Enciklopedia e Haditheve · Islami,

167 Sahih

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: "Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen, i tha: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish tek ata, thirri të dëshmojnë se askush përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse të binden, kujdes, mos ua merr pasurinë e çmuar! Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!”

Gabim?
168 Sahih

Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: “Një burrë flokëshprishur, banor i Nexhdit, erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Jehona e zërit të tij dëgjohej, por s'kuptohej çfarë thoshte, derisa u afrua tek i Dërguari i Allahut dhe kuptuam se po pyeste për Islamin. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: - “Ke obligim faljen e pesë namazeve gjatë ditës dhe natës.” - A kam obligim diçka tjetër përveç kësaj? - tha ai. - “Jo, përveç nëse do të shtosh namaze vullnetare”, - i tha Profeti ﷺ. - “Ke obligim ta agjërosh muajin Ramazanin”, - tha pastaj Profeti ﷺ. - A kam diçka tjetër përveç kësaj? - e pyeti burri në fjalë. - “Jo, përveç nëse do të shtosh agjërim vullnetar”, - iu përgjigj Profeti ﷺ. Pastaj Profeti ﷺ ia përmendi zekatin. Ai ia ktheu: - A kam diçka tjetër përveç kësaj? - “Jo, përveç nëse do të japësh vullnetarisht”, - i tha Profeti ﷺ. Në fund, ky njeri u largua duke thënë: “Betohem në Allahun se, as do të shtoj, as do të pakësoj kurrgjë nga kjo." Atëherë, Profeti ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse po thotë të vërtetën.”

Gabim?
169 Sahih

Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se askush përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falin namazin dhe të japin zekatin. E, kur ta bëjnë këtë, unë ua mbroj gjakun dhe pasurinë e tyre, përveçse me të drejtë të Islamit, ndërkaq llogaria e tyre është tek Allahu."

Gabim?
170 Sahih bi muxhmui turukihi

Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Isha me Profetin ﷺ gjatë një udhëtimi dhe një mëngjes isha afër tij teksa po ecnim, kështu që i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Ai tha: "Vërtet më ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun." Pastaj tha: "A dëshiron të të udhëzoj drejt dyerve të mirësisë?! Agjërimi është mburojë, lëmosha i shlyen mëkatet siç e shuan uji zjarrin dhe namazi i njeriut në thellësinë e natës." Pastai lexoi: "Ata ngrihen nga shtrati...", derisa arriti te: "... që kanë bërë." (Kuran 32:16-17) Më pas tha: "A të të tregoj për kreun, shtyllën dhe kulmin e çështjes?" Thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: "Kreu i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi, kurse kulmi është xhihadi." Më tej shtoi: "A dëshiron të të tregoj për boshtin e të gjitha këtyre?" Unë thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai e kapi gjuhën e vet dhe tha: "Ruaje këtë!" I thashë: “O i Dërguari i Allahut, a edhe për atë që themi do të merremi në llogari?!” Ai më tha: "Mos të pastë nëna, o Muadh! S’e ditke se njerëzit do të hidhen me fytyrë (në Zjarr) vetëm për shkak të asaj që korrin me gjuhët e tyre?!"

Gabim?
171 Sahih

Mikdad ibn Amër Kindiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i kishte thënë të Dërguarit të Allahut ﷺ: "O i Dërguari i Allahut, nëse më ndodh të takoj një jobesimtar e të luftoj me të, ndërkohë më bie me shpatë e ma pret dorën, dhe pastaj mbrohet nga unë pas një peme dhe thotë: "I jam nënshtruar Allahut!" A ta vras, vallë, pasi ta thotë këtë?" - “Mos e vrit!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, ai më preu njërën dorë dhe ato fjalë i tha pasi ma preu dorën, e të mos e vras? - përsëriti Mikdadi. - “Mos e vrit, se po e vrave, ai do të arrijë në pozitën që kishe ti para se ta vrisje, ndërsa ti do të vendosesh në pozitën që kishte ai para se t'i thoshte ato fjalë”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ."

Gabim?
172 Sahih

Nga Numan ibën Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Profeti i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën e në solidarizimin ndërmjet tyre i ngjan një trupi të vetëm, aq sa kur vuan një gjymtyrë e tij, atëherë i gjithë trupi ndan me të pagjumësinë dhe ethet.”

Gabim?
173 Sahih

Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një person pyeti: "O i Dërguari i Allahut, a do të merremi në përgjegjësi për atë që e kemi vepruar në periudhën paraislame?" Profeti ﷺ tha: “Ai që bën mirë në Islam, nuk do të llogaritet për veprat e periudhës paraislame, ndërsa ai që bën keq në Islam, do të llogaritet edhe për të parat, edhe për të fundit.”

Gabim?
174 Sahih

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Thashë: "O i Dërguari i Allahut, Ibn Xhudani, në periudhën paraislame, i mbante lidhjet familjare dhe i ushqente nevojtarët, vallë, a do t'i bëjë dobi kjo?" Ai iu përgjigj: “Nuk do t'i bëjë dobi aspak. Ai, asnjëherë të vetme nuk ka thënë: "O Zoti im, m'i fal gjynahet e mia Ditën e Llogarisë!”

Gabim?
175 Sahih

Hakim ibën Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: "O i Dërguari i Allahut, a do të shpërblehem për punët e mira që i kam vepruar në periudhën paraislame, bie fjala, për lëmoshën, lirimin e robërve dhe mbajtjen e lidhjeve familjare?" I Dërguari i Allahut ﷺ iu përgjigj: “Në Islam ke hyrë bashkë me veprat e mira të së kaluarës.”

Gabim?
176 Sahih

Adij ibën Hatimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: "Hebrenjtë janë ata me të cilët Allahu është i zemëruar, ndërsa të krishterët janë të humbur."

Gabim?
177 Sahih

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon: "Disa idhujtarë, të cilët e kishin tepruar me vrasje e zina, shkuan te Muhamedi ﷺ dhe i thanë: "Ajo që ti e thua dhe në të cilën thërret është gjë e mirë. Sikur të na tregoje se a ka shpagim për veprat tona!" Atëherë zbriti ajeti: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë zina.” (El Furkan, 68) Po ashtu, zbriti ajeti: “Thuaj: "O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut.” (Ez Zumer, 53)

Gabim?
178 Sahih

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush i thotë vëllait të vet: “O qafir (jobesimtar), atëherë njëri prej tyre është meritor për atë epitet. Nëse është siç pretendon, e ka merituar atë, e, nëse jo, atëherë i kthehet vetë atij (thënësit).”

Gabim?
179 Sahih

Ebu Abdullah Xhabir ibën Abdullah el-Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe i tha: “Në qoftë se unë i fal namazet e detyrueshme, e agjëroj Ramazanin, hallallin e quaj hallall e haramin haram dhe nuk shtoj asgjë tjetër, a do të hyj në Xhenet? Ai tha: “Po.”

Gabim?
180 Sahih

Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Ai tha: “Vërtet ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë vetëm për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun.” Pastaj tha: “A dëshiron të të udhëzoj drejt dyerve të së mirës? Agjërimi është mburojë, lëmosha i shlyen mëkatet siç e shuan uji zjarrin dhe namazi i njeriut në thellësinë e natës.” Pastai lexoi: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Kuran 32:16-17) Më pas tha: “A të të tregoj për kreun, shtyllën dhe kulmin e çështjes?” Thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Kreu i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi, kurse kulmi është xhihadi.” Më tej shtoi: “A dëshiron të të tregoj për boshtin e të gjitha këtyre?” Unë thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai e kapi gjuhën e vet dhe tha: “Ruaje këtë!” Atëherë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a edhe për atë që themi u marrkemi në llogari?!” Ai më tha: “Mos të pastë nëna, o Muadh! S’e ditke se njerëzit do të hidhen me fytyrë (në Zjarr) vetëm për shkak të asaj që korrin me gjuhët e tyre?!”

Gabim?