Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkoi te Guri i Zi, e puthi dhe i tha: “Unë e di mirë se je thjesht gur: nuk bën as dëm, as dobi. Sikur të mos e kisha parë Profetin ﷺ duke të puthur, nuk do të të puthja as unë.”
Enciklopedia e Haditheve · Pozita e sahabëve
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, në Betejën e Hajberit, ka thënë: “Do t'ia japë këtë flamur një burri që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, në duart e të cilit Allahu do ta mundësojë çlirimin (e Hajberit).” Omer ibn Hatabi në atë rast tha: "Kurrë se kam dashur udhëheqjen përpos atë ditë, andaj zgjatesha drejt tij, duke shpresuar se do të më thërriste, por i Dërguari i Allahut ﷺ e thirri Ali ibn Ebu Talibin dhe ia dha flamurin. Pastaj tha: “Ec përpara dhe mos e kthe kokën mbrapa, derisa Allahu të të bëjë fitimtar!” Aliu eci pakëz, pastaj ndaloi pa u kthyer mbrapa, dhe thirri: "O i Dërguari i Allahut, për çfarë t'i luftoj ata?" Profeti ﷺ i tha: “Luftoji derisa të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë pos Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e nëse veprojnë ashtu, atëherë të është ndaluar gjaku dhe pasuria e tyre, përveç me të drejtë, ndërkohë llogaria e tyre është tek Allahu.”
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një njeri që ka marrë pjesë në Bedër dhe Hudejbije nuk do të hyjë në Zjarr.”
Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Profeti ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi, andaj pyeti për të. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të." Kështu, shkoi tek ai, të cilin e gjeti kokulur në shtëpi, andaj e pyeti: "Çfarë ke?" Ai iu përgjigj: "Vetëm sherr." Pastaj tregoi se si ai e ngrinte zërin mbi atë të Profetit ﷺ, gjë për të cilën i janë shkatërruar veprat, prandaj është bërë banor i Zjarrit. Lajmëtari shkoi te Profeti ﷺ dhe i tregoi se ai paska thënë kështu e kështu. Pastaj (lajmëtari) u kthye sërish (te Thabiti) me një përgëzim të madh dhe i tha se Profeti ﷺ ka thënë: “Shko tek ai dhe thuaji se ai nuk është banor i Zjarrit, por banor i Xhenetit.”