Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Shpesh më rridhte lëngu paraspermal, por, për shkak të raportit me të bijën e tij, kisha turp ta pyesja Profetin ﷺ për këtë, andaj e porosita Mikdad ibn Esvedin ta pyeste. Profeti ﷺ iu përgjigj: “Vetëm e pastron organin gjenital dhe merr abdes.” Në transmetimin e Buhariut qëndron: "Merr abdes dhe pastroje organin gjenital!"
Muttefek alejhi
Shpjegimi dhe mësimet
Ali ibën Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se kishte shpesh lëng paraspermal (ar. el-medhju), i cili është një ujë i bardhë, i hollë e ngjitës, që del nga organi gjatë epshit ose para marrëdhënieve intime. Ai nuk dinte çfarë të bënte kur i dilte ky lëng, kështu që kishte turp të pyeste Profetin ﷺ, sepse ishte burrë i Fatimes, bijës së Profetit ﷺ. Andaj kërkoi nga Mikdad ibn Esvedi ta pyeste Profetin ﷺ për këtë gjë. Në këtë rast Profeti ﷺ i tha ta pastronte organin dhe të merrte abdes.
- Vlera e Ali ibën Ebi Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), meqë turpi nuk e shtyri ta braktiste pyetjen me ndërmjetësim (të Mikdadit).
- Lejohet që gjatë kërkimit të fetvasë (përgjigjes për çështje fetare) të caktohet një zëvendësues.
- Lejohet që njeriu të tregojë për veten për gjërat prej të cilave turpërohet, kur ka dobi në këtë gjë.
- Lëngu paraspermal (ar. el-medhju) është i papastër dhe është obligim të pastrohet prej trupit dhe rrobave.
- Dalja e lëngut paraspermal është prej gjërave që e prishin abdesin.
- Është e obliguar larja e organit dhe testikujve, siç përmendet në një hadith tjetër.
Burimi: HadeethEnc.com