9. Tevbe · Ajeti 57 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:46–9:57
Hipokritët betoheshin në Allahun se do të kishin shkuar në luftë me Pejgamberin sikur të kishin pasur mundësi, mirëpo, vetë fakti se ata nuk kishin bërë farë përgatitjeje tregon se ata gënjenin.
"Zoti xh. sh. e dinte se prej hipokritëve nuk pritej ndonjë e mirë për myslimanët, sepse edhe sikur të shkonin në luftë, ata më shumë do t'u sillnin kokëçarje myslimanëve, sikundër u solli në luftën e Uhudit Ibni Ubej, kreu i munafikëve kur u kthye me një grup njerëzish dhe ashtu shkaktoi njëfarë përçarje dhe indisponim në radhët e myslimanëve. Prandaj, edhe thuhet në këtë ajet se Allahu nuk e dëshiroi shkuarjen e tyre, deshi t'i damkosë me hipokrizinë e tyre, i përqeshi duke ju thënë të rrinë me të paaftët, me gra, fëmijë, pleq e të gjymtë. Hipokritët edhe me, rastin e asaj lufte treguan veten se ishin vetëm formalisht myslimanë, pse çdo fitore e myslimanëve nuk i kënaqte shpirtërat e tyre, më shumë i kënaqte disfata.
Myslimanët ishin të vetëdijshëm se nuk mund t'ju ndodhë asgjë, jashtë dëshirës së Zotit. Ata gjithsesi ishin në fitim, ngase o do ta fitonin luftën o do të vriteshin si shehidë, e cilado prej tyre për ata ishte fitim.
Atyre që nuk e kishin besuar me bindje e sinqeritet Allahun, të dërguarin e Tij, Ahiretin, Allahu nuk ua pranon veprat, pse edhe namazi i tyre ishte me përtaci, e edhe sadakatë që i jepnin ishin më tepër sa për sy e faqe.
Zoti porositi myslimanët të mos i mashtrojë, e as të mos e çmojnë aq shumë pasurinë e as fëmijët e tyre, sepse ato janë shkak i dënimit të tyre, ngase ata kanë lidhur lakminë për to, e do të ngelin jashtë besimit dhe do t'i ngulfatë vdekja me kufr. Myslimanët duhej të dinin se ata nuk ua donin të mirën, duke u bërë lajka nga frika, prandaj nuk duhet besuar atyre.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:55–9:57
Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij të dashur: - Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote nëpërmjet tyre - Kjo i ngjan fjalës së Allahut: “Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (jobesimtarë), për t’i sprovuar me të! Shpërbimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.” [Ta Ha 131], ose, “Mos, vallë, ata po mendojnë se meqë u kemi dhënë me mbushulli pasuri dhe fëmijë, Ne do t’u ofronim të gjitha të mirat? Jo, kurrsesi! Por ata nuk kuptojnë.” [Mu'minun 55, 56]. Vërej me kujdes fjalën e Allahut: “Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote nëpërmjet tyre...” Katadja ka thënë se pjesa: “Në jetën e kësaj bote” lidhet me fjalinë më përpara. Pra, kuptimi i ajetit është: “Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre në jetën e kësaj bote! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata nëpërmjet tyre në ahiret.” Por Hasen el Basriu ka thënë: Kuptimi është: “ ... ti ndëshkojë përmes detyrimit për të dhënë zekatin e pasurisë së tyre dhe për të shpenzuar në çështjet islame.”. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Ibn Xheriri dhe është vërtet një shpjegim i fortë dhe i mirë. - dhe pastaj t’u dalë shpirti si mohues. - Allahu dëshiron që vdekja t’i gjejë ata si mohues të besimit, në mënyrë që dënimi i tyre të jetë më i rëndë dhe më i madh. Allahu na ruajtë nga ky afrim gradual drejt dënimit. - Ata betohen në Allahun se vërtet janë me ju, por ata nuk janë me ju. - Ata janë
njerëz të trembur dhe betohen se janë në krahun e muslimanëve, por, në të vërtetë, nuk janë me ta. Allahu thotë: - Ata janë frikacakë. - Ky është shkaku i sjelljes së tyre në këtë mënyrë. - Sikur të gjenin ndonjë vend ku të fshiheshin, shpellë ose guvë, ata do të turreshin me vrap. - Ata do të shfrytëzonin çdo kështjellë e fortifikatë, çdo shpellë nëpër male e çdo guvë në tokë, që të fshiheshin me vrap dhe të distancoheshin prej jush, sepse ata përzihen me ju jo nga dashuria për ju, por të imponuar nga kushtet. Ata qëndrojnë me ju të detyruar. Prandaj vazhdojnë të jetojnë në ankth, trishtim e dëshpërim të përhershëm, sepse muslimanët korrin vazhdimisht fitore e lartësohen në tokë. Sa herë që muslimanët gëzohen, ata dëshpërohen e ligështohen. Ata nuk e përballojnë dot qëndrimin mes besimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur të gjenin ndonjë vend ku të fshiheshin, shpellë ose guvë, ata do të turreshin me vrap.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:55–9:57
- “Mos u mahnit nga pasuria dhe fëmijët e tyre! Allahu dëshiron t’i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote nëpërmjet tyre dhe pastaj t’u dalë shpirti si mohues.” – Mos u magjeps nga pasuritë dhe fëmijët e këtyre munafikëve, sepse nuk kanë asgjë për t’u pasur zili. Për shkak të pasurisë dhe fëmijëve, ata kundërshtuan Zotin e tyre dhe nuk i dhanë përparësi kënaqësisë së Tij. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar dëshiron që, nëpërmjet këtyre kënaqësive, t’i ndëshkojë që në jetën e kësaj bote. Ajeti flet për vështirësitë dhe dhimbjet e jobesimtarëve për të arritur këto të mira, që u kanë pushtuar zemrën dhe drobitur trupin. Nëse krahason këto vështirësi me ato pak kënaqësi që shijojnë, këto të fundit duken që janë të papërfillshme. Të mirat e kësaj bote i shpërqendrojnë ata, duke i larguar nga adhurimi i Allahut, dhe në fund u sjellin veçse lodhje, dëshpërim dhe frikë. Zemrat e tyre janë të lidhura fort me këto stoli, të cilat dhe janë kufiri i qëllimeve të tyre, dhe
kjo është shumë e frikshme. Ky është verbim i plotë ndaj ahiretit, që shkakton frikë dhe tmerr në zemrat e tyre kur mendojnë largimin nga kjo dynja ose privimin nga të mirat e saj. Kur të largohen nga kjo dynja, shpirtrat e tyre do të vuajnë dhimbje të papërshkrueshme. E ku ka vuajtje më të madhe sesa ajo që shoqëron shpirtrat e këtyre të mjerëve?! - “Ata betohen në Allahun se vërtet janë me ju, por ata nuk janë me ju. Ata janë frikacakë.” - Me këto betime, ata thjesht tregojnë se janë frikacakë. Ata nuk kanë guxim që të shfaqin qartë pozicionin e tyre. Ata druhen se, nëse kalojnë në anën tuaj, armiqtë do t'u vërsulen nga çdo drejtim. I guximshmi, që ka njëfarë burrërie, e tregon qartë qëndrimin e tij, qoftë për mirë ose për keq. Ndërsa këta janë të trembur, prandaj gjejnë strehim në mashtrime e shtirje. Për të treguar se sa frikacakë të paparë janë, i Lartësuari thotë: - “Sikur të gjenin ndonjë vend ku të fshiheshin, shpellë ose guvë, ata do të turreshin me vrap.” - Në çdo vrimë do të futeshin, për t'u shpëtuar sprovave e vështirësive. Do të hynin në çdo shpellë e strehë, ku do të ndiheshin të sigurt e të mbrojtur. Do të vraponin drejt këtyre strehimeve të tmerruar, sepse nuk kanë guxim që të përballojnë këto sfida.