorton e fajëson veten se nuk ka bërë më shumë të mira, ndërsa keqbërësi qorton e fajëson veten pse nuk është larguar nga gjynahet.” Fer -rau e ka përzgjedhur këtë mendim dhe ka thënë: "Nuk ka asnjë shpirt, bamirës apo keqbërës qoftë ai, që të mos e qortojë e fajësojë veten në Ditën e Gjykimit. Nëse ka bërë mirë do të thotë: "Ah, të kisha bërë më shumë të mira.” E nëse ka bërë të këqija, do të thotë “Ah, i mjeri të mos kisha bërë të këqija!". Kuptimi më i dukshëm është se “shpirti qortues” është çdo shpirt që qorton veten, e këshillon dhe e nxit atë për të kryer e shtuar punët mira dhe e qorton për të këqijat, që t’i lërë e pakësojë ato. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Ibn Xheriri. Në vijim, i Lartësuari thotë: - “A mendon njeriu se Ne nuk do t’ia bashkojmë sërish eshtrat atij?” - A mendon ai, se, Ditën e Kijametit, Ne nuk kemi pushtet që t’ia rikthejmë kockat, t’ia mbledhim ato nga anekënd botës, ku të jenë, e ta rikrijojmë ashtu siç ishte më parë?! - “Përkundrazi, Ne jemi të Plotpushtet - shëm ta rikrijojmë sikurse ka qenë, deri te mollëzat e gishtave të tij ...” - Ne kemi për t’ia bashkuar të gjitha pjesët e trupit dhe jemi të Plotpushtetshëm madje që t’ia kthejmë siç i kishte edhe mollëzat e gishtërinjve. - “Por njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në gjynahe ...” - Këtu bëhet fjalë për mohuesin, i cili nuk beson ditën e llogarisë përpara Zotit. Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi. Kjo është arsyeja, që më pas ai: - “... pyet: “Kur është Dita e Kijametit?” - Pra, pyet: “Kur do të jetë Kijameti?” Në fakt, pyetja e tij tregon se ai e sheh të largët dhe të pamundur përmbushjen e këtij premtimi dhe kërcënimi, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “ Ata thonë: “Kur do të vijë ky premtimi, nëse thoni të vërtetën?” Thuaj: “Ju ju pret afati i një dite, që nuk mund të shtyhet për më vonë e as nuk do të shpejtohet që të vijë më parë.”! ” [Sebe’ 29, 30]. - “Kur shikimi të tmerrohet ...” - Kur shikimet e tyre të çoroditen nga tmerri, duke parë nga të gjitha drejtimet, në mënyrë të paqëndrueshme, pa u fiksuar diku. Kjo ndodh nga frika e madhe, që shkaktojnë ngjarjet e Ditës së Kijametit, sikurse thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta.” [Ibrahim 43]. - “... kur Hëna të fshihet ...” - Drita e saj do të shuhet.

- “... Dielli e Hëna të bashkohen ...” - Muxhahidi shpjegon: “Domethënë, ato do të mbështillen dhe drita e tyre do të shuhet.” Ibn Ebu Zejdi, si shpjegim të këtij ajeti, lexoi ajetet e tjera: “ Kur Dielli të jetë mbështjellë dhe yjet të kenë rënë.” [Tekuir 1, 2]. - “... atë ditë, njeriu do të thotë: “Ku të futem?” - Ai do të përpiqet të shmanget, duke thënë: “Ku të futem?” Ai kërkon t’i shmanget qëndrimit të vështirë, duke u fshehur diku. - “Jo, nuk ka se ku të futet.” - Ai nuk ka shpëtim dhe nuk ka asnjë që ta mbrojë. - “Atë ditë, vetëm te Zoti yt është kthimi.” - Kthimi dhe përfundimi është vetëm tek Zoti. - “Atë ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë.” - Njeriu do të njoftohet për gjithçka që ka bërë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Kur libri (i punëve) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël - pa e shënuar?!” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49]. - “Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes ...” - Njeriu bëhet dëshmues i vetvetes. Ai i di mirë veprat që ka bërë, edhe nëse nxjerr justifikime ose i mohon ato, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “(Çdokujt do t'i thuhet:) “Lexoje librin tënd! Sot mjafton të jesh vetë gjykues i vetvetes”.” [Isra 14]. - “... edhe nëse paraqet arsyetime.” - Edhe nëse nxjerr argumente, për të justifi - kuar qëndrimin dhe padrejtësitë e veta. Muxhahidi thotë: “Edhe nëse njeriu kundër - shton për veprat e veta, ai gjithsesi i sheh, i di mirë dhe është i vetëdijshëm për to.” Ky është shpjegimi më i saktë. Allahu i Lartësuar thotë në ajete të tjera: “ Atëherë, atyre s’u mbetet përgjigje tjetër, përveçse të thonë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë se ne nuk ishim idhujtarë!” Shih se si gënjejnë kundër vetes dhe se si iu humbasin idhujt që vetë i trillonin! ” [En’am 23, 24.], Ose: “Ditën kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij, sikurse ju betohen juve, duke pandehur se kështu do të arrijnë diçka. Në fakt, ata janë veç gënjeshtarë. ” [Muxhadile 18].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 75:7–75:15

- “Kur shikimi të tmerrohet…” - Kur të ndodhë Kijameti, shikimet do të ngrijnë nga tmerri, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Kurrsesi mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj veprimeve të keqbërësve! Ai vetëm është duke u dhënë afat deri në Ditën, kur sytë të shtangen nga tmerri. Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta.”. [Ibrahim 42, 43]. - “…kur Hëna të fshihet…” - Drita e Hënës do të shuhet. - “…dhe Dielli e Hëna të bashkohen…” - Ata nuk janë bashkuar asnjëherë me njëri tjetrin, që kur Zoti i krijoi. Por Ditën e Gjykimit Zoti do t’i bashkojë ata. Dielli do të mbështillet e drita e tij do të zhduket, ashtu si edhe drita e hënës. Pastaj ata të dy do të hidhen në zjarrin e Xhehenemit, që robtë të shohin se Dielli e Hëna ishin thjesht dy krijesa të Zotit, të nënshtruara ndaj Tij. Në këtë mënyrë, kush ka adhuruar Diellin dhe Hënën do të bindet se ka qenë i mashtruar dhe mashtrues. - “…atë ditë, njeriu do të thotë: “Ku të futem!”” - Kur njeriu të shohë këtë ngjarje të frikshme, do të mendojë për shpëtim, duke thënë: “Ku të shkoj? Si mund të shpëtoj nga kjo që po ndodh?”

- “Jo, nuk ka se ku të futet! Atë ditë, vetëm te Zoti yt është kthimi.” - Nuk ka asnjë strehë mbrojtëse, përveçse tek Allahu. Përfundimi i të gjithëve është para Allahut. Të gjithë robtë, pa përjashtim, do të grumbullohen para të Gjithëpushtetshmit. Askush nuk do të ketë mundësi të fshihet apo t’i shmanget Atij. Të gjithë do të mblidhen bashkë, për t’u shpërblyer sipas veprave që kanë bërë. - “Atë ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë.” – Ditën e Gjykimit do të paraqiten të gjitha punët e njeriut, të mirat e të këqijat, të parat dhe të fundit, dhe ai nuk mund të mohojë asnjë prej tyre. Ai do të jetë i vetëdijshëm për to dhe do të pranojë gjithçka. Thotë i Madhëruari: - “Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime.” - Ai mund ta gjykojë veten e vet, edhe nëse mund të hedhë justifikime, të cilat janë të papranueshme dhe të pavlefshme. Vetë robi do të pranojë çdo punë që ka bërë dhe do të dëshmojë për vërtetësinë e saj, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Lexo librin tënd, sot mjafton të jesh vetë llogaritës i vetvetes”. [Isra 14]. Edhe nëse ai kërkon të mohojë ose të justifikohet për atë që ka bërë, kjo do të jetë e pavlefshme, sepse do të jenë vetë dëgjimi, shikimi dhe të gjitha gjymtyrët e tij që do të dëshmojnë se ç’ka bërë. Mundësia për të rregulluar diçka tashmë ka përfunduar dhe çdo përpjekje është e padobishme, siç thuhet në këtë ajet: “Kështu atë ditë atyre që bënë padrejtësi, asnjë pendesë nuk u bën dobi e as që kërkohet të arsyetohen .” [Rum 57].

← Kijame 75:15