Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nuk ka njeri nga ky umet, qoftë hebre, qoftë i krishterë, që dëgjon për mua, e pastaj vdes pa besuar shpalljen me të cilën jam dërguar, vetëm se do të jetë banor i Zjarrit."
Enciklopedia e Haditheve · Pejgamberi ynë, Muhamedi ﷺ
Përcillet nga Abdullah ibn Esh-Shikhir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: "Shkova te i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) me delegacionin e Beni Amirit dhe i thamë: ‘Ti je zotëria ynë!’ Ai tha: ‘Zotëria është Allahu!’ Ne i thamë: ‘Ti je më i virtytshmi dhe më superiori ndër ne!’ Ai tha: ‘Mund t'i thoni këto fjalë ose një pjesë të tyre, mirëpo kurrsesi mos e lejoni djallin që t'ju përdorë!’”
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt (prej pejgamberëve) para meje: jam ndihmuar me lemerinë (që i zë armiqtë e mi) në distancë sa një muaj rrugëtim, toka më është bërë vendfalje dhe mjet pastrimi, andaj këdo prej umetit tim që namazi e zë, le të falet aty (duke marrë tejemum me dhé të pastër). Më është lejuar plaçka e luftës, gjë që nuk i është lejuar askujt para meje. Më është dhënë e drejta për ndërmjetësim (shefat). Të dërguarit para meje janë dërguar te një popull i caktuar, kurse unë jam dërguar te të gjithë njerëzit."
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Gjithë umeti im do të hyjnë në Xhenet, përveç atyre që refuzojnë.” Të pranishmit pyetën: "O i Dërguar i Allahut, e kush refuzon?" Profeti ﷺ tha: "Kush më bindet mua, do të hyjë në Xhenet, e, kush më kundërshton, ka refuzuar."
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Të Dërguarit të Allahut ﷺ i zbriti shpallja duke qenë në moshën dyzetvjeçare. Në Mekë qëndroi trembëdhjetë vjet, pastaj u urdhërua të bëjë hixhret për në Medinë, ku qëndroi dhjetë vjet dhe vdiq."