9. Tevbe · Ajeti 129 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:128–9:129

Pejgamberi ynë është shumë i dhimbshëm për ymetin e vet. Atë e mundon çdo pakënaqësi që e godet ymetin, është i pangopur me dashuri ndaj besimit të ymetit, është i dhimbshëm e mëshirues.

Edhepse ishte i pajisur me virtyte më të larta, munafikët nuk pranuan sinqerisht udhëzimet e tij, por ai që ka besën në Allahun, nuk mbetet keq për askë tjetër.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi i kësaj kaptine. Zoti qoftë falënderuar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:128–9:129

Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve, duke u treguar atyre mirësinë e madhe, që Ai u dhuroi, kur dërgoi mes tyre një Profet, që ishte pjesë e tyre dhe fliste gjuhën e tyre. Ai ishte një plotësim i lutjes së Ibrahimit, i cili tha: “Zoti ynë! Dërgo ndër ta një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre Librin (Kur'anin) dhe Urtësinë (Traditën profetike), dhe t’i pastrojë ata. Ti je Ngadhënjimtari dhe i Urti.” [Bekare 129]. Allahu i lartësuar thotë: “Është e vërtetë se Allahu u ka falur besimtarëve një mirësi të madhe, kur ndër ta dhe nga mesi i tyre, dërgoi një Profet, që t’u lexonte ajetet e (shpalljes së) Tij, që t’i dëlirësonte dhe që t’u mësonte Librin dhe Urtësinë, kurse më parë ata ishin krejtësisht të humbur.” [Al Imran 164]. Dhe thotë gjithashtu: “Është Ai, që u dërgoi të paditurve Profet nga mesi i tyre, që t’u lexonte ajetet e Tij, t’i pastronte ata, t’u mësonte Librin dhe Urtësinë, kur më parë ata ishin në humbje të plotë; por edhe të tjerëve, që ende nuk u janë bashkuar atyre. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti. Kjo është mirësia e Allahut, që ia jep atij që do. Allahu është i Zotëruesi i mirësisë së madhe.” [Xhumua 2 - 4]. - Juve ju ka ardhur një Profet nga gjiri juaj. - Ai është nga mesi i juaj, flet gjuhën tuaj, sikurse i tha Xhafer Ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) Nexhashiut. Edhe Mugira Ibn Ebu Shube (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i tha të njëjtat fjalë të dërguarit të Kisras: “Allahu dërgoi ndër ne një Profet nga mesi ynë, që është prej nesh, të cilit ia njohim prejardhjen, ia njohim cilësitë, njohim çdo çështje që lidhet me të, ia njohim sinqeritetin, vërtetësinë, mbajtjen e amanetit dhe besnikërinë...” dhe kështu vijon hadithi i gjatë: Hafidh Ebu Muhamed el Hasen Ibn Abdurrahman Rame Hurmuzi, në librin e tij “El Fasil bejne Raui uel Uaij ”, sjell me senedin e tij deri tek Muhamed Ibn Xhafer Ibn Muhamedi rrëfimin: “Dëshmoj se babai im më ka treguar mua, se atij i ka treguar i ati, nga gjyshi i tij, e ai nga Aliu, se Profeti ka thënë: 1442. “Unë kam lindur nga një martesë e rregullt dhe nuk kam dalë nga marrëdhenie jashtëmartesore, që nga koha e Ademit, deri në ditën kur më lindi nëna dhe babai im. Mua nuk më ka cekur prej imoralitetit të kohës së xhahilijetit asgjë dhe aspak.” - Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja... - Ai rëndohet dhe ndien keqardhje të madhe për vuajtjet e umetit të tij, madje për çdo gjë që e rëndon atë. Në një hadith, i cili vjen me rrugë të shumta transmetimi, shënohet se Profeti ka thënë: 1443. “Unë jam dërguar me fenë e drejtë hanifie (besimdrejtë) dhe semha (tolerante, të thjeshtë dhe të lehtë)”. - sepse ai e dëshiron fort rrugën e drejtë për ju. - Ai dëshiron fort rrugën e drejtë për ju. Ai përpiqet maksimalisht dhe e dëshiron shumë udhëzimin tuaj në rrugën e drejtë. Ai dëshiron që ju ve t’ju vijë çdo e mirë, qoftë në jetën e kësaj bote, qoftë në lidhje me ahiretin dhe shpërblimin e Tij. Taberani sjell hadithin nga Ebu Dherri, i cili ka thënë: 1444. “Profeti i Allahut na la në këtë botë, por nuk ka zog që përplas flatrat e tij në ajër e që ai ﷺ të mos na mësonte rreth çështjes së tij dituri dhe njohuri.” Profeti i Allahut ka thënë gjithashtu: 1445. “Nuk mbeti gjë që ju afron drejt Xhenetit dhe ju largon nga Zjarri, që unë të mos jua kem shpjeguar dhe

qartësuar plotësisht.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë 1446. “Allahu i Lartësuar i ka vendosur ato që janë të ndaluara dhe e di mirë se do të ketë prej jush të tillë, që do (t’i hedhin sytë e do) të bien në to. Unë ju ndaloj (prej tyre) që ju të mos rrëzoheni në zjarr, ashtu siç bien në të fluturat dhe mizat.” - Për besimtarët, ai është shumë i ndjeshëm dhe shumë i mëshirshëm. - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ji i butë me besimtarët që të pasojnë ty! Por, nëse ata nuk të binden, ti thuaj: “Unë distancohem nga ajo që bëni ju. Dhe mbështetu tek i Plotfuqishmi, Mëshirëploti . [Shuara 215 - 217]. - Por nëse ata refuzojnë, atëherë thuaju: “Mua më mjafton Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Unë i mbështetem vetëm Atij dhe Ai është Zoti i Fronit të Madh.” - Nëse ata i kthejnë shpinën mesazhit, që ti ua përcolle prej Allahut, - domethënë, Sheriatit madhështor, të plotë dhe të pacenueshëm, - atëherë thuaj: “Mua më mjafton Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij! Unë i mbështetem plotësisht e vetëm Atij!” Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ai është Zoti i lindjes dhe i perëndimit. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Prandaj, vetëm Atë zgjidh për mbështetje!” [Muzemil 9]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “... Ai është Zoti i Fronit të Madh.” Ai është Pronari, Mbretëruesi e Sunduesi i çdo gjëje. Ai është Krijuesi i gjithçkaje, sepse Ai është Zoti, Mbretëruesi e Sunduesi i Arshit madhështor, i cili është çatia e të gjitha krijesave. Froni i Allahut është mbulesa e të gjithë krijesave, e qiejve, tokave, i asaj çfarë ka në to e çfarë ka mes tyre. Të gjitha janë poshtë Fronit dhe të gjithë janë të nënshtruar e të përulur nën pushtetin dhe sundimin e Allahut të Lartësuar, janë brenda diturisë së Tij gjithëpërfshirëse dhe absolute. Vendimet dhe kaderi i Allahut ekzekutohet mbi gjithçka. Ai është i Plotpushtetshmi dhe Kujdestari, që përkujdeset për gjithçka. Imam Ahmedi sjell hadithin nga U bej Ibn Kabi, i cili ka thënë: 1447. “Ajeti i fundit që ka zbritur në Kur 'an është pikërisht ky: “Juve ju ka ardhur një Profet nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse ai e dëshiron fort rrugën e drejtë për ju...” deri në fund të sures.” Imam Ahmedi sjell, gjithashtu, hadithin nga Ubad Ibn Abdilah Ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: 1448. “Harith Ibn Huzejme lexoi këto dy ajete të fundit nga surja Berae: "Juve ju ka ardhur një Profet nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse ai e dëshiron fort rrugën e drejtë për ju... ", tek Umer Ibn Hatabi dhe ai i tha: “Kush tjetër, përveç teje, i ka lexuar këto dy ajete?” - “Nuk e di, - tha Harithi, - por betohem në Allah dhe dëshmoj se i kam dëgjuar prej Profetit të Allahut, i kuptova mirë dhe i mësova ato!” Atëherë Umeri tha: “Edhe unë dëshmoj se i kam dëgjuar prej Profetit të Allahut.” Pastaj tha: “Po të ishin tri ajete, do t’i konsideroja si një sure më vete. Atëherë, shikoni një sure të Kur 'anit: vendosini ato

në fundin e sures Berae (Teube).” Ky ishte fundi i tefsirit të sures Berae. Vetëm Allahut i takon falënderimi, mirënjohja! Allahu jep sukses dhe ndihmon për çdo mirësi!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:128–9:129

- “Juve ju ka ardhur një Profet nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse ai e dëshiron fort rrugën e drejtë për ju.” - Allahu i Lartësuar u kujton besimtarëve mirësinë e Tij të jashtëzakonshme kur u dërgoi një profet nga mesi i tyre. Ky ishte një profet që nuk dinte të shkruante dhe të lexonte, por populli ia njihte mirë prejardhjen fisnike dhe të zgjedhur. Allahu i Madhëruar e zgjodhi nga mesi i tyre, që ata ta kishin të lehtë të mësonin prej tij Shpalljen. Duke e njohur për moralin, prejardhjen e zgjedhur dhe vlerat e rralla, populli i tij nuk duhej ta kishte aspak të vështirë t’i bindej dhe ta pasonte atë. Përkundrazi, kjo do të ishte nder dhe lavdi për ta, sepse ai ishte njeriu

më i dashur, që dëshironte të mirën e tyre më shumë se çdokush tjetër. Ai shqetësohej për çdo gjë që shqetësonte edhe ata. Profeti dëshironte të mirën për njerëzit dhe luftonte me mish dhe me shpirt për t'i afruar drejt saj me dashuri, me ëmbëlsi dhe butësi. Ai dëshironte udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë dhe në besimin e vërtetë. Ai nuk donte që ata t'i godiste e keqja dhe luftonte që t'i largonte prej saj. Ai i këshillonte e i ndihmonte që të shpëtonin prej të keqes dhe ndëshkimit. - “Për besimtarët, ai është shumë i ndjeshëm dhe shumë i mëshirshëm.” - Për besimtarët ai është tejet i mëshirshëm, i dhembsur, i butë dhe i dashur. Ai është më i mëshirshëm me ta edhe sesa vetë prindërit e tyre. Për këtë arsye, e drejta e Profetit qëndron mbi të drejtat e të gjitha krijesave. Umeti e ka detyrë kryesore besimin e drejtë në këtë Profet, nderimin e figurës së tij, mbështetjen e rrugës së tij, si edhe respektin ndaj fjalës së tij. - “Por nëse ata refuzojnë, atëherë thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Unë i mbështetem vetëm Atij dhe Ai është Zoti i Fronit të Madh.” - Nëse të besojnë si Profet, ky është një fat i madh dhe mirësi e jashtëzakonshme për ta. Por nëse të kthejnë shpinën dhe nuk të besojnë, atëherë ti vazhdo rrugën që Zoti të ka urdhëruar! Vazhdo t’i ftosh njerëzit në rrugën e Zotit dhe thuaj: “ Hasbij-jallah (Më mjafton Allahu për të gjitha çështjet e mia), La ilalahe il-la Hu (Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij), Alejhi teuekkeltu (Vetëm Atij i mbështetem për arritjen e çdo të mire dhe për shpëtimin nga çdo e keqe), ue hue Rabbul Arshil Adhim (Ai është Zoti i Fronit madhështor). Froni është krijesa më e madhe e Allahut. Froni i Allahut ka përfshirë të gjitha krijesat. Zoti i këtij Froni është sigurisht dhe Zoti i gjithçkaje tjetër poshtë tij. Me ndihmën dhe mirësinë e Allahut të Lartësuar, përfundoi tefsiri i sures Teube. Allahut i takon lavdërimi në fillim dhe fund, haptazi dhe fshehtazi.

← Tevbe 9:129