Tri suret e fundit
112:1–4, 113:1–5, 114:1–6
Përkthimi Sherif Ahmeti
112. Ihlas
وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ كُفُوًا أَحَدُۢ
Welem jekun lehu kufuen ‘ehedun
Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Disa idhujtarë shkuan te Pejgamberi a.s. e thanë: “O Muhamed, na trego prej çka është ai Zoti yt, a prej ari, argjendi, diamanti etj.?” Atëherë shpallet kjo sure dhe përshkruan cilësitë e Zotit të Madhëruar e thotë: “Allahu është Një, nuk ka të dytë, është i vetmi, nuk ka shok si Ai, është Një i Vetmi Sundues. Allahu është caku, synimi, qëllimi i çdo krijese, sepse çdo krijesë ka nevojë për Të, kurse Ai nuk ka nevojë për asgjë. Allahu nuk pati fëmijë, sepse fëmijët do të duhej të kenë cilësi të babait, e Ai është i Përjetshëm, pa fillim dhe pa mbarim. Uzejri nuk ishte djalë i Tij, sikurse thanë jehuditë, e as Isai, siç thanë të krishterët, po as engjëjt nuk janë bija të Zotit, siç menduan disa idhujtarë. Në një hadith kudsij thuhet: “Njeriu më shpifi rrenë pa nevojë dhe më fyejti gjithashtu pa nevojë: Më shpifi rrenë kur tha se nuk do të më ringjallë, e më fyejti kur tha se Zoti ka fëmijë!” Në një hadith të Pejgamberit a.s. thuhet: “Sureja e Ihlasit është sa një e treta e Kuranit!’ Falënderuar qoftë Allahu i Madhëruar!
113. Felek
وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ
We min sherri hasidin ‘idha hesede
Edhe prej dëmit të smirëkeqit kur sipas smirës vepron.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Kërkimi i mbrojtjes dhe i strehimit prej Zotit të Madhëruar është një prej shprehjeve të një bindjeje të plotë ndaj Fuqiplotit. Të kërkosh ndihmën e Zotit nuk është dobësi e njeriut, siç përpiqet dikush ta përshkruajë, kuptohet, qëllimkëqijtë, sepse nuk ka krijesë që nuk ka nevojë për Krijuesin, nëse ndonjë mendon se është i panevojshëm ai është i sëmurë psikikisht. Por duhet të kuptojmë, se me kërkimin e mbrojtjes prej Zotit njeriu duhet edhe t’i shfrytëzojë të gjitha aftësitë dhe mundësitë e veta, edhe atëherë kur ato nuk janë të mjafta është ndihma e Zotit, të cilën nuk mund ta pengojë asgjë. Zoti i felekut do të thotë: Zoti që prej mosekzistencës nxjerr në ekzistencë çdo send, prej errësirës së natës sjell dritën e agimit, prej vështirësisë, nxjerr çlirimin, prej pikëllimit gëzimin, prej frikës sigurinë. Këtë mbrojtje prej Zotit duhet ta kërkojmë prej së keqes së njerëzve, të xhinëve, të shtazëve dhe të çdo krijese tjetër, që ka prirje të këqijat, prej errësirës së natës, të cilën e shfrytëzojnë rebelët, prej mashtrimeve e falleve, të cilat e hutojnë njeriun dhe prej atij që ka smirë ndaj të mirave të të tjerëve dhe në bazë të asaj smire përpiqet ta dëmtojë tjetrin. Sureja përfundon me smirëziun, sepse është sherri më i madh, pse djalli për shkak të smirës që ushqeu kundër Ademit u mallkua dhe u dëbua prej mëshirës së Zotit. Falënderoj Zotin e Madhëruar!
114. Nas
مِنَ ٱلۡجِنَّةِ وَٱلنَّاسِ
Minel-xhinneti we en-nasi
"Qoftë ai (cytësi) nga xhinët ose nga njerëzit".*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Edhe kjo sure është si plotësim i sures para kësaj, porse në këtë sure kërkohet ndihma dhe mbrojtja e Zotit prej sherrit të shejtanit dhe prej sherrit të njerëzve ose xhinëve, të cilët veprojnë si shejtani. Në fillim thuhet Zoti i njerëzve, anipse Ai është Zot i të gjitha krijesave, për arsye se gjithçka në këtë ekzistencë është në shërbimin e njeriut, pse vetëm njeriun e pajisi me mend e me dituri, dhe se engjëjt i urdhëroi t’i përulen atij, pra tha Zoti i njerëzve në shenjë nderimi ndaj tyre. Me fjalën Zoti i njerëzve kuptojmë Krijuesin, Edukuesin, Orientuesin e tyre, i cili është Sundues i sunduesve dhe i të sunduarve dhe si i tillë vetëm Ai meriton të jetë i adhuruari. Kur themi Allah, ose Ilah, nuk është fjala vetëm për njohjen e Fuqiplotit, por për Zotin, të cilin edhe e adhurojmë, që meriton të adhurohet vetëm Ai e askush tjetër. Zoti është Zot i gjithësisë, i njeriut, e pranoi njeriu ose nuk e pranoi, e njohu ose nuk e njohu, por nëse e njeh dhe e adhuron Ai është Allahu i tij, e nëse e njeh, por nuk e adhuron, Ai është Zoti i tij, si i të gjitha krijesave të tjera, pse Ai e krijoi, Ai i jep vdekjen, Ai e ringjall. Falënderoj Allahun e Madhëruar.