8. Enfal · Ajeti 63 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 8:52–8:63

Zoti xh. sh. nuk ia merr e as nuk ia shkatërron një të mirë që ia ka dhuruar një populli, për derisa ai popull nuk bëhet përbuzës i asaj të mire, e kur e përbuz, atëherë me fajin e vet mbetet pa të. Kurejshitët e kishin Qaben, e kishin autoritetin më të madh në atë anë. Qabja u siguronte mjete për jetesë dhe siguri për tregtinë e tyre. Zoti u dërgoi pejgamber nga mesi i tyre, e mëshirë për mbarë botën. Ata i përbuzën të gjitha ato të mira dhe mbetën pa to.

Pejgamberi kishte lidhur marrëveshje me jehuditë që të mos u bashkohen idhujtarëve, por ata e prishën marrëveshjen dhe i ndihmuan me armë në luftën e Bedrit, i ndihmuan edhe në Hendek. Për arsye se nuk respektuan premtimin, ishin të dënuar, në rast se do të ziheshin në luftë, me një dënim të tmerrshëm i cili do të shërbente si mësim edhe për të tjerët, nëse do të bënin tradhti.

Zoti nuk i do tradhtarët, andaj i porositi myslimanët që ta shpallin haptazi të pavlefshme marrëveshjen me ta, kur të vërejnë se ata nuk i përmbahen, në mënyrë që të mos befasojnë me luftë atë me të cilin kanë pasur kontratë. Kufarëve që shpëtuan në Bedër, u tërhiqet vërejtja se Zotit nuk mund t'i iket, andaj ose të heqin dorë nga armiqësia ndaj myslimanëve, ose ta dinë se do të kapen dhe do të zhduken.

Myslimanët nuk qenë të përgatitur në luftën e Bedrit, por ndihma e Zotit ishte shkak i fitores së tyre, andaj porositen të përgatiten maksimalisht në pikëpamje materiale edhe në atë shpirtërore, ngase ndihma e Zotit është gjithnjë me të përgatiturit, e më rrallë me ata të papërgatiturit.

Feja islame nuk e dëshiron luftën, andaj porositet Pejgamberi që nëse vëren shenja të paqes, të përpiqet për të Ndihma e Zotit është me Pejgamberin, nëse ata me paqë duan të mashtrojnë dhe ta befasojnë. Arabët kokëfortë dhe idhnakë të pashokë, të përçarë e të gjaksuar mes vete, nuk do të mund ti bashkonte kush pos fuqisë së Zotit, e pasi që ata, fisi Evs dhe ai Hazrexh u pajtuan mes vete me ndihmën e fesë islame, u bënë fuqi e pathyeshme, për të cilën flasin këto pjesë të Kur'anit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 8:61–8:63

Nëse i druhesh pabesisë nga ndonjë grup, atëherë njoftoji paraprakisht për prishjen e paktit, që të jeni në kushte të barabarta! Nëse vazhdojnë të këmbëngulin në luftën kundër teje dhe shkeljen e pakteve, atëherë luftoi. - Nëse armiku kërkon paqe, pranoje atë dhe mbështetju Allahut! Ai është Gjithëdëgjues e i Gjithëditur. - Nëse ata anojnë drejt marrëveshjeve dhe kërkojnë paqe, atëherë edhe ti pranoje. Për këtë arsye, kur idhujtarët i kërkuan Profetit armëpushim në Hudejbije, ai e pranoi, dhe kështu u vendos një armëpushim për një periudhë nëntëvjeçare. Duhet theksuar se Profeti e pranoi këtë pakt, me gjithë kushtet e tjera që idhujtarët vendosën. Allahu i Lartësuar porosit e thotë: “... mbështetju Allahut!” Domethënë, pranoje paqen me ta dhe mbështetju Allahut, sepse Ai është Ndihmëtari yt dhe të mjafton kundër tyre, edhe nëse ata synojnë pabesinë kundër teje dhe thjesht kërkojnë të përfitojnë kohë për t’u fuqizuar e organizuar kundër teje. Ai thotë: - Po nëse ata duan të të mashtrojnë, atëherë ty të mjafton Allahu. - Ai i vetëm të mjafton ty kundër tyre. Pastaj i Lavdëruari përmend mirësinë e madhe, me të cilën begatoi Profetin e tij dhe ndihmën e madhe që i ofroi. - Ai të ka fuqizuar ty me Ndihmën e Tij dhe me besimtarët. Ai i ka bashkuar zemrat e tyre. - Ai i bashkoi në imanin e saktë, në bindjen ndaj teje dhe mbështetjen dhe pasimin e rrugës tënde. Në kohën e para Islamit, mes fiseve Eus dhe Hazrexh, dy fiset e mëdha të ensarëve në Medinë, zhvilloheshin luftëra të përgjakshme e të gjata dhe ishte shumë e vështirë t’i bashkoje e pajtoje. Allahu i Madhëruar thotë: - Edhe sikur të shpenzoje gjithçka që është në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre; - Allahu i madhëruar ka thënë: “Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani! Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri -tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër. Ju ishit buzë Gropës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu jua sqaron Allahu Argumentet e Veta, që ju ta gjeni udhëzimin e sigurt.” [Al Imran 103]. Në dy Sahih-ët është hadithi se, kur Profeti i Allahut u foli ensarëve në lidhje me plaçkën e luftës së fituar në Hunejn, tha : 1308. “Kur erdha unë tek ju, a nuk ishit ju të humbur nga rruga e drejtë dhe Allahu i Lartësuar ju udhëzoi nëpërmjet meje?! A nuk ishit ju të varfër dhe Allahu ju pasuroi me mua? A nuk ishit ju armiq të njëri -tjetrit dhe Allahu ju bashkoi zemrat nëpërmjet meje?” Sa herë që ai thoshte diçka, ata i përgjigjeshin: “Bamirësia e Allahut dhe e Profetit të Tij mbi ne është e madhe dhe meriton mirënjohje.” 92 - por ishte Allahu Ai që e bëri atë bashkim (e vllazërim) . Ai është Ngadhënjimtar e i Urtë.” - Allahu është Ngadhënjimtar dhe i tillë do të jetë çdokush që i mbështetet forcës e fuqisë së Tij. Ai kurrë nuk e zhgënjen këdo që i beson, e

shpreson dhe i mbështetet Atij. Allahu është, gjithashtu, i Urtë në veprat dhe çdo gjë që gjykon e vendos. Hafidh Ebu Kasim Sulejman Ibn Ahmed el Taberani (Allahu e mëshiroftë!) përcjell nga Selman el Farisiu, se P rofeti i Allahut ka thënë: 1309. “Kur muslimani takon vëllain e tij musliman dhe i jep dorën, nga ata të dy bien gjynahet ashtu siç bien gjethet e thata nga pema në një ditë me erë të furishme dhe Allahu ka për t’ua falur e mbuluar gjynahet e tyre, edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 8:61–8:64

- “Nëse armiku kërkon paqe, pranoje atë dhe mbështetju Allahut! Ai dëgjon e di gjithçka.” - Nëse qafirët, me të cilët jeni në gjendje lufte, ju parashtrojnë kërkesën për paqe dhe armëpushim, atëherë pranojeni këtë kërkesë, duke ju mbështetur tërësisht Zotit tuaj! Pranojeni kërkesën e tyre për paqe, sepse prej saj vijnë shumë dobi: 1. Paqja është gjithmonë diçka e mirë dhe e dëshiruar. Nëse ata marrin një nismë të tillë, atëherë pranojeni atë! 2. Periudha e paqes shërben për të mbledhur fuqitë, për t’u riorganizuar dhe përgatitur për luftë në çdo kohë që të jetë e nevojshme. 3. Kur vendoset paqja dhe jepen garanci për njëri tjetrin, bëhet më e lehtë që secila palë të ketë mundësi të kuptojë dhe gjykojë me drejtësi mendimin dhe besimin e palës tjetër. 4. Në kohë paqeje komunikimi është më i thjeshtë dhe bëhet më i lehtë gjykimi me

drejtësi dhe i paanshëm. Pa dyshim, një situatë e tillë është shumë favorizuese për Islamin dhe përhapjen e tij, si një fe e cila qëndron mbi gjithçka tjetër. Çdokush që gjykon me drejtësi dhe objektivitet, kur të ballafaqohet me këtë fe të mrekullueshme, pa dyshim që do të ndikohet nga ajo dhe do ta preferojë atë mbi të gjitha besimet dhe fetë e tjera në këtë botë. Islami është i bukur në të gjitha aspektet. Ai është i bukur në urdhëresat dhe ndalesat e Tij, ai është i bukur sepse urdhëron për drejtësi në marrëdhëniet me të gjitha krijesat, duke mos lejuar asnjë cenim të të drejtave të tyre. Vetëm përmes ligjeve të Islamit sigurohet lumturia e njerëzimit. Në këtë mënyrë, do të shtohen ata që e preferojnë atë dhe nënshtrohen për të jetuar sipas tij. Kështu, marrëveshja për paqe jo vetëm që të shpëton nga lufta dhe tmerret e saj, por mundëson edhe një qetësi shpirtërore. Në këtë mënyrë, muslimanët do të korrin fitore, duke pushtuar zemrat e njerëzve. Kërkesa për paqe e parashtruar nga qafirët mund të refuzohet vetëm në një rast: kur është një mënyrë mashtrimi dhe pabesie, me qëllim që t’i zërë muslimanët të papërgatitur. Por edhe nëse qëllimi i mohuesve është ky, Allahu i Lartësuar i qetëson besimtarët me premtimin e Tij të madh, kur thotë: - “Po nëse ata duan të të mashtrojnë, atëherë ty të mjafton Allahu.” - Allahu i Lartësuar të mjafton për të të mbrojtur nga çdo gjë e ligë. Është i Madhërishmi Ai që përkujdeset për çdo gjë që të sjell dobi dhe është e rëndësishme për ty. Allahu i Lartësuar të ka dhënë shumë shembuj tashmë se ndihma e Tij është mëse e mjaftueshme për ty, prandaj mbaje zemrën të qetë. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend disa raste kur mbështeti Profetin e Tij. - “Ai të ka fuqizuar ty me Ndihmën e Tij dhe me besimtarët.” - Ndihma më e madhe që Allahu i Lartësuar i dha Profetit ishte ndihma qiellore, para së cilës asgjë nuk mund të qëndrojë dhe, aq më pak, ta mposhtë. Pastaj vjen ndihma tokësore, përmes besimtarëve të shumtë, të cilët ndihmuan dhe mbështetën rrugën e Profetit. Por që besimtarët të jenë një forcë ndikuese në mbështetje të fesë së Allahut, ata duhet të jenë të bashkuar, prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë: - “Ai i ka bashkuar zemrat e tyre. Edhe sikur të shpenzoje gjithçka që është në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre; por ishte Allahu Ai që e bëri atë bashkim (e vllazërim).” - Prandaj besimtarët u bashkuan dhe u deshën me njëri tjetrin. Ishte pikërisht bashkimi i radhëve dhe dashuria e ndërsjelltë me zemër, sekreti i fuqisë së tyre. Sigurisht, kjo lidhje nuk ishte produkt i punës apo i strategjisë së ndonjërit prej tyre, por qe thjesht dhuratë bujare prej Allahut të Lartësuar. Edhe sikur të shpenzoje të gjithë arin dhe argjendin apo çdo lloj pasurie që gjendet në tokë, për të bashkuar zemrat dhe radhët e tyre, pas gjithë atyre faktorëve që shkaktonin përçarje dhe urrejtje, kurrë nuk do t’ia arrije qëllimit. Arsyeja është shumë e thjeshtë: I vetmi që ka në dorë zemrat e robve dhe që i ndryshon ato, është Allahu i Lartësuar, që thotë: - “Ai është Ngadhënjimtar e i Urtë.” - Tregues i fuqisë së Tij është pikërisht bashkimi dhe afrimi i zemrave të njerëzve, pas gjithë atyre shkaktarëve të përçarjes, urrejtjes dhe armiqësisë. Allahu i Lartësuar thotë: “ Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani! Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri-tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër. Ju ishit buzë Gropës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu jua sqaron Allahu Argumentet e Veta, që ju ta gjeni udhëzimin e sigurt.” [Al Imran 103]. - “O Profet! Allahu të mjafton ty dhe u mjafton besimtarëve që të pasojnë ty.” - Allahu i Lartësuar të mjafton ty, o i Dërguar, dhe po kështu edhe besimtarëve, që pasojnë rrugën tënde. Ky është një premtim që Allahu i Lartësuar u jep

besimtarëve të cilët pasojnë Profetin e Tij. Allahu premton për mbështetje, ndihmë dhe fitore kundër armiqve. Por nga ajeti kuptojmë edhe sekretin e realizimit të këtij premtimi. Së pari, është besimi i vërtetë dhe i sinqertë dhe, së dyti, pasimi rigoroz i rrugës së Profetit ﷺ . Kështu, besimtari i vërtetë, që pason rrugën dhe traditën e Profetit ﷺka premtimin se Allahu i Lartësuar do t’i mjaftojë si ndihmë dhe mbështetje në çdo çështje, qofshin ato fetare apo jofetare. Kjo ndihmë cenohet dhe pakësohet sa herë që cenohet dhe pakësohet kushti i saj, që është besimi i pastër dhe pasimi i Sunetit.

← Enfal 8:63