9. Tevbe · Ajeti 89 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 9:79–9:89

Për përgatitje të luftës në Tebuk, myslimanët dhanë sasi të mëdha të pasurisë së vet, dhanë edhe ata që nuk kishin aq mundësi, vetëm që të mos ndaheshin nga vëllezërit e tyre. Hipokritët për ata që dhanë shumë thonin: Japin për autoritet, kurse për ata që dhanë pak: Zoti nuk ka nevojë për një dhënie të tillë.

Thuhet: Kur vdiq Ibni Ubejj ibni Selul, kreu i munafikëve në Medinë, vjen djali i tij, Abdullahu, që ishte sahabij shumë i mirë dhe kërkoi prej Pejgamberit t'i japë këmishën e vet për ta mbështjellur babain e tij në vend të qefinit. Pejgamberi ia dha. Pastaj, lut Pejgamberin t'ia falë xhenazën. Pejgamberi ngritet t'ia falë, e Ymeri thotë: O i dërguar i Allahut A munafikut më të përbetuar i i fal xhenazën"'" Pejgamberi ia ktheu: Largohu Ymer, Zoti më tha: kërko ose mos kërko... e unë po shfrytëzoj të parën: kërko falje...t Ia fali xhenazën, e përcolli dhe u ngrit mbi varrin e tij. Por nuk shkoi shumë e u shpall ajeti: 84, sipas së cilit ndërpriten të gjitha lidhjet me munafikët.

Fjala shtatëdhjetë, nuk është numër i kufizuar, por arabët kishin adet të thonin për diçka shumë, I shtatëdhjetë herë, sikur që kemi zakon të themi në: njëqind herë. Pra, nuk është qëllim numri i caktuar.

Pasi munafikët nuk shkuan me Pejgamberin në momentin më të vështirë në luftë, edhe të tjerëve u thanë të mos shkojnë, pastaj u tallën me besimtarët, Allahu tha: qeshni në këtë dynja, por kjo është kohë e shkurtër, keni për të qarë në Ahiret pa pushim.

Në Medinë kishin mbetur pa shkuar në luftë edhe disa besimtarë, me arsye dhe me lejen e Pejgamberit, por për ata që kishin bërë gënjeshtër, Allahu e urdhëroi Pejgamberin që të mos i pranojë të shkojnë me të kurrë, edhe nëse kërkojnë. Dhe kështu, me munafikët e Medinës këputen të gjitha marrëdhëniet, madje edhe ato shpirtërore.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 9:88–9:89

Pasi përmendi gjynahun e madh të munafikëve për veprat e tyre, i Lartësuari lëvdon besimtarët, duke përmendur edhe shpërblimin që ka përgatitur për ta në ahiret. Ai thotë: - Por, i Dërguari e së bashku me të, edhe besimtarët, luftuan me pasurinë dhe vetet e tyre. - Ky është përshkrimi i tyre. Më pas, Allahu i Madhëruar flet për përfundimin e mirë dhe atë që u premtohet atyre. - Atyre u takojnë të gjitha të mirat dhe ata janë të shpëtuarit. Allahu u ka përgatitur atyre kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe. - Në ahiret, atyre u takojnë të gjitha mirësitë dhe gradat e larta në xhenetin Firdeus.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 9:88–9:89

Allahu i Madhëruar na njofton se, edhe nëse munafikët i largohen xhihadit në rrugën e Tij, Ai do t'u mjaftojë besimtarëve. Allahu ka rob të zgjedhur prej krijesave të Tij që, me mirësinë e Tij, zbatojnë urdhrat e Tij. Ata janë profetët dhe besimtarët, të sinqertët që luftojnë në rrugën e Tij me pasurinë dhe jetën e tyre. Ata nuk shfaqin rëndesë e dembelizëm. Përkundrazi, ata shfaqin gëzim dhe kënaqësi të madhe. Për këta, i Madhëruari thotë: “Atyre u takojnë të gjitha të mirat dhe ata janë të shpëtuarit (muflihun)." Ata do të kenë mirësi të shumta në dynja dhe në ahiret dhe do të jenë " muflihun", domethënë, ata që arrijnë të përmbushin synimet më të larta dhe fitojnë shpërblimin më të madh. I Lartësuari i përgëzon ata duke thënë: "Allahu u ka përgatitur atyre kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” Turp e mjerim për ata që nuk zgjedhin këtë rrugë, por e zhysin veten në humbje, duke shkatërruar jetën e tyre në këtë botë dhe në ahiret. Ky ajet n gjan me ajetin tjetër kuranor: “Thuaj: “Besoni në atë (Kur'anin) apo jo, atyre që u është dhënë dituri (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet (Kur'ani) lëshohen me fytyrë përdhe, duke bërë sexhde.”.” [Isra 107]. Ose ajetit tjetër: “Këta janë ata të cilëve Ne u dhamë Librin, urtësinë e Profetësinë. E nëse këta (populli yt) refuzojnë, Ne e kemi siguruar atë me një popull që nuk e refuzon. Këta ishin ata të cilët Allahu i udhëzoi në rrugë të drejtë, prandaj me udhëzimin e tyre udhëhiqu. Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë asnjë shpërblim prej jush. Ky është veçse një mesazh për mbarë njerëzimin.”” [En'am 89, 90].

← Tevbe 9:89