9. Tevbe · Ajeti 33 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:23–9:33
Kur u lejua Pejgamberi të bëjë hixhret, i thirri edhe shokët që të shpërngulen dhe ta praktikojnë lirisht besimin islam. U shpërngulën edhe shokët, por pati prej tyre që për hir të ndonjë të afërmi të mos shpërngulen, e mandej edhe të sprovohen në besimin e vet, pse ndodhte që ndonjë sekret i myslimanëve të zbulohet prej të tillëve. Kur'ani nuk ndalon lidhjen e farefisnisë, nëse ajo nuk shkon në dëm të fesë, e nëse po, atëherë përparësi ka feja e jo farefisi.
Pasi shkëputja e marrëveshjeve me mushrikët shpallet haptazi, pati të atillë që u frikësuan për çështjet e jetesës etj. Zoti xh. sh. ua përkujton ndihmën që u ofroi në shumë raste dhe në luftën e Hunejnit, kur myslimanët ishin të shumtë në numër dhe u krenuan për këtë, mirëpo, u doli e kundërta, sepse u thyen derisa në një çast Pejgamberi mbeti vetëm në sheshin e luftës e Zoti ua dërgoi engjëjt.
Idhujtarët, shpirtërisht ishin të ndyrë, andaj, u ndalohet vizita e Qabes pas atij viti, vitit të nëntë. Pati edhe asish që iu frikësuan skamjes, ngase idhujtarët nuk do të vinin më për tregti, prej të cilës mekasit gjallonin. Zoti u premtoi mirësi e furnizim nga begatitë e veta.
Ithtarët e librit, jehudi dhe të krishterë, ishin të obliguar të japin xhizjen. Xhizja ishte një pagesë që bëhej nga ata që nuk ishin myslimanë, e për ta gëzuar lirinë dhe sigurinë në fe e në jetë në shtetin islam. Të këqiat e tyre ishin se njëra palë thonin për Uzejrin djalë i Zotit, e tjetra për Isain. Ashtu patën thënë më parë disa për melaiket se ishin bija të Zotit. Sendet që i kishte ndaluar Kur'ani, ata i përdornin si të lejuara. Përpiqeshin që drita e Kur'anit, e fesë islame të pengohej e të shuhej, por më kot, sepse Zoti kishte vendosr që ajo të triumfojë mbi të gjitha të tjerat, anipse këtë nuk e dëshironin ithtarët e libirt e as idhujtarët.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:32–9:33
- Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre. - Ky është qëllimi i këtyre mohuesve, idhujtarëve dhe ithtarëve të Librit. Ata duan që të shuajnë udhëzimin e qartë dhe fenë e vërtetë të Zotit, me të cilën u dërgua Profeti, thjesht nëpërmjet trillimeve të tyre. Ata janë si ai që kërkon të shuajë dritën e Diellit me frymë. Por kjo është diçka e pamundur. Po kështu, edhe feja me të cilën u dërgua Profeti i Allahut do të triumfojë në mënyrë të pashmangshme. Duke iu kundërvënë synimeve të tyre, Allahu thotë: - Por Allahu veçse do ta përkryejë dritën e Tij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë (këtë). - Kafir vjen nga fjala kefera, që do të thotë: “mbulon dhe fsheh diçka”. Prandaj edhe nata është quajtur kafir, sepse ajo i mbulon (i fsheh) gjërat me errësirën e saj. - Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim (të qartë) e fe të vërtetë, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe pse (këtë) e urrejnë idhujtarët. - El hudâ quhet çdo lajm i vërtetë dhe i sigurt që Profeti ﷺ solli prej Allahut, është imani i vërtetë e korrekt, është dituria e dobishme e sjellë nga Zoti. Ndërsa dinul ĥak quhen
veprat e mira e të dobishme, sipas diturisë së vërtetë, të cilat sjellin mirësi në dynja dhe në ahiret. Kështu, Allahu i Lavdëruar e pajisi Profetin e Tij me udhëzim të qartë dhe me fenë e vërtetë, “...për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë”. Vjen në hadith të saktë, se Profeti i Allahut ka thënë: 1353. “Allahu ma paraqiti tokën, lindjen e perëndimin e saj dhe pushteti e sundimi i umetit tim do të arrijë në çdo vend që m’u tregua.” Imam Ahmedi citon Temim el Darin, se rrëfen që e ka dëgjua r Profetin e Allahut të thotë: 1354. “Kjo çështje (fe) do të hyjë kudo ku arrin nata dhe dita. Zoti nuk do të lërë shtëpi prej guri e as shtëpi prej lëkure, pa e futur këtë fe, me të cilën do të krenojë ata që meritojnë krenarinë dhe do të poshtërojë ata që meritojnë poshtërimin. Ai do të sjellë krenarinë për pasuesit e Islamit dhe poshtërimin për mohuesit e besimit.” Temim el Dari thoshte shpesh: “Këtë e mësoi dhe përjetoi farefisi im. Prej tyre, ata që pranuan Islamin u begatuan me mirësi, nderim e krenari, ndërsa ata që mohuan besimin e vërtetë u poshtëruan, përçmuan dhe nënshtruan të paguanin xhizjen.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:30–9:33
Pasi urdhëroi për të luftuar kundër ithtarëve të Librit, Allahu i Madhëruar na tregon besimet e tyre të poshtra, me qëllim që të nxisë urrejtjen ndaj këtyre besimeve të shëmtuara tek të gjithë ata që janë xhelozë për ruajtjen e besimit të pastër. Në këtë mënyrë, mbrojtësit dhe bartësit e të vërtetës do të bëjnë gjithçka të lejueshme për të luftuar të kotën. Kështu, i Madhëruari thotë: - “Jehudët thanë: “Uzejri është biri i Allahut”...” - Ky lloj besimi, edhe pse nuk është i të gjithë jehudëve, ekziston tek një pjesë e tyre. Kjo tregon për ligësinë , poshtërsinë dhe shëmtinë që gjendet brenda jehudëve, që arrijnë të thonë të tilla gjëra. Kjo tregon, gjithashtu, për paturpësinë e tyre ndaj Zotit, duke mos e madhëruar Atë ashtu siç i takon. Në lidhje me shkakun përse ata thoshin se Uzejri ishte biri i Zotit, është thënë se, Allahu i Madhëruar lejoi - si ndëshkim për çifutët - që ata të sundoheshin nga mbretër mizorë dhe tiranë, të cilët i përndiqnin dhe i torturonin. Ndër të tjera, këta sundues nisën të vrisnin bartësit e Teuratit. Kështu, populli rrezikoi të humbte tërësisht Teuratin, duke e harruar atë. Atëherë doli Uzejri, që e kishte mësuar përmendësh Teuratin, dhe e rishkroi tërësisht ose pjesërisht atë. Prej këtij, ata bënë shumë kopje të tjera të librit dhe arritën deri aty sa pretenduan se Uzejri ishte biri i Zotit. - “...ndërsa të krishterët thanë: “Mesihu është biri i Allahut” - Edhe të krishterët pretenduan se Isai - i biri i Merjemes, ishte biri i Zotit. Por Allahu i Madhëruar thotë: - “Këto janë fjalët që dalin nga goja e tyre, duke imituar atë që thoshin jobesimtarët e mëparshëm.” - Këto ishin thjesht fjalë boshe, që dilnin nga goja e tyre, për të cilat ata nuk kishin asnjë fakt e argument nga Zoti i Madhërishëm. Ata njerëz që nuk shqetësohen për çfarë nxjerrin prej gojës së tyre dhe nuk pyesin për argumente nga Zoti, ata çdo gjë mund të bëjnë. Ata nuk kanë fe dhe besim në zemër, që t’i frenojë nga gënjeshtra, dhe as logjikë
e mençuri, që të ishin të kujdesshëm në fjalët e tyre. I Madhëruari thotë që ata imitojnë thëniet e jobesimtarëve të mëparshëm. Disa popuj të mëparshëm besonin se melekët ishin bijat e Zotit. Duke qenë se kishin zemra të ngjashme me këta paraardhës, edhe besimet e tyre të shëmtuara ishin të ngjashme. - “I vraftë Allahu! Si largohen nga e vërteta!” - Si është e mundur që largohen nga e vërteta e kristaltë dhe e shndritshme si drita e diellit, për të rënë në errësirat e këtyre fjalëve të kota dhe besimeve të shëmtuara?! Këto lloj besimesh refuzohen natyrshëm nga çdo logjikë e natyrë e pastër, prandaj çuditesh se si kaq shumë njerëz i kanë ato. Megjithatë, të mençurit të mos çuditen aspak me devijimin e një numri të madh njerëzish, por le të kujtojnë një fakt shumë të rëndësishëm, që të kuptojnë shkakun e këtij devijimi: i Madhërishmit thotë: - “Ata i konsideruan priftërinjtë, oshënarët dhe Mesihun - birin e Merjemes, si zota veç Allahut, ndërkohë që ishin urdhëruar të adhuronin veç Allahun.” - El ahbar quheshin dijetarët e tyre, ndërsa er-ruhban quheshin murgjit ose adhuruesit e mëdhenj të tyre. Kështu, shkaku i devijimit të këtyre popujve ishte se ata i konsideruan si zota ahbarët dhe ruhbanët, me kuptimin që, kur këta u bënin të lejuar atë që Allahu e kishte bërë haram, populli u bindej verbërisht, pa asnjë kundërshtim, dhe po kështu vepronin kur ata ua bënin haram atë që Allahu e kishte bërë të lejuar. Ahbarët dhe ruhbanët caktonin ligje dhe dispozita, që binin ndesh me fenë dhe besimin e profetëve, ndërsa populli i pasonte verbërisht. Përveç këtij gabimi thelbësor, ata i madhëronin tej mase ruhbanët, duke i konsideruar si të shenjtë e hyjnorë, saqë pasi vdisnin, i shndërronin varret e tyre në vende adhurimi e idhujtarie, duke hedhur poshtë çdo mesazh të qartë të sjellë nga librat dhe profetët e Zotit. Në këto vende ata bënin kurbane, lutje e adhurime, që ua drejtonin krijesave, dhe jo Allahut të Madhërishëm. Edhe Mesihun, birin e Merjemes, e adhuruan si Zot, edhe pse vetë Mesihu dhe të gjithë profetët e Zotit kishin urdhëruar që adhurimi t’i dedikohej vetëm Allahut të Madhërishëm: “...ndërkohë që ishin urdhëruar të adhuronin veç Allahun." Të gjithë profetët e Zotit kanë predikuar një besim të drejtë: - “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij.” - Ky është besimi i drejtë: të gjitha adhurimet dhe bindja e plotë i dedikohen vetëm Krijuesit të gjithësisë. Asgjë dhe askush tjetër nuk meriton asnjë lloj adhurimi. Vetëm Allahun duhet ta duash mbi gjithçka tjetër dhe vetëm Atij duhet t'ia drejtosh lutjet, përgjërimin dhe kërkimin e ndihmës. Ai është Zoti, i Adhuruari, ndërsa Mesihu dhe gjithë profetët janë krijesa të Tij, që nuk kanë asgjë në dorë prej pushtetit të Allahut të Madhërishëm. Megjithatë, ata i hodhën pas shpine porositë e Zotit dhe të profetëve dhe adhuruan idhuj, për të cilët Zoti nuk pati sjellë asnjë argument: - “I Lartësuar është Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë!” - E dëlirë, e shenjtë dhe e lartësuar është Madhëria e Tij nga idhujtaria dhe trillimet e idhujtarëve. Ato besime të kota janë të padenja dhe një fyerje e rëndë për të Madhërishmin. I lartësuar qoftë Ai, që është i plotë dhe i lartë në të gjitha cilësitë dhe veprat e Tij, nga ajo që ata i përshkruajnë! Idhujtaria e tyre bie ndesh me shenjtërinë e Allahut, që është absolut në çdo drejtim. Allahu i Madhëruar na tregon më pas se, përmes shpifjeve të tyre, ata synojnë që të shuajnë dritën e Tij: - “Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre.” - Drita e Allahut është feja dhe besimi i pastër, që Ai i solli përmes profetëve dhe shpalljeve. Allahu i Madhëruar e ka quajtur ‘dritë’ besimin e pastër dhe të vërtetë, sepse nëpërmjet tij krijesat ndriçohen dhe largojnë errësirat e paditurisë dhe besimeve të kota dhe të trilluara. Feja dhe besimi i vërtetë janë ndërtuar mbi dy shtylla të rëndësishme: dituria e vërtetë dhe puna me sinqeritet sipas kësaj diturie. Çdo lloj besimi tjetër
ecën kundër kësaj rruge. Kështu, jehudët, të krishterët dhe çdokush që u përngjan atyre në besim, dëshirojnë që, përmes fjalëve të zbukuruara, të mbulojnë të vërtetën, që shkëlqen si drita e diellit. - “Por Allahu veçse do ta përkryejë dritën e Tij edhe pse jobesimtarët e urrejnë (këtë).” - E si të ndodhë ndryshe me këtë dritë të mrekullueshme?! Sikur të gjitha krijesat të mblidhen për ta shuar atë, kurrë nuk do të munden as ta zbehin ndriçimin e saj. Kështu do të ndodhë, sepse është Allahu që e zbriti atë dritë, është Ai në dorën e të Cilit janë të gjithë shpirtrat e krijesave, dhe Ai ka dhënë fjalën se do ta ruajë këtë dritë nga ata që duan ta luftojnë e t'i kundërvihen. Ai thotë: “Por Allahu veçse do ta përkryejë dritën e Tij edhe pse jobesimtarët e urrejnë (këtë).”. Ata bëjnë çdo gjë dhe harxhojnë pasurinë e tyre për të luftuar dhe mbuluar të vërtetën, por përpjekjet e tyre nuk mund ta dëmtojnë aspak atë. Në vijim, Allahu i Madhëruar na sqaron se cila është ajo dritë, të cilën Ai ka dhënë fjalën se do ta ruajë dhe do ta plotësojë: - “Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim (të qartë) e fe të vërtetë, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe pse (këtë) e urrejnë idhujtarët.” - Allahu i Madhëruar e pajisi të Dërguarin e Tij me dy mirësi të pakrahasueshme: 1. El Huda - udhëzimin e qartë dhe të vërtetë të ndërtuar mbi diturinë hyjnore, aq të dobishme dhe të domosdoshme për krijesat. 2. - El Dinul Hakk - feja e vërtetë, që do të thotë: punët e mira sipas të vërtetës. Kështu, Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin e Tij me këto dy baza të fuqishme. E para ishte dituria e vërtetë, që sqaron të vërtetën nga e kota, me të gjitha aspektet e diturisë hyjnore. Ndër më të rëndësishmet është dituria rreth Zotit, domethënë, dituria rreth emrave, cilësive dhe veprave të Tij, dituria rreth shpalljeve dhe ligjeve të Tij etj. Së dyti, Allahu urdhëron për çdo mbarësi e mirësi që rregullon zemrat, shpirtrat dhe trupin e njerëzve dhe është në dobinë e tyre. Sinqeriteti dhe përkushtimi i plotë në zbatimin e fesë së urdhëruar nga Zoti, dashuria për Të, bindja ndaj Tij, adhurimi i Zotit si Një i vetëm dhe frikërespekti për Të sjellin lumturinë e njeriut në dynja dhe në ahiret. Ai urdhëron për moral të lartë, vepra të mira dhe hijeshi dhe ndalon çdo gjë të dëmshme për zemrën, shpirtin dhe trupin e njeriut, në këtë botë dhe në tjetrën. Kështu, Allahu i Madhëruar e dërg oi të dashurin e Tij, Muhamedin , me udhëzim të qartë dhe fe të vërtetë, që të triumfonte mbi të gjitha fetë: “...për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse këtë e urrejnë idhujtarët." Allahu do ta lartësojë këtë fe mbi të gjitha fetë e tjera, përmes argumentit dhe forcës së fakteve, por edhe përmes forcës dhe krenarisë së muslimanëve, ndonëse këtë gjë e urrejnë idhujtarët. Ata të mjerë thurin plane dhe shpenzojnë gjithçka që zotërojnë për të luftuar Islamin dhe muslimanët, por ato intriga do të godasin vetë ata që i thurin. Ky është premtimi i Allahut, që patjetër do të realizohet.