9. Tevbe · Ajeti 106 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:90–9:106
Në këto ajete flitet për hipokritët nga radhët e beduinëve që nuk patën shkuar në luftë, si fisi Esed e Gatfanë, të cilët kërkuan falje. Disa të tjerë nuk kërkuan fare. Allahu nuk i merr në përgjegjësi ata që ishin të dobët fizikisht, të sëmurë, ata që nuk kishin me çka të përgatiteshin, e as ata që u kthyen duke qarë, pse nuk patën me çka të udhëtonin. Këta ishin nja shtatë ensarë. Ai do t'i marrë në përgjegjësi ata që patën mundësi e nuk shkuan. Ata kërkuan falje duke u betuar i në Allahun dhe përpiqeshin t'i përfitonin myslimanët, por Allahu këshilloi myslimanët të hiqen i prej tyre, sepse Ai nuk ishte i kënaqur me ta.
Arabët beduinë ishin edhe më mohues e më hipokritë, ngase jetonin në shkretëtirë dhe nuk i dinin për norma morali, nuk dinin fare për sheriatin islam, ndërsa atë që e jepnin si lëmoshë I e trajtonin si gjobë, andaj mezi pritnin ndonjë të keqe për myslimanët. Por kishte edhe asish që besonin drejt.
Meritën më të madhe e kanë ata më të hershmit, muhaxhirë e ensarë, por meqë thuhet se edhe ata që ndjekin traditat e tyre janë me ata me të cilët Allahu është i kënaqur, është shpresë se kjo dispozitë do të vlejë për të gjithë myslimanët e mirë, deri në kijamet.
Edhe në Medinë, e edhe përreth saj kishte hipokritë të fshehtë për të cilët Zoti e njoftonte Muhammedin. Thuhet se Pejgamberi i kishte treguar një shokut të vet, Huzejfe bin Jumanit, emrat e disa hipokritëve të fshehur dhe i kishte thënë që të mos i tregonte askujt. Huzejfeja konsiderohej shoku i sekreteve të Pejgamberit, andaj Ymeri i Hatabit nuk shkonte t'i falë askujt xhenazën, pok nuk e shihte aty Huzejfen.
Hipokritët e tillë, Zoti tha se do t'i dënojë dy herë: herën e parë ose do t'i mbyste ose do t'i çonte në robërim, e herën tjetër në çastin e vdekjes dhe në varr. - Një grup ishte që nuk kishte vajtur në luftë, jo pse ishin hipokritë, por nga përtacia, e Pejgamberi porositet të pranojë nga ata lëmoshë dhe të lutet për ta në mënyrë që ta ndiejnë veten myslimanë të mirë.
Sikundër po shihet, hipokritët ishin tre llojesh: të vendosur në hipokrizi, të penduar që kërkonin falje dhe të tillë që çështja e tyre priste urdhërin e Zotit. Ata ishin tre shokë të Pejgamberit që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, por në rastin e Tebukut ngelën në shtëpi dhe nuk u ngutën të kërkonin falje e as të shprehnin pendimin. Ata mbetën pesëdhjetë ditë të izoluar prej myslimanëve derisa erdhi shpallja nga Zoti kur ua pranoi pendimin.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:106
- Ka (edhe) të tjerë, që janë lënë në pritje të urdhërit të Allahut, nëse do t’i dënojë apo do t’ua pranojë pendimin. - Ibn Abasi, Muxhahidi, Ikrime, Dahhaku e të tjerë thonë se këtu bëhet fjalë për tre personat, të cilëve iu shty pranimi i pendimit, domethënë, për Muraratu Ibn Rabian, Keab Ibn Malikun dhe Hilal Ibn Umejen, të cilët, nga plogështia dhe neglizhenca, nuk morën pjesë në Luftën e Tebukut, duke iu përkushtuar vjeljes së frutave të pjekura dhe pasurisë, por jo se kishin dyshim në besimin e vërtetë dhe as për hipokrizi. Një pjesë e atyre që nuk morën pjesë në këtë luftë e lidhën veten në shtyllat e xhamisë, siç veproi Ebu Lubabe me shokët e vet, por këta të tre nuk e bënë këtë gjë. Falja për ata që e lidhën veten në xhami erdhi më shpejt, ndërsa këtyre të treve iu vonua, derisa zbriti fjala e Allahut: “(Allahu ua pranoi pendimin) Edhe atyre të treve, të cilëve iu pat shtyrë (pranimi i pendimit), aq sa edhe toka iu ngushtua, me gjithë gjerësinë e saj (nga ndjenja e fajit) .
Edhe shpirtrat e tyre u ngushtuan dhe u bindën se nuk mund të gjesh strehim gjetiu, veçse tek Allahu. Ai i mëshiroi ata që të pendoheshin. Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” Për këtë do të vijë një shpjegim më i hollësishëm më pas, në hadithin e Keab Ibn Malikut. Allahu i Lartësuar tha për ta: “... nëse do t’i dënojë apo do t’ua pranojë pendimin.” Domethënë, çështja e tyre ishte në dorë të Allahut: i falte ose i dënonte. Por dihet mirë se mëshira e Allahut e tejkalon zemërimin e Tij. - Allahu e di mirë gjendjen e tyre dhe e di ç’bën me ta. - Ai është i gjithëditur se kush e meriton ndëshkimin e kush faljen. Ai është i Urtë në çdo fjalë e vepër të Tij. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe nuk ka zot e kujdestar tjetër, përveç Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:106
Ka edhe të tjerë që e vonojnë zbatimin e urdhrave të Zotit. Për këta, Allahu i Lartësuar na njofton se, ose do t'i ndëshkojë, ose do t'ua pranojë pendimin. Ky ajet është një kërcënim i ashpër dhe i frikshëm për ata që i bëjnë bisht urdhrit të Zotit dhe një ftesë për pendim nga kjo rrugë e dënueshme. Pastaj, Ai përsëri u kujton robve të Tij se është i Gjithëditur e i Urtë. Allahu është i Gjithëditur për gjendjen e robve, për motivet dhe qëllimet e tyre. Allahu është Hakim - i Urtë, që e vendos çdo gjë në vendin e vet dhe i jep hakun që i
takon. Nëse urtësia e Tij e kërkon që t'i falë, Ai i fal, duke ua pranuar pendimin. Por nëse e kërkon që të mos u japë sukses për t'u penduar, ashtu bëhet, sepse Allahu është Sunduesi i gjithçkaje dhe vepron gjithçka që dëshiron, sipas urtësisë së Tij.