Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të vdesë njeriu, i ndërpriten (shpërblimet për) veprat, përveç tri veprave: lëmoshës rrjedhëse, dijes prej së cilës kanë dobi (njerëzit) dhe fëmijës së mirë që lutet për të.”
Transmeton Muslimi
Shpjegimi dhe mësimet
Profeti ﷺ ka treguar në këtë hadith se të vdekurit i ndërpriten veprat me vdekjen e tij, kështu që ai nuk merr vepra të mira pas vdekjes, përveçse këto tri vepra, sepse ishte shkaktar për to: E para: lëmosha, shpërblimi i së cilës është i vazhdueshëm dhe i rrjedhshëm, pa ndërprerje, si: vakëfet, ndërtimi i xhamive, hapja e puseve etj. E dyta: dituria që u bën dobi njerëzve, bie fjala, përpilimi i librave të diturisë ose mësimi i dikujt, ku ky person pastaj e përhap atë dituri pas vdekjes së tij. E treta: një fëmijë i mirë dhe besimtar që lutet për prindërit e tij.
- Dijetarët janë pajtuar njëzëri se ndër shpërblimet që merr njeriu pas vdekjes janë: lëmosha rrjedhëse, dituria e dobishme dhe lutja. Në hadithe të tjera është përmendur edhe haxhillëku.
- Këto tri vepra janë përmendur në mënyrë specifike në këtë hadith, sepse ato janë themelet e mirësisë dhe shumica e asaj që bamirësit synojnë të mbeten pas tyre.
- Çdo dituri që është e dobishme shpërblehet, por në krye dhe në majë të tyre është dituria e fesë dhe shkencat që e mbështesin atë.
- Dituria është prej veprave më të dobishme nga këto tria, sepse dituria i sjell dobi njeriut që e mëson atë: përmes diturisë ruhet feja, ajo u sjell dobi njerëzve në përgjithësi dhe ajo është më gjithëpërfshirëse dhe e përgjithshme, sepse muslimani përfiton gjatë kësaj jete dhe pas vdekjes.
- Inkurajimi për të edukuar fëmijët që të bëhen të mirë, sepse ata u bëjnë dobi prindërve në botën tjetër e nga këto dobi është se luten për ta.
- Inkurajimi që t'u bëjmë mirë prindërve pas vdekjes së tyre, ku kjo në fakt është edhe mirësi prej së cilës përfiton vetë fëmija.
- Lutja i bën dobi të vdekurit, edhe nëse ai nuk është fëmija i vet, por fëmija është specifikuar në hadith, sepse ai është që në vazhdimësi lutet për prindërit, derisa vetë të vdesë.
Burimi: HadeethEnc.com