Seleme ibën Ekvai (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: "Njëherë, një person hëngri me dorën e majtë në prani të të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai i tha: - “Ha me të djathtën!” - Nuk mundem, - ia ktheu ai. - “Mos mundsh!” - tha Profeti ﷺ. E ndaloi mendjemadhësia nga kjo dhe kështu më s'mundi ta ngrejë deri te goja."
Transmeton Muslimi
Shpjegimi dhe mësimet
Profeti ﷺ pa një njeri duke ngrënë me dorën e majtë, kësisoj e urdhëroi të hante me dorën e djathtë. Ky njeri u përgjigj me mendjemadhësi dhe rrejshëm tha se nuk mundej! Prandaj, Profeti ﷺ u lut kundër tij që të privohej nga të ngrënët me dorën e djathtë. Kësisoj Allahu iu përgjigj lutjes së Profetit të Tij, kur ja, dora e tij e djathtë u paralizua, kështu që nuk mund ta ngrinte deri te goja pas kësaj, as për ushqim, as për pije.
- Është obligim ngrënia me të djathtën dhe është haram ngrënia me të majtën.
- Ai që tregohet mendjemadh kundrejt jetësimit të vendimeve fetare e meriton ndëshkimin.
- Nderimi i Allahut për Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ, duke iu përgjigjur lutjes së tij.
- Përligjja e urdhërimit për mirë dhe ndalimit të së keqes në çdo situatë, edhe gjatë ngrënies.
Burimi: HadeethEnc.com